Kulturë
Milazim Kadriu: 'Ismail Thaçi një jetë kushtuar atdheut'
E diele, 18.03.2018, 10:29 AM
ISMAIL THAÇI PERSONALITET I NJOHUR NË ASPEKTIN LUFTARAK, ARSIMOR ...
Azem Hajini-Xani, ing Behxhet Thaçi “Ismail Thaçi një jetë kushtuar atdheut”-Prishtinë, 2008
Nga Milazim F. KADRIU
“Gjurmët e humbura të jetës së Ismailit nuk na linin të qetë, ato flakëronin me gjithë madhështinë e tyre në kokat tona dhe kërkonin të shihnin rrezet e dritës, rrezet e së vërtetës, në veçanti në paraqitjet publike”. Kështu shprehen autorët e librit “Ismail Thaçi një jetë kushtuar atdheut”, Azem Hajdini-Xani dhe Behxhet Thaçi.
Ky libër i ndarë në dy kapituj bënë fjalë për jetën dhe veprën e mësuesit, atdhetarit llapjan Ismail Thaçi që tërë jetën u përkushtua për çështjen kombëtare.
Autorët e librit duke shkruar për personalitetin e Ismailit ata sjellin një varg dëshmish të cilat ndriçojnë një periudhë të lavdishme të historisë së kombit tonë.
Në libër sillen shumë kujtime të pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në ato ngjarje historike pjesë e së cilës ishte edhe mësuesi Ismail Thaçi.
Në libër flitet edhe për Trevën e Llapit, fshatrat e kësaj ane me theks të veçantë për fshatin Zakut,vendlindjen e Ismailit. Pastaj për shkollimin e Ismailit që ishte nxënës i Medresesë “Gazi Is-ha Beu” të Shkupit.
Ismaili ishte njëri nga mësuesit e parë shqiptar në Llap, njëherësh përgjegjës i arsimit në vitin 1941 që bashkë me disa shokë tjerë mësues të kësaj ane hapën shumë shkolla me mësim në gjuhën shqipe në atë kohë në Trevën e Llapit. Për kontributin e dhënë në aktivitetin ushtarak ashtu edhe arsim gjatë asaj kohe, është dekoruar nga presidenti i Shqipërisë Sali Berisha, me medaljen : Urdhri “Naim Frashëri” të klasit të parë nr. 811 të datës 11.4.1994.
Ismail Thaçi disa herë gjatë viteve 1941-1944 së bashku me prof. Ymer Berishën, udhëtuan për në Shqipëri, me qëllim të furnizimit të shkollave shqipe në Llap dhe Gallap me tekste dhe literaturë tjetër të nevojshme në gjuhën shqipe.
Më tej në libër flitet për shumë aktivitete të Ismail Thaçit në aspektin luftarak, arsimor e kulturor. Ismaili ishte një kundërshtar i përbetuar i ideologjisë komuniste. Qëllim të parë dhe të fundit ai çdoherë kishte çlirimin e kombit nga zgjedha e huaj, si dhe arsimimin dhe mirëqenien e tij. Ai ishte sekretar i OPU ”Besa Kombëtare”, mori pjesë aktive në shumë beteja si në luftën e Drenicës, ashtu edhe si pjesëtar i njësive të armatosura të KNDSH. Ismaili me aktivitetin e tij të pandalshëm gjatë asaj kohe ishte edhe si urë lidhëse në mes Llapit, Gollakut, Shalës së Bajgorës, Artakollit dhe Drenicës. Ai udhëtonte shpesh nga Besiana në Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, Gjurgjevik, Durrës, Elbasan e vende tjera për mbajtur kontaktet e vazhdueshme me intelektualët dhe personalitetet e shquara kombëtare të asaj kohe siç ishin Ymer Berisha, Ukë Sadiku, Marie Shllaku, Shaban Palluzha, Mehmet Gradica, Xhafer Deva, Hasan Bilalli, Ibrahim Spahiu, Mulla Hamit Sejdiu, Nexhmi Sejdiu etj.
Gjatë aktivitetit ilegal Ismaili nëpër disa fshatra të Llapit gjeti strehim dhe përkrahje nga popullata e këtushme. Aty përmenden përkrahjet dhe strehimet që i janë bërë përpos në fshatin lindjes në Zakut, ka gjet përkrahje dhe strehim si dhe ushqim nga njerëz të fshatrave Revuq, Pakashticë, lagjen Parduzi e fshatra tjera.
Më pas në libër bëhet e ditur se Ismail Thaçi në ilegalitet udhëhiqte njësitin e armatosur të përbërë prej 50 luftëtarëve, por edhe mbante administratën e njësiteve ushtarake të Lëvizjes nën komandën e Ukshin Kovaçicës dhe Ahmet Selacit.
Në libër prezantohen me nga një biografi disa nga bashkëpunëtorët e Ismailit gjatë aktivitetit të tij politiko-ushtarak dhe edukativo-arsimor si prof Ymer Berisha, Ahmet Selaci, Hasan Bilalli, Mulla hamit Pakashtica, Jahja Fusha, Sefer Shabani, Ibrahim Spahiu, Nexhmi Sejdiu, Azem Hajdini-Xani, Adem Thaçi, Hajriz Demaku, Rrahim Gashi, Ramadan Babatinca,etj.
Një pjesë të librit autorët ua kushtojnë ngjarjeve të para dhe pas vitit 1999. Më pas prezantohen trashëgimtarët e Ismailit, gruaja, të katër djemtë me familjet e tyre dhe tri vajzat e tij.
Në kapitullin e dytë prezantohen një cikël poezish të Behxhet Thaçit, që frymëzimin e mori nga i ati dhe ngjarjet e bujshme historike nëpër ët cilat kaloi populli shqiptar dhe vendi ynë. Ai shkroi shumë poezi në frymën patriotike.
Në luftë prive o flamur
S’u lëkunde kurrë aspak
Në tokën tonë gurë më gurë
Në tokën tonë të larë më gjak.
……………………………..
……………………………..
Me shqiponjën dykrenare
Në trojet tona lirshëm valo
Ti je gjaku I dëshmorëve
Lart flamur krenar qëndro.
( Flamuri )