E enjte, 03.10.2024, 09:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Don Lush Gjergji: Jubileu - 100 vjetori i Eparkisë (ipeshkvisë) së Ungrës (Lungro)

E diele, 17.02.2019, 12:00 PM


Jubileu - 100 vjetori i Eparkisë (ipeshkvisë) së Ungrës (Lungro)

Nga  Don Lush GJERGJI

Më 13 shkurt 2019 në mënyrë madhështore është përkujtuar dhe kremtuar 100 vjetori i themelimit të Eparikisë  Arbëreshe në Kalabri, me seli në Ungra - Lungro. Festa ka filluar me Meshën, liturgjinë lindore të mbrëmjes, të cilës i priu Imzot Donato OLIVERIO, ipeshkëv vendor, në bashkëmeshim me kardinalin Leonardo SANDRI-n, Prefektin e Kongregatës Lindore, kardinalin shqiptar Ernest SIMONI-n, ipeshkvin e Horës Arbëreshe në Sicili Giorgio Dimetrio GALLARO,  gjithë ipeshkvinjtë e Kalabrisë, arqipeshkvin e Shkodrës, Angelo MASSAFRA, ipeshkvin e Prizren – Prishtinës, Dodë GJERGJI-n, disa ipeshkvinjë lindorë nga Greqia, Hungaria, Ukraina, shumë meshtarë, rregulltarë dhe rregulltarë,  besimtarët nga të gjitha famullitë e Kishës Arbëreshe.

Në pretkun e rastit Imzot Donato Oliverio ndër të tjera tha që mënyra më e mirë e kremtimit të këtij Jubileu është kjo: që famullitë të ecin gjithnjë e më shumë sipas planit hyjnor, duke favorizuar njohjen e Fjalës së Zotit, liturgjinë hyjnore, marrjen e sakramenteve, kujdesin për mësimin e Kishës, ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar.

Kardinali Leonardo Silvestri theksoi dy gjëra tejet të rëndësishme në jetën e Kishës Arbëreshe në Kalabri: besnikërinë e pathyeshme ndaj Selisë Apostolike të Romës, Papës, por edhe besnikërinë ndaj ritit lindor – bizantin, anën ekumenike, që nënkupton ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës arbëreshe, nderimin dhe lidhjen me të parët e tyre, vendin e prejardhjes gjatë historisë dhe sot.

Kardinali Ernest Simoni nënvizoi gëzimin e tij për këtë festim të rëndësishëm për Kishën dhe Popullin tonë. Ai vazhdoi: “Vetëm me Krishtin, Virgërën Mari, Kishën katolike, Papën, pjesëmarrjen në jetën sakramentale, është e mundshme kjo mrekulli në shekuj dhe në ditët tona”.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir META ceku rëndësinë e Arbëreshëve dikur, në lëvizjen e Rilindasve tanë, gjatë përndjekjeve komuniste dhe ateiste, por edhe sot, në liri dhe demokraci, si urëlidhës mes Shqipërisë dhe Italisë, Lindjes dhe Perëndimit.

Ipeshkvi ynë në fund të Meshës imzot Donato Oliverio-s ia dhuroi një pikturë të Agron Bytyqit, ku paraqien dy figuar tona madhore, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Shën Nëna Tereze, në një” takim” shpirtëror, gjë kjo që u mirëprit nga të gjithë me duartrokitje të gjata dhe të përzemërta.

Për të ftuar është shtruar darka solemne në një hotel në Cozence, me takime, bisedime, urime dhe përgëzime miqësore dhe vëllazërore.

Të gjithë ishim të lumtur dhe të hareshëm për këtë Jubile, për takime dhe biseda vëllazërore, për organizim shumë të mirë të këtij fillimi të Jubileut, për përforcimin e vëllazërisë dhe bashkëpunimit me vëllezër Arbëreshë, me Kishat tona në troje shqiptare dhe në diasporë.

Këtë Jubile, ngjarje, të rrallë dhe domethënëse, duhet falënderuar Provaninë e Zotit, besnikërinë shekullore dhe aktuale arbëreshe, si  dhe historinë e lavdishme dhe shumë të suksesshme të tyre në Itali.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora