Speciale
Ali Llunji: Pikëpamje e prof. Eqrem Çabej për kulturën shqiptare në disa intervista televizive
E merkure, 10.09.2008, 04:00 PM
PIKËPAMJE E PROF. EQREM ÇABEJT PËR KULTURËN SHQIPTARE NË DISA INTERVISTA TELEVIZIVE
Eqrem Çabej
Nga Ali Llunji
Në vend të hyrjes
Tema që shtrojmë sot, mendojmë se duhet t’u shkojë përkrah nismave që, në një të ardhme, natyrisht kur këtë do ta lejojnë rrethanat, të bëhet një bibliografi komplete informative lidhur me paraqitjen, pjesëmarjen dhe prezantimin e prof. Dr.Eqrem Çabejt në mjete t[ infomimit shqiptar si në shtyp, në radio dhe së fundi në televizion. Kësaj radhe ne kufizohemi vetëm në mediumin televiziv të Kosovës. Sipas informatave jo të plota, kjo kronologji tekniko-informative supozojmë të ketë filluar nga e fundi – profesor Çabejn së pari opinioni i Kosovës në kuptimin gjeografik më të gjerë e njohu nga ky mjet i fundit i teknikës audio-vizuele – televizioni.
Pse ndodhi kështu, mund deridiku të vetëkuptohet, po natyrisht, perin e këtij supozimi duhe gjurmuar dhe mbështetur qoftë në vetinteresimin e gazetarëve tanë të parë tëaudio-videos në ngritjen kulturore dhe kombëtare – intelektuale të tyre, qoftë edhe në guximin individualë t[ tyre megjithë rrethanat tejet të ngarkuara të diktuara nga censura e kohës, e cila hove-hove impononte vetëcensurën në mjetet e infomimit dhe më gjerë.
Errësira dhe izolimi i plotë inoformativ , kulturor, letrar dhe shkencor në ralacionin Shqipëri – Jugosllavi gjatë viteve 1948-1968 kanë lënë pasoja të rënda në të gjitha sferat e jetës gjithëshqiptare. Dihet, atëbotë rrallëkush guxoi të dëgjojë shtypin e Shqipërisë së atyre viteve të IBË-së. Botimet e fushave të ndryshme – ekzemplarët e obligueshëm zyrtarë që arrinin në disa institucione të Kosovës e gjetkë – viheshin në rafte speciale të bibliotekave interne edhe në bokse të veçanta. Ato mund të mirreshin në lexim nganjë numë i kufizuar njerëzish. Pas Plenumit IV të Brioneve , e posaçërisht pas vitit 1968, siç dihet, në ish – Jugosllavi dhe në Kosovë bëhen disa kthesa pozitive” në politikë.
Çabej në Kosovë
Pas Plenumit të Brioneve filloi një fazë e re bashkëpunimi në relacionin Prishtinë-Tiranë. Ky bashkëpunim nis[ zhvillohet kryesisht në sferën kulturore, arsimore, shkencore – hulumtuese gjithnjë deri më 1981 pas shpërthimit të Demonstratave të mëdha të 11 marsit. Në këtë hapje të rëndësishme kulturore duhet veçuar vizitën e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve të RPSH, Javën e fillimit shqiptar në Kosovë, të udhëhequr nga Enri Keko, drejtor i Kinostudios “Shqipëria e Re”, vizitat e herëpashershme të ekipeve elevizive të RTV të Tiranës dhe disa delegacione të tjera. Ndër hapjet e para duhet veçuar shënimin e 500– vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe pjesëmarrjen e krijuesit të nderuar prof. Aleks Buda – punimit të tij të mirëpritur në atë solemnitet madhështor historik dhe patriotik. Ishte hera e parë që pas 24 vjetësh, pas Luftës II Botërore, në një sallë shtetërore në Prishtinë dëgjohej zëri i një intelektuali të lartë nga Tirana.
Shtylla bashkëpunimi ishin kuadrot e institucioneve arsimore, kulturore dhe shkencore e sidomos bashkëpunimi i dy universiteteve shqiptare-kontaktet e para të vëna nga rektoi prof. Dr. Dervish Rozhaja dhe përfaqësuesit nga Tirana-Kahreman Ylli dhe Osman Kraja. Nga dokumentet e bashkëpunimit në këmbimin e kuadrove vërehet qartë se ai mbështetej në sigurimin e kuadrit mësimdhënës që reflektohej edhe në cilësinë e lartë të procesit mësimor shkencor. Në kuadër të shkëmbimit përfshiheshin edhe shkencëtarët më eminentë të kohës nga lëmenj të ndryshëm shkencorë. Në këtë drejim mund të përfundohet se kështu shkëmbeheshin edhe përvojat në lëmin shkencor-hulumtues.
Në vitet ‘70 për vizitë fakulteteve të Prishtinës erdhën profesorë dh punëtorë shkencorë, prof. Eqrem Çabej, prof. Aleks Buda, ndërkohë edhe kryetari Akademisë së Shkencave të RPSH, prof. Dhimitër Shuteriqi, prof. Androkli Kostallari, prof. Kolë Popa, prof. Sotir Kunesko, prof. Mahir Domi, prof. Lami Zeko, prof. Zihni Sako, prof. Shaban Buxhaku, prof. Aleko Minga, prof. Jorgji Gjinari, prof. Gjergj Minga, prof. Anastas Dodi, prof. Alfred Uçi etj . Disa nga këta kuadro dhanë kontribut të çmuar në arsimin e lartë në Kosovë në fakultete përkatës dhe në shkallën e tretë të sudimeve postdiplomike. Ata ndikuan edhe në ngritjen cilësore të ligjëratave, mbanin konsultime me studentët, merrnin pjesë në komisione përkatëse për mbrojtjen e tezave të magjistraturës dhe të doktoratave. Këtu gjen fushëveprim të caktuar sa prania aq edhe kontributi konkret i prof. D. Eqrem Çabejt.
Mjerisht, prania e tij në mediat e kohës nuk qe shfrytëzuar sa duhet. Atëherë intervistat nuk preferoheshin bisedat me ta dhe nevojiteshin leje speciale nga faktorë përkatës. Mund të ketë ndodhur që brenda ndonjë informate të shkurtër të jetë përmendur emri i këtij dijetari të lartë zulmëmadh dhe filologu me renome botërore. Megjithëkëë në Radio- Prishtinën e kohës, kur në krye të politikës redaktuese ishin njerëz me orientime antishqiptare, objekivisht as që ka mund të ndodhë ndonjë befasi informative. Kështu, as redaksia e Kulturës së radios, emisioni i specializuar “Bisedë gjuhe” nuk ia doli të ketë atë privilegj që për dëgjuesit e saj të sillte në studio njeriun e parë me të cilin mund të diskutohej për probleme të mirëfillta të gjuhësisë sonë, profesorin Çabej. Në këtë institucion foljor deri vonë zotëroi një censurë dhe vetëcensurë shumë rigoroze .
Në vitet 1968-1974 pranë TV Beogradit punoi dhe veproi Redaksia Televizive Shqipe. Th[në kushtimisht gazetarët dhe radaktorët e redaksisë, që trajtonin çështjen kulturore dhe përcillnin jetën kulturore në përgjithësi ishin njerëz të rinj të përgatitutr, njihnin sado pak rrjedhat kulturore që zhvilloheshin në Kosovë, domosdo më pak në Shqipëri dhe në diasporën tjetër shqiptare. Redaksia Shqipe e TV Beogradit, falë guximit redaktorial t[ stafit shqiptar diti të shfrytëzojë mjeshtërisht atë klimë dhe ato rrethana të kohës. Rporterët, e parë të redaksisë në fjalë bënë regjisrime televizive edhe në Austri, në Francë, në Shqipëri, në Bullgari, në Rumani dhe në shumë vise të tjera shqiptare në ish – Jugosllavi.
Ndër paraqitjet e para të profesor Eqrem Çabejt mendojmë se duhet të jetë ajo nga pjesëmarrja e tij në Konferencën Shkencore në Universitetin e Insbrukut në Austri , në “Kolokiumin albanologjik ndëkombëtar kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Norbet Joklit. Gama e diturive të thella shkencore, krahas gamës shprehëse të prof. Dr. Eqrem Çabejt mbetet edhe në këto ditë ndë më të gjerat. Flet me respekt për kontributin e albanologëve të shquar Majer, Lajbnic, Bopp, Kreçmer, Pedresen, duke e posaçëruar mësuesin e tij, Norbert Joklin, me të cilin ishin takuar në Tiranë me rasin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërsië. Rrëfimet e tij janë përplot pietet, maturi dhe pjekuri, me një theks të veçant[ të vënë në nivelin e lartë të punës me vlerë të posaçme shkencore të Norbert Joklit. Në këtë mes prof. Dr. Eqrem Çabej është në emisionet tona ndë të parët që trajton në pika të shkurtra rolin e paleontologjisë linguistike. Sipas tij, themelet e saj në fushën e linguistikës krahasuese indoevropiane i kishin vënë Adalbert Kuhn, Jagob Grim... Rolin e Paul Kreçmerit në përpjekjet e ndriçimit të indoevropeishtes dhe shtrirjeve të saj si dhe veprën gjuhësore nga kjo fushë të Holger Pedersenit. Ky i fundi merr në trajtesë gjuhët e grupit c e n t u m - hetitishtën, tokarishtën, ilirishtën... dhe atë s a t e m – grupimet më të lashta të të folmeve indoevropiane. Sipas prof. Dr. Eqrem Çabejt në prerjet dhe pohim-mohimet e hipotezave të ndyshme mbi karakterin ilir të shqipes (ose thrakas) roli i Norbert Joklit është më i qartë – posaçërisht në drejtim të përcaktimit të atdheut të hershëm të shqiptarëve – Ballkanit si pasardhës të ilirëve. Norbert Jokli, shton Çabej, flet në favor të këtij mendimi, duke këmbëngulur shkencërisht në disa toponime të lashta si Naissus, Scupi Astibos, Ohri etj.
Prof. Dr. Eqrem Çabej atë botë për profesorin e tij me një gjuhë të kulluar dhe shprehje kuptimplote paraqet pikëpamjet lidhur me jetën, veprën, rolin dhe rëndësinë e këtij shkencëtari për studimet dhe shkencën albanologjike në përgjithësi. Ishte kjo hera e parë që profesor Çabej hynte në dhomat tona, natyrisht aty ku kishte aparate televizive. Pikëpamjet shkencore të tij, me një gjuhë të zgjedhur, të lehtë dhe të kuptueshme për shtresa të gjera, Çabej i shtroi edhe në Simpoziumin shkencor të ilirologëve , mbajtur në Tiranë, 1972, ku përveç tij, në disa emisione paraqiten edhe emra të tjerë të historiografisë shqiptare.
Një hapësirë më e madhe do t’i ofrohet prof. D. Eqrem Çabejt në intervistën në kohën kur mbahej Kongresi i Drejtshkrimit në Tiranë, në nëntor të vitit 1972. Kongresi i Drejtshkrimit ishte ndër tubimet e nivelit më të lartë shkencor-kombëtar, ku jetësoheshin idealet tona të kahmotshme – një komb një guhë – për njësimin e gjuhës letrare dhe të normës drejtshkrimore të saj. Në atë Kongres historik morën pjesë studiues të gjuhës shqipe, shkrimtarë, estet letrarë, krijues, publicistë e gazetarë, pedagogë e veteranë të arsimit. I qe dhënë një primat i veçantë edhe politik sa që në seancën e hapjes solemne tërë paraditën e punimeve të Kongresit ishin të pranishëm Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Stafi udhëheqës shqiptar .
Kongresi i Drejtshkrimit mbetet një ngjarje e shënuar histoike për kulturën dhe gjuhësisnë tonë kombëtare dhe shërbeu si një cytje e zhvillimit më të hovshëm të studimeve albanologjike.
Në emisione dhe në rubrika speciale nga ky Kongres u paraqitën edhe emra të tjerë albanologësh shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kalabria e Italisë, por edhe albanologë nga Bullgaria, Hungaria, Bashkimi Sovjetik etj. Lidhur me rolin dhe rëndësinë e Kongreseve të shqipes – atij të Manastirit dhe këtij të Tiranës, prof. Dr. Eqrem Çabej bën një sintezë komplekse të atyre dy Kongreseve me një shpehje dhe me një gjuhë shkencore që vetëm ai dinte. Ja disa fragmente: ”...Kongresi i Manastirit ka hyr[ në histori si Kongres i AB-esë, si Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe. Në Manastir qenë marrë vendime të rëndësishme në punë të shkimit të gjuhës sonë, pra i hapi rrugë këtij alfabeti që kemi edhe sot në shkrimin dhe në të gjitha shkolla tona, në shtypin tonë të përditshëm. Me këtë i jepej një ndihmesë e madhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi, duke i thyer të gjitha pengesat dhe duke vendosur lidhje të ngushta e kontakte më të zgjedhura midis shqiptarëve.Vendimet e Kongresit të Manasirit ishin një kurorë e luftës sonë shekullore për shkrimin e gjuhës shqipe me një alfabet unik...
...Kongresi i Drejtshkrimit që mbajmë në Tiranë, e që organizohet me nismën e Institutit të Gjuhësisë e të Let[rsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe me pajtimin e institucioneve përkatëse në Kosovë dhe më gjerë, është forumi më i lartë shkencor në shkallë kombëtare. Në të duhet të diskutojmë dhe të marrim vendime për drejtshkrimin e gjuhës së sotme shqipe, vendime që patjetër duhet të lidhen me normën letrare... gjuha e shkrimit ka dalë në analizë të fundi prej gjuhës së gjallë të popullit që e flet. Në pajtim me këtë edhe rregullat që përcaktojnë përdorimin e saj duhet të dalin nga të dhënat e këtij raliteti gjuhësor.Gjuha popullore përbën rrënjën që ushqen në mënyrë të pareshtu gjuhën e shkrimit. Kur kjo largohet nga ligjërimi popullor, largohet njëkohësisht nga masat popullore dhe rrezikon të bëhet një gjuhë letrare, një gjuhë artificiale.
Në qoftë se gjuha e shkrimit mbyllet në vetvete dhe largimi i saj nga të folmët popullore theksohet edhe më tepër, me kohë paraqitet mundësia e një diglosie. Gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe... Pa dashur të preket parimi që të shkohet brenda mundësive sa më shumë drejt trajtave të vetme, unike të fjalëve, drejt mënjanimit sa më të madh të dubletave në shkrim, megjithë këtë, mendojmë që drejtshkrimi nuk duhet të bëhet tepër i ngrirë... Në formulim të çdo rregulle drejshkimore do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkim të caktuar jo të disa mija veta, po për disa milionë njerëz që shqipen e kanë gjuhë amtare... .
Nga ai det i gjerë i dijes që kishte prof. Eqrem Çabej, ne si reporterë televizivë informonim opinionin më të gjerë shqiptar edhe për hisorikun e zhvillimit të kulturës sonë kombëtare në diasporë, e cila gjallëroi për disa shekuj si: për kulturën e arbëreshëve të Italisë, kulturën e kolonive të tjera të mëdha shqiptare të Stambollit, të Sofjes, të Bukureshtit dhe të qendrave të tjera të kohës. Profesor Çabej i njihte mirë lëvizjet kulturore shqiptare nga fundi i shekullit XIX, ku në atë skenë kombëtare prinin vëllezërit Frashëri – Abdyli, Samiu dhe Naimi, e krahas tyre edhe veprimtarë të tjerë të kulturës, të arsimit dhe të shkencës, si Kristoforidhi, Vaso Pasha, Hoxhë Hasan Tahsini e të tjerë. Të gjith[ këta bënin përpjekje për formimin një alfabeti të përbashkët, konstatonte Çabej, për botimin e librave shqip, gazetave shqipe dhe shoqërive kulturore shqiptare. Rol të posaçëm, thoshte Çabej, luajti edhe Kolonia shqiptare e Bukureshtit dhe ajo e Brailës në Rumani, ku jetoi dhe veproi familja Veqilharxhi dhe patrioti i njohur Naumi, arsimdeshës, demokrat dhe prijetar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që është edhe hartues i abc-esë shqipe dhe i “Ëvetarit” të vitit 1844. Ndër të tjera në deklaratat e ndryshme televizive, Çabej thoshte... “Është e rëndësishme veprimtaria e shoqërive “Drita” dhe ”Dituria” dhe e patriotëve shqiptarë si Nikolla Naço, Jani Vreto, Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, Kristo Daka, Aleksandër Stavri - Drenova (ASDRENI), dr. Ibrahim Temo e shumë të tjerë. Aso kohe në Rumani botoheshin disa gazeta të rëndësishme si “Shqiptari”, “Shqipërija”, “Ylli i Shqiptarisë”, “Perlindja”, “Atdheu”, “Zgjimi”, “Shkëndija”, “Kosova”, “Shqipëria e Re” e disa të tjera.
...Kah fundi i shekullit XIX shoqëri kombëtare formohen dhe në Bullgari, në Egjipt, në Belgjikë, në Amerikë... Në Bruksel spikat Faik Konica, një intelektual dhe stilist i veçuar, nxënës i Normales së Nikolla Naços. Faik Konicën e njohim themelues dhe drejtues të gazetës “Albania” të Brukselit, më vonë të Londrës. Në Belgjikë ekzistonte Shoqëria “Perlindja e shqiptarëve”, e cila botonte edhe gazetat “Albania e Vogël” të Ismail Qemalit, “L’ Albania” të Dervish Himës, vjetarin “Kalendari i Maleve” dhe disa puplikime të tjera me rëndësi kombëtare dhe shkencore... rëndësi të veçant[ kishte edhe aktiviteti që zhvillonin në Sofije të Bullgarisë intelektualët e shquar Shahin Kolonja dhe Kristo Luarasi – shtypshkornja “Mbrothësija”. Ata botuan gazetën “Drita” dhe një mori artikujsh me të cilët kërkohej liria dhe pavarësia e plotë e popullit shqiptar nga zgjedhja e rëndë osmane. Gazeta shtronte çështje t[ zhvillimit kulturor-arsimor të popullit shqiptar, botimin e librave shqip me qëllim të zgjimit dhe të ngritjes së vetëdijes kombëtare. Gazeta “Drita” e Sofjes, puna publicistike e redaktorit Shahin Kolonja dhe botuesit të saj, Kristo Luarasit, janë vepra të mëdha në luftë të vazhdueshme në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare...”
Profesor Eqrem Çabej në të folur të lirë para kamerave televizive kishte një qëndrim serioz, modest, qëndrim plot kulturë, gjuhë të rrjedhshme, të kuptueshme për të gjithë dhe të qartë e të lehtë, të pasur me shprehje – një gjuhë plot dinamizëm, të kristalizuar dhe cilësore. Profesori Çabej kishte një kulturë të rrallë e të lakmueshme në të shprehur. Dhe, në atë të shprehur të Tij, nuk gjejmë dot tjetër vetëm se një ngritje, një cilësi globale gjithnjë me porosi të vetëkuptueshme nga modeli i bashkëfolësit tonë profesor Çabej që reporterët dhe gazetarët e masmediave ”të gjalla” ta lironin gjuhën nga ngarkesa e kalke me formulime të gabuara. M[sonim nga Ai të liroheshim nga gabime të rënda gjuhësore nga të folurit e përzier me krahinarizma që ndesheshim çdo ditë në mjedise të ndyshme. Mendimet e shprehura të Tij ishin të fuqishme, kuptimplote të shprehura m një gjuhë të nivelit të kërkuar, një fjalor me shprehje aq të bukura dhe të pasura, që tek ata që e dëgjonin zgjeronte horizonte të reja të dijes. Modestia e Tij, dituritë e tij, ekipeve tona televizive u jepte zemër e kurajo, ndërsa sjellja e Tij korrekte dhe prindore me ne e bënte edhe më të madh, dijetarë dhe burrë të vërtetë shqiptar.
Përpjekjet për një serial televiziv
Dinim se prof. Eqrem Çabej kishte një bagazh të madh krijues – piramidën monumentale të palëkundshme në sferën e studimeve albanologjike ... Kishte në letrat shqipe një lëndë të begatë shkencore të gjuhësisë shqiptare të botuar dhe të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, si në Austri, në Gjermani, në Itali, në Rumani, në Jugosllavi, e ndonjë vend tjetër. Profesori Çabej çmohej ndër gjuhëtarët më të spikatur të shekullit tonë, që ishe marrë me çështje të fonetikës historike, të gramatikës historike të shqipes, me studime etimologjike, e që i shkonin përvijë edhe studiues – albanologë, si profesorët Mahir Domi, Kolë Ashta, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Jup Kastrati, Anastas Dodi, e ndonjë tjetër.
Në redaksinë Dokumentare Fejtonistike të TV Prishinës u bënë të gjitha përgatitjet e duhura për jetësimin në film të një seriali me vlerë historike televizive kushtuar këtij albanologu më të madh të kohëve tona. Sepse, me këtë projekt të madh Televizioni i Prishtinës dhe Redaksia në fjalë synonte realizimin e një seriali dokumentar – shënimin e 50-vjetorit të punës e të krijimtarisë shkencore për të gjallë të profesorit Çabej, ashtu siç i panë dhe u fascionuan pas emitimit të portreteve të tyre – Sterio Spasse, Odhise Paskali, Sandër Prosi e ndonjë emër tjetër i madh për kulturën dhe krijimtarinë shqiptare të kohës. Llogaritej në xhirimet e bëra vite më parë që gjendeshin në arkivin e filmotekës sonë. Për këtë projekt serioz, që shkaktoi lakmi dhe kërshëri edhe te kolegët e TV Tiranës ishte përpiluar madje edhe libri i xhirimit dhe ishin caktuar personalitetet më eminente të kohës, që e njihnin mirë dhe e çmonin lart punën e profesor Çabej. Duhej të komentoheshin nga shkencëtarë të ndryshëm evropianë punimet e shkruara të Çabejt, të botuara kohë më parë në gjuhën gjermane, italiane e ndonjë tjetër, që ishin t[ karakerit gjuhësor, etnografik, etnologjik, filologjik dhe letrar. Synim i serialit ishte që nga bashkëkohësit e tij të dilte emër i madh dhe i veçantë në fushën e dijes albanologjik, ballkanologjike dhe me gjerë – indoevropiane dhe të ravizohej me punën e ballkanistëve dhe indoevropeistëve Kreçmer, Jokël, Pedersen, Majer e të tjerë.
Në plotësimin e skenarit përfundimtar ndihmë të madhe ofroi edhe mr. Ahmet Këlmendi, Për veprën e Çabejt dhe kontributin e madh dhënë shkencës së gjuhësisë në përgjithësi, u caktuan të flisnin emrat e nderuar të shkencës, si Karlo Talavini, Radosllav Katiçiq i Zagrebit, pastaj Jup Kastrati, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Fran]sko Solana, Idriz Ajeti e të tjerë, që dinin, njihnin dhe çmonin veprën e madhe të Çabejt.
Ekipi televiziv i TV Prishtinës qëndroi në Tiranë, në Gjirokastër dhe në Shkodër. Me kohë i informuam profesorin Çabej për qëllimet që kishim. Kuptohet, ishte i gëzuar dhe i shqetësuar. Por më tepër dukej i lodhur dhe i dëshpëruar nga sëmundja që e rëndonte. Megjithate prof. Çabej na rekomandoi që kur të shkonim në Gjirokastër për të xhiruar vendlindjen e tij dhe shtëpinë e të parëve të tij, të bisedonim me Leftër Dilon e pastaj të shkonim në Shkodër për të xhiruar gjimnazin ku ai punoi dhe të intervistonim prof. Dr. Jup Kastratin.
Çfarë na tha Lefter Dilo...
... 50 vjet pune të profesor Çabejt t’i përflas për pesë minuta që ju m’i ofroni është e pamundur t’i rrumbullakoj të gjitha, Ama, do të flas për bashkëvendësin tim, profesorin e nderuar Çabejn. Dua të theksoj se Çabej me dije është sa një kala e Gjirokastrës dhe për shkencën shqiptare dhe më gjerë- i qëndrueshëm. Kishe edhe mësues të mëdhenj Paul Kreçmerin dhe Norbert Joklin ... Por, si ndodh rëndom, edhe nxënësi i tyre pas punës shumë këmbëngulëse u bë më i madh se mësuesit e tij... Profesori Çabej është një krijues shkencor që dallon nga kolegët e tij – albanistë. Tri herë u bë doktor i shkencave albanologjike – tri herë mbrojti disertacione – tri dekada punoi në mbrojtje të tyre... Të parin më 1933 në Vjenë “Studime italo-shqiptare”; të dytin më 1959 në Tiranë “Mbi gjuhën e Gjon Buzukut” dhe të tretin më 1962 në Tiranë “Studim etimologjikenë dushë tëshqipes”...
Fragment nga intervista e prof. Dr. Jup Kastratit
... Profesor Eqrem Çabej, ky gjuhëtar i përsosur i kohëve tona, ka hyrë në historinë e gjuhësisë shqiptare si një nga albanologët më të shquar. Çabej është albanisti më i ndritur i kohëve tona. Te ky punëtor i shquar i gjuhës, shkencëtar i mirëfilltë janë gërshetuar më një: etimologu dhe foneticieni, leksikologu e leksikografi, dialektologu dhe shqipëruesi... .
Puna e filluar mbarë do të ndërpritet. Me të kthyer në Tiranë mësojmë se profesori Çabej kishte udhëtuar në Itali, me qëllim të kontrollit mjekësor. Synimet tona rreth realizimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm nuk u bënë realitet. Një ritakim me Të u bë i pamundshëm. Ndërkohë edhe prof. Dr. Eqrem Çabej vdes.
Ne që e njohëm, që patëm biseda me Të, na mbetet përjetë në kujtime si njeri shumë i qetë, stabil, i durueshëm... Njeri me një energji të madhe.