E hene, 29.04.2024, 05:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Pamje pavarësie

E marte, 19.02.2019, 07:12 AM


Pamje pavarësie

Nga Blerim Rrecaj

Vendosim të dalim për përvjetorin e 11 të 17 shkurtit në kryeqytet. Ditë e bukur me diell. Pas shkëmbimeve të urimeve në telefon, dalim në stacion. Hipim në një autobus të tejmbushur, nja gjysmë ore pas orës 12, jemi në shesh. Në hyrje të sheshit shohim ca makete të objekteve historike e kulturore si Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, ura e kulla, deri te Kulla e Jasharëve të Prekazit, paraqitur me stil e mjaft mjeshtëri. Më tej zëmë për pak çaste parakalimin e Ushtrisë së Kosovës, në sheshin e rrethuar në të dy anët me rrethoja metalike. Më pas pas përshëndetjes dhe urimeve me ndonjë të njohur sytë në drejtim të qiellit, duke parë ata paragllajdistë me parashutë me akrobacionet e tyre nëpër qiellin të pastër e të kaltër të cilët përshëndesin me duar qytetarët të cilët u duartrokasin fort e herë-herës edhe brohorasin, ju lumtë, urra, eeejj... Më tej policët lëshojnë për qarkullim sheshin për qytetarët. Shumë nga fëmijët kërkojnë e dalin në fotografi me ushtarët e uniformuar. Bashkim buzëqeshjesh të fëmijëve, prindërve e ushtarëve ia shtojnë hijeshinë kësaj dite festive e të bukur me diell. Fëmijët, presin në radhë për fotografi me fjalët, m'fal, të lutem a bën o ju ushtarë, ushtarakët pranojnë, dhe këto kërkesa i pranojnë si dhuratat më të çmueshme që kanë mundur t'i marrin. Urdhëroni, përgjigjen, po ti me këtë plis, qenke si Isa Boletini, i thotë njëri nga ta njërit vogëlush. Ndonjë fëmije më kureshtar i duket pak fotoja në mesin e ushtarëve të Ushtrisë së Re të Kosovës, e ftesë u bë tash një grupi prej tre policëve, të cilët njashtu si ushtarët shprehin mirënjohjen e tyre për ftesën për një kujtim fotografie në këtë ditë feste. Vende-vende gjëmojnë e ushtojnë tupanat, e hidhen valle. Në një vend shiten dhe dredhëza, e vende vende pos shitësve ambulantë, shiten edhe prodhime artizanale. Kafenetë plot, e mjaft vizitorë kanë ardhur edhe nga trojet e tjera shqiptare, matanë kësaj republike, që njihen në të folur dhe pyesin ndokë për kah të shkojnë për të mbërri në ndonjë cak aty rreth e rrotull. Urime e paçim të mira e gëzime, vëllezër e motra, jetë e mot!

Diku, në një vend, në këtë ditë e në këtë datë, presin e festojnë një fjalë fejese, dhe dikush sikur bën propozim-urimin që martesa të bëhet me rastin e Ribashkimit Kombëtar, sa për të na e kujtuar Vitën dhe Adilin e romanit "Lumi i Vdekur", të Jakov Xoxës. Mbaron dhe ky shkurt shtatëmbëdhjeti, më mirë na gjetë, pasardhësi, i dymbëdhjeti, për të cilin duhet punë e përpjekje e fjalë, më pak!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora