Speciale
Abdullah Zymberi: Rrjedhoja të reja leksikore nga buroja e Drenicës mbështetur në etimologjitë e Prof. Çabejt
E marte, 29.07.2008, 07:55 PM
Eqrem Çabej
Rrjedhoja të reja leksikore nga buroja e Drenicës mbështetur në etimologjitë e Prof. Çabejt
Nga Abdullah Zymberi
Në fshatin Brojë të Drenicës na ka rënë rasa të ndeshim në një shtresë të re rrjedhojash leksikore, të cilat e shtatojnë sistemin fjalëformues të shqipes, sidomos prejardhjen e saj. Për mendimin tonë struktura ndajshtesore leksikore e Brojës së Drenicës del më e pasur dhe më e larmishme se ajo e gramatikave tona, e fjalorëve tanë, prandaj ajo do marrë, në disa vende, si gjedhe për sistemin e fjalëformimit të gjuhës shqipe. Qesin krye aty disa parashtesa të ndërlidhura, të cilat me t’u ngjitur me fjalën emërtuese, jo vetëm që i japin kuptim të ri fjalës, por edhe ia ndërrojnë kategorinë gramatikore asaj.
Rrjedhojat e atjeshme leksikore i kemi mbështetur te rrënjorët etimologjikë të prof. Çabejt, duke i prekur kryekëput ata me burim të shqipes, o ata me burim të përbashkët indoevropian.
Prof. Çabej fjalët - ter, tokë dhe truall - i shihte fjalë vendi1, mirëpo në Brojë të Drenicës nga këta rrënjorë kanë dalë përplot rrjedhoja, përngjitje e kompozime, të cilat Fjalori i gjuhës së sotme shqipe s’i ka fare.Nga rrënjori - tokë- gjithandej kanë dalë këto rrjedhoja: fol. to:k (me) -tok- gjuaj për toke topin.Tokma topin!Kjo folje është formuar nga emri -tokë-,pra, është formuar një prejardhje pa ndajshtesë.Me prapashtesën - az - është formuar ndajfolja - tokaz. Me parashtesën - për- është formuar rrjedhoja foljore me zgjedhim vepror e jovepror, si: përto:k (me) fol. Shkund mollët nga dega në tokë; -përto:k (me u) fol. Nis e ecën fëmija, fillon të përzhaget, mirëpo edhe vet. në vet. III. -përtoket- për - ateron aeroplani.Pra, gjithandej thuhet - po përtoket ballana.Me parashtesën - për - dhe me prapashtesën -az- është formuar ndajfolja - përtokaz.Nga kjo bazë + parashtesa - nëpër- gjithandej është sajuar ndajfolja tjetër - nëpërtokaz- dhe folja nëpërto:k (me) dhe - nëpërto:k (me u). Nëpërtoke qat gur! Çka po nëpërtokesh atu? Tevona pasojnë edhe mbiemrat: përtoksh, -nëpërtoksh, i, e përtokun-ne. me prapashtesen –me: tokme, mjet për t’i zdjergur drunjt e prerë nga lartësia e malit, zhag-u (Pleshinë-Ferizaj) etj.
Nga rrënjori -ter- gjithandehja i ka sajuar këto rrjedhoja:
- përte:r (me u) fol.Terem për së tepërmi.
- përterun-ne (i,e) mb.Ai a ajo që është terur shumë.
- përterç mb.Për ngucje ai që është terur për së tepërmi.
- përterun-ne (i,e ) mb. Çdo gjë që është terur për së tepërmi.
Ky mbiemër shpesh kalon në emër (emërzohet), duke u mbështetur në kuptimin e mbiemrit, si: Po na vjen përterçi.
- përteraz ndajf.Jam duke e përterur barin. Përteraz jena sod.
- pateraz ndajf. Pa u terur mirë bari a diçka tjetër sidomos ndonjë teshë.Pateraz ish bari n’livadh.Pateraz i mora teshat,se ke tue naj la:g shiu.
Nga rrënjori - truall-gjithandehja i ka sajuar këto rrjedhoja:
- nëpërtro:ll (me u) fol. Bie nëpër truall; kaloj nëpër të.
- nërtro:ll (me u ) fol. Bie ndër truall;kaloj ndër truall.
- mitro:ll (me u) fol. Eci duke kaluar mbi truall.
- përmitro:ll (me u) fol. Bie përmbi truall.
- përnërtro:ll (me u) fol. Bie përndër truall.
Na duket me interes të përmendim se me morfemat parashtesore - ndër, përmbi, përndër + emër, duke e ndërruar kategorinë leksiko-gramatikore në folje në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe s’mund të gjesh asnjë shembull, atëherë do të pyesnim ku po mbetet Fjalori ynë, ku po mbesin gramatikat tona? Me fjalë të tjera, në fushën e sistemit fjalëformues të shqipes ende ka çka të punohet, shumëçka duhet për t’u shoshur e për t’u zdritur sidomos në ndërlidhjen e morfemave parashtesore.
Prof. Çabej fjalën –mal-e shihte të dalë mbi një bazë indoevropiane2, mirëpo Broja e Drenicës ka krijuar mjaft rrjedhoja nga fjala bazë –mal-,si:
- Përma:l (me u)fol.Marr malin,hallakatem,çmendem.
- Përmalun-ne (i,e) mb.I,e hallakatur,i,e çmendur.
- Përmalaz ndajf.Me kalon koha nëpër mal.
- Malaz ndajf.Vij hallakatshëm.
- Nëpërma:l (me) fol. Shpie dikë a diçka nëpër mal.I nëpërmala vjetat.
- Nëpërma:l (me u) fol. Kaloj nëpër mal.
- Nëpërmalun-ne (i,e) mb.Ai ose ajo që ka kaluar nëpër mal.
- Nëpërmalç-sh.mb.Ky mbiemër shpesh emërzohet,duke u mbështetur në kuptimin e mbiemrit,si: Po na vjen nëpërmalçi.
- Papërmalun-ne mb.Ai që nuk ka kaluar nëpër mal.
- Nërma:l (me) fol.Shpie dikë a diçka ndër mal.
- Nërma:l (me u) fol.Vete ndër mal.
- Nërmëlun-ne (i,e) mb.Ai,ajo që ka kaluar ndër mal.
- Mima:l (me) fol. Shpie dike a diçka mbi mal.
- Mima:l (me u) fol. Vete duke kaluar mbi mal.
- Mimalun-ne (i,e) mb.Ai,ajo që ka kaluar mbi mal.
- Përmima:l (me) fol.Shpie dike diçka përmbi mal.
- Përmima:l (me u) fol.Vete përmbi mal.
- Përmimalun-ne (i,e) mb. Ai,ajo që është përmbimalur.
- Përmimalaz ndajf. Gjendem përmbi mal.
- Përrrethma:l (me) fol. Shpie dike a diçka përrreth mali.
- Përrrethma:l (me u) fol.Vete përreth malit.
- Përfunma:l (me) fol. Shpie dike a diçka përfundi malit.
- Përfunma:l (me u) fol.Vete përfundi malit.
- Përfunmalun-ne (i,e) mb. Ai a ajo që është përfunmalur.
- Përrrojma:l (me) fol.Shpie dikë a diçka përrrëzë malit.
- Përrrojma:l (me u)fol.Vete përrëzë malit.
- Përmasma:l (me) fol.Shpie dikë a diçka përmbas malit.
- Përmasma:l (me u) fol.Vete përmbas malit.
- Përmasmalaz ndajf. Gjendem përmbas malit.
- Përskejma:l (me) fol.Shpie dike a diçka përskaj malit.
- Përskejma:l (me u) fol.Vete përskaj malit.
- Përskejmalun-ne (i,e)mb.Ai a ajo që përskajmalur.
- Përskejmalaz ndajf. Gjendem përskaj malit.
Prof.Çabej për burimin e fjalës –bark- e pati tumirë mendimin e Gustav Majerit se ajo është e rrënjës indoevropiane –bher- 3.Në Burojë të Drenicës nga ky rrënjorë, nga rrënjori –bark,kanë dalë këto rrjedhoja të reja:
- Nërbar:k (me) fol.Ja heq kafshës së ngarkuar ndërbarket.
- Nërbar:k (me u)fol.Futen ndërbark të kafshës a edhe të njeriut.
- Nërbarkun-ne (i,e) mb. Ai ose ajo që është ndërbarkun.
- Nërbarkaz ndajf. Gjendem ndër bark.
- Përbarkç mb.Për ngucje ai që ka bark të dalë,të madh. Ky mbiemër shpesh kalon në emër (emërzohet), duke u mbështetur në kuptimin e mbiemrit,si:Po shkon përbarkçi.Po i përmendim këtu edhe disa kompozime,si:
- Barkalshue (me u) fol. Lëshoj bark.
- Barkahje:k (me u) fol. E heq barkun.
- Barkagja:n (me u) fol.Më zgjerohet barku.
Edhe emrin –bar-i prof. Çabej e pati parë brenda rrënjës idoevropiane –bher-, ndërsa Broja e Drenicës ka sajuar rrjedhoja me morfemën parashtresore –për-, si:
- Përba:r (me u) fol. 1.Mbushet kopshti a livadhi me bar. 2.Bëhem me bar.
- Përbarun-ne(i,e) mb. 1. Ai a ajo që bëhet me bar, që përbaret. 2.Livadh a kopsht i mbushur me bar.
Prof.Çabej fjalën –kunj- e njehte (numëronte) fjalë vendi4, ndërsa gjithandehja i ka krijuar këto rrjedhoja :
- Përku:ngj (me) fol. Ua lidh grykën thasëve me kunj.
- Përkungjun-ne (i,e) mb. E lidhur gryka e thesit me kunj.
- Përkungjue (me) fol. Fig. E therr dikë me fjalë.
- Përkungjaz ndajf. 1.Jam duke ua mbyllur grykën thasëve me kunj.2.Jam duke e therur dikë me fjalë.
Fjalën –anë- prof. Çabej e shihte të përbashkët te disa gjuhë (ind. të vjetër –ant-a,got.-andeis,nord. e vjet.-endir,gjer. –ende,në shqipet forma më e vjetër –anta, ndërsa Buroja i ka krjuar këto rrjedhoja të reja prej saj:
- Përa:n (me) fol. 1. Shtie diçka nëpër anë të thesit.2.Ndaj zallin në anë.Përane qat za:ll!
- Përanun-ne (i,e) mb.Që është ndarë në anë.
- Nëpëra:n (me u) fol.Shkon përanash,i ikën anpëranësh bigës kafsha ngjitëse.
- Nëpëranun-ne (i,e) mb. Ai a ajo që nëpëranet.
Edhe fjalën –errem- 1. për –më zë terri 2.Ngryset moti, prof.Çabej e konsideronte të truallit të shqipes,e Buroja nga ajo i ka sajuar këto rrjedhoja:
- Përte:rr (me u) fol.1.Erret moti.2.Me kuptim vepror i bie dikujt shuplakë. Ruju, se po ta perterri nja!
- Terraz ndajf. Shkoj a vij nëpër terr.
- Nëpërte:rr ( me u) fol.Më zë terri; nëpërterrem.
- Nëpërterrun-ne (i,e) mb. Ai a ajo që është nëpërterrur, që e ka zënë terri.
- Nëpërterraz dajf. Eci nëpër terr.Neperterraz erdha.
- Nëpërterrsh. mb.1.Për ngucje ai që shkon nëpër terr.2.Ky mbiemër shpesh emërzohet, duke u mbështetur në kuptimin e mbiemrit, si:A qeky a aj neperterrshi, a?
Sipas prof. Çabejt edhe fjala –mot- është e burimit të shqipes5, ndërsa Buroja e Drenicës i ka krijuar këto ndajfolje kohe, si:
- Motaz-motazi,
- Motmotaz- motmotazi,
- Parmotaz- parmotazi
- Masmotaz – masmotazi
Fjalën –gardh- prof.Çabej e njehte (numëronte) fjalë vendi të shqipes, kurse Buroja ka krijuar një vistër rrjedhojash prej saj, si:
- përga:rdh (me) fol. E shpie dike deri te gardhi.
- Përgardhun-ne (i,e) mb.I,e çuar deri të gardhi.
- Përga:rdh (me u) fol.1..Ndeshem për gardhi.2. Fig. Me vijnë punët keq.
- Nërga:rdh (me) fol.Shpie dike a diçka ndër gardh.
- Nërga:rdh (me u) fol.Futem ndër gardh.
- Nërgardhun-ne (i,e) mb.Ai a ajo që është futur ndër gardh.
- Nërgardhaz ndajf.Gjendem ndër gardh.Nërgardhaz po lujna.
- Miga:rdh (me) fol.Vë diçka mbi gardh.E migardha kmesën.
- Miga:rdh (me u)fol.Kaloj mbi gardh.
- Masga:rdh (me) fol.Qes diçka mbas gardhit;mbasgardh.
- Masga:rdh (me u) fol.Vete pas gardhit;pasgardhem.
- Masgardhaz ndajf.Gjendem mbas gardhit.Masgarsdhas jena me Manin.
- Nëpërga:rdh (me u) fol.Shkoj nga gardhi në gardh.
- Nëpërgardhç mb.Për ngucje ai që e humb kohën duke kaluar nëpër gjerdhe.
- Pagardh (i,e)mb. Ai,ajo që s’ka gardh.
Fjalët – darkë e –drekë prof. Çabej i pati përudhur te indoevropianishtja (dr q-darkën) dhe drekën (nga droq), mirëpo në Burojë janë krijuar një laryshi fjalësh prej tyre si; rrjedhoja të dala prej tyre, si;
- darkaz-azi ndajf.Shkoj në kohën e darkës te dikush.
- pardarkaz-azi ndajf. Shkoj para darke te dikush.
-masdarkaz-azi ndajf. Shkoj te dikush mbas darke.
-darkatore-ja f. Grue që kishte për detyrë për të përgatitur darkën.
- Nëpërda:rk (me u) fol. Shkoj nga darka në darkë.
- Drekatore,-ja f. Grua që kishte për detyrë të përgatiste drekën.
- Drekaz-azi Shkoj gjatë kohës së drekës te dikush.
- Pardrekaz-azi Shkoj para dreke te dikush.
- Masdrekaz-azi Shkoj në kohën e pasdrekes te dikush.
- Nëpërdre:k (me u) fol. Kaloj prej dreke në drekë.
Do përmendur këtu se fjalësin e gjithatjeshëm bukur shumë e ka pasuruar prapashtesa -az-,e cila u prapavihet emrave duke formuar ndajfolje.Të gjitha fjalët që do t’i poshtëvargojmë,si ndajfolje,
prof.Çabej 6 i ka nxjerrë me burim të shqipes, dalë nga emrat. Edhe në rasën tonë ngjet e njëjta gjë,si:
- Fushaz ndajf. Nga fushë.
- Guraz ndajf Nga gur.
- shkrolaz ndajf. Nga shkrolë.
- Thanaz ndajf. Nga thanë.
- Gjollaz ndjf. Nga gjollë
- Barraz ndajf. Nga barrë.(Është gruaja me barrë)
- Ngjalaz ndajf. Nga ngjalë. (fig.Më shkojnë punët mirë)
- Frymaz ndajf. Nga frymë.
- Udhaz ndajf. Nga udhë.
- Uraz ndajf. Nga urë.
- Themraz ndajf. Nga thembër.
- Pikaz ndajf. Nga pikë.
- Gjarpnaz ndajf. Nga gjarpër.
- Buklaz ndajf. Nga bukël.
- Fydaz ndajf.Nga fydëz.
- Bollzas ndjaf. Nga bollë.
- Dalldyshaz ndajf.Nga dallëndyshe.
- Grykaz ndajf. Nga grykë.
- Lamaz ndajf.Nga lëmë.
- Votraz ndjaf.Nga votër.
- Rrasaz ndajf. Nga rrasë.
- Therraz ndajf. Nga therrë.
- Gllijaz ndajf. Nga dëllinjë.
- Shtrataz ndajf. Nga shtrat.
- Kaçubaz ndajf.Nga kaçubë.
- Shputaz ndajf.Nga shputë.
- Fërkemaz ndajf.Nga fërkemë.
- Thikaz ndajf.Nga thikë.
- Drrasaz ndajf.Nga dërrasë.
- Cun(g)az ndajf.Nga cung.
- N(g)ujoraz ndajf.Nga ngujore.
- Kungjaz ndajf.Nga kunj.
Këso dhe pasuri të tjera fjalësore (leksikore), njeriu mund të gjejë nëpër të folme popullore plot e përplotë edhe sot e kësaj dite, prandaj barrë kryesore e gjuhëtarëve është që t’i shprushin ato, për t’i zdritur fjalët e shqipes dhe për t’i vënë ato në jetën e përditshme, në cilëndo fushë të informacionit.