Speciale
Ruzhdi Ushaku: Autoktonia bregdetare e shqiptarëve në përmasat e vështrimit etnolinguistik te Eqrem Çabejt
E diele, 10.08.2008, 06:34 PM
Nga Ruzhdi Ushaku
Në veprën e tij madhore filologjike-gjuhësore, të gjerë për nga fushat e vrojtimit, të ngjeshur dhe të thellë përnga kriteret e studimit, ku spikatet metodologjia më e avancuar e punës shkencore me qasje multidisciplinare, mprehtësia e analizës dhe akribia e sintezës, objektiviteti dhe maturia e mendimit shkencor, Eqrem Çabej iu soll edhe çështjes së terminologjisë dhe motiveve detare shqiptare, gjithsesi në shërbim të së vërtetës shkencore të mbështetur në forcën e argumentit dhe në të mirë të autoktonisë së shqiptarëve në Bregdetin Adriatik.[1]
Nuk do mend se kështu ai kreu misionin e tij prej studiuesi e shkencëtari për një çështje të caktuar në kohën e caktuar, dhe njëherazi hapi shteg të rëndësishëm për kërkime e studime të mëtutjeshme më të plota dhe të veçanta nga kjo fushë.[2]
Shqyrtimet etnolinguistike të E. Çabejt nga fusha e detarisë u përqendruan, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të veçantë, në përmasat e terminologjisë detare të shqipes dhe, në mënyrë të tërthortë dhe të pjesërishme, në disa motive me karakter detar në trashëgiminë folklorike të shqiptarëve.[3]
Çështjen e terminologjisë detare të shqipes E. Çabej e inkuadroi drejtpërdrejtë përbrenda një studimi të tij të thukët dhe me peshë të veçantë për mbrojtjen e tezës mbi vendbanimin e hershëm të shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik, pra edhe në viset e Bregdetit Adriatik[4], si kundërpërgjigje një mendimi më të hershëm të N. Joklit, e sidomos të G. Vajgandit (G. Weigand).
Tezën e këtij të fundit, sipas së cilës shqiptarët nuk janë autoktonë në viset bregdetare për shkak, siç thuhet, të mungesës së termave më të zakonshme detare nga leksiku autokton,[5] e kanë përkrahur dhe përsëritur pa rezervë edhe disa studiues të kohëve më të vona, qoftë duke i injoruar apo anashkaluar qëllimisht mendimet e E. Çabejt, qoftë nga paaftësia për t’ u ballafaquar me to apo nga paragjykimet dhe motivet antishkencore.
Në mesin e studiuesëve të kësaj kategorie është edhe akademiku Bogumil Hrabak, historian eminent, por i cili pretendon të merret edhe me çështje gjuhësore dhe merr guxim t’i përsërisë pa rezervë mendimet e vjetëruara dhe kaherë të kundërshtuara se “gjuha shqipe nuk ka nomenklaturën e saj për bregun e detit, detarinë e peshkatarinë” dhe se, siç vazhdon ky, “kjo është shenjë e sigurtë se populli shqiptar është konstituuar pak më larg Adriatikut,”[6] duke mos shtuar të paktën ndonjë argument historik të vetin për ta mbështetur mendimin e huaj, pra të G. Vajgandit, P. Skokut e të tjerëve.
Sipas të gjitha gjasave, akademiku Hrabak di për argumentet dhe rezultatet e Çabejt nga kjo fushë, sepse emrin e këtij të fundit e përmend dy herë në studimin e vet, madje me atributin “filolog i njohur shqiptar”, kur këtij historiani i shkon për shtat mendimi autoritativ i Çabejt për ndonjë mbështetje sado të vogël për t’i vendosur bërthamat shqiptare larg bregdetit,[7] ose vetëm si Çabej ( pra tashti jo më “filolog i njohur”), kur Çabej bën fjalë për ndikimin e shqipes në vokabularin e sllavëve të jugut,[8] gjë që B. Hrabakut nuk i shkon për shtati.
Këtij, si duket nuk i shkon për shtati as mendimi i studiuesit sllav V. Cimohovski,[9] i cili thënieve dhe mendimeve të bashkëmendimtarëve të Hrabakut, ashtu sikur edhe Çabej pak më lart, u bie ndesh shkurt dhe bindshëm, duke i quajtur ato absolutisht të pathemelta.
B. Hrabaku mbetet i shurdhër, madje edhe ndaj mendimit të studiuesit A. Loma, i cili në të njëjtin simpozium, ku mori pjesë edhe B. Hrabaku, në të njëjtin vëllim, ku ky i fundit boton studimin e cituar dhe përsërit tezën e vjetëruar, shtron disa pyetje lidhur me këtë çështje,[10] por i përfill dhe i pranon në një masë disa mendime dhe rezultate të Çabejt, duke pohuar, siç thot vetë, se “ Çabej nuk e ka pasur vështirë ta rrëzonte mendimin e Vajgandit, i cili ka punuar në material të pakët, të mbledhur në mënyrë të pamjaftueshme, dhe pa dijeni të mjaftueshme gjuhësore.”[11]
Pa pasur këtu qëllim të rendisim materialin faktik, që e ofron Çabej, ku vihen në dukje fjalë të shqipes për gjeomorfologjinë, mjetet e lundrimit e të peshkimit, për florën dhe faunën detare, prej të cilave disa si ato det, va, ani, ngjalë, shpiejnë drejtë trungut indoevropian, bashkë me ato të huazuara nga greqishtja e vjetër, latinishtja klasike ( të cilat i vë në dukje Çabej, mandej Dodbiba, Cimohovski e ndonjë tjetër ), këtu e shohim të arsyeshme të përmendim edhe ndonjë teori të Çabejt, sipas të cilave, “raporti i leksikut të huaj ndaj atij të vendit nuk është qenësisht në gjendje të ndryshme nga ajo e disa sferave materiale të tjera” dhe se “sa i përket fjalëve të huaja, sidomos atyre veneciane e turke, nga fusha e detarisë dhe e peshkimit, shqipja ecën bashkë me gjuhë të tjera të Ballkanit, sidomos me greqishten e re e me serbokroatishten”.[12]
Këto teori të Çabejt, përgjithësisht të pranueshme dhe të arsyeshme, bashkë me terminologjinë e pahuazuar, të përbashkët dhe të huazuar, sipas këndvështrimit të Çabejt dhe të disa bashkëmendimtarëve të tij (Dodbiba, Cimohovski, Ushaku), nga perspektiva e shkencës së sotme dhe këndshikimi i disa studiuesëve, ndeshet me disa pyetje, jo të pabaza. Kështu, studiuesi A. Loma, lidhur me çështjen në vështrim, shtron pyetjen se “a është i drejtë gjykimi për mungesën e terminologjisë burimore peshkatare-detare në gjuhën shqipe dhe, nëse është ashtu, çfarë peshe mund t’i jepet kësaj për përcaktimin e vendbanimit antik të shqiptarëve?”[13]
Në pjesën e parë të pyetjes, në një masë përgjigjet vetë A. Loma, duke pohuar se E. Çabej e ka rrëzuar mendimin e Vajgandit, çka nuk do të thotë se kjo mjafton për Lomën, andaj do të shtonim si vijon:
Në mbështetje të materialit gjuhësor që ofroi atëbotë Çabej, dhe që ofruan më vonë studiues të tjerë shqiptarë,[14] punimet e të cilëve si duket nuk i njeh A. Loma, del se terminologjia detare e shqipes nuk është aq e mangët sa të mund të flitet për mungesën e saj, por as aq e shumtë dhe e shterur sa të mos ketë nevojë të bëhen kërkime dhe studime të mëtejme. Me këtë rast do të shtonim se si tek E. Çabej, ashtu edhe te studiuesit e mëvonshëm, nuk çon peshë aq raporti numerik sa termat bazë që shënojnë apo emërtojnë makrokoncepte dhe koncepte gjenerike, si dhe dukuritë e ndryshme të krahasueshme me termat e dëshmuara nga koha antike në të cilat kemi potencuar më shumë, bashkë me ato të përbashkëta dhe të huaja.
Ndërkaq, pjesa e dytë e pyetjes së A. Lomës, është mjaft me vend për pikëpamjet e shkencës së sotme, jo vetëm për rastin konkret, por edhe përgjithësisht në nivelin teorik.
Për mendimin tonë, rëndësia e terminologjisë detare për përcaktimin e vendbanimit antik të shqiptarëve nuk mund të mohohet nga aspekti etnolinguistik, as ai historik dhe gjeografik. Është çështje krejt tjetër se sa mund të dokumentohet vjetërsia e termave autoktone të shqipes, përkatësisht etimologjia e tyre e lashtë, me prejardhje ilire, indoevropiane, qoftë kur është fjala për terma të pahuazuara, qoftë për të përbashkëta apo të huaja-të huazuara, kur dihet se shqipja është e dokumentuar, të paktën deri më sot, relativisht vonë në formën e saj të shkruar. Në këtë rast, sikur edhe në rastin e toponimeve, është me rëndësi që të dëshmohet edhe vazhdimësia e tyre e shpjegueshme me mjetet gjuhësore të shqipes.
Sa u takon toponimeve të vjetra, të dëshmuara në kohën antike, sidomos të atyre nga hapësira përkatëse bregdetare, vazhdimësia e tyre nga antika e deri më sot, e shpjegueshme me mjetet e shqipes dhe me rregullat e evoluimit fonetik të kësaj gjuhe, do të ishte argument i rëndësishëm edhe në të mirë të autoktonisë bregdetare të shqiptarëve. Por ç’e do kur edhe kjo është një punë shumë e vështirë, e cila gjithnjë mund t’i nënshtrohet dyshimeve, debateve dhe diskutimeve që mbeten në fazën e verifikimeve të vazhdueshme. Edhe pse Çabej ka dhënë disa përgjigje mjaft bindëse edhe nga kjo fushë me emrat e Ulqinit, Durrësit, Shkodrës, Lezhës e ndonjë tjetër, te disa shkencëtarë ekzistojnë dyshime dhe rezerva jo krejt të pabaza. Kështu, V. Cimohovski, kur bën fjalë për toponomastikën shqiptare,[15] duke pranuar dhe mbështetur disa mendime të Çabejt nga kjo fushë, përgjithësisht ka mjaft rezerva duke u shprehur si vijon: “ Nëse dëshirojmë të jemi të saktë, duhet të rikujtojmë se në lidhje me prejardhjen e gjuhës shqipe dhe me përcaktimin e vendbanimeve të vjetra të parardhësve të shqiptarëve si dhe me interpretimin e toponimeve të veçanta, kërkimtarët nuk kanë arritur, deri më sot, të paraqesin zgjidhje përfundimtare që do të ishin të pamohueshme. Prandaj, këto çështje presin zgjidhje edhe më tej.”[16]
Disa dilema lidhur me shpjegimin e toponimit Shkodër i shpreh edhe A. Loma, duke mos e mohuar krejtësisht mendimin e E. Çabejt për vjetërsinë e formës shqipe të emrit Shkodër, dhe mundësinë që paraardhësit e shqiptarëve të kenë jetuar rreth Shkodrës në kohën antike, por nga ana tjetër, vetë emri antik Scodra, siç shprehet Loma, nga i cili rrjedh ai Shkodër, nuk mund të jetë fjalë e vjetër shqipe.[17] Nuk ka dyshim se ky mendim i Lomës është i arsyeshëm, por ne nuk e kemi të njohur të ketë thënë dikush, e aq më pak E. Çabej, se “Scodra antike ka etimologji të shqipes.” Ky toponim mund të ketë etimologji ilire, indoevropiane apo diç të ngjashme, sepse nuk mund të flitet për gjuhën shqipe në kohën antike. Sa për karakterin ilir të Shkodrës dhe për një mendim të Lomës mbi baladën serbe për ndërtimin e Kalasë së Shkodrës apo Rozafatin, çdo i interesuar mund të gjejë përgjigje në një punim tonin më të plotë të botuar më vonë,[18] kurse për hidronimin Buena-Buna, të cilin A. Loma nuk e mohon si Barbanna antike me prejardhje ilire, por e mohon vazhdimësinë e saj në Buenën-Bunën e shqipes, duke iu referuar kështu edhe mendimit të Çabejt dhe duke i dhënë përparësi, madje edhe Bojanës sllave ndaj Bunës shqipe, mund të gjejë përgjigje edhe në punimin tonë për hidronimin Buna të botuar tash vonë edhe në gjuhën angleze.[19] Nëse përgjigja jonë mjafton, atëherë ne nuk e veçojmë historinë e Bunës nga ajo e Shkodrës.
Por t’i kthehemi vazhdimit të përgjigjes në pyetjen e shtruar nga A. Loma.
Për autoktoninë e shqiptarëve në viset bregdetare nga koha antike e këtej, si pasardhës të protoshqiptarëve në aspektin etnolinguistik, peshë të madhe duhet të kenë, për mendimin dhe konceptin tonë përkitazi me këtë çështje, edhe njësitë më të gjëra e më komplekse leksiko-semantike lidhur me detin e detarinë, siç janë shprehjet e frazeologjitë përkatëse, të cilat janë marrë kalimthi dhe pjesërisht në konsiderim edhe nga E. Çabej e L. Dodbiba, por jo në mënyrë të plotë dhe të veçantë, pra jo edhe me theks të merituar për rëndësinë e tyre për këtë çështje.
Edhe më relevante për traditën detare dhe vjetërsinë e saj te shqiptarët duhet të jenë formulat e ngurtësuara me karakter religjioz-pagan, që pasqyrojnë rituale, shprehi e zakone të vjetra detare, pastaj lokucione e proverba, tregime, gojëdhëna, përralla, legjenda e mite me motive e karakter detar, ku pasqyrohet një superstrukturë dhe kulturë materiale e shpirtërore, një trashëgimi lëndore e mendore e botës detare shqiptare, qoftë me tipare e veçori konceptuale, leksiko-semantike dhe kulturore të shqiptarëve, qoftë me struktura dhe trashëgimi kulturore analoge përkatëse të gjuhëve dhe të kulturave tjera me traditë detare në hapësirën e Ballkanit dhe më gjerë. Në planin teorik jemi të prirur të gjykojmë se më lehtë ruhen dhe i rezistojnë mbishtresave të kulturave tjera disa prej kategorive gjuhësore dhe të krijimtarisë gojore, përfshirë këtu edhe planin e koncepteve jashtëgjuhësore, sesa terminologjia e thjeshtë, apo leksiku në kuptimin e ngushtë të fjalës; ky i fundit mund të hiqet më lehtë nga përdorimi, të harrohet dhe të zëvendësohet me terma të huaja në vazhdën e zhvillimit të detarisë, mënyrave të reja të jetës detare, dhe zhvillimit të njohurive të reja mbi florën, faunën e përvojën nga deti.
Ruajtja më e sigurtë e koncepteve detare, udhëzimeve, porosive, besimeve, ritualeve dhe gjinive tjera të trashëgimisë kulturore me motive detare, në planin teorik del më e arsyeshme dhe më e besueshme tek shqiptarët, përkatësisht tek ilirët, me një traditë shkrimore të mangët ose relativisht të vonë, gjë që në psikanalizë, etnologji, shpjegohet lehtë si inercion xheloz, mekanizëm kompensues dhe ushqim shpirtëror i ruajtur me shekuj.
Ç’ është e vërteta, E. Çabej i ka prekur disa struktura të trashëgimisë gojore-folklorike shqiptare me motive detare duke i krahasuar ato me të ngjashme nga koha homerike apo antike, por nuk e ka vënë këtë në mënyrë të veçantë dhe eksplicite në kontekstin e rëndësisë së tyre për autoktoninë e shqiptarëve në viset bregdetare.[20]
Në vazhdën e kërkimeve të mëtejme nga kjo fushë, përveç çështjes së leksikut, ku kemi pasur parasysh sidomos kontributin e E. Çabejt dhe dhe të L. Dodbibës, kemi vjelur dhe studiuar materiale të reja gjuhësore, të ruajtura deri më sot në trashëgiminë gojore të trevës së Ulqinit. Por lidhur me këtë mund të shtrohet një pyetje se sa mjafton kjo terminologji ekzistuese detare shqiptare, e dëshmuar në formë të shkruar relativisht vonë, të shërbejë për autoktoninë bregdetare antike, pa marrë parasysh se këtu luan rol gjetja e etimologjisë, të cilën e ka përfillur në një masë E. Çabej dhe L. Dodbiba. Sa i takon etimologjisë, rezervat e shkencës janë të mundshme dhe të arsyeshme, kurse depërtimi në lashtësi i kufizuar, gjë që lë mjaft vend për diskutime dhe për të dëshiruar.
Për mendimin tonë, pesha e këtyre të dhënave dhe studimeve në gjendjen e sotme nuk mund të jetë absolutisht e mjaftueshme, por as e domosdoshme për ta mbrojtur autoktoninë përkatëse, e aq më pak i mjaftueshëm dhe relevant mohimi i saj në mbështetje të një materiali të brishtë leksikor.
Mendojmë se problemi qëndron në një shikim të njëanshëm dhe të ngushtë të çështjes së autoktonisë bregdetare, ku nuk merret parasysh sa duhet çfarësia e termave detare, por sasia, ku nuk theksohen sa duhet termat e përbashkëta mesdhetare, të huaja apo të huazuara sidomos nga kohët më të hershme. Për mendimin tonë, nuk mund të ketë rëndësi absolute shumësia e termave burimore, të përbashkëta apo të huazuara sa përmasat konceptuale të tyre siç janë ato nga gjeomorfologjia detare si det, mat, grykë(deti) apo përmasat e përgjithshme të mjeteve të lundrimit si anije, rrem, vel, si pjesë të pandara të saj në kohët më të hershme të zhvillimit të detarisë. Termat themelore të karakterit burimor nga flora e fauna duhet të jenë të vjetra, kurse dominimi i mjeteve të ndryshme të lundrimit, pjesëve të tyre, emrat e florës dhe faunës detare me origjinë të huaj, shpjegohen me zhvillimet e mëvonshme të hovshme të disa kulturave të tjera detare mesdhetare e më gjerë, që kanë lënë gjurmë edhe në nomenklaturën detare shqiptare, dëshmi kjo për kontakte të vazhdueshme të shqiptarëve me këto kultura.
Këtu del në pah edhe një përmasë e rëndësishme që ka të bëjë me terma të vjetra detare në shqipe, që shpiejnë drejt gjurmëve të huazimeve nga antika siç janë ato tallaz, pellg, kum nga greqishtja, peshk nga latinishtja klasike e ndonjë tjetër. Çështje tjetër me rëndësi është gjithsesi fenomeni gjuhësor i krahasueshëm me atë të latinishtes vascellum (me kuptim enë), që në disa gjuhë mesdhetare ka marrë kuptimin e anijes sikur në shqipe, pastaj ai (mare) altum (=deti i humbtë), si dukuri e rënies së gjymtyrës së parë det, ujë, dukuri kjo e hershme në fazën romane primitive, dhe substantivimi i mbiemrit të humtë, pastaj relikti i fjalës puppis të latinishtes (= pjesa e prapme e anijes) e ruajtur në shprehjen shqipe “i kam punët n’pupa”(= i kam punët mirë), që si metaforë nga terminologjia dhe përvoja detare, ku punët në det shkojnë mirë kur fryn era për prapa dhe shtyn anije në drejtimin e dëshiruar, janë ngulitur, në trashëgiminë etnolinguistike të shqiptarëve.[21]
Çështja e autoktonisë bregdetare mund të mbështetet edhe në makrotoponime të dëshmuara nga koha antike, të cilat lidhen me nomenklaturën bregdetare ose janë afër bregdetit, siç janë ojkonimet, hidronimet, oronimet.
Në mënyrë të veçantë duhet theksuar se strukturat më të gjera si frazeologjitë, përverbat, ritualet e motivet detare, përrallat e gojëdhënat e ndryshme me karakter detar, të cilave u kemi dhënë vend të merituar në studimet tona më të hershme,[22] kanë hasur në vlerësim të favorshëm të kritikës si kategori etnolinguistike dhe si objekt studimi me rëndësi të veçantë për të dëshmuar autoktoninë bregdetare të shqiptarëve.[23]
Në kontekstin e këtyre strukturave më të gjera gjuhësore dhe të trashëgimisë së kulturës shpirtërore shqiptare me tematikë detare, ndjej kënaqësi dhe obligim të theksoj meritën e profesorit të nderuar Eqrem Çabejt, i cili në vitet 70, duke vërejtur interesimin tim të veçantë për këtë fushë, më pat përkrahur dhe nxitur të bëja kërkime dhe studime të vazhdueshme në këtë drejtim,[24] duke më dhënë vetëbesim dhe zemër për disa mendime dhe teza të guximshme dhe me përgjegjësi, të cilat në fillim janë pritur me skepsë, paragjykime nga disa studiues shqiptarë të asaj kohe, por nuk janë demantuar as sot e kësaj dite me kundërargumente. Profesori i nderuar E. Çabej, gjatë disa takimeve në Prishtinë dhe në Tiranë, më kishte porositur të përgatisja një libër, ku do të përfshiheshin studime me tematikë detare, libër ky i cili, mjerisht pa dritën në vitin l981, një vjet pas vdekjes së profesor Çabejt.
Kam satisfaksion dhe krenari që ky libër,[25] apo edhe disa punime brënda tij, të botuara më herët, kanë hasur, aq sa jemi të informuar, në kritikë pozitive në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe më gjerë. Shumica e punimeve nga ky libër, janë prezantuar më herët si kumtesa në tubime shkencore me karakter vendor dhe ndërkombëtar dhe, si të tilla janë në dispozicion të përhershëm të kritikës, vlerësimit nga studiuesit kompetentë të sotëm dhe të ardhshëm.
Mendimi shkencor depërton ngadalë, sidomos kur del sadopak nga kornizat dhe qasjet pararendëse me të cilat jemi mësuar, e sidomos nëse nuk paraqitet edhe në gjuhë të huaja, ato botërore. Megjithatë shkenca nuk duhet të ketë kufij nacionalë dhe të mbështillet në lëvozhgën e vet. Gjuha e saj është universale, por ajo gjuhë duhet t’u përcillet edhe të huajve. Mbase ky duhet të jetë guximi dhe udhërrëfimi që na obligon të gjithëve.
Mbes me shpresë se me këtë kumtesë, del në pah merita e pamohueshme e Eqrem Çabejt, i cili me vetëdije të lartë shkencore, patriotike e njerëzore, nuk ka kursyer kohë as mund, kurdo që ka qenë rasti, të më ndihmojë me sugjerime, informata plotësuese, nxitje dhe inkurajim të paanshëm, por edhe të m’ i shprehte rezervat e tij (p.sh. ndaj Z. Majanit, Spiro Kondës e ndonjë studiuesi tjetër), duke mos më lënë të entuziazmohem me teza e mendime që mund të më imponoheshin kur isha i ri dhe me përvojë të pamjaftueshme shkencore. Shpresoj gjithashtu, dhe kam bindjen e plotë se në këtë mënyrë, me sinqeritetin më të madh, shpreh respektin tim të thellë ndaj profesor Çabejt shkencëtar dhe njeri i madh i popullit shqiptar, më tepër sesa t’ i kisha përsëritur mendimet dhe rezultatet e tij në përgjithësi dhe ato nga fusha e detarisë në veçanti.
[1] Shih e krahaso te: Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore IV, Prishtinë, Rilindja, 1977, f. 155-162;45, 46, 60, 78, 202-203, 206, 370;
[2] Lirak Dodbiba, “Leksiku i sotëm detar i shqipes dhe elementet e tij të pahuazuara” në Studime mbi leksikun …,II, Tiranë, USHT-Inst. i Gjuhës. dhe i Let, 1972, f. 239-265, ose në Studime filologjike 1/1967.
[3] Shih te: Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore V, Prishtinë, Rilindja, 1976, f. 97-100; 119-122;156, 160, 328, 332 passim.
[4] Shih Dr. E. Çabej, “Vendbanimi i hershëm i shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e gjuhës e të emrave të vendeve”, në Studime gjuhësore IV, cituar në 1, f. 155-162, ose në BUSH të Tiranës, Ser. e shk. shoq., 1,Tiranë 1962, f. 219-226.
[5] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore IV, cituar në 1, f. 159.
[6] B. Hrabak, “ Širenje arbanaških sto?ara po ravnicama i slovenski ratari srednjovekovne Albanije” në Stanovništvo slovenskog porijekla u Albaniji,
[7]
[8]
[9] Shih te: Vacllav Cimohovski, Gjuha shqipe, Prishtinë, Rilindja, 1988, f. 22.
[10] Shih: Aleksandar Loma, “Sloveni i Albanci do XII veka u svetlu toponomastike”, në Stanovništvo slovenskog porijekla u Albaniji,
[11]
[12] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore IV, cituar në 1, f. 160.
[13] A. Loma, studimi i cituar në 10, f. 280
[14] Shih punimet: L. Dodbiba, “Leksiku i sotëm detar i shqipes dhe elementet e tij të pahuazuara” në Studime mbi leksikun…II, USHT-Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1972, f. 239-265; Dr. R. Ushaku, Kërkime filologjikre, Prishtinë, Rilindja, 1981, f. 32-179; Ndoc Rakaj, “Emrat e peshqëve dhe organizmave të ujit. Emrat shqip të disa peshqvet, ernave dhe veglavet të peshkimit” në BUSH të Tiranës, Ser. e shk. nat.,1-1970, f. 3-19;”Fjalë shqipe nga fusha e detarisë dhe e lundrimit” nga Etrit Rakaj, në Hylli i dritës nr. 5-6 (234-238), viti XXIII, Tiranë, 1995.
[15] Shih te Vaclav Cimohovski,” Kërkime mbi toponomastikën shqiptare” në Gjuha shqipe(Prishtinë) 3/1987, f. 12.
[16]
[17] Shih te: A. Loma, studimi i cituar në 1o, f. 287.
[18] Shih: R. Ushaku, “Një vështrim filologjik-krahasues si ndihmesë për përcaktimin e prejardhjes së legjendës për KALANË E SHKODRËS-ROZAFATIN” (Ein philologischer Bdeutungsvergleich als Hilfe fur die Herkunftsbestimmung der Legende von KALAJA E SHKODRËS-ROZAFAT), në: Gustav Majer-Gustav Meyer, Prishtinë, IAP, 1998,, f.31-47.
[19] Shih punimin tonë: “Për një rishikim të prejardhjes së hidronimit Buena-Buna” në Sem. XVIII ndërkomb. për GJLKSH, Tiranë, ASHA-IGJL-UP Fak. i Filologjisë, Tiranë, Toena, 1996, f. 147-156; R. Ushaku, “ A re-examination of the Origin of the Hydronym Buena-Buna” në Filologji 4, Prishtinë, Fakulteti i Filologjisë, 1997, f. 45-58.
[20] Shih dr. E. Çabej, Studime gjuhësore V, cituar në 3, f. 97-100; 119, 122, 156, 160, 328, 333 passim.
[21] Për këtë më gjerësisht në librin tonë Kërkime filologjike, Prishtinë, Rilnidja, 1981, f. 99-143.
[22] Më gjërësisht për këtë, po aty, veçanërisht punimet e përfshira brenda kreut Gjurmë dhe kërkime krahasuese, f. 9-95.
[23] Lidhur me këto vlerësime shih e krahaso sidomos vështrimet: Hasan Kelmendi, “Hulumtimi i strukturave gjuhësore të shqipes”, në: Rilindja, e shtunë, 18.12 1981, f.13; Dituria 1-2 (Prishtinë), 1981, f.191-194; Mehmet Halimi, “Vepër me interes të veçantë për gjuhësinë shqiptare”, në: Gjurmime albanologjike-SSHF, nr. 12-1982, f. 195-198 ose në: Vështrime gjuhësore, Prishtinë, IAP, 1993, f.168-177; Qemal Murati, “Studime të reja gjuhësore me gjuhë të bindshme shkencore”, në: Bota e re (Prishtinë), 15 mars 1982, f.15; Shefkije Islamaj, “Vepër me interes për gjuhësinë shqiptare”, në Gjuha shqipe 2/1984, Prishtinë, IAP, 1984, f. 51-54; Qani D. Mehmeti, “Kërkime me rëndësi të mëdha filologjike”, në: Flaka e vëllazërimit (Shkup), 24. 10 1982, f..20 e ndonjë tjetër.
[24] Shih për këtë edhe konfirmimin te: Mehmet Halimi, Vështrime gjuhësore, Prishtinë, IAP, 1993, f. 176.
[25] Shih e krahaso punimet përkatëse në librin tonë të cituar Kërkime filologjike, Prishtinë, Rilindja, 1981.