E marte, 15.10.2024, 11:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Lumturi Ymeri: Heshtjet kanë ftohtë

E premte, 16.03.2018, 01:59 PM


LUMTURI YMERI (BERSAVA)

 

HESHTJET KANË FTOHTË...

 

-Cikël poetik-

 

VETMITË …

 

Në truallin e hershëm të vetmisë sime

rrëmoj qosh me qosh e gjej gjërat e mia

biçikletën e fëmijërisë

me timonin më të madh se krahët

atletet e grisura ku më ngatërrohen këmbët

fustanin me lule vjollce që s’e vesha kurrë

fërshëllimat e shpërndara andej- këndej

më përplasen në fytyrë

bashkë me ankimet e nënës

që harrohem pas lojës

e ngrysem pa ngrënë…

Dhe çuditërisht, rritem!

Në këtë truall vetmie

kapërdij qiell cep me cep

mbledh gjërat e mia qosh me qosh

Të tëra vitet e mia me stacione

krejt largësitë pa destinacione

gjiithë mallin e përtej detesh…

dëgjoj lumejtë brenda vetes

të zhurmshëm, të gjithkohshëm…

Dhe çuditërisht, pakësohem!

Apo, vetmia

Qënka planet?!

5 shkurt 2018

 

 

HESHTJET KANË FTOHTË...

 

Tërë këta ujra të dimërta

i kalbën udhët, kopshtet, lulishtet,

brigjet e lumit...

Nën ta

toka ka ftohtë

E mbuloj me mëndafsh bryme…

Qielli

tërheq skaj më skaj

velenxën e grisur të reve

Sytë s’e ngrohin

As dritarja ime s’e nxë

Kurse dielli,

kush e di ku mban frymën…

Ajri dridhet

Me se ta mbështjell?!

Me orë, me ditë, me netë...

Vërtis nëpër gishta cigaren

dhe ca shpirt që jep shpirt nëpër tym...

Mbërdhika dhe hëna, meite

e paska zënë gjumi zbuluar

I hedh mbi supe setrën e natës

me një yll të zbehtë, në xhep,

t’ia ngrohë sadopak trishtimin

me kujtimin…

Kruspullosem brenda heshtjes,

manastirit të vetvetes

në boshin e dhembjes…

 

 

STËRPIKJE SHIU MBI XHAM…

 

**

Arnoj shiun me lot

të krip tokën

Që rrufeja mos të plasë në dorë të lypsarit…

**

Të gjitha poezitë i shkrova në qiell

të lexohen me shiun

Por ti mos mbaj çadër nëse do, t’i ndjesh…

**

Në parvazin ku bien hijet e kodrave

kanë mbetur ende duart e mia

të lara me argjend liqeni…

**

Sa rrallë qan qielli

Vetëm në shi

dhe sa shpesh...

**

Mu kalbën sytë nga ëndrrat

Nga atletet, këmbët…

**

Në dritaren time s’ka qiell

E dogjën lulekumbullat



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora