Kulturë
Mevlud Buci: Baladë për Idriz Xhomarën
E enjte, 15.03.2018, 11:22 AM
JE NË ALTAR TË DEMOKRACISË…
Baladë për Idriz Xhomarën
Nga MEVLUD BUCI
Çpo vajtokan qyqet e malit
Heshtën bilbilat nëpër ara,
U nda nga jeta biri i matjanit
Demokrat Idriz Xhomara.
Demokrat Idriz Xhomara
Intelektual zë i lirisë,
Shpirtkristal si ujëvara,
Zemërdritë i shoqërisë.
Zemërdritë i shoqërisë,
Burr i urtë, fisnik i rrallë,
Shkencëtar i tokës së mbretnisë,
Në brezni do jesh i gjallë..
Në brezni do jesh i gjallë
Të njohu Mati, Dibra,Lunara,
Shok i urtë, besnik i rrallë
Rron, or rron, Idriz Xhomara.
Rron or rron Idriz Xhomara
Nuk vdes vepra e demokratit,
Nëpër male,kodra, ara,
U rrit shtigjesh në trojet e Matit.
Në troje të Matit,bukurisë,
Në ato troje ku është Stelushi,
Yll i rrallë i burrërisë
Fjalpeshuar si askushi…
Fjalëpeshuar si rrallëkushi,
Shkencëtar mendjethelli,
Me lot sytë na i mbushi,
Ky bir që lindi Prelli.
Ky bir që lindi Prelli,
Studiues i pemëtarisë,
Zemra i ndriste rreze dielli,
Vepra i foli njerëzisë…
Vepra i fliste njerëzisë
Ish gojëmjaltë,s`dinte të shara,
Bash mentar në udhë të diturisë
S`të harrojmë Idriz Xhomara…
S`të harrojmë Idriz Xhomara
Drita jote s`shuhet kurrë
Mbete Deja e Lunara
Që nga Prelli e në Qafëmurrë.
Që nga Prelli e në Qafëmurrë
Ku ke shkuar e ku ke ardhë,
Burrë i urtë e me nur,
Prej Selishte në Gur të Bardhë…
Prej Selishte në Gur të Bardhë
Kryevëlla, pëllumb i shpatit,
Ishe mbete faqebardhë
Zë lirie,bilbil i Matit.
Zë lirie,bilbil i Matit,
Gen urtie i Kros Skurës
Nderim i bëre Ahmet Perhatit,
Martirit kundër diktaturës.
Vrarë ai në Kull të Qershisë
Mbetën eshtrat në Kodër të Palit,
Me kujtesë të bestarisë
E nderove atë shqipe mali…
E nderove atë shqipe mali
Perhatin në përndjekje,
Kur ia humbën në Kodër të Palit
Eshtrat,dënuar me vdekje…
Veç për trima ka këngë malli,
Nderimi jot shkruhej në ballë,
Zemra jote dritë e beharit
Idriz Xhomara Fanar..
Idriz Xhomara fanar
Sa e shkurtër është kjo jetë,
Mat e Dibër ty të kanë
Shpirt hyjnor dritë të vërtetë..
Shpirthyjnor dritëtë vërtetë
O stërnip i Shën Trinisë,
Shpejt ike nga kjo jetë,
Mal ke gjurmët e fisnikërisë…
Mal gjurmët e fisnikërisë
Lum ç`petrit lindi Mati,
Zemërbehar i demokracisë
Zë stuhi,shpirtdemkrati
Zë stuhi, shpirt demokrati
Gen mirësie i drejtësisë
Si kalatë që ka Mati
Je në altar të demokracisë…