Kulturë
Ermira Babamusta: Intervistë me Vebi Kosumin
E marte, 20.03.2018, 08:24 PM
Vebi Kosumi: Vetëvendosja dhe pavarësia e shteteve. A mund të krahasohet Krimea me Kosovën?
Vebi Kosumi, migroi nga Kosova në Mbretërinë e Bashkuar gjatë kohës së shkatërrimit të ish Jugosllavisë. Ai ka punuar me azil-kërkuesit dhe refugjatët nga viti 2000. ?shtë anëtar bordi në tri organizata jo qeveritare në nivelin Britanik, që mirren me imigrantët. Vebiu është konsulent i zhvillimit ndërkombëtarë, dhe aktualisht punon në një projekt kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe skllavërisë moderne.
Vebiu ka diplomuar në masterin e ligjeve (LLM) në ligjin ndërkombëtar me marrdhënie ndërkombëtare. Ka publikuar në xhurnalin akademik, Queens Political Review në vitin 2014 me temën “Can the European Union resolve the Life-Cycle of the Conflict in Kosovo? (A Mundet Unioni Evropian t’a Zgjidh Ciklin Jetësor të Konfliktit në Kosovë?). Vebiu ka publikuar librin “Can Crimea Claim Secession and Accession to Russian Federation in Light of Kosovo’s Independence?” (A mundet Krimea të Shkëputet dhe të Bashkohet me Federatën Ruse duke u Bazuar në Pavarësinë e Kosovës?), 2018.
Intervista me Vebi Kosumi
Bisedoi Ermira Babamusta
Cili është libri juaj më i ri dhe kur e keni botuar?
Libri titullohet “Can Crimea Claim Secession and Accession to Russian Federation in Light of Kosovo’s Independence?” (A mundet Krimea të Shkëputet dhe të Bashkohet me Federatën Ruse duke u Bazuar në Pavarësinë e Kosovës?), botuar në 2018.
Për çfarë bën fjalë libri?
Libri ekzaminon rastin e Krimesë dhe bashkimin e saj me Federatën Ruse, duke e krahasuar me pavarësinë e Kosovës. Mbështetet në burime akademike duke përfshirë xhurnale akademike, arkiva nga Unioni Sovjetik, Federata Ruse, Ukraina, ish Jugosllavia, Shqipëria dhe Kosova, gjithashtu përfshinë burimet e mediave që përcjellin zhvillimin e situatës së Krimesë.
Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?
Libri analizon deklaratat Ruse për krahasimin e Krimesë me Kosovën, mirëpo, në ekzaminimin e thellë të ligjit ndërkombëtar, përfundimi është ai të cilin lexuesi do t’a gjej kur e lexon librin.
Çfarë strukture ka libri?
Libri ka një strukturë akademike me kapitujt: 1. Hyrje; 2. Bakgroundi legal dhe historik i Krimesë dhe Kosovës; 3. Shtetësia në ligjin ndërkombëtar dhe aplikimi i tij në rastin e Krimesë dhe Kosovës; 4. Vetëvendosja dhe aplikimi në rastin e Krimesë dhe Kosovës; 5. Përdorimi i Forcës, dhe 6. Përfundimet
Çfarë e ka frymëzuar këtë zhanër të librit?
Interesimi im ishte gjithmonë shumë i madh për ligjin ndërkombëtar dhe marrdhëniet ndërkombëtare, mirëpo interesimi im është rritur shumë më shumë pas studimeve mastër në Universitetin e Kentit dhe ofertës nga Universiteti i Jorkut (York) për doktoratë.
Sa libra keni botuar deri tani? Na tregoni më tepër për veprat e tjerat letrare tuajat.
Ky është libri im i parë, mirëpo kam pasur edhe një publikim në xhurnal akedemik (Queens Political Review, Belfast) në vitin 2014. Në të ardhmën mendoj të shkruaj novela.
Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj letrare dhe publicistikë?
Familja ime më mbështetë gjithmonë, sidomos motra ime, Shehidja. Kam mbështetje nga shumë miq dhe familjarë në Angli,në mbarë botën përëndimore, dhe nga vendet Ballkanike e sidomos ato të banuara me Shqiptarë. Inspirimi më i madh është djali im, Albi, dhe libri i kushtohet atij edhe pse ai ende nuk mund t’a kuptoj komleksitetin e ligjit ndërkombëtarë dhe marrdhënieve ndërkombëtare. Mirëpo pa marr parasysh ai ka një pasion për Kosovën dhe Shqiptarët.
Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?
Kam lexuar shumë, mirëpo një nga librat e fundit që kam lexuar është “Live Fire” (Zjarri I gjallë) nga Stephen Leather. Libri tjetër që në mendimin tim është libri më i mirë i shkruar për historinë e Kosovës deri para luftës së fundit, është libri i Noel Malcolm, “Kosovo a Short History” (Kosova një Histori e Shkurtër). Libri ka gati 500 faqe dhe unë e kam shfletuar me qindra herë. Noel Malcolm e flet bukur gjuhën shqipe, dhe është njohës i mirë i rrethanave Shqiptare. Noel Malcolm është historian me renome dhe ka shkruar gjithashtu librin “Bosnja a Short History” (Bosnja një Histori e Shkurtër).
Çfarë pasione dhe qëllime të tjera keni në jetë?
Pasioni im janë njerëzit dhe komunikimi me ta si dhe ndihma reciproke, gjithashtu unë dua të udhëtoj dhe eksploroj kultura të ndryshme. Kam kontakte në të gjitha kontinentet.
Çfarë temash ju interesojnë të trajtoni në shkrimet tuaja?
Deri më tani botimet e mija kanë qenë vetëm akademike dhe të lidhura për një tematikë në lidhje me ligjin dhe marrdhëniet ndërkombëtare, dhe aplikimi i tyre në pavarësinë e Kosovës.
Çfarë e bën të suksesshme një shkrimtar?
Një shkrimtar bëhet i sukseshëm vetëm nëse i lexohen librat, pasiqë nëse një përson paguan për një libër akademik, apo një libër të çfarëdo zhanri, kjo do të thotë se libri ka një vlerë për lexuesin.
Cila është lëmia e juaj e preferuar që ke punuar apo punon?
Si immigrant që kam ardh me një Anglishte shumë bazike dhe kam punuar në shumë lëmi, por puna ime me imigrantët dhe të burgosurit e imigrimit sa ishte sfiduese aq edhe emocionuese, pasiqë unë isha drejtuesi dhe arrita që të rris volumin e shërbimit ndaj klientëve dhe rrita fondet shtatë fish në tetë vite.
Projekti në të cilin punoj tashti, lidhet përsëri me imigrantët dhe abuzimin e tyre nga kriminelët duke u trafikuar ne Mbretërinë e Bashkuar, si dhe përdorimi i tyre si skllav modern. Trafikimi i qenjeve njerëzore është biznesi më fitimprues ilegal në botë pas prostitucionit. Qeveria Britanike është nënshkruese e Konventës Evropiane Kundër Traffikimit të Qenieve Njerëzore (2005) dhe ka nxjerr Ligjin e Sllavërisë Moderne (Modern Slavery Act, 2015). Shteti ka krijuar Mekanizmin Kombëtar të Referimit (National Referal Mechanism), dhe lufton trafikimin e qenieve njerëzore dhe sllaverinë moderne duke mbrojtur viktimat dhe duke nxjerrë kriminelët para drejtësisë.
Unë managjoj projektin në Kent dhe jam në kontakt të rregullt me të gjitha departmantet e shtetit siç janë: policia, prokuroria, gjyqësori, shëndetësia, edukimi si dhe kontaktet me organizata jo qeveritare. Viktimave ju sigurohet strehimi, përdorimi i përkthyesëve, ndihma bazë financiare, sigurimi dhe kontaktet me avokatët, përdorimi i psikologëve etj. Për fat të keq Shqipëria bashkë me Vietnamin është në pozitë të parë për nga numri i trafikuar që procesohen përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit. Referimi i viktimave bëhet nga të gjitha departmantet e shtetit, mirëpo, edhe viktima mund të lajmërohet në departmante shtetërore si i/e trafikuar. Qëllimi im është që në të ardhmen të punoj jashtë Britanisë, e sidomos në vendet Ballkanike nga ku shumë njerëz trafikohen ose kalojnë nëpër këto vende.
Ku mund të blihet libri, në treg, shtëpia botuese dhe linqet online?
Libri im do jet jo vetëm në formë të shtypur që lexuesi t’a blejë dhe t’a mbajë në dorë, mirëpo do të jet edhe në formë elektronike që lexuesi t’a ketë në formatin eBook. Libri mund të gjendet online në vegëzen:
https://www.authorhouse.co.uk/Bookstore/BookDetail.aspx?BookId=SKU-001175401
Na flisni më shumë që qytetin nga vini, ku jetoni tani, jetën dhe disa nga veprimtaritë e tuaja.
Unë vij nga Prishtina ku kam mbaruar fakultetin Juridik. Kam jetuar 10 vite në Londër dhe ka 14 vite që jetoj në Kent që njihet me emrin “Garden of England” (Kopshti i Anglisë). Pak para shkatërrimit zyrtarë të ish Jugosllavisë, kam imigruar në Londër ku tani me krenari deklaroj se kam punuar si pjatalarës. Për 8 vite kam qenë Drejtor gjeneral i një Organizate Joqeveritare Britanike që ka mbështetur migrantët e mbi 100 nacionaliteteve. Në moshën e pjekurisë kam kryer masterin e ligjeve në Universitetin e Kentit. Tani punoj në një projekt kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe skllavërisë moderne.