E diele, 13.10.2024, 12:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Kafe në park

E enjte, 14.02.2019, 08:21 PM


Kafe në park

Nga Blerim Rrecaj

Bora, kjo shfryerje e furishme fjollash na zuri duke ecur në hyrje të sheshit, mua personin X, e ty personin Ypsilon. Bredhjen e shoqëron kjo erë përplasëse e ky i ftohtë rrëqethës. Më pas një lypës ulur para shtatores së Skënderbeut, rri e pret ulur me paketën e shqyer si një lloj tabaku mëshirues. Një flamur shtetror vënë mbi ndërtesën e kuvendit valavitet. Para Teatrit Kombëtar një binë duke u vënë nga ca punëtorë. Pak herët, bre nëse kjo është kah bëhet për 17 shkurtin e njëmbëdhjetë me radhë, a mbase ditën e të dashuruarve. Sido që të jetë hedhim hapa hallexhinjësh, me fjalë demushash a drenushash. Ku të vendosemi, për të pirë kafene, themi derisa lëmë pas shtatoren e një filxhani të kafesë, vendosur përkarshi Skënderbeut. Dhe dalëngadalë u japim këmbëve ca rrotull, kalojmë objektin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, të përfolurën akademi. E tash nga t'ia mësyejmë, paj, hajt në njëren nga dy kafenetë e parkut. E këtu, oxhaku i ndezur, që ndez kujtime. Drutë vazhdojmë të digjen, e kushedi sa ide, ëndrra, shpresa, përpjekje e projekte u dogjën e kështu vazhdojnë të digjen, pa mëshirë. E sot e mot, sa koha po shkon kot. Kalojmë në gjendje përhumbjeje. E dëgjon pyetjen: Humbamen(d)o, çfarë ke? Jo, asgjë, përgjigjesh me një ton paksa misterioz. Heshtja sikur s'durohet. Fole një fjalë, sikur urdhërohesh. Një fjalë të madhe. Elefant. Po çfarë fjale është kjo? Megjithatë për mua diçka thotë, ka njëfarë kuptimi e më rikthen te ai kujtimi, dikur n'fëmijëri, në një sallë duke ngrënë një shtëllungë sheqeri të shkrirë, e duke parë me sytë nga cirku, e më pas duke dalë prej tij, më patën hipur e ulur në shpinën e atij elefanti elegant me një shami të vënë mbi ballë, e ma patën bërë dhe një fotografi. E fotografinë s'di a ma dogji lufta apo më humbi pas saj, nga pakujdesia. Pastaj kalojmë të porositë. A e kërkove të madhe? Po, të lutem, makiato. Për mua kapuçino me sllag. Të lodhur jo vetëm nga fjalët, por edhe nga kafenetë. Me ndonjë vështrim nga hyrja, dera e xhamat, e kësaj kafeneje, nga ambienti i saj i brendshëm, si një lloj gjysëmbodrumi, me ndonjë pikturë të vënë mureve me tulla të një të kuqeje të pjekur. Tashmë rrallohen fjollat e borës, dielli i jep shkëlqim shëndritës parkut, e era që shfryn me forcë të herë pas hershme, shkund degët e pishave, duke u bërë ajo shkaktare e rënies së borës së mbetur, e që kushedi që sa dremiti në gjilpëra të gjelbërta gjethesh të pishave qiri të drejta. Njëra ishte shtrembëruar skaj rrugës me gurë të shtruar, si të ishte farë rampe, që hapet e mbyllet për kalime andejpari. Lëmë, kafenenë, lëmë parkun. Duke dalur prej tij, matanë shohim atë shumëkatëshe, jo fort moti të ngritur e në maje të saj me shkronja të mëdha mban mbishkrimin kulla e muhaxherëve. E rrugës era bart një turmë gjethesh, të cilat përshkëndriten fort nga ky diell i ftohtë. Diku gjethe t'mëdha sa shuplaka duarsh hedhin valle të nxitura nga kjo shëmbëlltyrë tornadoje.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora