Kulturë
Vjollca Pasku: Të ndjesh dhe të mësosh të jetosh
E diele, 18.03.2018, 12:36 PM
Vjollca Tiku Pasku
TË NDJESH DHE TË MËSOSH TË JETOSH
Jetonte para shumë kohësh, në një fshat, buzë një mali, një djalë me zemër të artë. Ai shëronte njerëzit me bimë mjekësore. Ngrihej në mëngjes herët, lante sytë me vesë dhe shkonte atje, ku dielli hidhte rrezen e parë mbi pllajën malore. Ulej tek një shkëmb i moçëm dhe meditonte, duke e lënë shpirtin e lirë të lahej me dritën e bardhë. Aty hynte qetësisht në ëndrrat e luleve dhe ato me ngjyrën, aromën dhe pëshpëritje fërfërimash i thoshin: “Më këput mua sot” Ai i njihte më së miri të gjitha bimët dhe efektet e tyre tek të sëmurërt... E kështu ditët kalonin njëra pas tjetrës. Djali i gëzohej punës se tij, dashurisë së njerëzve, dritës së artë brenda shpirtit. Një ditë doli shumë herët nga shtëpia. Ishte një nga ato ditë të freskëta të majit, kur të gjitha aromat e mëngjesit formonin frymëmarrjen e lumturisë. Dielli nuk kishte lëshuar akoma një shkëndijë, kështu që meditimin e bënte bashkë me të. Atë ditë duhej të kërkonte në lëndinën e malit, për të gjetur “çanga” një kërpudhë parazitare, që rritej në lëvoret e mështeknës. Ajo quhej bimë e mbifuqishme. Papritur dëgjoi një zë të zgjatur me “Ooooooooooooooooo!”. Ëmbëlsia e zërit, ishte si ajo e bilbilit, e shkrirë në gojën më të ëmbël të njeriut. Për çudi atë çast rrezet e diellit, ranë si një unazë gjigante dhe ngjyrat e luleve morën zjarr. Dukej sikur nga jargavani qiellor kishin zbritur disa qenie të çuditshme. Por jo... Shpirti i tij kristal mundi t’i dallonte më qartë. Ishin mbledhur aty të gjitha vlerat e njeriut: vullneti, dëshira, durimi, ëndrra,shpresa, suksesi, vuajtja me lotin shoqërues, suksesi, pikëllimi etj. Por më e bukura mes tyre, ishte dashuria. Ajo rrezatonte një shkëlqim mahnitës, fytyra e saj dukej si një engjëllore, ku syve i lodronte buzëqeshja e sythave të pranverës dhe në duar mbante një harpë vezulluese. Nëse dy zemra dëgjonin tingujt e saj, ato binin në dashuri. Dashuria ndjeu se dikush ishte aty pranë. Zemra e djalit filloi të rrihte fort. Emocionet iu transformuan në fjalë:
-O Zot, çfarë bukurie!... Kush i ujit lulet e syve të tu, të çelin margaritarë, e të dashuruarit të pyesin petalet e bardha?...
Kush i kreh flokët e tu si katarakte, me fjongo të endur nga dritëza hëna? Trëndafilat e kuq ngjyrosin mollëzat e faqeve të tua, por nuk e di nëse ata kanë marrë nga rrjedha e venave të tua! Nga buzët e tua aromat e pranverës formojnë dy zemra që qeshin nga lumturia. Drita që lëshon ti, i jep shpresë ëndrrave dhe lumturisë të afrohet. Dua të qëndroj me ty, si ndjenja qe jeton në zjarrin e pashuar!
Dashuria iu përgjigj:
-Unë e di, ti je djali me shpirt të pastër si kristal, dhe zemrën e ke si ylli i parë i mëngjesit. Dashuria ime i përket mbarë njerëzimit. Po të rri me ty do të isha vlerë vetëm për ty. Vendi dhe detyra ime është të jem pranë vëllezërve dhe motrave të mia, ndërsa vendi yt është pranë njerëzve, ku ti do të gjesh dashurinë tënde... - i tha ëmbëlsisht ajo. Shpirti i djalit, i prekur nga vet harpa e dashurisë shpërtheu të gjithë dëshpërimin, si rrjedhat e shiut që bien me forcë mbi tokë... Atë çast vlerat e tjera erdhën të shohin se ç’farë ndodhi. Ai i zemëruar në kulm u tha:
-Ik dashuri, ikni të gjitha ju vlera, nuk dua asnjë prej jush, nuk dua të jem njeri e të ndjej trazimin tuaj. Këtë dhimbje nuk e duroj dot. Të ëndërrosh një jetë dhe të mos prekësh, të dëgjosh tingujt më të mrekullueshëm të zemrës dhe t’i stonosh, të shohësh vet Perëndinë dhe të verbohesh... Jo, jo, më mirë të jem një gur se sa njeri!
Atëherë të gjitha vlerat e braktisen atë. Zemra e tij e artë, u kthye në gur. Ai s'mund të ndiente më asgjë... U kthye në një njeri pa ndjenja, si një gjallesë që lëviz për inerci. Ishte krejtësisht bosh, si një hije mbi dhe. Energjia që e shoqëronte, kishte shterur dhe gjithçka në të, ishte venitur. Asgjë nuk kishte më kuptim, as dita, as nata. Asgjë mbi tokë dhe nën tokë, asgjë qiellore e zjarrtë, apo e ftohtë. Por pasi e pa veten në atë gjendje, djali mendoi: “Askush mos e provoftë ketë zbrazëti shpirti, më mirë të vuaja refuzimin e dashurisë se sa të katandisem si një erë e çmendur... Ngushëllimi im do te ishte puna dhe dashuria e njerëzve”. Me këto mendime u nis ti kërkonte përsëri vlerat e njeriut. I gjeti në majën e malit, Ai u afrua dhe u kërkoi të falur atyre. Ato e falën, sepse dinin që njeriu nuk mund të jetojë pa vlera. Dashuria i tha:
-Edhe nëse refuzohet një dashuri, e rëndësishme është të jesh njeri me vlera, more djalosh!