E enjte, 03.10.2024, 12:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Diskutim me shkrimtarin Meçan Hoxha

E shtune, 09.02.2019, 11:29 AM


“DAUTIZMI”, DUKURI SHOQËRORE JO VETËM SHQIPTARE

Diskutim me shkrimtarin Meçan Hoxha

Nga Kadri Tarelli

Para pak ditësh miku im, shkrimtari dhe studiuesi Meçan Hoxha, më dhuroi dy libra: “Gramshi në jetën time” dhe “Kontribute letrare”. Pikërisht tek libri i dytë, e rilexova shkrimin: “Ditari i Daut Hoxhës dhe Dautizmi shqiptar”. Faqe 80 - 94. U shpreha që e rilexova, pasi me këtë shkrim jam njohur që në dorëshkrim, gati më shumë se një vit më parë. Ndaj tani po sjell në vëmendje edhe mendimin tim për këtë temë, që m’u duk mjaft interesante dhe që ha shumë diskutime.

Të them të drejtën, jo për t’u bërë qejfin, as për t’u vënë grada e ofiqe, por më pëlqeu kapja e temës, të cilës të gjithë i vijmë anës dhe nuk e godasim në shenjë. Është një gjetje e bukur dhe e dobishme për shoqërinë, sepse kështu ka mundësi të kuptojë më mirë atë ç’ka ndodhur dhe ndodh në çdo sistem diktatorial, kur bëhet fjalë për vetëdijen, karakterin dhe mbijetesën. Këtu mbase është më e dukshme, por mund dhe ndodh edhe në të pëlqyeshmen demokraci, kur njeriu nuk e ndjen veten të sigurt, nuk gjen siguri dhe nuk ka forca të ndryshojë gjendjen në të cilën ndodhet.

“Dautizmi” është një dukuri shoqërore, që lind dhe zhvillohet në çdo sistem, më së shumti ku mungon liria e fjalës e shprehjes dhe organizimit. Kuptohet lehtë, që ky fenomen nuk ngjason me servilizmin dhe hipokrizinë, pasi këto janë vese të individit dhe kanë të bëjnë me tipin e njeriut dhe marrëdhëniet që ndërton ai me të tjerët. Me një fjalë, Dauti nuk e shpiku “Dautizmin”. Ai rrëfen vetëm një rast, ku kjo frymë e revoles së heshtur, mbeti e mbyllur në kuti teneqeje, për gati gjysmë shekulli. Kjo dukuri, apo fenomen siç e quani ju, në vendin tonë kishte përfshirë më së shumti të gjithë shtresën e intelektualëve, që në mbrojtje të vetvetes dhe familjes, i vinin vetes autocensurë, si të thuash i vinin gojës një dryn të madh, siç shprehej historiani ynë Kristo Frashëri.

Analiza që i bëni kësaj dukurie është e thekshme, madje një nxitje për ta plotësuar e kopsitur më mirë e më bukur. Në të vërtetë, është temë e madhe, që meriton një studim të plotë, ku mund të përfshihen, letrarë, historianë, mjekë, sociologë e psikologë, ndoshta më pak politikanë, pasi ata e kanë zanat dyfytyrësinë dhe dyzimin e shpirtit.

“Dautizmi”, mendoj se nuk është “patentë” vetëm shqiptare. Kush ka sado pak njohje nga historia dhe letërsia e botës, e dallon dhe e përcakton saktë, se ku më shumë e ku më pak, kjo është ‘Pasuri” e të gjithë popujve dhe kombeve. Bindemi lehtë, pa hyrë në thellësinë e shekujve, mjafton të gjykojmë të gjithë popujt e vendeve të Europës lindore, të quajtura socialiste, që gati gjysmën e shekullit XX, përjetuan afërsisht të njëjtën politikë, filozofi, teori e praktikë dhune, në diktaturën nga më mizoret në historinë e vjetër dhe atë moderne. E gjithë dukuria, siç e shtrini ju ka disa pamje:

E para: Zotësia për ta parë realitetin drejt në sy, pa shtrembërime e pa zbukurime, duke rrëmuar e gjetur, shkaqet dhe rrënjët sociale.

Së dyti: Është një lloj trimërie e cunguar, duhet thënë e menduar, që me shumë frikë, kundërshtitë ndaj realitetit i dokumenton në ditar, por i fsheh nga “syri dhe veshi vigjilent”, që të mos gjenden, se ndryshe e pinte e zeza. Kështu qetësonte e ngushëllonte veten, pa ditur se një ditë mund t’i shërbejnë kohëve. Nuk më pëlqen ta quaj parashikim, veprimin e Dautit, duke i dhënë aftësitë e orakujve të Delfit, por më shumë si vazhdim i filozofisë dhe praktikës jetësore, që: “E vërteta vonon, por kurrë nuk harron”, siç thotë populli.

Në këtë hulli, ju deri diku e mbroni “Dautizmin”, duke lënë shtegun hapur, se në një farë mënyre, intelektualët, kjo shtresë e popullit, duke mos folur e mos vepruar, e mbajti në këmbë të gjithë sistemin. Bile sillni në kujtesë disa shembuj të personaliteteve të njohur të letrave dhe politikës. Citimet thonë shumë, por nuk tregojnë thelbin. Mendoj, se frika është arma e të pambrojturit, për mbijetesë.

Çdo kush nga ne, duke ndenjur pranë sobës, bëhet trim dhe jep mësime, se duhesh ngritur në protesta, madje më tej shtojnë, se duhet të gjenin një zgjidhje për të përmbysur diktaturën. Një fjalë goje. Historia i ka të dy medaljet, edhe fitoren, por edhe ndëshkimin deri në masakra. Nuk po marr si shembull Revolucionin Hungarez, ku u vranë mijëra njerëz sepse kërkuan liri, por masakrat disa milionëshe të Stalinit, ndaj kundërshtarëve të komunizmit, në atdheun e revolucionit proletar. Është pak e tepërt të marrim shembull edhe diktaturën tonë, vazhduese e denjë e stalinizmit rus, pasi brezi ynë e njeh mirë, sepse e mbajti mbi kurriz për gati gjysmë shekulli. Megjithatë, po shtroj disa pyetje, si përgjigje ndaj vetvetes:

A nuk u asgjësuan mijëra intelektualë të përgatitur në shkollat më të mira të perëndimit, që u cilësuan “Armiq”, më të shumtët pa gjyq, duke mbjellë terror në popull? A nuk u mbushën burgjet me të pakënaqur, shpesh me akuza të rreme, me idenë që nuk e duan sistemin? Si u eliminuan edhe shokët, miqtë dhe bashkëpunëtorët, që luftuan për liri, por vendosën diktaturën, duke i shërbyer me besnikëri e përkushtim, shumica të bindur te idealet, shumë pak të pakënaqur për të kundërshtuar? Ka plot raste, kur dhe në burg, ata betoheshin për komunizmin dhe besonin te diktatori.

Mendoj, se të mbrohesh nga e keqja është mençuri për mbijetesë. Dikush e quan paburrëri, dyfytyrësi, thyerje karakteri, etj, etj, si këto, duke harruar, se cilido nga ne, bëhet trim vetëm kur ka shpatullat e mbrojtura, kur bëhet shumicë, kur ka mundësi organizimi dhe bindjen se do të fitojë. Vetë populli ynë shpreh një filozofi të tërë, në një fjalë të urtë: “Trim i mirë me shokë shumë”.

Mësimet nga historia dhe nga pësimet e jetës, janë mësues të pa gabueshëm, në shumicën e rasteve të dobishme, se individi përballë pushtetit dhe diktaturës është një hiç dhe s’mund të bëjë asgjë, veç asgjëson vetveten. “Njëshi, zero e fyl”, - thotë diku Majakovski. Të tilla kushte ishin krijuar te ne, aq sa burri nuk i besonte dhe nuk i tregonte gruas, baba djalit, apo djali babës, mos të themi shokut apo komshiut, ndryshe e pësonte. Besoj se nuk gaboj, ashtu si nuk gaboni edhe ju, se edhe shumë komunistë, të cilët me shumë idealizëm besuan te kauza e tyre, kështu që më pas, në një farë mënyre u bënë pjesë në ingranazhet e sundimit, por e “shijuan” të vërtetën dhe u bënë të pa kënaqur, siç është edhe miku ynë Dauti, por vetëm kaq. E prenë gjuhën dhe mbijetuan.

Duke e parë në syrin e një studiuesi, “Dautizmi”, si dukuri shoqërore, është edhe i dëmshëm. Është një lloj “gandizmi” në diktaturë, një armiqësi e heshtur, e fshehtë, që pret rastin të shpërthejë, sapo t’i jepet mundësia. Këtë e dinë mirë edhe diktatorët, prandaj bëjnë krime, shpesh të padëgjuara, siç bëri edhe diktatori ynë, që vuri shqiptarët të asgjesojnë racën e vet shqiptare, në emër të luftës së klasave, duke zbatuar Makiavelin, që thotë: “Është shumë më e sigurt, kur ta kanë frikën, sesa kur të duan”.

Duke u njohur me studimin tuaj, më lind natyrshëm pyetja: I mendoni nostalgjikët apo skeptikët e shumë, madje vetë i kini ndeshur në këtë ballafaqim studimor, që edhe kështu me një dokument në dritë të diellit, thartohen dhe bëjnë sikur nuk besojnë, duke sjellë e përcjellë lloj-lloj muhabetesh, për të mbuluar të vërtetën? Bile më keq akoma, trimërohen e thonë: pse nuk e tha atëherë? A thua, se Dauti, apo dautët, ishin të lirë të thoshin e të vepronin. Unë pajtohem me poetin Primo Shllaku, kur shprehet: “Ishte pikërisht kjo arsyeja, që aso kohe, heshtja u bë kisha ime dhe poezitë e mia altari i saj, ku unë vija për çdo natë, vazot e mia me lule të natës”.

Është e vërtetë që, duke mbajtur ditar, Dauti nuk është i vetëm në veprimin e tij. Këtu nuk përfshihen shtresa e goditur, që natyrisht ishe e strukur në frikën dhe pakënaqësinë e saj. Ju vetë na sillni edhe shembuj të intelektualëve të mirënjohur durrsak, që i murosën shkrimet, duke i nxjerrë pas viteve 90. Edhe ju e dini po kaq mirë sa unë, se ditari është dokument i vërtetë, i pazëvendësueshëm, që fikson kohën, njerëzit dhe përjetimet e ngjarjeve, ku mund të thyejnë kokën militantët dhe më shumë nostalgjikët, të cilët nuk kanë rrugë tjetër veç të bërtasin dhe të mohojnë, duke thënë: “Ja fut kot. S’ka ditar. Pse nuk e nxori dje?”. Etj, etj.

Nëse e shohim “Dautizmin” në një plan tjetër, te ne kjo dukuri u shndërrua në një të murtajë vdekjeje. Intelektualët u pajtuan, me shtypjen, më mirë duhet thënë, u nënshtruan, duke u tulatur, zbehur, apo zhdukur guximin për t’u ngritur. Aq e madhe ishte kjo ndjenjë frike dhe pasigurie ndaj demonit, sa që mjafton të kujtojmë dyndjen nëpër ambasada, e më pas ikjen biblike nëpër tragete, të mijëra shqiptarëve, kryesisht të rinj. Ndaj vetiu të lind pyetja: Pse ikën dhe nuk u ndeshën me diktaturën, jo për t’u hakmarrë, por të paktën t’i detyronte të kërkonin falje, si më i pakti ndëshkim e qetësim moral?

“Dautizmi” nuk preku vetëm intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë, pasi ka plot shembuj të tjerë, ku përfshihen edhe “kokat e mëdha”. Veç disa personazheve që sillni ju, këtu po shtoj një thënie të shkrimtarit I. Kadare, i cili në një intervistë dhënë dikur më herët, në një televizion, ku shprehet përafërsisht kështu: “Shkrimtari nuk është dhe nuk mund të bëhet hero. Pse të tjerët kërkojnë, që ai të bëhet hero, dhe nuk ia kërkojnë vetes?”. Ai vetë nuk e pranon të quhet disident, pavarësisht se nuk e përtypte diktaturën. Pse duhet të bëhej hero? Për të vërtetën? Cila ishte e vërteta? Dhe ky flijim, a do t’i shërbente shoqërisë për t’u çliruar? Apo thjesht si emër i cituar nëpër libra?

A nuk është shembull, për t’u mbyllur në vetvete, rasti i Kasëm Trebeshinës, si i vetmit shkrimtar disident, (mbase ka edhe të tjerë, që unë nuk i di). Ai pati guximin të përballet me diktaturën dhe diktatorin, por që gjithë jetën e “shijoi” ferrin e burgut e të internimit, njëkohësisht edhe mos botimin e veprave të tij. Në këtë rast dua të besoj dhe të mendoj si Aristoteli, që thotë: “Njeriu i matur, nuk thotë gjithnjë atë çka mendon, por mendon atë çka thotë”.

Sidoqoftë, i nderuar z. Meçan, të përgëzoj për gjetjen e temës dhe për diskutimin që po shpalos. E gjitha kjo, të hap një hulli të bukur studimi, që kërkon shumë punë e mund, mbase edhe bashkëpunim me krijues intelektualë të fushave të ndryshme.

E vlen diskutimi, pavarësisht me kundërshtitë dhe kundërshtarët, që do hasësh, duke bërë pyetjen që do ta bënin të gjithë:

- A ka të drejtë Dauti dhe “Dautizmi”?

Kadri Tarelli.

Durrës më: 03, të shkurtit, 2019.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora