Kulturë
Poezi nga Zymer Mehani
E hene, 04.02.2019, 09:00 PM
Zymer Mehani
NË BALLIN E FËMIJËVE TANË
Në ballin e fëmijëve tanë
Si në abetare atdheun e lexojmë
Në të dhe për të jetojmë
Në një atdhe u lindëm
Që ka zemrën më të fortë se guri
E u rritëm me ninulla
E me krisma pushkësh
U mëkuam nga nënëlokja
Me dashuri për Flamurin
Dhe për gjuhën shqipe
Për shkëmbin e gurin
U lindëm në një atdhe
Që e kemi Zot, fe e përmbi fe
Që forcën e një kulle prej guri
Ku trimat betohen
Në puthje te Flamuri
Ku shqiptari është mbret
Nga deti në det
Në një atdhe u lindëm
Ku fëmijët tanë
Me emrat e tyre
Vizatojnë hartën e Shqipërisë sonë
Ata krenarisht mbajnë emra
Fshatrash, qytetesh,
malesh, luemjsh detesh
Si Vlorë, Milot, Gramoz,
Erzen, Korab, Shëlzen...
Në një atdhe jemi lindur
Ku jeta ka një kuptim
Ku dhe kënga ka butësinë e urtisë
Ku burrat e zgjedhur të kombit
Martohen me mortjen
Për liri t’ shqiptarisë
O VËLLA, MË TREGO!....
Si të mos jem i pikëlluar
O vëlla, më trego
Kur shoh e ç'nuk shoh
Në këtë kohë të pakohë
Nëna me përparëse të arnuara
Baballarë me këpucë të grisura
Fëmijë të varfër -
Sy engjujsh të tretur
Duar të shtrira për lëmoshë
Njerëz hipokritë sa të duash
Vjedhës, të korruptuar plot
Ah, ruana prej tyre, o i Madhi Zot!
Si të ndjej gëzim
M'thuaj, vëllai im
Kur fqinjit i mungon buka
Atij tjetrit- barnat
Këtij, këtu i ka humbur shpresa
Ku mbeti nderi dhe besa?!
Pse gjithë kjo e keqe mes nesh
Gjithçka është bërë li e lesh
A ka kush që e merr vesh?!!!
S'DO TA DIJA....
Kurrë s'do ta dija rrugën time
Sikur të mos ma tregonte vargu im
S'do t'i dija as shtigjet e shtegtimeve
Sikur të mos më printe imi vargëzim
Porsi i pandërprerë uragan
Ç'më kall, ç'më djeg një zjarr
Jam bërë rojtar poezie
Dua të digjem në ndjenja atdhesie....
GJERAQINA
As më thua,
Pse të quajnë gjeraqinë?
-Pse ke sqep të kthyer,
Gjithnjë je vetëtimë ?
-E sillesh, shëtitesh,
Mbi Atdhe vërtitesh!?....