E shtune, 05.10.2024, 10:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Anekse ankesash

E marte, 12.02.2019, 08:47 PM


Anekse ankesash

Nga Blerim Rrecaj

Kur s'ke se çfarë bën, pashmangshmërisht dorëzoju këtij rit(m)i përsëritës, rri diku, n'shpi a n'banesë, në ndonjë kafene ose dil e ec, të vërtitesh ecejakisht. Me një barrë mbi supe, duke u munduar ta gjesh fillin e ndonjëres prej çështjeve që përpiqesh për ta zgjedhur, përzgjedhur e zgjidhur me a pa përdredhje, ku gërshetohen e mundura me të pa mundurën, abstrakja me konkreten, mbase dhe diç tjetër mes a përreth tyre. E ku t'i lëmë gjithë këto anekse ankesash të pareshtura, që synojnë e hera-herës arrijnë të ta humbin toruan. Pas ndonjë pyetje në drejtim të vetes, qoftë nga ato të përgjithshmet a thelbësoret, sa për ta zbutur atë që mund të të pres, a duke u përpjekur të gjesh ndonjë formulë lehtësuese me anë të së cilës do ta kesh më lehtë. Dhe n'vendin tonë, kuvendimit ka kohë që në masë të madhe i ka humbur kuptimi. Na kanë vërshuar çuditë që s'janë çudi, e jemi mësuar me grumbullim e mbulim të tyre, saqë ato ka kohë që janë shndrruar në përçudni që vështirë të kapërdihen.Përçudnitë edhe në i emërtofshim me emra, mbiemra a përemra, pajtohemi se aq shumë jemi familjarizuar e shoqërohemi me to dorë për dore e krah për krah, sa na kanë hyrë dhe u kemi hyrë me a pa shkak në hak e në gjak, saqë jemi stërlodhur, çorientuar e mërrllolur, duke i pritur, pa mund për t'iu ikur, të ndodhin, të shfaqen me dritë-hijet e tyre. Sa e kemi të vështirë që llugave të mëdha kaotike, për të mos u përlyer. A je kah e di për çka po flet, o Filan Fistek. Mbase kështu po përpiqem ta largojë të këqijat duke u munduar t'i heq nga vetja e assesi tek ju t'i hedh, përsërisim frazën e njejtë derisa mbushen thasë me banalitete e absurditete që presin të hidhen deponive larg e më larg vendbanimeve, mbase brenda tyre. Ka kohë që flitet për lloj-lloj alarmesh. Pa harruar dhe ato kombëtaret e edhe ato përtej. Ndonëse e kemi dëgjuar të thonë se edhe të këqijat a stresi mund të barten tek tjerët sikurse gripi, dhe kjo duhet të jetë e vërtetë, pasi ne mund të na gëzoj por edhe shqetësoj, një ndodhi, a një vështrim, një erë e rëndë a një (ku)tërbim. Ndonjëherë lëndojmë dikë me fjalë prej goje, të dalura nga zemra e plastë e koka plot me tym dhe me mospërmbajtje e nguti bëjmë ndonjë krahasim të (pa)qëlluar e të (pa)qëndrueshëm duke thënë me mërzi e maraz, por pa qëllim të keq, e djallëzi, se vendi ynë i dashur është geto që mund t'i themi:

Kosova si kafaz. Seç më pat përshtypje një herë një lajm me titullin: "Ilir Kafazi, "fluturuesi' më i mirë, ku flitej për njërën

nga garat mbarëkombëtare të aeronatikës, në Prizren. E gjatë një vizite të Kalasë së lashtë të Harilaçit, patëm parë ata paragllajdistë që aq bukur e lehtas bijnin nga qielli në tokë, diku në fushë, me sa e di, në një kufi mes një are dhe një livadhi.

E fluturimin na pëlqen ta krahasojmë me lirinë, ndonëse po duhet me e përsëritë atë që e kemi dëgjuar e së cilës i bindemi se liria e të qenët i lirë, ka kufijtë e përgjegjësitë para së cilëve duhet të përgjigjemi. Ndërkohë ne vazhdojmë të jemi të lirët e përçudshëm, ku ende na vrasin sytë muret e telat me gjemba, ku kanë mbetur aq kokëfortë kufijtë artificial mbi të cilët hidhen mëlmesa pengesash. Eu, çudi të përçudshme, hidhni, hidhni valle me mindila hallesh. Mindilave dikush u vë flakë me fije shkrepsesh dhe i hedh lart përpjetë, e kur të bien në tokë me këmbë edhe t'i shkel njashtu si trupa cigaresh që janë kah shuhen, e kjo ndodh në një fejesë a dasëm ku këndohet "O Mari, Maria, o Mari, Marjana". S'di as vetë pse kështu ia nisa të them diç, mbase pa qenë nevoja, as nuk e di se ç'thashë, as ku saktësisht dua të dal, por pak e shumë e di se ca valë e dallgë absurdi t'kësaj kohe seç po më nxisin, shtyjnë, përplasin e nxijnë, siç e thotë dhe Sami Frashëri për fjalët e keqdashësit, të cilat janë si qymyri. E Migjeni, çka thotë Migjeni, a doni qymyr, zotëri... Dhe edhe kësaj përsiatjeje mirë do ishte të vëmë ndonjë kufi. Të heqim dorë prej saj, duke u endur kot rrugëve, pas pak të gjendemi përballë një tufe pëllumbash, e derisa skaj tyre kalojmë, ata fluturojnë rrufeshëm ngriten drejt lartësive, kurse ne me një shkrepje ajfoni mund ta ngrijmë fluturimin e tyre. Po na u dashka t'i rikthehemi edhe një herë legjendës për krushqit e ngrirë. Për t'u kthyer te ecja legjendare në mjedise urbane. Ku pak më tej nja tre katër qe endacak me ca shenja në vesh të vërsulen me të provokuar se a je ai që prej atyre ik, e kur ndalesh dhe i ndjek shpërndahen mbasi janë katër a pesë, por sikur të ishin më shumë, ec e dije për rrjedhën e mëtutjeshme, të mësyerjeve të rrufeshme. E në një hapësirë pak më gjelbëroshe, nga largësia sheh ca qe të tillë me vath në pjesë të sipërme veshësh që u sulen atyre pëllumbave, dhe kjo mësyemje qensh përsëritet rri-katër herë derisa qentë largohen me gishta në gojë për të vazhduar bredhjen fillimisht te një objekt institucioni. Dikush shprehet se veç kur të ndodhë më e keqja mund të flitet se do fiillon me u marrë ndonjë masë, dikush thotë lidhi ose t'i lidhim qentë e njëra prej këngëve thotë: Who let the dogs out ( që në shqipërim të të lirë, ndonëse me anglishte nuk i kam punët mirë, pak a shumë ky duhet të jetë kuptimi: Qentë kush i zgjidhi që të dalin përjashta). Bile, më vonë sheh një shkrim diku që fliste për rrugë të pushtuara kryeqyteti nga qentë dhe disi je i kënaqur që përjetove skeçe të drejtpërdrejta që t'u japësh të drejtë të gjithë atyre që shpër-ndajnë shqetësime në erë, qoftë në dimër a në verë. Pra, sillu, sillu botë e vjetër. E ne mund të thurrim edhe diç tjetër me cukla ditësh. E mbrëmja të zë në njërën prej ëmbëltoreve, që ka hyrë në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore. Tek e cila zë vend në një qosh dhe nja dy detaje fëmijërie zë t'i kujtosh. Një fotografi në kornizë varur diku, e në të buzëqeshje fëmijësh racash të ndryshme, dhe dalim te kujtimi tjetër, një shampite e ngrënë deri në gjysëm, më s'po muj' ke thënë, duke mos e çukitur më me pirun. E tash, në të papritur takohesh me një të njohur që kaherë nuk jemi takuar. Filli i njohjes me të ishte paslufta e vitit nëntëdhjetë e nëntë. Në bisedë e sipër, kupton se është duke jetuar në qendrën kryesore të Maqedonisë së Veriut (më hollësisht se pyet se në cilën pjesë në veri, jug, lindje a perëndim, a ndonjë anë ku bashkëshoqërohen këto drejtime...), dhe të thotë se po punon si këshilltar i njërit prej ministrave t'Kosovës Republikë, e po duhet të udhëtoj e të paguaj qira edhe në Prishtinë, e kryesisht fundjavave po i bije të udhëtoj për n'Shkup, e edhe andej është e ndjehet si qiraxhi. Shumëçka dhe themi duke përmendur Shkodrën e Prizrenin, Tiranën a Korçën si duke dashur t'ua nxisim lemzën, që ta dijnë e të thonë se jemi duke i përmendur. Seç jemi paksa të pakënaqur me bishtin që s'po i hiqet, e s'po ju hiqet kësaj lirie, të ashtuquajturin tranzicion, siç e tha Primo Sllaku, trazim-cion, diku, dikur në një televizion. Dhe ndejën vazhdojmë, më pas një shëti nëpër korzë e ca rrugë qyteti, tashmë kur nata na ka hedhur pelerinën e saj. Edhe një herë po kujtohemi, e po themi se specialitetet kryesore tonat vazhdojnë të mbeten banaliteti e absurditeti, ndaj të cilave s'po dijmë se si qëndrojmë me punë imuniteti, por që t'i godasim e t'i thyejmë nuk është aq e lehtë, sikurse që u bijen me çekiç, a ndonjë mjet më praktik, për t'i thyer kokrrat e arrave...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora