E marte, 08.10.2024, 07:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Zymer Mehani: Të njohim jetën dhe veprat e shkrimtarit Hamdi Meça

E shtune, 09.02.2019, 10:50 AM


TA NJOHIM JETËN DHE VEPRAT E SHKRIMTARIT SHQIPTAR, HAMDI MEÇA

(Të dhënat biografike dhe bibliografike shkrimtarit ia mora gjatë një bisede që e zhvillova me të, më 5 dhjetor 2016, për çka i jam shumë falënderues)

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Shkrimtari Hamdi Meça u lind më 6 shtator 1952, në qytetin e Krujës. “Shtëpi e Parë” ose “Derë e Parë”, e cilësojnë brez pas brezi në Krujë familjen e tij autoktone e qytetare, prandaj nuk është ndonjë habi e pashpjegueshme pjesëmarrja aktive, idealiste e konstruktive e Hamdi Meçës në krye të Lëvizjes për Liri e Demokraci në Krujë dhe jo vetëm (1989-1991).

Mësimet e para, atë tetëvjeçare (…1967), atë të mesëm (…1972) i kreu në vendlindjen e vet, ndërsa studimet e larta (…1975), dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Institutin e Lartë Pedagogjik 3-vjeçar, në Shkodër, (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi “). Mbas sudimeve universitare, u kualifikua dhe u certifikua dhe më tej në shkencat humane si në arsim, kulturë, psikologji sociale, linguistikë e huaj, vendimmarrje në pushtetin vendor, marrëdhënie me publikun, master në turizëm etj. Prej 16 gusht 1975-15 Shtator 1995, pra 20 vjet, ky autor ka punuar Profesor në arsim. Gjatë atyre viteve, krahas mësimdhënies kualitative, u përpoq duke bërë çmos të mblidhte folkun letrar të trevës së Krujës. E gatshme sot ajo pasuri shpirtërore për t’iu servirur lexuesit në disa libra laurues. Më pas, shkëputet nga mësimdhënia dhe, që nga 11 nëntor 1995 e deri më 1 Janar 2008 (12 vjet) u emërua në administratën e Bashkisë së Qytetit të Krujës, (inspektor, drejtor në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun, Marrëdhëniet me Jashtë e Turizëm) . Nga vjeshta e vitit 2008 jep dorëheqjen idealiste, duke mos u bërë kurrë pjesë e intrigave dhe konjukturave politike.

Ky autor dhe Njeri i Shoqërisë Civile, konkretisht qysh në rininë e tij të hershme, nga viti 1977 e deri në vitin 1992, rreth 15 vjet, qe Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Kryetar i Degës së LSHA për të gjithë trevën e Krujës. Në vitin 1991, së bashku me personalitetet e shquara të letërsisë e kulturës kombëtare, Prof. Odhise Grillo, Prof. Bedri Dedja, etj. anëtar i komisionit nismëtar, anëtar i kryesisë, më pas, për gjatë viteve, disa herë nënkryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Andej nga viti 2004, anëtar i Asosacionit Ndërkombëtar “People to People International”. Një vit më vonë, më 2005, “Anëtar Nderi” i Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri-Izrael”. Pas këtij viti, në vendlindjen e tij, Kryetar i Tryezës Kulturore UNOPS (OKB). Nga viti 2006, Kryetar i Jurisë (Bullgari) për Festivalin Folklorik Ballkanik etj. ndërsa më 2016, anëtar i Komisionit Nismëtar dhe nënkryetar i Asosacionit ”Shtëpia e Shkrimtarëve të Lirë “,Tiranë. Nga vitet 1994-2015, provon dhe si botues librash dhe si themelues i ndonjë organi shtypi kulturor. Përmenden:1994-2000, Shtëpia Botuese “Jeruzalem”, miratuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me z. Dhimitër Anagnosti, ministër; 1995-1996, revista e pavarur “Sofra e Skënderbeut”; 2003-2007 revista bashkiake “Kruja informacion”. Nga vjeshta e vitit 2016 ligjëron entin “Botimet “HIMN”,emërtesë dhe nga bashkimi i shkronjave të para të emrave të përveçëm (H)amdi (I)smail (M)eça,(N)adire- (e ëma e autorit).

Shkrimtari Hamdi Meça është poet, prozator, eseist, autor tekstesh, studiues, hulumtues i antikës, redaktor etj. Të shkruarit e ka filluar qysh në moshë të re, poezi, prozë, shënime për libra etj. Emri i tij, nga atëherë e deri më sot, krahas dhjetëra librave të botuar, si dhe pjesëmarrjeve të tij me ligjërata, kumtesa, diskutime nëpër simpoziume kulturore, konferenca shkencore, tubime kombëtare etj. gjendet dhe në periodikun letrar e artistik ,atë publicistik si dhe në të tjera arkiva e memorje.

Në lidhje me këtë autor, dhe kjo e dhënë nostalgjike. Pasi nga frymëzimet e tij dhe mjaft krijime për muzikë ndër vite të kompozitorëve të Krujës e jo vetëm, mbi 400 tekste, nga të cilat disa sot e kësaj dite këndohen dhe nga Grupi Karakteristik i Pleqve të Krujës. Ndërsa në letërsinë e pasionit të tij më të madh “Letërsia për Fëmijë e të Rinj”, siç shkruajnë studiues kritikë apo që e thotë vetë opinion i gjerë kulturor, ky shkrimtar është një personalitet dhe një shkollë më vete. Nga 40 vjet, autor i mbi 40 veprave të botuara si dhe qindra krijimeve të tjera më vete të shpërndara nëpër organe shtypi brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Lëvrues pothuajse i të gjitha gjinive dhe llojeve të kësaj letërsie, në poezi e në prozë, ku spikasin gjetjet, detajet, larmitë e formave klasike dhe moderne, vizionet e pashterrshme stilistike, kërkimet dhe zbulimet e herëpashershme nga një stil i të shkruarit krejt origjinal.

Nga vjeshta e vitit 2015 ky autor i dha Letërsisë Shqipe për Fëmijë e të Rinj të parin roman poetik “Sandalja e djathtë’, i cili është pjesë e trilogjisë bashkëkohore, botuar po më 2015 nga “HIMN”, i përbërë dhe nga “Rosaku polic”-novela poetike, ”Zogu zogun e çukiti”-gjëagjëza poetike.

Hamdi Meça, dhe pse më së shumti nga 40 vjet njihet kryesisht si autor i shquar në Letërsinë për Fëmijë e të Rinj, por ç’është e vërteta, nga 40 vjet e këtej pena e tij kurrë s’ka reshtur së shkruari në heshtje dhe letërsi të mirëfilltë për të rritur.E botuar dhe e pabotuar ,nga 40 vjet e këtej, për gjatë vitit 2017, në 65- vjetorin e autorit, në letërsinë për të rritur, krahas botimeve të reja për fëmijë e të rinj, (sa i paduruar ky parcelizim i letërsisë ), lexuesi mund të ketë në duar mbase disa vëllime jo në lloje të njëjta poetike etj.

Ky autor shumëplanësh, krahas çmimeve dhe shpërblimeve për vepra të plota apo cikle krijimesh më vete, është nderuar dhe me të tilla vlerësime.

Në vitin 1989, Kuvendi Popullor i Shqipërisë së kohës, me dekret Nr 7324, i jep Medaljen “NAIM FRASHËRI”, për krijime letrare me nivel dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin e letërsisë për fëmijë.

Më 1 gusht të vitit 1992, Bashkia e Tel-Avivit, Izrael, në shenjë nderimi ndaj popullit shqiptar për çfarë bëri në shpëtimin e hebrenjëve nga shfarosja naziste, krahas Medaljes “I NDERUAR NDËR KOMBE”, për gjyshërit e tij “Sulejman e Zenepe Meça”, dekoron dhe nipin e tyre, shkrimtarin Hamdi Meça me vlerësimin “QYTETAR NDERI”, i Tel-Avivit.

Më tej, ky shkrimtar, në vitin 1994, merr çmimin “ISMAIL QEMALI”, për novelën “E bukura e dheut”, nga Shoqata Kulturore Mbarëshqiptare “Ismail Qemal Vlora”, me kryetar të paharruarën Nermin Vlora.

Më 1999, vlerësohet me çmimin “XHANI RODARI”, për poemën-përrallë “Tomi dhe Xherri”, dhënë nga Shoqata Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në bashkëpunim me ambasadën italiane.

Ndërsa më 25 maj të vitit 2000, në aktivitetin “Ditët poetike”, Bashkia e qytetit bregdetar, e shpall këtë shkrimtar “MIK I QYTETIT TË DURRËSIT”.

Më 2005 Lidhja Folklorike Mbarëkombëtare“ Skënderbeu” në ceromoni të posaçme i jep “MIRËNJOHJE “ për kontributin e tij si hulumtues i vlerave etnokulturore, studiues, shkrimtar, pasurues i repertorit të Grupit Karakteristik të Pleqve të Krujës.

Kësaj larmie vlerësimesh, u shtohen dhe të tjera, siç janë Certifikat e Mirënjohjes, ku veçohet ajo e Qendrës Kombëtare të Fëmijëve, Tiranë, viti 2006 etj, apo kjo më e fundit, e 20 tetorit 2016, Certifikatë “MIRËNJOHJE” për kontributin në vite me botimet e shumta e mjaft cilèsore në fushën e letërsisë për fëmijë“ nga njëra prej shkollave më cilësore jo publike 9- vjeçare të kryeqytetit shqiptar, që mban emrin “Faik Konica” si dhe Klubi Letrar “Faik Konica”, Tiranë.

KRIJIMTARIA E DERISOTME PËR FËMIJË DHE TË RINJ E SHKRIMTARIT HAMDI MEÇA

I. POEZI

(Roman poetik, novela poetike, vjersha, poema, poema-përralla, përrallëza, fabula, gjëegjëza poetike etj.) :

”Zogu zogun e çukiti”-gjëegjëza poetike, 2016;

“Sandalja e djathtë”-roman poetik, 2015;

“Rosaku polic”-novela poetike, antologji, 2015;

“Peshku me lule në gojë”-novelë poetike, 2015;

“Qeni plangprishës”-novelë poetike, 2015;

“Oktopodi me re që u kthye në deve”-novelë poetike, 2015;

“Skifteri faraon dhe heroi më kot”-novelë poetike, 2015;

“Pula që bën vezë në qiell”-novelë poetike, 2015;

“Statuja pa emër”-novelë poetike, 2015;

“Alpinisti i qiellit”-poezi për fëmijë e të rinj, 2004;

“Jam shqiptar”-poezi, 2004;

“Gjithë të mirat”-përralla që s’të vënë në gjumë, 2004;

“Dhelpra dhe bletët”-poemë-përrallë, 1976, botim i plotë, v. 2000;

“Ketri trim”-poemë-përrallë, 1977, botim i plotë, v. 2000;

“Ura magjike”-tri poema një përrallë, 2000;

“Tomi dhe Xherri”-poemë-përrallë, 1998;

“Një shportë me pranverë”-vjersha, 1986;

“Besa e flamurit”-vjersha dhe poema, 1984;

“Duar që nuk rrinë pa punuar”-vjersha dhe përrallëza, 1980;

“Ra ylberi përmbi shkollë”-vjersha, 1980;

“Nëna me zemër sa liria”-poema, 1980;

“Gjuha mëmë”-poemë, 1978;

“U rrita,moj nënë”-vjersha, 1977;

“Lule shqiponjat krutane”-poema, 1976;

“Ben, Ben, kapiten”-vjersha, 1976.

II. PROZË

(Roman,novelë, tregime, skica, fabula etj.):

“Xhani i vogël”-tregime për fëmijë, 2004;

“Një çudi në qiell”-tregime për fëmijë, 2004;

“Stërnipi i Skënderbeut”-tregime për fëmijë, i 2004;

“Xhipi i lagjes”-Tregime për fëmijë,i 2004;

“Çudirat e gjyshit Gon”-tregime për fëmijë, 2004;

“Mbreti i kurorëzuar nga ëngjëjt, Skënderbeu”-roman, 2003;

“E bukura e dheut”-novelë, 1994, botim i plotë, v. 2001;

“Trumcaku në grevë urie”-fabula në prozë, 2001;

“Laraska pa bisht”-fabula në prozë, 1991, botim i plotë, v. 2000;

“Pishtari i xixëllonjës”-fabula në prozë, 1988, botim i plotë, v. 2000;

“Piktori dhe përbindëshi”-fabula në prozë, 2000.

III “Vendlindja ime, Kruja”, i 2008, -tekst shkollor për klasat e pesta në sistemin arsimor 9-vjeçar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora