Kulturë
Vladimir Muça: Monolog e dialog me zëra të përtejmë
E diele, 18.03.2018, 12:09 PM
Monolog e dialog me zëra të përtejmë
(Vëzhgime mbi ecurinë e groteskut dhe satirës në romanin “Monumenti i hijeve” të Pajtim Caushit)
1.Risitë e një romani grotesk
Sapo mbaron së lexuari romanin “Monumenti i hijeve” të zgjohen në kujtesë romanet e këtij zhanri të Jarosllav Hashekut, Dritëro Agollit, Qamil Buxhelit, Gjergj Vlashit, Artur Llanës. Në të tilla raste, vëzhguesi kritik e ka paksa vështirë të futet për të nxjerrë të veçantën arstistike.
Në rastin konkret me mënyrën e trajtimit narrativ të ngjarjeve dhe fenomeneve, futja e risive stilistike dhe e elementeve inovativë që e diktoi substanca e re kohore për romanin e sotëm modern siç janë: mozaik a rrëfimtare, dëndësia alegorike e metaforike, fryma poetike, jetësimi në substancë të re social- politike, e bën më të dukshme këtë risi.
Në këto kontekste vëzhgimtari bëhet detyrimisht udhëtar në pasarelat prozadorike në të cilat sfilojnë personazhet dhe autori në nëntekst, siç ndodh mrekullisht në romanin " Monumenti i hijeve".
Me këtë roman, shkrimtari Pajtim Caushi, në këtë tranzicion sa shoqërorë aq dhe letrar, e sheh veten në avangardën e krijuesve me këtë zhanër romanesk, sa të vështirë në përqasjet shoqërore, po aq dhe në maturimin e artifakteve shoqërorë që pjellon evoluimi shoqëror.
Romani vjen natyrshëm, si një ngjizje e njerëzve hije-monumente, ku fantazia e autorit ngulmon në sjelljen e garniturave shoqërore, në një realitet të njohur mirë e përjetuar gjer në detaje nga bashkëudhtarët, në situata e çaste historike preçize, vendosur, në ambjente sociale, si shembëlltyra të një shteti të agravuar.
Në këtë amalgamë rrëfimtare njerëzish, sendesh e fenomenesh, çdo gjë do të ishte e pa arrirë, e shtirur, encefalike, në rast së autori , me " mballomat " e tij artistike nuk do të ndërfutej aq bukur artistikisht me efektet e subkoshiencës e psikologjisë të vetë autorit, e cila në estetikë jep dukuritë e një personaliteti e të veçansisë krijuese në roman.
Në këtë kompleksitet estetiko-stilistik, Pajtimi i ka dhënë një impuls të ri zhanërit të këtij romani grotesk me përmbajtësinë e tij të satirës, sarkazmës, me shuminë e shprehjeve onomanistike, vjelur dhe ujdisur aq bukur me majanë e fondit të artë popullor.
Siç duket, me këto shije estetike dhe impenjimin artistik, autori ka ndërlidhur bukur të folurën e varianteve dialektore e gjuhën drejtshkrimore, duke i ushqyer ato me larminë e nuancave fonetike dhe efektet sygjestionuese që lindin prej tyre.
Çdo figuracion artistik, alegorik dhe simbolik rrezaton që në supermetaforën e ballinës së librit, ku çelësi i fantazmagorisë hap koridoret prozadorike, nga ku vërshojnë fantazmat me haluçinacionet e një jete në zgrip, ku njerëzit- hije me psikoanalizën e subkoshiencës jetojnë me një mëdyshje personaliteti.
Duke përdorur me mjeshtri fabulën e ëndrrës, autori si një kafkian shqiptar i jep frymë, jetëson fantazmat, duke na dhënë prototipin e një elementi përbërës të prozës moderne, të një iracionaliteti i cili është bërë pjesë e vetë jetës. Por ka një dallim thelbësor: Pajtim Caushi nuk i mbyll personazhet në " Kështjellë" ( zyra Kulisë) por i vendos në shesh-monumente. I vendos atje ku: "Një piedestal i lartë në qendër shesh. Shumë i lartë. Bosh, pa monument. Dorian Olli i gjallë pati vënë dorën si strehë dhe shihte nga poshtë."
2.Absurdi dhe tragji -komikja shoqërore
Në këtë tollovi të sheshmonumentit: " Fjalët bënin bec me shoshoqen, prapseshin për të marrë forcë e turreshin rishtas për të qëlluar në shenjë."
Një dramacitet i tillë absurd me nuanca tragjiko-komike, me gishtin e mesit në monument si atë gjësendin mashkullor, ngjiz që në zanafillën e romanit në kapitullin e parë, një prozë me thekse satiro-poetike, ku me metaforën e monument it, me një grotesk dhe sarkazëm antraktive, autori sjell para lexuesit preambulën e gjithë rrëfimit romanesk të mëpasëm, si një pjellë e substancës shoqërore e cila do të vijë më pas si një produkt i domosdoshëm i shumë dramaciteteve shoqërore me komplekset e tyre morale, të një shoqërie në degradim të plotë moral.
Në këto kontekste, huazuar nga folku i urtësisë popullore, ku në retrospektivë :"Sytë gjurmonin, hetonin, vrojtonin. Vorbull mendimesh e hamendjesh" , ku në mizanskena të një proze lakonike, dukuri të teatrit absurd: "Shiko, dera e mbyllur, dollapet...kujdes, së do shfaqet...i rëndë do mbetet...e holla do trashet..., e shkuara nuk lahet...miku nuk shahet...het, et, et...." se: " Fol mos rresht, more skelet! Ne gjolit i themi det..."
Domethënia e përdorimit me efikacitet i retiçencave i lë shteg gjykimtarie lexuesit duke u suportuar me intertekstet e pasazheve poetike dhe sentencave, mbarsur me nocionet e groteskut. Gjithçka vjen e aranzhuar bukur me rrëfimin dhe kundrapuntet fantazmagorike, ku qenia njeri dhe hijet amorfe janë bërë një përbashkësi metafizike ku Ardit Panit i përshfaqet:"-Ah, ç'më more shpirtin, o Dorin Olli!...Gjel në gjallje, gjel në vdekje."
Në një gjykimtari normale, përmes këtyre retiçencave dhe interteksteve lexuesi gjen absurdin social të agravuar. Është ky absurd i cili si në gjallje si në vdekje, si një mënxyrë në këtë tranzicion të ashpër e të pa shteg, ha jo vetëm vetëveten si një amebë stërmadhe në këtë habitat me mutacion politiko- shoqëror.
Ai vjen si pjesë integrale e shoqërisë, i ndjek personazhet ( por dhe lexuesit) me pangopësinë e tij nga kapitulli në kapitull, duke shpërfytëruar ndjenja dhe karaktere, duke na i sjellë personazhet të vdekur me rroben e një handikapi politiko- shoqëror, me ndjesi nga më perverset.
3.Personaliteti e veçantitë krijuese të një romani.
E veçanta, do thoja, personalizuese në stil, e cila vjen si një inovacion i gjinisë së romanit, është përdorimi me efikacitet artistik i dialogut dhe monologut me zërat e përtejmë, larg koshiencave, në formatin e mizanskenave, dukuri këto të teatrit absurd, përshtatur bukur në një tranzicion po aq absurd.
Kjo vjelje e subkoshiencave fantaziste nga kjo estetikë, i jep romanit " Monumenti i hijeve" dukuri të thekshme të një romani modern, me një substancë të re kohore, ku Dorian Olli fill pas zgjedhjes si deputet, ndeshet me një kundërshti e luftë me zërat që i vinë pas kësaj date të tersit trembëdhjetë ku:" Sa më lart degëve t'u hipësh, aq më shumë bythën do grisësh" sepse: "Lakmia për të mjelë lopën, një ditë do të hajë kokën".
Me anë të monologjeve dhe dialogjeve, në këto mizanskena, mes dramave politiko- sociale, autori shpërvjel subkoshiencat e personazheve, duke na dhënë portrete e karaktere të përmasave kafkiane, me rroben e Hashekut, por jo si ato të Franc Kafkës të qerthulluar në "Kështjellë" por ekstra- shqiptarë, plot dramacitet e mohim të mohimeve, maturuar në biodiversitetin liriko- erotik- shoqëror, përjetuar nga shumia e lexuesve në përditëshmërinë e tyre.
E maturuar artistikisht, si shembull, na vjen në personazhet e Lilit dhe të Lavdijes si garnitura, ku autori na sjell portrete dhe karaktere të kundërt, si amalgama pikturale të një jete të "re", përmes një dramaciteti shumëdimensional, trajtuar estetikisht gjer në rifinitura.
Çelësi i solit për kompozimin letrar të këtij dypersonaliteti, mohim të mohimeve, e maturimi i këtyre dramaciteteve janë dialogu e monologu lakonik, i thukët, me ngarkesa satire dhe të groteskut, sepse definon autori: "Ndryshe, nga gjallesat e tjera, njeriu di të kuptojë e vlerësojë më pikanten tek puthadorasi, personi dhe personaliteti."
Ky dypersonalitet arrin gjer në ato përmasa sa që karshillohet me masat e popullit por dhe me veten në ato nivele sa që Ladi Kërnaja, antar i komisionit të monumentit thotë më vetëvete:"-0 zgjedhës, dëgjoni! U mblodhën e folëm e vepruam për monumentin e seksit."
Në një përballje të tillë, zërat në brendësi të vetëvetes, në një luftë të tragjizmit shpirtëror, si një zë yshtës ngulmon:" Paren shtoje, me fal dhuroje. Lakun bëje, më fal dhe pengoje. Gojën hape, më fal dhe kërkoje. Vetë shtroje, më fal vetë mbuloje. “
Ky korrupsion shpirtëror, definon autori, arrin gjer në perversitet, imoralitet shoqëror e shpirtëror, ku nëpërmjet një dialogu dakordues mbi momumentin përmes Ardit Panit dhe skulptores Lola Morava, autori na jep thelbin e këtij perversiteti kur personazhet dakortësohen: “- Në se do më mposhtësh (seksualisht) ti do marrësh dyfishin e vlerës së monumentit.”
4.Grotesk, satirë, alegori si refleks i realitetit.
Gatuar me majanë e trinitetit grotesk, satirë, alegori, në romanin “Monumenti i hijeve”, Pajtim Caushi na fut në botën e një rrëmuje social- politike. Sidomos suporti ekonomik i llumit të shoqërisë në nivele të politikës është habitati ku shtratifikohet fabula romaneske.
Autori ngulmon që këtë absurd dhe perversitet të na e sjellë si një sëmundje patogene të shoqërisë, aty ku janë rrënjët e këtij mutacioni shoqëror, tek marëdhëniet familjare, tek kjo bërthamë e zhvillimit, aty ku nis të gjenerohet shoqëria njerëzorë.
Autori përmes kondraverseve gjykimore, këtë absurditet na e sjell dhe nga brenda nesh qetësisht, nën lëkurë e diku me revansh, ashtu siç merr jetët në gjendrat linfatike kanceri i gjakut.
Aq më shumë në roman ky trajtim stilistik, vjen i plotëruar, kur autori na e sjell përmes fjalëurtave, sentencave, nga fondi i artit popullor.
Në këtë kontekst, në bindjen time, them së Pajtim Caushi është mjeshtër në përzgjedhjen e përdorimin e këtyre urtakeve ( fjalëurtave ), futjen e tyre në funksion të plotë të rrëfimit, duke u dhënë trajtat e " mballomave " artistike.
Një trajtim i tillë artistik i ka dhënë më shumë ngjyra rrëfimtarisë, i përcjell lexuesit satirë dhe humor të këndshëm, ku në xeherorin e rrëfimtarisë këto grimca satire vinë si ato copa diamanti që ndrisin dukshëm në këtë llum shoqëror, mes dritë- hijeve të një dramaciteti të lakuriqtë, mes ëndrrës e zhgjëndrrës.
Në trajtimin artistik të këtyre " mballomave" artistike në veprën e tij estetike " Fjalë për letërsinë " Umberto Eko është ndalur duke na shpjeguar estetikisht raportet që duhen mbajtur në këtë drejtim, ku përdorimi vend e pa vend, me tejkalime, jashtë funksionalitetit artistik e dëmton rëndë rrëfimtarinë.
Në formatin e përdorur në romanin "Monumenti i hijeve" funksionet artistike që i ka dhënë këtyre " mballomave " autori, them se i ka qëndruan besnik koncepteve estetike të Ekos në trajtimin që i ka bërë fjalëurtave dhe sentencave.
Aq më mirë që ato vinë përmes një fryme poetike si në kapitullin e trembëdhjetë ( gjithnjë përmes numurit ters) ku: "Prijësi është Dikushi, ndjekësi është Askushi, i shkrepi, të thoshte nën zë. " sepse më tej në pasazhin me intonacione poetike dyshi i partisë shprehet bindshëm në subkoshiencë:" Me udhën që nise e ndjek, o vëlla maja të pret/ Sot, ja bëhesh deputet, nesër hyn në presidencë./Dikush që hiqet si mbret, nga ju del, s' bie nga retë."
Si në reminishencë shpirtërore, servilizmi si mënyrë jetese e arrogance në sferën shoqërore, Dorian Olli vetëemërohet dhe vetëpagëzohet në një delirancë të shfrenuar:"Unë të pagëzoj: me bekimin e Tokës e Gjithësisë, në emër të Dyshit të Partisë, të maskës së shejtë e të dreqit, me emrin e ri: Selia e shtabit të Dorian deputetit."
Si një mjegullnajë metaforike, autori na sjell variantin e epit të mjegullnajës shoqërore në formatin poetik: "Ra e dëndur mjegulla/ mbi limona e pjergulla/ u ul udhëve në qytet/ mbuloi sheshin monument."
E si deduksion artistik, në këtë tollovi apokaliptike shoqërore, në llogjikën e ngjarjeve dhe të fenomeneve, me mjeshtri autori gjen një mbyllje perfekte, një dues ex art, si rrjedhë llogjike, në pajtueshmëri të plotë me qëllimin, mesazhet e dëshirat e lexuesit. Një aksident, se vetë jeta e këtyre politikanëve që vinë nga askushi është një aksident shoqëror dhe politik, ku: "Shesh monumenti le të jetë, s'na ha bukën, ndërsa monumentet venë e vinë, se hypën njeri, tjetri e shtyn."
5.Pas shkrimore
I mirëinformuar me bagazh njohurishë, profesional në përdorimin me vend të varianteve gjuhësore dhe dialektore e krahinore, njohës ekselent i tyre, larmia e nuancave fonetike, gjetjet e bukura artistike, si dhe psiko-analitiken e autosugjestionit të personazheve, ka sjellë një natyralitet dhe një llogjikë rrëfimtare në këtë roman.
Sigurisht që autori, duke njohur mirë psiko- analitikën e psiko- terapeutikën frojdiane, e ka bërë shpjegimin artistik të ngjarjeve e fenomeneve, në këtë aspekt të gjërë social, në aspektin e letrarizimit filozofik të koncepteve Jung dhe Lakant. Kjo e ka plotëruar më së miri në konceptimin filozofik romanin.
Ndaj dhe romani "Monumenti i hijeve" në këtë tranzicion letrar vjen përmes një vakumi, mbarsur me shqetësimet e kohës, si një enklavë romaneske, me një substancë të re kohore në romanistikën groteske të letrave shqipe.
Tekstualisht autori na fut në opsione përjetuese shoqërore duke na humbur konceptin kohor, na fut në hapësira të reja, në racionalitete që bëhen të pranishme për botën tonë të brendshme.
Gjithçka vjen si një fshehtësi jo vetëm nga memorja e shkrimtarit, por edhe si një amalgamë e një jete e cila me brishtësinë dhe egërsinë e saj përjetohet nga ne.
Këtë shkrimtari Pajtim Caushi na e shpalos letrarisht me mjeshtri artistike, pa konsumuar personalizim, por me prototipe të krijuara nga shumë personazhe, ndoshta edhe realë, pa konsumuar ndodhi të rëndomta, prurje barcaletash, por duke bërë mirëfilli letërsi artistike, përmes një transparence shoqërore të ngjarjeve dhe të fenomeneve, shtjellimit të tyre nën kapriatat e artifakteve historikë me paradigma shoqërore.
Shkurt- mars 2018
Vladimir Muça
Shkrimtar, kritik