E marte, 10.12.2024, 05:39 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Qyteti im ujëvarë në sy

E premte, 08.02.2019, 08:00 PM


ELEGJI APO LOTIN LIDHMANI ME LITARIN E MALLIT

Sejdi BERISHA:

QYTETI IM UJËVARE NË SY

(Po sa shumë vargje me lot përzier i kam)

1.

Qyteti im

Që dikur edhe tash

Ta di e ta njoh çdo pëllëmbë

Edhe çdo cep si merr frymë

Ta njoh historinë që rri heshtur

2.

Qyteti im

Sot vendosa t’i shkruaj këto vargje

Se ka kohë që shpirtin rënduar ma kanë

Se zemrën ma kishin përcëlluar

3.

Ka sa kohë

Që në atë rrugën ku tabakët bënë histori

Nuk kam ecur me këto dhembjet e mia

Ka sa vite

Që në atë rrugën ku u rrita

I kam harruar gurët e sokakut

E nuk ua kam besën kujtimeve

4.

Ka sa kohë

Që ditëve të shtune

Nuk e kam shijuar erën e bulmetit

Në tregun ku dikur

Shijoja historinë e nënave tona

Me pak kos e me një vedër qumësht

Me disa vezë pule

Të mbështjella me sanën e livadhit

Bënin pak para për opingat e kalamajve

5.

Ka sa kohë

Që nuk e kam dëgjuar zhurmën

Në tregun të Xhamia e Çarshisë

Ka sa kohë që jam përcëlluar

Për ujin e Shatërvanit te “Okoli”

6.

Më ka marrë malli

Edhe për dyqanet e briskaxhinjëve

Besa edhe për vendin

Ku shiteshin djepat

7.

As te Çokolica rebele nuk kam shkuar

Për t’i mbledhur disa kujtime

Te Pallati i Kulturës

Ku zyra ime ende është

Por ndryshe frymon

8.

Qyteti im

Për gjithçka jam përmalluar

Se Karagaçi e Kapeshnica

Janë vule e fëmijërisë sime

9.

Më ka marrë malli

Edhe për dyqanet e mbathtarëve

Ku kam shpenzuar shumë vite të rinisë

10.

Më beso qyteti im

Ta njoh edhe shkrumbin

Edhe këngën e thyer

Se në Tabje pushojnë shumë eshtra

Që e deshën tokën dhe njeriun

Dhe ende nuk e dimë kush ishin

Se në këtë shpat

Ende nuk është hedhur ajo drita

Që hijeshon e rri kujdestare

Duke folur për qytetin tim

11.

Se Kulla e Sheremetit

E di

Edhe sot merr frymë zorshëm

Nga krismat e fshehta të pushkëve

E Kullës së Haxhi Zekës

Sikur sipër i rrinë hallkat e bashkimit

12.

Qyteti im

Ke shumë rrugë e rrugica

Secila e ka nga një histori të veten

Të gjitha i kam përkëdhelur me hapat e mi

Por tash

Sikur një hije u ka rënë syve të mi

Apo diçka po merr frymë pleqërie

E lashtësitë sikur i kanë mbyllur defterët

13.

Te ajo ujëvara e Grykës së Rugovës

Shumë vargje me lot përzier i kam

Me kujtime mall e lumturi

14.

Më ka marrë malli

Për Ty qyteti im

Prandaj sot ndryshe të përqafoj

Ndryshe të kujtoj e të kujtoj...

15.

Që të shoh mirë e të çmallëm me ty

Do ngjitëm atje lartë në Zatrat kryeneçe

Do i provoj eshtrat e mi

Edhe qëndrimin e tyre

Nga lartë do të shikoj

Ndoshta edhe do këndoj

Por

Lotin lidhmani me litarin e mallit

Se tash sytë i kam të ndjeshëm

E dënesjet m’i provokojnë

16.

Sa të dua qyteti im

Sa mall kam për Ty

Ti pasuria ime e vetme

Kështu më erdhi

T’i shkruaj këto vargje

Edhe pse çdo ditë jam në zemrën tënde

E Ti në damarët e trupit tim

17.

Dikush më tha

T’u kanë rënduar këmbët

E hapat peshë rrugëtimi t’u kanë bërë

Atëherë

Mendja barrë jete m’u bë

Dhe këmbët i freskova

Në ujin e Lumbardhit

18.

Dola nga kllapi e rëndë

Kafe kisha qenë duke pirë

Në verandën e Hotel “Dukagjini”

Me shikim duke e përcëlluar etjen

E lumit të qytetit tim

Më brofi mendja:

Në këtë lumë historie

Në vend të hirit nga urna

Do hedh polen lulesh

Ndoshta e ngushëlloj tokën

Për ta ruajtur historinë e saj

Duke kënduar pa u përmalluar...

(Pejë, 08 shkurt 2019)



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora