Speciale
Rexhep Doçi: Ndihmesa e Eqrem Çabejt në fushën e onomastikës
E shtune, 09.08.2008, 09:40 PM
Ndihmesa e Eqrem Çabejt në fushën e onomastikës
Eqrem Çabej
Nga Rexhep Doçi
E. Çabej është ndihmës për krijimin e bazave të onomastikës shqiptare, qoftë me anë të punimeve të shkruara drejtpërsëdrejti për onomastikën ose me punime që shkroi për gjuhësinë apo gjuhësitë krahasimtare, e që në këto të dytat përdori të dhëna onomastike për të trajtuar fjalë të moçme të shqipes të trashëguara nga gjuhët që konsiderohen si: pellazgjishtja, ilirishtja, trakishtja, latinishtja, greqishtja etj. Dhe kështu, në mënyrë të tërthortë na i ka çelur shtigjet që të thellohemi në gjurmimin dhe zbardhjen e probelemeve onomastike qysh para mija vjetësh e deri më sot. Këto çështje onomastike janë thesar i pasur dhe i pakrahasuar për historinë e popullit iliroshqiptare dhe për gjuhën ilireshqipe në Siujdhesën Ilire. Shpeshherë në pamje të pare toponimet na duken me prejardhje jo shqipe, porse, në qoftë se studiohet si e sa duhet E. Çabej, me trajtat e fjalëve që janë ngurosur nëpër kohë në rrënjët e shumë toponimeve, dhe të cilat i ka shpjeguar në mënyrë të thuktë dhe bindëse, do të shihet se disa na dalin ilire-shqipe, sepse ato fjalë ishin dikur të mbarë shqipes. Prandaj, çështja e rrezatimit të këtyre toponimeve, dhe përgjithsisht të onomave me anë të ndihmesës dhe largpamësisë së pa krahasuar do të shihet mendoj edhe në rreshtat vijues.
Lidhur me punimet e Çabejt, që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me onomastikën, po i citoj vetëm titujt e disa prej tyre, p. sh.: “Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e emrave të vendeve”, “Vendbanimi i hershëm i shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e gjuhës e të emrave të vendeve”, “Emri i Dardanisë dhe izoglosat shqiptaro-kelte”, “Çështja e prejardhjes së ngulimeve arbëreshe të Italisë në dritën kryesisht të gjuhës e të emrave vetiake”, “Emri i vjetër nacional i shqiptarëve”, “Emrat nacionale të shqiptarëve”, “Kongresi VIII ndërkombëtar i studimeve onomatike në Amsterdam” etj.[2]
Mirëpo, siç thamë përafërsisht edhe më sipër, E. Çabej e ndihmoi onomastikën edhe tërthorazi, sepse pothuajse në çdo punim të tij përdori të dhëna onomastike sinkronike dhe diakronike, të gjuhëve të lashta dhe të reja ballkanike dhe jashtëballkanike, dhe kështu e ndriçoi historinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe në trojet etnike të Siujdhesës Ilire si askush deri më sot. Kanë rëndësi sidomos të dhënat onomastike, që i ka futur në përdorim autori në fjalorin etimologjik, që mund ta quajmë lirisht fjalor enciklopedik për gjuhësinë shqiptare: Studime etimologjike në fushë të shqipes. Ky fjalor është botuar së pari në variant të shkurtuar në Tiranë dhe Prishtinë, kurse autori për së gjalli botoi në variant të zgjeruar dy pjesët e para, pra edhe pjesën e dytë me fjalët e dy shkronjave të para të abecesë sonë A-B.[3] Pas vdekjes së papritur, të parakohëshme dhe kobzezë të E. Çabejt për shqipen dhe shqiptarët, punën e mirë dhe të madhe të këtij gjuhëtari në këtë fjalor po e vijojnë me përkushtim dhe me sukses kolegët nga Tirana, Seit Mansaku dhe Anila Omari, që i kanë përgatitur dhe janë botuar edhe dy vepra vijuese me shkronjat: prej C-së e deri në D prej 444 faqesh dhe prej Dh-së e deri në J, prej 622 faqesh[4].
Fjalët dhe trajtat e fjalëve që i shpjegon Çabej me një mendjemprehtësi të rrallë në këtë fjalor, ndihmojnë shumë edhe në shpjegimin e prejardhjes së shumë toponimeve kudo ku jetonin ilirët dhe ku jetojnë sot shqiptarët, pasardhësit më besnikë të ilirëve. Ne këtu po i vështrojmë më tepër disa toponime kosovare, në rrënjët e të cilave hetohen fjalët shqipe ose të prejardhjes shqipe me trajta të errta, por që, siç do të shihet, ato trajta i ka dhënë bindëse dhe me një akribi të rrallë E. Çabej në në përdorime sinkronike dhe diakronike.
Kështu, emrin e katundit të sotëm Arbanashka te Kurshumlija, që më 1455 shfaqet si Arbanash në Nahijen e atëhershme të Llapit (në të cilin katund sot nuk ka asnjë shqiptar, por shqiptarët e ikur me dhunë nga ai katund e mbajnë sot në anën e Llapit të ngushtuar dhe në Ajvali ktetikun Arbanashi), mandej të kat. Arbin (Arbinovo) tek Ohri në Maqedoni, të katundit mesjetar, sot i zhdukur - Katun Ar’banas te Tuzi në Mal të Zi, dhe të katundit Arbëreshi i Krajës së Ulqinit, kujtoj se duhet lidhur me kuptimin e fjalës shqipe arë, sepse Çabej, pas një analize të gjatë dhe të thuktë kohore, që shkroi tri-katër herë për emrin e popullit tonë arbër arbën, më në fund, pos tjerash, thekson: "Nga këto të dhëna del që arbën nuk mund të jetë latino-roman (se do të ishte alb-), as grek (do të ishte arv-) as sllav (do të ishte rab-). Kështu edhe për exluzionem do të pranohet një burim vendi i emrit. Duke u nisur nga arb- siç del në arb-ën(ë) nga një më e lashtë *arb-an, e duke e çuar atë te një formë bazë *arv- e kohës antike e mesjetare të hershme, me betacizëm rv:rb si te korb nga corvus, mund të afrojmë këtë fjalë me lat. arvum “ar, tokë e punuar, fushë”, umbr. arvam-en “in arvam”, gr. ä???? “arë, tokë buke”, irl. e mesme arbnor shm.. arbanna “drith”, arm. haravunk “tokë buke”; aty Pederseni KG I 63 vendon ndër të tjera dhe sll. e vj. kishtare raveno “i rrafshtë”, po pa gjetur miratim të përgjithshëm...”[5]. Dhe është e logjikshme që emrat e këtyre fshatrave të lidhen me kuptimin e fjalës arë, nga se gjenden në rrafshe, buzë Liqenit të Ohrit, buzë Liqenit të Shkodrës, pranë një lumi te Kurshumlija në Llap etj. Me rrënjën arb- (???), sipas Hans Krahe-s dhe Anton Mayer-it hasen edhe toponime ilire, si p.sh. Arbensi(um) te Plevla në Mal të Zi, Arba (sot ujdhesa Rab) në Kroaci, ???????? (Kastell in Dacia mediterranea) si kështjellë në Dakinë Mediterane antike ( përafërsisht sot te Krysheci i Serbisë) etj.[6] Me mendimin e E. Çabejt për emrin kombëtar arbën-arbër në këto vendbanime të hershme e deri më sot dëshmohet edhe e dhëna se iliro-shqiptarët ishin edhe bujq të mire dhe se hidhet poshtë njëherë e përgjithmonë mendimi i pabazë i disa studiuesve sidomos sllavë, prej të cilëve fatkeqësisht ka edhe shqiptarë, që thonin se shqiptarët në kohërat e hershme kanë jetuar vetëm si blegtorë nëpër pjesë malore.
Një tjetër fjalë, që e gjejmë shpeshherë në funksione onomastike që nga antika e deri më sot, është fjala bal(ë) - i, e balëm, për të cilën Çabej bën të ditur se shpreh edhe kuptimin bardhë dhe larë, dhe se " përhapja e degëzimi i madh i kësaj fjale në shqipen është një dëshmi e burimit autokton të saj”, se " Gr. e vj. bAlíóz përkundrejt falióz që merret si fjalë thjeshtë greke, për punë të b-së e bien të rrjedhur nga një gjuhë jogreke e Gadishullit të vjetër Ballkanik, nga trakishtja, ilirishtja, maqedonishtja”, etj., dhe se: “Temën bal ndërkaq e ka pasur pas gjase dhe ilirishtja. Për të duket të dëshmoj emri personal balaîoz; po dëshmon më shumë emri personal Aurel Bardibalus në Serbinë Perëndimore, te A. Mayeri I 76 v., pas mendimit tonë një kompozit me dy pjesë sinonimike të kuptimit “i bardhë”, Bardi-balus shqip do të ishte Bardhë-balë), khs. emrin e malit Balbardhë në qark të Beratit, e të emrit topik Balibardhë të Çamërisë, kompozita me dy elemente sinonime, po me topik të kundërt të pjesëvet përbërëse.”[7] Prandaj, në bazë të këtij mendimi të Çabejt se kjo fjalë balë mund të jetë, pos si fjalë e mundshme pellazgjike, trakase e e maqedonishtes së vjetër, ka gjasë të jetë edhe ilire, edhe emrat e katundeve me rrënjën bal- janë vijime te shqiptarët dhe në shqipe,më parë të gjuhës ilire se e ndonjë gjuhe tjetër, si p. sh.: kat. Baliq (Balich) i v. 1438 në anën e Novobërdës[8], e mund të jetë kat. i sotëm Baliq (Balaj) i Ferizajit; Balinca-Balinci i Llapushës; Balina e Peshterit në veripërendim të Mitrovicës; Baliçevci dhe Balainaci, fshatra të Prokuplës, dhe Balëza në Mal të Zi, që përmendet edhe si kështjellë mesjetare e sundimtarëve shqiptarë Balshaj.[9]
E. Çabej edhe për fjalën ballë bën me dije se është e mbarë shqipes, dhe thekson se: “Në toponomastikë ballë,me emra si Ballçore në Pukë (Gazzettér 7), shënon kryesisht naltësira. Sipas Joklit (20 NF X 194 v.) ballë, me emra malesh si Balle Ballja, me Balldreni etj., ka pasur që herët edhe kuptimin “mal, malësi”, dhe Maja Ballecit i përgjigjet sipas tij emrit të vendit bregdetar Baletium të ilirishtes (mesapishtes) së Apulisë.”[10] Po nga kuptimi i fjalës shqipe ballë janë formuar patronimet kosovare: Balla (Shkup), Ballata (Gjakovë), Ballani (Pejë), Ballota ( Çallapek-Lugu i Beranit dhe Palluzhë-Drenicë), porse edhe emri i kat. të Llapit Ballofc e ka prejardhjen, duke u nisur më sipër prej Çabejt, nga fjala ilre-shqipe ball(ë).[11] Sa u përket emërtimeve të antikitetit Decebalus, si “ballë i dakëve, frons Dacorum” dhe trak. Tpibàlloi të frig. balhn “mbret”, që i afrojnë dijetarët me shqipen Ballë, E. Çabej i merr afrime të dyshimta, dhe vetëm për balnpa Ppoth thotë se “mund të rrjedhë nga faza antike e shqipes balli me kuptimin “i parë”...”.[12] Kurse, Prof. Mahir Domi, sikur e përkrah mendimin e G. Hahnit, që e konsideronte fis ilir e jo trakas fisin Triballoi dhe e lidhte me shqipen tri dhe ballë.[13]
Duke kaluar në hulumtimin dhe gjetjen e fjalëve të tjera në rrënjët e toponimeve kosovare, sipas historisë së fjalëve që i ka ndriçuar E. Çabej, po theksoj se kur i sqaron dy trajta të fjalëve shqipe beçat dhe bezazë, përpos të dhënave të tjera për to, thekson edhe sa vijon: " Të dyja trajtat lidhen pas gjase, në analizë të fundit, me berr...Trajta beçatë më fortë shumësi i një beç-i “berr i vogël, qengj”, siç ruhet te beçkë e Permetit, emër përfolur si ndajfolje mënyre, se nga një fj. * berçe “si berrat”, ndajfolje mënyre me sufiks turk -çe”.[14] Sipas burimit të fjalës beç, po edhe bec gjithashtu për “qengj i vogël”, që të dyja së bashku që i sqaron E. Çabej, dhe se sipas një shpjegimi që kemi bërë në bazë të mendimit të gjuhëtarëve I. Ajetit dhe H. Bariqit se trajtat bac e baç burojnë prej fjalës ilire bari,[15] edhe këto trjata bec e beç të dala sipas Çabejt prej berr, gati se po na dalin të një familjeje të përbashkët si: bari, bac, baç, berr, bec, beç. Mandej se kjo fjalë përdorej edhe si antroponim Bari shumë i moçëm, si thotë Milan Shuflaj: “Nga koha kur qysh se ilirët e vjetër e nderojshin zotin e posaçëm të barijve, deri në ditët e sotit…”.[16] S’do mend se një fjalë e tillë e trajtës beç, që na ka dhënë E. Çabej, po e përsërisim, me burim nga “berr i vogël, qengj”[17], mund të jetë strukur prej kushedi se kur në bazat e katundeve të anës së Vushtrrisë Beçiq (Drenicë) dhe Beçuk, e katundi Beçiq i Drenicës mendohet se shfaqet qysh më 1455 në një defter osmano-turk.[18] Në të mirë të kësaj etimologjie se ojkonimi Beçiq buron prej fjalës shqipe berr flet edhe e dhëna se, sipas T. Vukanoviqit, lagjeja shiptare Smajli e Beçiqit mbahet e fisit Berishë[19], tek emri i së cilit fis vërehet gjithashtu emri bazë ber berr dhe prapashtesa -ishë. Edhe argumente të tjera, pos atyre gjuhësore që i pamë nga Çabej, e përforcojnë prejardhjen e këtyre katundeve Beçiq e Beçuk nga fjala si e pasivizuar në atë anë berr, që gjithashtu Çabej e analizon gjerësisht se kemi të bëjmë me " dash a dele, sqap a dhi”.[20] Kështu, në kullosat e pasura rrëzë Maleve të Çiçavicës është formuar prej emrit të shtazës edhe katundi tjetër shqiptar - Dashefci, nga emri gjithashtu i shtazës dash dhe prapashtesa -evc (-efc), që edhe në shkinishte, përkatësisht serbishte si Daševce, (pra me daš- e jo me doš-, siç e përdorin në kohë të fundit shkijet), e ka shënuar në vitin 1932 edhe Gl. Elezoviqi.[21] Po në Drenicë me rrënjën ber berr ekziston edhe katundi Berishë në Bjeshkën e Berishës, si dhe afër Likofcit gjendej dikur me të njëjtën bazë katundi, sot i zhdukur Berzhaniq-Berzheniq-Bezheniq[22], me të cilin emër Berzheniq sot ndodhet edhe një fshat në anën e Pejës, që mund të jenë krijime nga emri i fisit shqiptar: Berishan: Bershan: Berzhen+iq, sepse edhe sot ka patronim zyrtar të shqiptarëve Berishan në Jashanicë të Epër të Klinës.
Para se ta shtrojmë fjalën ilireshqipe mal në funksionet onomastike, po e citojmë mendimin e E. Çabejt për disa toponime dhe për prejardhjen e kësaj fjale, i cili thotë: “ Nga fusha e toponimisë, shq. mal përveç se me ilir. Dimallum, Maluntum etj., piqet dhe me emrin e provinces romake Dacia Maluensis në brigjet e Detit të Zi, emër i kohës së perandorit Mark Aurel, në vend të të cilit më vonë, në kohë të Dioklecianit, çfaqet emri Dacia Ripensis…Kështu shohim se fjala rumune përkon nga kuptimi më shumë me trakishten, mal-i i shqipes më shumë me ilirishten”, dhe si fjalë ilire e thekson në oronimet e moçme Dimallum, Malontum, Maleventum, Malontina etj.[23] Me anë të këtij mendimi kam vështruar dhe ndriçuar shumë mikrotoponime, toponime, antroponime e patronime të sotme dhe të moçme kudo ku jetojnë shtiptarët dhe më gjerë në Siujdhesën Ilire. Dhe, ç’është me rëndësi, kemi konstatuar se nga substrati ilir dhe trakas janë bërë përkthime dhe janë krijuar emërtime onomastike kuptimore në gjuhët e mëvonshme latine, greke, sllave e turke po ndër shqiptarë, për të cilat kam folur edhe më pare dhe këtu po i themi edhe disa fjalë.[24]
Kjo fjalë mal ndeshet në onomastikë në shumë trajta si dhe me ndryshime edhe në rrënjë, si p.sh. mol dhe majë. Sa për trajtën mol për mal po e citoj studiuesin serb Milivoje Pavloviqin, i cili thekson: “Tipi mol është i përhapur në trevën rumune si Molea, Moldava etj…., dëshmohet edhe në trevën serbe Smoljane, ku duhet kërkuar në bazën *mol- varianti *mal-, prandaj ai etimon do të thotë Kodroj, Kodrali, të kodrës (srb. Brdjani) si në emërtimin shqip Malisori”.[25] Përkitazi me trajtën majë-a “maje e malit”, që vjen nga një më e hershme paraprirëse mal-i, ne e kemi pare këtë fjalë në rrënjën e emrit të katundit Majac-i të Llapit, dhe në patronimin Majce në fshatin Vica të Tetovës, si dhe në patronimin Majiqi të malazezve në fshatin Vranë të Tuzit të Malit të Zi. Ndërkaq, Milivoj Pavloviqi të kësaj baze e sheh edhe oronimin Majevica te Sarajeva në Bosnje dhe oronimin Kosmaj te Beogradi në Serbi, për të cilin mendimi origjinal i tij është (i përkthyer prej serbishtes- R. Doçi): “Kosmaj është kompozitë prej dy fjalësh, në të cilën pjesa e pare përmban bazën kelte casino (a:o, Dotin, 86) për lis, zabel, dhe mai për mal, majë mali…”.[26]
Nga sa shihet, M. Pavlloviqi apelativat oronimikë në Ballkan të sajuar nga fjalët: lat. mont- e plana planina “mal, mal me kullosa”, sll. gora e šuma “çukë, mal, bjeshkë” dhe kelte cossano cossino, poashtu me kuptim të afërt “mal me lisa, pyll” i bie si rezultat të substratit “të oronimeve të tipit ilir mal ose shqip mal”. [27]
Të ngjashme me oronimet dhe toponimet e sipërme me mal, që na i jep E. Çabej për nga etimologjia dhe shtrirja hapsinore janë edhe shumë patronime (vëllazëri), të cilat sot nuk i mbajnë vetëm shqiptarët po edhe serbët e malazezët e asimiluar nga iliroshqiptarët. Të tilla janë patronimet e shiptarëve: Malallar në Veshallë të Malësisë së Tetovës[28] dhe në Zaplluzhë të Opojës së Perzerenit; Mala ose Malaj në Paftal të Beratit (Shqipëria Jugore), në Rugovë të Pejës, në Çubrel e Rezallë të Drenicës, në Vraniq e Mushtisht të Therandës, në Strall (Strellc) të Deçanit; Maloku pothuajse kudo nëpër Kosovë dhe në Starabajë të Jabllanicës (Medvegjë), Mali-Mala në Dinoshë të Grudës (Mali i Zi),[29]Zefmalt në Telis (Dobërdol) të Llapushës (Klinë), Male në rreth të Korçës, Mallakaj në Zym të Gjakovës, Maleta në Balincë të Llapushës dhe në Shalë të Bajgores, pra, që të gjitha vëllazëri shqiptare; porse edhe Maletiq, dikur patronim serb në Lug (Dollc) të Llapushës (Klinë) dhe në Kastriot (Kosterc) të Drenicës, Maleviq Malleviq, patronim malazezësh në Livadhi (Dumnicë) të Llapit, e mbase e kësaj rrënje ilire-shqipe mal- është edhe patronimi serb apo malazez Malishiq në Carrallukë e Kashicë të Burimit (Istogut), që si nga shqiptarët ashtu edhe nga serbët shqiptohet me fjalën mal e jo mall, që të mendohet se kemi të bëjmë me fjalën sllave-serbe mali “i vogël, fëmijë i vogël”. Për prejardhjen ilire-shqiptare të këtyre patronimeve serbe, ndër të tjera, flet terthorazi edhe prejardhja e patronimit mesjetar Malonshiq në luginën e Lumit Zetë në Mal të Zi, për prejardhjen ilireshqipe të të cilit patronim kanë bërë fjalë studiuesit I. Ajeti, M. Shufflaj e B. Gjurgjevi.[30]
Një ndër përkthimet prej substratit ilir mal është, si thotë M. Pavlloviqi, “lat. plan (apelativ oronimik) nga gjuha vllahe” për mal me kullosa, siç janë toponimet e Serbisë Mala Plana, Velika Plana (në përkthim Pllana e Madhe dhe Pllana e Vogël –R.D.), Planinica (te Zajeçari-Serbi), siç ka konstatuar ky autor me të drejtë: “Konkurencë e vërtetë oronimike e bërë me zëvendësimin në mes të tipit mal dhe të tipit të ri plan-“.[31]Kështu, ktetikët Pllana nëpër Kosovë mendojmë se janë të krijuar pjesa më e madhe prej fshatrava të Pllanës së Madhe dhe të Vogël të Serbisë, prej nga janë shpërngulur shqiptarët me dhunë prej para njëqind vjetësh. Mirëpo, edhe antroponimet e tipit Plana të Defterit osmano-turk të vitit 1455 nëpër Kosovë: në Belincë të Ferizajit, në Stubëll të Vitisë dhe në Topaonicë të Gjilanit, mandej në Bardhash (Bradash) të Llapit etj.[32], janë përkthime të substratit Mal.
Po kështu, përkthime nga apelativi iliro-shqiptar mal ne i shohim patronimet e shqiptarëve: Muça në Arrishtë (Vraniq) të Therandës (ku gjendet edhe patronimi Mala); Muçaj në Siperant (Zahaq) të Pejës, në Carrabreg të Deçanit dhe në Guskë të Gjakovës; Muçaku në Nekaj (Nekoc) të Skënderajt; Muçolli në Zabelin e Poshtëm të Drenasit (ku gjithashtu ka patronim Malaj), si dhe nga patronime të tilla kanë prejardhje katundet e Gjilanit Muçiverc dhe Muçibab (Babaj). Pra, këto emërtime kanë prejardhje nga fjala latine mont-, që me kohë kanë pësuar ndryshime fonetike mont->munt->muç-, zhvillime fonetike të shndërrimit të –o-s së rrënjës në –u-, që i kemi ndriçuar pikërisht përmes latinizmave të ngjashëm, që i ka shpjeguar etimologjikisht E. Çabej: molinum>mullini, mulliri; solanum>shullani, shullëri; corona> kunorë, kurorë etj.[33] Pra, si po shihet largpamësia e E. Çabejt për fonetikën historike të shqipes na vjen si një dorë e djathtë për t’i zbardhur si duhet çështjet e errta onomlastike me rëndësi.
Në krahasimet e tilla diakronike edhe fjala greke oro oros “mal, kodër,”[34]në disa emërtime të sotme të shqiptarëve është e përkthyer prej iliro-shqipes mal. Kështu, nga gjurmimet e deritashme që kemi bërë na duket se një fjalë e tillë gjendet në patronimet e shqiptarëve: Orouçi të Shipkovicës së Malësisë së Tetovës;[35]Oruçi në Rezallë të Drenicës (ku ka patronim Malaj), në Mitrovicë, në Gjilan, në Vuthaj të Malit të Zi; Orana në Ferizaj, si dhe mbase në emrin e katundit Orushë të Sharrit (Dragashit) të Perzerenit etj.
Lidhur me përkthimet e mëvonshme të mundshme nga fjala ilire-shqipe mal po shtojmë se rezultat i kuptimit të kësaj fjale, po sipas M. Pavloviqit, janë emërtimet: or. Gornjak (Pozharevc-Serbi), Skopska Crna Gora (Maqedoni), Zagrebaçka Gora (Kroaci), toponimet Gorovi? (Kragujevc-Serbi), Gori?ani e Gori?i?i(Dragaçevë) etj.[36]
Nga sa u tha më sipër po shihet se ne këtu, me ndihmën e E. Çabejt mund të bëjmë volume studimesh onomastike. Porse, këtë here do ta marrim vetëm edhe fjalën rrah në funksione onomastike, se si i ka shpjeguar etimologjikisht largpamësia e E. Çabejt disa toponime të krijuara prej kësaj fjale, duke vështruar edhe ne disa antroponime, patronime dhe mikro e makrotoponime të ngjashme. Kështu, E. Çabej, kur e sqaron prejardhjen e emrit Rinas (i cili sot është edhe Aeroporti i Tiranës) thekson: “Rinas m. (katund në fushë të Tiranës). Shqiptimi lokal është Rrihnas. Është një me Rrihna, Rrihnat, emra topike në Vukël, Skvinë të Berishës, Kozmaç, Rrihnat e Beshkozës, Rrihnat e Qerretit në Kçirë…Baras me apelativin rrihna pl. (vend i çelun rrah; livadhe te Gzulli), në Sulovë rrira…Është plurali i rrah-ut, me metafoni a:e:i, sh. Li.Posn. VIII 124v. Rinas paraqitet si një emër kolektiv me –as, poashtu si Ferras, Fikas, Misras e si apelativet grenas, vashas, vorres. Sh. Xhuvani-Çabej, Prapashtesat 21. Etimologjikisht rrah-u është identik me verbin rrah…”.[37]
Për fjalën rrah në funksione onomastike, si antroponim, patronim e toponim kam folur gjerësisht më së dy herë.[38] Mirëpo, këtu po i themi edhe pak fjalë, për të dëshmuar se njëmend më ka ndihmuar E. Çabej që t’i vështroj për nga prejardhja disa emërtime onomastike të Kosovës dhe më gjerë. Rreth vitit 1330 antroponimet nga fjala rrah->rrih- ishin të shpeshta: si Rahut e Rahoje shfaqen në fshatin Babaj të Gjakovës, si Rahoje përmenden dy banorë, një i fshatit Bunjaj të Shqipërisë Veriore dhe tjetri i fshatit Grnçarevë, që mbase është Gërnçari i Gjakovës, dhe, ç’është më me interes për këtu, një banor i atëhershëm i Kronarbit (Lubeniqit) të Pejës e kishte emrin Rihoje.[39]Po ngjashëm me këtë trajtë gjuhësore shfaqet si patronim Rini (Andrija Rini) më 1485 në fshatin Romeshtina të Shkodrës,[40]që mund të ketë qenë Rihni, porse administrata osmane ta ketë regjistruar gabimisht Rini. Mikrotoponime me rrënjorin rrih- i kam shënuar: Rrihnet, Luki Rrihneve, Livadhet e Rrihneve në Dejë të Rahavecit; Rrihnet e Arat e Rrihnës në Zhabel të Dushkajës së Gjakovës; Rrihnoret, Gurra Rrihnës, Gryka Rrihnës në Bllaç të Opojës; Rogat e Rrihnave, Kodra Rrihnave, Lugu Rrihnave, Shpati Rrihnave-mikrotoponime si në mes të katundeve Topillë e Grajçec të Ferizajit; Kroi Rrinave në katundin Priboc të Hashanisë (Bujanoc)[41] etj.
Kur është fjala për trajtën e shumësit të rrah-ut si rrih, do theksuar se një trajtë pak më të ndryshuar të kësaj fjale e shohim edhe te toponimi ilir Risan, mbase nga Rihs+an=Risan(?). Këtë toponim e konsideron ilir Petar Skoku, kur krahason: Risinium>Risan[42]. Me sa shihet Anton Mayer-i, sipas shkrimeve antike, këtë toponim ilir e përmend me trajta të nduarnduarta, ndoshta me interes të veçantë për historinë e hershme të fjalës shqipe rrah, si p.sh.: Rïsini, ???????, ??????, Rhizinium, Resinum, Resinensi, dhe si etnikon Rhizonitae etj.[43] Për ne dhe për gjuhën shqipe në lashtësi kanë rëndësi sidomos rrënjët me –h-, (Rhi- me metatezë nga Rih-?), po edhe me –e-, që kjo e dyta e përforcon mendimin e E. Çabejt për metafoninë a>e>i te kjo fjal: rrah:rreh:rrih te Rinasi.[44] Po kështu për Risanin ilir po e citojmë mendimin e Duje Rendiq – Mioçeviqit, sipas të cilit më herët, pra në zanafillën ilire ishte me –h-: “Me interes të veçantë kanë qenë gjithmonë rezultatet nga qyteti i vjetër ilir Rhizona (?????) në gjiun e Bokës së Kotorrit, i cili në kohët e lashta bënte një jetë autonome, e kohë pas kohe ka qenë qendër e sundimtarëve ilirë, e mbretërve dhe dinastive (Teuta, Balej) ose e antëtarëve të mbretërve”[45] Sa i përket kësaj fjale me –e- në rrënjë rreh, Kolë Luka e përmend edhe në Greqi një toponim të tillë: “…????? për rrehe (me sa duket një shumës i vjetër i rrah që sot në toponimi është rrihra rrihna”[46] Mendoj se për ndriçimin e toponimeve të kësaj fare me rrah më së miri na ndihmon mendimi i E. Çabejt, se emrin rrah e barazon me foljen rrah, kur thotë: “Etimologjikisht rrah-u është identik me verbin rrah, me të cilin piqet krejt në formë…shq. rrah do të mendohet si e dal prej një baze *urag’h-sk?. Në këtë rasë për r-në jo-nistore indoeuropiane do të pritej në shqipen një r e thjeshtë. E sotmja rr- ndërkaq është e spiegueshme te një element i leksikut efektiv siç është rrah.”[47] Këtu po përpiqemi ta rrezatojmë, pos toponimit të mësipërm ilir Rhizon, edhe një toponimi tjetër ilir bregdetar., fjalën e kemi për qytetin e sotëm të Durrësit. Prandaj, po ta krahasojmë këtë fjalë të kryehershme të shqipes apo, si del për ne nga E. Çabej, indoeuropinane *urag’h-sk?, me format ndërshkrimore të pjesës së dytë të toponimit të Durrësit gjatë periudhave mijëvjeçare, që na i ka dhënë David Luka: Dyrrah, ??????????, Dyrr/h/achium, Dysrahion, Dysrahia, Durrakhi etj,[48]ngjashmëritë janë bukur të qarta. Po edhe te trajtat e sotme sinkronike në gjuhët e popujve të ndryshëm, duke pësuar ndryshime të rregullta dhe të parregullta gjuhësore, vërehen ngjashmëritë me fjalën e mirëfilltë indoevropiane apo ilire-shqipe *urag’h-sk?, si p. sh.: shq. Durrës kemi vijimin e tingujve r (rr), mandej –ë-në që mund të jetë një vijim i –e-së (nga –a-ja) me metafoni (sepse te shkrimtarët e vjetër del pothuajse gati si e>ë ( “te Bardhi Durrëc, te Bogdani Durëc…)[49], dhe tingulli s; ital. Durazzo, ku kemi r-në, mandej –a-në e rrënjës dhe s-në e sonorizuar në z (zz?); srb. Dra? është r-ja, mandej e kemi –a-në e mirëfilltë dhe k-ja e palatalizuar në ? etj. Me sa duket, të gjithë popujt përreth iliro-shqiptarëve këto trajta, mbase më tepër si administrative, për një liman me rëndësi i morën nga goja e iliro-shqiptarëve, e në shqipe toponimi vijoi rrugën e vet deri në kohën e sotme Durrës. Gjithashtu edhe pjesa e pare e trajtave të mësipërme: Dy-, Dys-, Du- (Dyrrah, Dysrrahion, Durrakhi) sikur e dëshmon apo përforcon prejardhjen ilire-shqipe të pjesës së dytë –rrah, rrahion, rrakhi nga fjala ilire shqipe rah>rrah. Po themi kështu, sepse ka shembuj kompozitash të hershme ilire-shqipe numror+emër, si p. sh.: sipas E. Çabejt fjala ilire “Mal – në Dimallum”,[50]ku toponimi zbërthehet në Di (Dy)+mal, ngjashëm si Durrah (Dyrrachim) në Dy (Du)+rrah; ose etnikoni Triballi (?????????), që e përmendin E. Çabej, A. Mayer-i, ndërsa Mahir Domi sikur e përkrah G. Hahnin, që e konsideronte fis ilir dhe e lidhte me shqipen tri+ballë.[51] Pra, të gjitha këto toponime ilire-shqipe të fjalës rrah të shtanguara nëpër kohë në toponimet në fjalë, na flasin bukur qartë se edhe ojkonimi Durrës e ka zanafillën nga kjo fjalë ilire-shqipe rrah, e jo greke si thotë Hans Krahe, D. Luka dhe gjuhëtarë të tjerë.[52] Prandaj, edhe këtu ky toponim ilir antik po na del me tingullin –h- në rrënjë, që ka rëndësi, kujtoj, edhe për ndriçimin e toponimit ilir Dyrrah, Durrës-it të sotëm. Për këtë toponim ilir kam folur edhe njëherë,[53]dhe atje pjesën e dytë e kam lidhur, jo pa rezervë, me fjalën shqipe rrah. Jo vetëm që shumë të dhëna ma kanë mbushur mendjen për këtë burim, por edhe fakti se, siç bën të ditur Jup Kastrati: “Në një vend tjetër De Rada shkruan:…Dyrrachium, në qoftë se me të vërtetë mbështetet mbi dy kodrina, sigurisht e nxori emrin nga fjala e përngjitur dy e rahje (në dialektin arbëresh rahje do me thënë kodër)…”[54]Këtu, edhe pse David Luka, në bazë edhe të gjuhëtarëve të tjerë, e shtron prejardhjen e këtij toponimi iliro-shqiptar Dyrrah, dhe për nga kuptimi dhe gjuhësisht e bie të burimit grek: ???-, “si shkurtimi i fjalës greke ??????? (????????) “që gjemon”, kurse ????? “shkulm deti, tallaz, ushtimë;breg deti me shkëmbinj”, ai e përmend disa here trajtën Dyrrah, ndërkaq sipas gojëdhënës së Apianit “…Dyrrahu ndërtoi pranë qytetit një liman dhe i dha emrin Dyrrah”.[55] Prandaj, qoftë H. Krahe, që e nxjerr nga greqishtja (origj. “?????????. Gr. ???????? “Brandung”), pra, për dallgë-valë deti, shkulm, apo, si u pa më sipër ngjashëm edhe D. Luka se “…krejt kompozita ????????? do të dilte me kuptimin “shkëmb që gjëmon” dhe do t’i përgjigjej krejtësisht pamjes së vendit që emërton”,[56] edhe këto shpjegime në greqishte janë të ngjashme dhe më afër i afrohen kuptimisht shqipes, qoftë për toponimin ilir Rhisan i Teutës dhe Balejve, apo për Dyrrahun. Sepse, ato u ndërtua në një vend rrah “vend i fortë, i rrastë, shkëmbor”, ose se e rrahnin valë-dallgë të detit.[57] Pra, fjala ilire-shqipe vështirë që mund të mohohet në krijimin e këtij vendbanimi ilir. Mandej se më parë ekzistonte një vendbanim tjetër edhe më i hershëm ilir Epidamnum (Durrësi i sotëm),[58]që edhe ai ishte ndërtuar në një vend të fortë, të rrastë, pra në rrah, apo se e rrah-nin valët e detit. Mandej, Dyrrah-u ishte vendbanimi i dytë, i ndërtuar më vonë afër të parit, (ku ta dimë, mbase i pari ishte shkatërruar, ose u bënë dy vendbanime limaj?), dhe pikërisht ka gjasë që për këtë arsye ta ketë marrë emrin ndoshta vendbanimi i dytë – Dyrrah).
Për përdorimin e antroponimeve të farës Rah (Rrah) gjatë mesjetës edhe nga shqiptarët flasin, pos të dhënave të tjera të mësipërme (nuk përjashtohet mundësia që Dyrrah-u të ketë bazë atroponimike, edhe sipas gojëdhënës së theksuar, si antroponim i përtërirë në gjenealogji, i pari Rah dhe i dyti, më i riu Rah), edhe patronimet e sotme të shqiptarëve: Rahavit në Sankofc (Flamuras) të Drenasit (Drenicë); Rrahojt-Mahalla e Rrahojve në Zallkuq (Zllakuqan) të Lypianit, si dhe Rahovjan’t në fshatin Vllanë të Tuzit (Mali i Zi), që tradita thotë se e ka prejardhjen prej katundit Rahovë të Krahinës së Kuqit të asaj ane. Për mundësinë që Dyrrah-u të ketë bazë antroponimike flet deri diku edhe gojëdhëna e lartheksuar. Pra, si antroponim i përtërirë në gjenealogji, i pari Rah dhe i dyti, më i riu i përtërirë nga i pari gjithashtu Rah, dhe kështu të kenë qenë dy Rah-a, sepse përtërirja e emrave në gjenealogji është dukuri e lashtë ndër ne shqiptarët.
Kur është fjala për ojkonime (vendbanime) me rrënjën rrah-, ( që ka sa e sa mikrotoponime me këtë rrënjë kudo ku jetojnë shqiptarët),[59]derisa shqiptarët i shqiptojnë me këtë rrënjë, serbët disa i kanë ndryshuar apo përshtatur me orah “arrë, dru arre”. Kështu ekziston qyteza Rahavec (serbisht Orahovac), fshati Rahovë i Shalës së Bajgorës (serb. Orahovo), fshatrat Rahovicë (serb.Orahovica), një i Ferizajit e një i Preshevës, Rahovë (serb. Orahovo) në Kuq të Malit të Zi, dhe Rahova (maqedonisht-bullgarisht Orovo-Orehovo) në rrethin e Korçës (?). Se këto vendbanime më pare kanë prejardhje prej shqipes rrah “mal i çelur ose i prerë, tokë e re buke”, se sa nga fjala sllave orah “arrë”, flasin edhe disa dokumente mesjetare. Në defterin osman të vitit 1455, të përkthyer në serbishte-boshnjakishte, fshati i Shalës së Bajgorës është regjistruar ashtu si e përdorin sot shqiptarët Rahovo e jo Orahovo, për të cilin orientalisti Qazim Shabanoviqi nga Sarajeva bën të ditur: “Fshati Rahova (Rahovo) - 12 shtëpi…Me të njëjtin emër përmendet edhe në burime të tjera që nga shek. XV e deri në shek. XX. Pasiqë në v. 1468 i përkiste Nahisë së Zveçanit, kurse në v. 1900 Kazasë së Mitrovicës ( shih.S?ln?me-i vilãyeti Kosovo për 1318/1900) (Uskub 1318, 584) e kam identifikuar me fshatin e sotëm Oraovo, në veri të Mitrovicës së Kosovës”.[60] Po kështu edhe Rahaveci, pos me trajtën e shpeshtë të hershme ndërshkrimore si Orahovac, shfaqet në një defter osman edhe me trajtën e shqipes Rahovec.[61]
Duke e përfunduar këtë punim për mënyrën, që u pa, se si na ndihmon E. Çabej për të zgjidhur probleme të vështira onomastike, po theksoj se, pikërisht në bazë të punës së tij që ka bërë në gjetjen e prejardhjes së fjalëve të shqipes, po të thellohemi sa e si duhet në fushën e onomastikës, mund të shkruhen nga gjeneratat e ardhme volume veprash nga kjo fushë, me rëndësi të madhe për historinë e popullit tone dhe të gjuhës sontë të lashtë shqipe.
[1] Këtu po e theksoj një përjetim timin, përkatësisht një porosi dashamirëse ndaj gjuhësisë shqiptare, që na ka pas lënë Profesori i dashur Eqrem Çabej, kur ishim studentë të shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, tek i cili kemi pasur nderin t’i dëgjojmë ligjëratat e tij dhe të jepim provimin në lëndën Gjuha krahasimtare indoevropiane. Kështu, kur na i shpërndau indeksat, Profesori i nderuar dhe i respektuar na u drejtua përafërsisht me këto fjalë të miradijshme: unë jam i kënaqur me suksesin e juaj dhe se prej të gjithë neve pritet që ta qesim nga një gur sado të vogël në themelet e gjuhësisë shqiptare.
[2] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore, IV, “Rilindja”, Prishtinë, 1977, f.154-162, 386-394. Më tej: StGj; i njëjti, StGj, V, 38-46, 68-70, 144-153, 153-161.
[3] E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, II, A-B, Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1976, 614 faqe. Kjo vepër në këtë punim më tej do të citohet me shkurtimin: SEFSH. Ndërkaq, më herët ky fjalor në variant të shkurtuar ësht botuar në Prishtinë në dy përmbledhje: Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore, I, A-O, “Rilindja”, Prishtinë, 1976, 390 faqe, dhe Studime gjuhësore, II, P-Zh, “Rilindja”, Prishtinë, 1976, 503 faqe.
[4] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore, C - D, IX, “Rilindja”(ribotim nga Tirana), Prishtinë, 1989, 444 faqe; Prof. E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, Dh - J, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Republikës së Shqipërisë - Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1996, 622 faqe.
[5] Për këtë citat të Profesor Çabejt dhe për emrat e këtyre katundeve shih gjerësisht: Dr. R. Doçi, Antroponimia e shqiptarëve të Kosovës, I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1990, f. 34-45. Më tej:ASHK.
[6] H. Krahe, Die Alten Balkanillyrixchen Geographischen Namen, Heidelberg 1925, f. 15; A. Mayer, Die Sprache der alten Illyrier, Wien, 1957, f. 56-7.
[7] E. Çabej, SEFSH, II, f. 138-140.
[8] M. Dini?, Iz dubrova?kog arhiva, I, “Zbornik za istoriju, jezik i književnost srpskog naroda”, III, odeljenje,
[9] "Historia e popullit shqiptar”, II, (ribotim), Prishtinë, 1968, f. 210-211; K. Jire?ek ( J. Radoni?), Istorija Srba, ?etvrta sveska,
[10] E. Çabej, SEFSH, II, f. 148-149.
[11] Si duket, dhe siç mendojnë edhe përkthyesit e defterit osmano-turk të v. 1455, katundi i Llapit Ballofc atëherë është shënuar si Balin Potok, pra për Përroi i Ballit, tek i cili ka gjasë të kemi të bëjmë me kuptimin e naltësisë, pra të malit-malësisë, siç u pa nga Çabej (SEFSH, II, f. 149, kurse si antroponim ose patronim, mbase është përdorur për “i parë, udhëheqës, mbret”, të cilin kuptim e ka dhënë Çabej, që mund të këtë kuptim më parë për patronimet në fjalë. Por, si po shihet gjithsesi kemi të bëjmë me fjalën iliro- shqipe ballë.
[12] E. Çabej, SEFSH, II, f. 149-150.
[13] M. Domi, Gjuha ilire dhe studimi i saj,, “Shkëndija”, nr. 4, Prishtinë, 1981.
[14] E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, II, Tiranë, 1976,f. 188.
[15] Dr. R. Doçi, Antroponimia shqiptare e Kosovës, I, f. 55-60.
[16] Dr. M. Shufflay, Serbët dhe shqiptarët, Prishtinë, 1968, f. 60.
[17] E. Çabej, SEFSH, II, f. 188.
[18] H. Hadžibegi?, Oblast Brankovi?a, Orijentalni Institut u Sarajevu,
[19] T. Vukanovi?, Drenica druga srpska sveta gora, Priština, 1998, f. 226.
[20] E. Çabej, SEFSH, II, f.2o2-4.
[21] Gl. Elezovi?, Re?nik kosovsko-metohijskog dijalekta, sveska prva (I),
[22] T. Vukanovi?, vepra e lartcituar, f. 224.
[23] Dr. E. Çabej, Lidhjet trako-shqiptare, St.Gj., III, f. 31, dhe i njëjti: Ilirishtja dhe shqipja, në “Studime gjuhësore”, IV, Prishtinë, 1977, f. 199.
[24] R. Doçi, Antropnimia e Llapushës, Prishtinë, 1983, f. 117-125, dhe Dr. R. Doçi, Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kosovë-sipas onomastikës, Prishtinë, 1994, f. 220-233.
[25] M. Pavlovi?, Onomastica ilirica, në “Onomastica jugoslavica”, nr. 1/1969,
[26] M. Pavlovi?, Le coincidences toponimicues en
[27] M. Pavlovi?, Onomastica ilirika, në “Onomastica jugoslavica”, 1/69,
[28] Mr. F. Sulejmani, Toponimia e Malësisë së Tetovës, në “Jehona”, nr. 8, Shkup, 1977, f. 1035.
[29] Patronimet në Paftal të Beratit, në Dinoshë të Tuzit, në Starabajë të Medvegjës i kam mbledhur vet gjatë ekspeditave të Institutit Albanologjik.
[30] I. Ajeti, Kontribut për studimin e disa toponimeve të Malit të Zi, në “Kërkime gjuhësore”, Prishtinë, 1978, f. 347: “…ashtu si dhe fisi Malonshiqi (1444) nuk kanë emra sllav…”; Dr. M. Šufflay, Povjest sjevernih Arbanasa, në “Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju”, II, Beograd, 1925, f. 227: “Jaku natruhu arbanaske krvi pakazuju imena nekih starih zetskih bratstava kao Mataguži kod Podgorice (1335)… nadalje Malonši?i u dolini rijeke Zete (1478)…”: B. Djurdjev, Iz istorije Crne Gore brdskih i malisorskih plemena (Popis Hota, Ku?a, Pipera i Klimenata 1497 godine), “Radovi”, II, knj. 1,
[31] M. Pavlovi?, Onomastica ilirica, në “ Onomastica jugoslavica”, 1/69, f. 36.
[32] H. Ha?ibegi?…, Oblast brankovi?, opširni katastarski popis iy 1455 godine, 1, Sarajevo, 1972, f. 122, 131, 186, 344.
[33] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore, III, Prishtinë, 1976, f. 133.
[34] B. Klai?, Veliki rje?nik stranih rije?i,
[35] F. Sulejmani, punimi i lartcituar, f. 1035.
[36] M. Pavlovi?, në “Onomastica jugoslavica”, 1/69, f. 36.
[37] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore, II, Prishtinë, 1976, 80, 85-86. Këtu po shtoj se kur ishim në Tubimin shkencor me rastin e 500 vjetorit të veprës “Meshari” të Buzukut në Ulqin, unë ia dhurova librin tim “Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kosovë – sipas onomastikës” studiuesit dr. Bahri Becit, dhe disi ra fjala për aeroportin Rinas të Tiranës. I thash se vjen nga fjala rrah>rreh>rrih, kurse ai më tha se kush thotë kështu, e unë i thash se thotë Profesor Eqrem Çabej. Ia çela librin tim f. 275-276 dhe ia lexova citatin.
[38] Dr. R. Doçi, Antroponimia e shqiptarëve të Kosovës, I, Prishtinë, 1990, f. 191-202, si dhe i njëjti: Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kosovë-sipas onomastikës, Prishtinë, 1994, f. 274-275.
[39] M. S. Milojevi?, De?anske hrisovulje, në “Glasnik srpskog u?enog društva”, II odeljenje, knj. XII, u Beogradu, 1880, f. 9, 15, 35.
[40]
[41] Dr. B. Kryeziu, Toponimia e Hashanisë (Temë e magjistraturës në dorëshkrim), f. 111: Kroi Rrinave, ku autori me të drejtë e lidh me fjalën rrah.
[42] P. Skok, Studije iz ilirske toponomastike, në “Arhiv za arbanasku starinu”,I,
[43] A. Mayer, Die Sprache der alten Illyrier,Wien, 1957, f. 285-6.
[44] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore, II, Prishtinë, 1976, f. 80, 85-6.
[45] D. R. Mio?evi?, Iliri i anti?ki svijet,
[46] K. Luka, Titos P. Jochalas Considerazioni sull onomastica e toponomastica albanese in Grecia (Konsiderata mbi onomastikën dhe toponomastikën shqiptare në Greqi), “Balkan Studies”,
[47] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore, II, Prishtinë, 1976, f. 86.
[48] D. Luka, Studime gjuhësore, VI, Shkodër, 2001, f. 54-56.
[49] D. Luka, vep. cit., f. 56.
[50] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore, IV, Prishtiinë, 1977, f. 199.
[51] E, Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, II, Tiranë, 1976, f. 1149; A. Mayer, Die Sprache der alten Illyrier, I, Wien, 1957, f. 342; M. Domi, Gjuha ilire dhe studimi i saj, “Shkëndija”, 4, Prishtinë, 1981.
[52] H. Krahe, Die Alten Balkanillyrischen Geographischen Namen,
[53] Dr. R. Doçi, Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kosovë-sipas onomastikës, Prishtinë, 1994,f. 275.
[54] Doc.Jup Kastrati, Jeronim De Rada për toponiminë historike shqiptare, “Puka dhe shkolla”, Sesion i pare shkencor për toponimi, Pukë, 1977, f. 24.
[55] D. Luka, Studime gjuhësore, VI, Shkodër, 2001, f. 51.
[56] H. Krahe, Die Alten Balkanillyrischen Geographischen Namen,
[57] Kjo fjalë përdoret edhe sot nëpër të folme kosovare me trajta dhe kuptime të nduarnduarta, qoftë si folje ose si emër, p. sh.: për ta hapur rrugën nëpër bore thonë rrêja e bores; kur fëmijët janë të sëmurë prej ndonjë sëmundje ngjitës thuhet: Janë smu thmijt janë bâ rrah (për janë të shtrirë prej smundjes), kurse si folje përdoret rreh.
[58] D. Luka, vep. cit., f. 52.
[59] Shih gjerësisht për mikrotoponime të shumta me këtë bazë: Dr. R. Doçi, Antroponimia e shqiptarëve të Kosovës, I, Prishtinë, 1990, f. 194.
[60] Dr. H. Šabanovi?, Krajište Isa-bega Ishakovi?a (Zbirni katastarski popis iz 1455. godine),
[61]