E marte, 08.10.2024, 01:33 PM (GMT+1)

Speciale

Begzad Baliu: Eqrem Çabej: Shkencetari i nacionalizmes shqiptare

E marte, 09.09.2008, 07:35 PM


Begzad Baliu
EQREM CABEJ - SHKENCETARI I NACIONALIZMES SHQIPTARE

Nga Begzad Baliu

I.
Në epistemiologjine shkencore shqiptare Profesor Çabej paraqet individualitetin krijues, mendor, shkencor dhe pse jo edhe nacional prej të cilit është mësuar dje, bën të mësohet sot dhe do të duhej të mësonim nesër.
Prandaj në 100 vjetorin e lindjes së tij nuk ka pse të mos trajtohet edhe një dimension i jetës dhe veprës së tij: dimensioni i nacionalizmes së tij në kontekst të jetës dhe veprës së tij, me përqendrim të veçantë në dimensionon shkencor të trajtimit të çështjeve shkencore me karakter nacional.
II.
Profesor Çabej ka pasur fatin të lindë, të formohet dhe të rrezatoj mendimin e tij në tri periudha historike, politike dhe madje kulturore e shkencore.
Ai ka lindur në fund të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, është formuar në kohën e formimit të shtetit shqiptar ndërmjet sistemit parlamentar dhe mbretëror dhe ka rrezatuar mendimin e tij shkencor në një periudhë të tretë: në periudhën e diktaturës komuniste.
E megjithatë Profesor Çabej ka mbajtur një qëndrim të denj për respekt dhe ky formim është rezultat i komponentëve themelore të etikës së tij, të cilat ai i ka ndërtuar në rininë e tij, me etikën e fjalës së tij dhe në konceptet shkencore mbi të cilat ka ndërtuar rezultatet kulturo-historike të albanologjisë.
Eqrem Çabej u lind më 7 gusht 1908 në Eskisher të Turqisë (Perandorisë Osmane), një qytezë të cilën ai kurrë nuk e shënoi për vendlindje të tij. Për vendlindje të tij ai shënoi emrin e qytetit të Gjirokastër, vendlindjen e prindërve dhe familjes së tij, edhe pse në këtë qytet erdhi gjashtë muaj pas lindjes.
Shkollën fillore e kreu në Gjirokastër gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndërsa studimet e larta në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Gracit dhe në Degën e Gjuhësisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vjenës. Momenti i kalimit të Eqrem Çabejt në Vjenë shënon edhe rrugën jetësore të tij. Siç dihet Vjena ishte një qytet me traditë të gjatë arsimore. Universiteti i Vjenës ishte njëra nga qendrat më të rëndësishme për studimet gjuhësore në gjithë Evropën Qendrore, ndërsa studimet për sllavistikë, romanistikë, studimet greke dhe ballkanistikë e indoevropeistikë si tërësi, ishin fushat kryesore të studimit. Atë kohë këtu ligjëronin indoeuropianisti i shquar Paul Kreçmer (Paul Kretschmer), albanologu që shënoi studimet shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX Norbert Jokli, arkeologu dhe historiani Karol Paç (Karol Patsch), para të cilëve mbrojti edhe tezën e doktoratës «Italoalbanische Stud! ien» (Studime italo-shqiptare), më 7 tetor 1933 në Vjenë.
Me gjithë kërkesën e profesorëve të degës, që të ndalej dhe të punonte asistent në Vjenë, Eqrem Çabej kthehet në Shqipëri, sado prej biografisë së tij nuk shihet se ka pasur një fat të mirë në ushtrimin dhe zgjerimin e aktivitetit profesional. Në fillim e angazhojnë nëndrejtor dhe mësimdhënës i lëndës së letërsisë në konviktin «Malet tona» në Gjimnazin e Shkodrës. Gjatë vitit 1935-1936 Eqrem Çabejn e dërgojnë për të punuar në Normalen e Elbasanit, ndërsa në vitin vijues, pa dëshirën e tij, e transferojnë në Ministrinë e Arsimit.
Gjatë kësaj kohe ai bashkëpunoi me revistat letrare dhe shkencore të kohës duke mos rënë apriori në vorbullën e koncepteve filozofike e kulturore sado atdhetare të ishin.
III.
Njohësit sado të skajshëm të lëvizjeve kulturore, filozofike e politike të kësaj kohe, jo njëherë kanë vënë re se gjatë viteve ’20 dhe ’30, bota shqiptare ishte vërshuar nga diskutime të ashpra dhe me fërkime të rrepta mbi temën e madhe të të ardhmes së popullit shqiptar.
Rryma nga më të ndryshme letrare, filozofike, politike dhe madje ideologjike ishin mbledhur në qytete të ndryshme të Shqipërisë, rreth organeve politike, letrare dhe madje institucioneve e shoqatave fetare dhe diskutonin me ashpërsi çështjet jetësore për të ardhmen e popullit shqiptar, duke shtruar pozitën ndërmjet Lindjes apo Perëndimit (Kriste Maloku, Arshi Pipa); për fe e atme (Gjergj Fishta, Anton Harapi); për një Rilindje kombetar (Mithat Frasheri, Branko Mexhani); për një shtet ideologjik (Fan Noli, Nonda Bulka, Migjeni, Sejfullah Maleshova, Dhimitër S. Shuteriqi) etj.
Rreth këtyre temave diskutonin edhe anarkistët e revolucionarët si Petro Marko, Ismet Toto, Selman Rizaj, apo edhe nacionalistë e aristokratë, si Asdreni, Lasgushi, Çabej etj.
E kësaj periudhe është fjala e tij emblematike në letrat shqipe, e mbajtur mbi varrin e Bajo Topullit dhe e botuar te “Demokracia” e Gjirokastrës (1930). Teksti i tij është një komunikim mes atdhetarit (përfaqësues i djalërisë shqiptare) – heroit të ngritur në kult, dhe Shqipërisë si synim i së ardhmes.
Fjala e tij hapet me një formulë përfaqësie që fillon: “Në emër të Djalërisë, vinj t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit” dhe vazhdon me dialogun mes tij e heroit, që në të vërtetë është komunikim për gjendjen në Shqipërinë e kohës.
Një paragraf më vete i kushtohet jetës së heroit, një jetë e cila përfundon me konstatimin: “Emri i Bajo Topullit do të rrojë sa rron gjaku i Arbërit”, ndryshe nga shprehja semantikisht më e varfër popullore “të rrosh sa malet”, e cila është bërë njëkohësisht edhe formule e diskursit politik të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Paragrafi gjithsesi më i fuqishëm është ai i mesazhit, i cili përfundon me porosinë: “Bajo, prehu pra! Dergje trupin tënd te balta jote. Për Atdhenë që e bëre dhe na i le trashëgim mos ki frikë! Ne Djalëria betohemi këtu para trupit tënd se ç’fitove ti ne do t’a ruajmë qoftë edhe me gjakun tonë. Flas për lirinë e kombit.
Bajo, lamtumirë! O shpirt i pavdekshëm, bekona!
Lamtumirë!”
Një përshëndetje kjo të cilën nuk e kemi ndeshur dhe nuk e gjejmë në shembujt e sotëm të përshëndetjeve mortore a përkujtimore. Të gjithë bekojnë: presidentë e kryeministra, kryetar partish e drejtues institucionesh qeveritare e joqeveritare. Ata bekojnë Shqipërinë dhe shqiptarët, Kosovën dhe kosovarët, rininë, dëshmorët, martirët, heronjtë, por asnjëri nga këta nuk kërkojnë bekimin për vete dhe për ata, te cilët i udhëheqin.
E vërteta ky model nuk është zbulim i Çabejt, po trashëgimi e modelit popullor, të respektit ndaj atij që nuk është më, po për të cilin ndjejmë respekt. Profesor Çabej e njihte mirë këtë rregull të pashkruar të trashëgimisë kombëtare, prandaj në vend se të shkonte e ta bekonte Bajo Topullin, sikur veprojnë sot presidentët tanë, qeveritarët tanë dhe madje drejtuesit politik e partiak, ai shkonte ta merrte bekimin prej tij.
Për këtë arsye sot Profesor Çabej është shembull, të cilin do të duhej ta kishin model edhe sot ata që duan ta përdorin këtë formulë bekimi.
IV.
Në vitin 1938 Profesor Çabej emërohet arsimtar i letërsisë në Gjirokastër, ku e zë pushtimi fashist. Qeveria italo-shqiptare e kthen në Tiranë, por Çabej tregoi mospërfillje ndaj pushtimit fashist, prandaj «për punë shkencore» e dërgojnë në Romë. Gjatë kësaj kohe (Luftës së Dytë Botërore), refuzoi të merrte postin e Ministrit të Arsimit, të propozuar nga autoritetet gjermane më 1943, ndërsa një vit më parë kishte kundërshtuar anëtarësimin si «mis i Institutit të Studimeve Shqiptare» në Tiranë.
Më 1944 Eqrem Çabej kthehet në Shqipëri dhe angazhohet në Institutin e Shkencave, pastaj në Shkollën e Lartë, -ish Instituti Pedagogjik dhe më në fund në Universitetin e Tiranës, themeluar më 1957. Në vitin mësimor 1972-1973, për studentët e studimeve pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës.
Cikle ligjëratash Eqrem Çabej ka mbajtur edhe në shtete të tjera, pa llogaritur këtu edhe pjesëmarrjen e shpeshtë të tij në kongrese e sesione të tjera shkencore në shumë vende të Evropës.
Eqrem Çabej është njëri nga ata pak shkencëtarë shqiptarë, i cili gjatë periudhës së sistemit komunist, nuk ka bartur jo vetëm funksione politike, por as funksione organizative në kuadër të institucioneve, ku ka punuar, prej Institutit Pedagogjik e deri në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë. Miqtë e tij të afërt thonë se për punët politike nuk ka qenë i dëshirueshëm, ndërsa punët organizative nuk i ka pasur shumë në qejf.
Gjatë kësaj periudhe Profesor Çabej shkencës shqiptar i dha njërin prej parimeve emblematike: “të jemi objektivë, por jo indiferentë”. Në këtë mënyrë ai nga shkenca shqiptare, në njërën anë përjashtoi mitin dhe folklorizmin e skajshëm, në anën tjetër nuk lejoi të binte në kthetrat ideologjike të kohës, të cilat jo njëherë bëheshin shkaktare për të mbajtur qëndrim të përulur ndaj konstatimeve të shkollës ruse rreth prejardhjes së popullit shqiptarë e të gjuhës shqipe, që në të vërtetë ishin konstatime të përvetësuara nga shkenca serbe dhe bullgare njëkohësisht.
V.
Profesor Çabej është shembulli i intelektualit, kombëtarja e të cilit nuk përcaktohet dot prej përkatësisë Lindore apo Perëndimore, prej përkatësisë ideologjike apo sociale, prej përkatësisë së të Djathtës, të Majtës apo Qendrës.
Prej të gjitha këtyre ai zgjodhi kombëtaren: Ndërmjet dy luftërave ai iu bashkua Djalërisë së Shqipërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk pranoi dot karremin e Italisë fashiste për të marrë poste as në emër të qeverisë as në emër të Institucioneve shkencore që krijonte ajo, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore shikoi me inferioritet gjithë atë që bëhej në emër të ndërtimit të strukturës partiake dhe ideologjike, prandaj kërkoi që të lirohej nga të gjitha angazhimet administrative të Institucioneve shkencore ku punonte, ndërsa lirimin prej mbledhjeve të Institutit a të Akademisë e konsideronte me mburrje, një prej ndereve më të mëdha që ia kishte bërë Partia.
VI.
Profesor Çabej vdiq më 7 gusht 1980 në një klinikë të Romës, ku ishte shtrirë për shërim dhe u varros dy ditë më vonë në Tiranë, duke ia lënë popullit shqiptar pasurinë mendore dhe shkencore të një periudhe gjysmëshekullore.
Me jetën dhe veprën e tij Ai ishte shembulli i nacionalistit aristokrat, të cilin intelektualët shqiptarë e kanë trashëguar tek pak idhuj të tyre: te shkrimtari Lasgush Poradeci, te rilindësi i mërguar Asdreni, te ekonomisti dhe shkrimtari Mitrush Kuteli etj.
Shikoni fotografitë e mbetura të kësaj djalërie, që gjatë pushimeve verore përshkonin atdheun skaj më skaj. Të veshur bukur dhe sipas modës së kohës: me bastun, sheshir?, kostume, këmishë të bardhë, kravatë, pallto të gjatë, këpucë të lustruara bukur, flokë të lyera e të krehura ne stilin e gjentelmenëve të Europës, pedantë sa nuk ka më shumë etj. etj.
Cili ishte nacionalizmi i tyre: kultura perëndimore, gjuha e lëruar pastër dhe e pasur (gjithsesi e liruar nga orientalizmat dhe refuzuese ndaj latinizmave e italianizmave), filozofia e shkollës kryesisht austro-gjermane, respekti për kulturën materiale e shpirtërore të trashëgimisë shqiptare, mbrojtja e saj në rrethet kulturore e shkencore të kulturave të fqinjëve, theksimi i përkushtuar i racës shqiptare, si një prej vlerave më domethënëse të identitetit kombëtar, dhe mbrojtja e saj kudo e kurdo etj. etj.
Nuk është e rastit që edhe në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur besohej se koha e idhujve ishte tejkaluar, në Kosovë, Profesor Çabej, përtej një gjuhëtari të madh ishte një hero, në veprën e të cilit rizbulohej vetëdija jonë kombëtare e ndërtuar në tri paradigma: gjuha, nacioni, kultura (tradita), dhe madje një mit, mbi të cilin rindërtohej krenaria kombëtare e të qenit popull i lashtë dhe popull modern njëkohësisht.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora