E premte, 29.03.2024, 07:57 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Homazhe tek mendja

E enjte, 15.03.2018, 12:34 PM


Sh p ë r p u th j e

Sejdi BERISHA:

HOMAZHE TEK MENDJA APO REBUSI I BISEDAVE...!

Teatri,... Në këtë tempull, është lëruar thelbi e palca e kulturës. Dhe, tani nuk duhet kujtuar se jeta është edhe gjithnjë teatër, sepse, ajo shpeshherë është plagë që dhemb, plagë që mund të kushtojë me shëndetin e vlerave shpirtërore...!

________________

Bisedojnë me zë bukur të lartë disa qytetarë duke pirë kafe ndoshta pa fije shije, por vetëm sa për ta mbytur monotoninë mbase edhe kohën, që pothuaj se kot e kalojnë. Dihet, në situata, në kohëra, periudha dhe hapësira të caktuara flitet për probleme të ndryshme, por, edhe zihen e vlojnë intrigat ndër më të parëndësishmet dhe naivet e deri tek trillimet, që jo rrallë shkaktojnë huti e marri kudo.

1.

Kësaj radhe, dua ta veçoj një bisedë, e cila, edhe pse është aktuale, ajo, aq shumë merr përmasa intrigash e theqafjesh, sa që të rrëqethet edhe qeliza e fundit e trupit, duke e pyetur vetveten: more Zot, po pse është njeriu ynë kështu?! Njëri e ngrit dorën dhe thotë se në organet e pushtetit janë futur ata që nuk dinë asgjë, por vetëm pse janë farefis. I përmend edhe emrat. Por, tjetri ia pret:

-Po, a e di ti se kjo është kështu. Ke argumente se ai nuk është i aftë?...

-Kështu po thonë! –ia kthen përgjigjën i hidhëruari.

E pabesueshme, sepse, biseda aq thellë depërton në ndjenjat e njeriut, sa që atëherë humb kontrolli i arsyes, dhe kështu, edhe bisedat me themel marrin rrokullisjen në pakthim, por edhe e rrisin vrerin për jetë, që ndoshta, po ta hedhësh këtë diagram, do të na pushonte ecja e jetës mbase edhe e mendjes!

Thonë se janë turbulluar të gjitha ecuritë, thonë se qytetin e ka marrë fshatari, e fshati thotë se qyteti ka aristokraci të kalbur...! Dhe tani, nëse e tërë kjo ngatërresë e smirës së mendjes është ashtu, atëherë, si duhet vepruar, si duhet quar përpara gjërat?!

-Po, si bën të vjen në krye të komunës katundari, i cili, as politikën, as kulturën, as traditën për këto gjëra kurrë nuk e ka pasur dhe as nuk e ka?! -e shtron këtë pyetje njëri si në trajtë të përgjigjes. Atëherë, dikush salakuqet e dikush i shtrëngon tëmthat për të dhënë përgjigje, por, sërish zhurmat që shkaktojnë zërat e përnjëhershëm, sikur shprehin etjen e mallin e atyre njerëzve që me decenie u është ndaluar apo u është mohuar fjala. Atëherë, edhe koncepti i mendimeve del i nxehtë, sa që as në duar nuk mund ta mbash. Ka përgjigje e s’ka përgjigje! Kështu, ndoshta vazhdon me ditë e natë, me muaj e vite. Mos u habitni, ndoshta edhe me decenie...

-Ku mund të vij ai për drejtor, i cili kurrë as dy fjalë nuk mund t’i lidhë për fushën në të cilën menaxhon?!

-Po, si mund të jetë shef, ai zorraxhiu, i cili s’ka guxim dhe as çap s’mund t’ua bëjë problemeve, por as nuk ka ide për të ecur përpara?! -ia pret.

Dikush e lëshon rreptë frymën nga kraharori e dikush sytë i bën llullë nga nervozizmi. Kështu, vazhdon rebusi i bisedave, të cilat, në këtë formë duken si kancer i pashëruar në lëkurën tonë!

Sipas kësaj filozofie, fshatari duhet të ngel në fshat, dhe të rri rehat e të merret vetëm me tokën, me ndonjë mësuesllëk apo ofiçarllëk. Ndërsa, qytetari, më falni, zorraxhiu, të punojë si saraç, mbathtar, ndonjë vasal i diçkafës dhe mjafton të udhëheqin me dyqane e rrojtore. Mirëpo, ky dënim i mendjes le të mbyllet tek aristokracia qytetare dhe tek budallallëku katundaresk, për t’u rropatur që të gjendet ilaçi për shërim. Sa lehtë bëhet ilaçi, por vetëm të ndërrohet epruveta dhe laboratori!

Hë, aristokracia qytetare dhe budallallëku katundaresk...! Çfarë janë këto, sot?! A, ekzistojnë, apo jo? Ose, a do të pranonim të bëjmë një akrobacion: aristokracia fshatare dhe budallëllëku qytetar!

Të dyja këto, t’i lidhim nyje dhe t’i hedhim në ujin e zbutjes, që për shtrat ka pajtimin dhe dashurinë...! Eu,... ç’filozofi. 

2.

Gjithnjë e përgjithmonë, për dëshmorët dhe martirët, të cilët çdo gjë nga vetvetja kanë dhënë për liri, janë thurë këngë dhe vargje, janë thurë e shkruar shkrime e vepra, janë mbajtur përkujtime e janë shënuar e përjetësuar data, të cilat dëshmojnë për historinë. Është kjo mirë dhe respekt, është kujtesë dhe mos harresë, të cilat, së bashku, shpeshherë bijnë në atë shkallën e pakujdesisë, e që i përngjajnë papërgjegjësisë, vdekjes së ngadalshme dhe nënçmimeve, të cilat njeriu di t’i bëjë gjithnjë, kurdo dhe kudo.

E di njëherë, duke evokuar kujtime për dy bijtë e nënës të cilët kishin rënë dëshmorë, desh nuk më kishte plasur zemra, dhe lotët m’i kishin bërë qullë faqet dhe gjoksin. Tregimi për heroizmin e tyre më bënte se kurrë nuk do të harrohen ata, dhe as data e rënies së tyre nuk do të zbehet.

Kishin rënë që të dy në altarin e lirisë duke lënë një lidhje të çuditshme shpirti e zemre, sepse, jeta i kishte përjetësuar duke ia shtrënguar duart njëri-tjetrit. Dhe, sikur ashtu, dorë për dore kishin marrë rrugëtimin në botën e amshueshme. Për këtë edhe m’u imponua mendimi, se ashtu duhet edhe ecur të bashkuar edhe në këtë botë, e cila është sprovuesja më e pa pardon dhe e cila çdo gjë e nxjerrë jashtë, nuk lë gjë për t’u fshehur.

E thashë tërë këtë, vetëm me një qëllim; më grishi një copë letër, ama një copë letër shumë, shumë e vogël, të cilën, djaloshi që ishte ulur përballë meje e shkroi dhe ma zgjati, duke më thënë:

-Ja, kjo është për Juve! Jeni të mirëseardhur.

E mora atë letër dhe me padurim e lexova atë shkrim të shkruar shpejtë e shpejtë: “Nesër, më 11 maj, bëhen homazhe tek lapidari i dëshmorëve dhe martirëve të fshatit...”.

Atëherë, sikur më përftuan shumë periudha kohore e historike, të cilat janë si dëshmi, janë mësuesi dhe qortuesi më i drejtpërdrejtë, më i mirëfilltë dhe i sinqertë për tërë atë që ka ndodhur. Po, për dasma e ahengje të ndryshme, për party e koncerte muzikore, shkruhen e shpërndahen ftesa të shkruara me shkronja ngjyrash të ndryshme, edhe me shkronja ngjyrë ari, edhe formatesh të ndryshme e të letrës të cilësisë së lartë. Kurse, për data përkujtimi e për homazhe për dëshmorë e martirë, jo! Ndoshta, nuk ka para për këtë?! E mora atë letër dhe e futa në xhep si të kisha futur zjarr, i cili nuk djeg menjëherë, i cili nuk t’i djegë vetëm rrobat e trupit, por t’i vë flakë edhe trupit, edhe zemrës. Ika nga aty, si të isha djegur i tëri, jo vetëm për këtë, por edhe për shumë gjëra të tjera, që harresën tek ne, shpesh po e bëjnë lapidar, i cili sikur i zëvendëson ata të luftëtarëve të lirisë.

M’u kujtua edhe një pllakë përkujtimore në një aks rrugor, ku kishin ndërruar jetë tre luftëtarë, mbi të cilën pllakë valonte flamuri i leckosur dhe i shlyer, të themi nga dielli. M’u kujtuan edhe ato shumë hedhurina që gjendeshin pranë saj.

Nuk do eci tutje me këtë mendje! Le të shënohen e të mos harrohen datat e përvjetorët edhe me copa letre. Por, dua të them se rrota e historisë, nganjëherë rrokulliset si gur mulliri, i cili në fund të shpatit bëhet copë e grimë, të cilat shkapërderdhje pastaj flasin apo heshtin se sa drithërat i ka bluar ai gur mulliri për ta ushqyer njeriun...!

Do të kemi sërish data e përkujtime. Për këtë, dikush krenohet, dikujt i plasë zemra, e dikujt nuk i ha palla, ama bash për asgjë. Tash, cila është më mirë; e para, e dyta apo e treta?! Dikush, do të thoshte, më mirë e treta...! Ani, ashtu le të jetë, pa marrë parasysh se a do të kemi gjumë të rehatshëm, apo jo! 

3.

Edhe tash, si atëherë, m’u kujtua si pa lidhje! Disi, gjithmonë kemi pasur dhe kemi problem me kulturën. Kuptim i gjerë kjo, apo jo?! Dhe, sërish sikur marrim n’thua në teatër, tani, në atë teatrin e madh, në të cilin janë përgatitur dhe shfaqur qindra premiera e mijëra repriza, në dërrasat e të cilit kanë shkelur e defiluar qindra aktorë, të cilët u kanë dhënë shpirt personazheve të tipave e karaktereve të ndryshme. Në këtë tempull, është lëruar thelbi e palca e kulturës, është dëgjuar zëri i arsyes dhe i dashurisë, e tani, lexoj se ka kohë që ka ngelur pa drejtues për shkak, ndoshta, të përplasjeve, të cilave nuk u vjen erë kulture, as njerëzie.

Është ky, ai teatri që ka dhënë frymë e fisnikëri, e tani sikur lëngon nga shumë sëmundje, ku tani mbahen akademi përkujtimore e tubime të tjera, por, manifestime kulturore, jo! Ose, mbahen fare pak. Ani. Mirë është të mbahen akademi përkujtimore për dëshmorët dhe luftëtarët, sepse, aty edhe i kanë përjetësuar ata, aktorët përmes lojës së tyre brilante në skenë. Por, çudi! Pse, të zvarritet problemi i drejtuesit. Athua, nuk kemi njerëz të mirë dhe të aftë. Me siguri se, po! Po dhe po. Por, diçka po çalon, bile, edhe mirë po çalon në shoqëri! Bile, edhe tek artistët, tek artistët, tek aktorët, ndoshta... Për këtë, më shpërthen ajo pyetja hidhërake:

-Po, pse heshtin artistët! A, mos vallë, edhe ata tani kulturën e bëjnë me hile?!...

Nuk dua të besoj se është kështu. Teatri është teatër, por jo për të aktruar jetën ashtu si nuk duhet,... jo, as për të qenë aq të ftohtë ndaj këtij institucioni, në të cilin janë shënuar e realizuar vepra e çaste më të rëndësishme të historisë së kulturës dhe të rilindjes së saj.

Dhe, tani nuk duhet menduar se jeta është edhe gjithnjë teatër, sepse, ajo shpeshherë është plagë që dhemb, plagë që mund të kushtojë me shëndetin e vlerave shpirtërore...!

Në vend që të shfaqet një premierë e re,... një premierë ndryshe, teatri dhe artistët ballafaqohen me vetveten(!), edhe me probleme të natyrave të tjera. Kurse, dihet se premiera është akt solemn, akt i madhështisë dhe i rrumbullakimit të një pune të mbarë. Premiera,... e gëzon aktorin, e rritë atë. Po, pra!

Tërë këtë e shkrova, sepse, më grishi e dhëna se, pse të sjellët deri në atë gjendje, që njeriu edhe të lexojë shkrime në gazeta për “vdekjen” e artit skenik. Lexoj në gazetë vetëm titullin: “In Memoriam” për teatrin, për një institucion kulturor me aq histori të begatë. E tërë kjo qorton, kurse, teatri nuk bën të vdes! Por, një gjendje e tillë edhe më shumë më sillet në kokë, kur dihet se edhe teatrove tjera më të “vockla”, sikur u troket në derë “In Memoriami”. Edhe kjo, qorton, edhe provokon,... edhe dhemb...!

Nganjëherë, sikur inkorporohen mendimet: homazhe tek mendja, apo, premierë në teatër?!! Sa mirë, kjo e dyta...! 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora