Speciale
Kujtim Mateli: More Naim Shqipëria (III)
E merkure, 30.07.2008, 08:00 PM
More Naim Shqipëria (III)
Kujtim Mateli
Kush nuk njeh historinë e të parëve të tij, pa histori do të mbetet dhe vet.
Nga Kujtim Mateli - Zemra Shqiptare
Ishte një ditë
Që pellazgjitë
Posi një dritë
Mbuluan dhenë
………………
Dhe ata janë
Prindritë tanë,
Pastaj na thanë
Na shqipëtarë
Naim Frasheri
Në historinë familjare dhe fisnore ndodh shpesh që gjyshi dhe stërgjyshi i largët të zërë më tepër vend se pasardhësit e tyre. Kjo dukuri po ndodh dhe sot me shqiptarët. Janë me dhjetra personalitete të spikatura që po u drejtohen stërgjyshërve tanë pellazg. Pse po kërkohen rrënjët e fisit tonë që shtrihen në këto troje qysh nga mugëtira e agimit të shekujve të lindjes së shoqërisë njerëzore mbi tokë?
E pranuar gjerësisht nga historianë vendas dhe të huaj që trojet ballkanike para mijëvjeçarit të parë para lindjes së Krishtit ka qenë të banuar nga popullsia pellazge dhe kjo popullsi ka qenë edhe përtej hapësirës ballkanike. Pa hyrë në detaje konkrete kjo është e vërtetuar nga historianë të huaj, që në ato fillime të njerëzimit ishin të çliruar nga ndikimet negative që mori shoqëria njerëzore gjatë zhvillimit të saj. Thënë nga personalitete historike të pakundërshtueshme si Homeri, Herodoti dhe dhjetra të tjerë, provohet jo vetëm shtrirja gjeografike, por edhe shkëlqimi dhe madhështia e një populli, kultura e të cilit rrezatoi mbi popujt e mëvonshëm që erdhën në këto troje dhe që adaptuan në një shkallë të lartë kulturën e të parëve tanë. Është kjo kulturë që popujt e tjerë edhe pse erdhën me mijëvjeçarë larg në kohë nga njeri-tjetri morën tipare të përbashkëta që të huajt,por edhe ne vetë për këtë apo atë fenomen themi se kjo është dukuri ballkanike. Nëse do të studjohet historia parahomerike, zakonet dhe traditat e pellazgëve janë të ngjashme me ato të shqiptarëve. Ky është qyterërimi pellazgjik, qytetërimi i shqiptarëve të sotëm. Ky qytetërim do të zerë vendin që i takon duke u bërë guri i themelit të qytetërimit europian. Këtë po e thonë jo vetëm studjuesit shqiptarë,por edhe ata të huaj. Njëri prej tyre.Matheus Aref,në një studim voluminoz që ka bërë për të parët tanë pellazg,e thotë me shkronja të arta si titull të librit “Mikena = Pellazgët”.Përkrah këtij qytetërimi pellazgjik me epiqendër Mikenën, Homeri do të na thotë për një tjetër qendër të qytetërimit pellazg dhe, për ta bërë të pakundërshtueshme nga brezat e mëvonshëm, e emërton atë, “Dodona pellazgjike”. Këto dy qendra të kulturës pellazge janë të mjaftueshme për të parë madhështinë e një populli që priti njëri mbas tjetrit popujt e rinj që erdhën në kontinentin tonë. Studjuesit e kanë shpalosur dhe jam i sigurt që do ta shpalosin më qartë në të ardhmen qytetërimin pellazg, por nuk ndihemi mirë që shumë enciklopedi europiane,të hartuara nga Akademi prestigjoze nuk e njohin qytetërimin e Dodonës si qytetërim të shqiptarëve duke i bërë sfid jo vetëm kombit shqiptar, por edhe Homerit, i cili deri tani është pa rival në hapësirë dhe në kohë dhe që tashmë është duke mbyllur mijëvjeçarin e tij të tretë.
Naim Frashëri |
Po le të kthehemi tek shqetësimi i madh naimjan.
Lind pyetja. Pse në ditët e sotme është e rëndësishme të theksohet prejardhja jonë pellazgjike?
Argumenti i parë është se kjo është një e vërtetë historike. Këtë e vërtetojnë më së miri zakonet dhe traditat tona që vetëm me pak ndryshime janë ato pellazgjike. E vërtetojnë të dhënat arkeologjike që janë zbuluar apo flenë nën tokën pellazge. E vërtetojnë dhe poetët dhe filozofët e lashtësisë. E vërteton gjuha jonë, por e thonë dhe shumë shkencëtarë e dijetarë europianë edhe në ditët e sotme. Ështe nje listë e gjatë studjuesish shqiptarë që po hedhin dritë mbi kulturën pellazgjike. Pra nuk mungojnë të dhënat shkencore. Mungon vullneti i institucioneve përkatëse për t`i argumentuar dhe sistemuar ato. Po mungon edhe guximi. Për këtë pohim lind e drejta për të pyetur.
Pse mungon guximi?
Dihet që trualli pellazgjik nuk është Shqipëria e sotme, por shtrihet përtej kufijve të saj, deri aty ku jetojnë sot shqiptarët.
Po dimë gjithashtu që trualli pellazgjik shtrihet edhe më tej se ku jetojnë sot shqiptaret. Shtrihet deri aty, ku sot popuj të tjerë kanë ngritur qytetërimet e tyre. Dhe institucionet përkatëse nuk e kanë guximin të përcaktojnë kufijtë e hapësirës sonë pellazgjike. Nuk kanë as guximin të bejnë lidhjen reale midis të parëve tanë pellazg dhe brezave të mëvonshëm.
Po historia është histori dhe duhet zbardhur ashtu sikundër është. Çdo shtrembërim i saj është në dëm të së sotmes, por dhe të së ardhmes. Çdo shtrembërim orienton shoqërinë në zgjidhje të gabuara. Është detyrë e studjuesve dhe shkencëtarëve që të japin zgjidhje të vërteta.
Të japin zgjidhje që janë në radhë të parë në të mirën e kombeve të tyre, por edhe të fqinjëve, si dhe të tërë njerëzimit, sepse asnjë komb nuk rron i vetëm dhe i izoluar. Sa më e mirë të jetë fqinjësia, aq më e madhe do të jetë harmonia midis kombeve dhe shteteve. Aq më të mëdha do të jenë dhe përfitimet që do të kenë popujt nga bashkëveprimi me njeri-tjetrin.
Por parimi i fqinjësisë së mirë nuk do të thotë që në trojet ku kanë banuar të parët tanë të mos bëhen studime folklorike dhe gjuhësore që janë aq të domosdoshme për të studjuar kulturën e një populli.
Parimi i fqinjësisë së mirë nuk do te thotë që ne të heshtim kur qendrave të banuara kryesisht me shqiptarë t`u mohohet gjuha shqipe. Privimi nga gjuha amtare nuk është vetëm një shkelje e konventave ndërkombëtare, por eshte një akt kriminal ndaj shoqërisë njerëzore dhe në rastin konkret ndaj popullsisë shqiptare. Po shkatërrohen vlerat e kombit tonë për të cilat, më shumë se kushdo, jemi përgjegjës ne shqiptarët.
Parimi i fqinjësisë së mirë nuk do të thotë që të mos i thuash tjetrit që aty ku jeton ti sot ka jetuar dikur gjyshi im, jo një shekull e dy, po me mijëvjeçarë, qysh kur lindi njerëzimi mbi këto troje. Nuk bëhet fjale për të dalë nga fryma e përgjithshme europiane, sepse europiani i sotëm e ka të tijën çfare quhet kontinent europian. Si rezultat i kësaj bashkësie të re që po formohet, nesër do të jemi të interesuar jo vetëm për qytetërimin tonë, por edhe për qytetërimet e tjera europiane, ashtu siç janë të interesuar dhjetëra europianë për qytetërimin tonë pellazgjik. Por kjo nuk do të thotë që ne të mos interesohemi për atë që sot është duke u zhdukur. Në këto kohë është një pasuri shqiptare dhe europiane njëkohësisht. Po ne nuk mund të mos shqetësohemi kur shohim që jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë, asnjaë zbulim arkeologjik që kryhet në ato vende nuk nxjerr qoftë dhe sendin më të vogël që t`i përkasë kulturës sonë. Kjo është pak që ne të mos shqetësohemi? Kjo është pak që ne të rrimë pa folur? Para se të jetë një shqetësim europian, a nuk duhet të jetë më parë një shqetësim shqiptar? Dhe a nuk duhet që ne ta ngrejmë zërin dhe shqetësimin tonë ta bëjmë edhe shqetësim europian?
Naimi iu drejtua natyrshëm origjinës së popullit tonë. Tek origjina e tij shikonte forcën dhe vitalitetin e shqiptarit. Nuk ka të ardhme të ndritur, nëse e shkuara nuk është e tillë. Historia e një populli nuk matet me pozicionin e momentit. Aty, tek rrënjët e popullit tonë, thellë në lashtësi, në periudhen pellazgjike, gjeti një epokë të lavdishme. Një epokë që shtrihet në mijëvjeçarë para lindjes së Krishtit dhe që u dhuroi pasardhësve të vet një kulturë brilante, e cila u bë baza e qytetërimeve për popujt e tjerë.
Historia e një kombi nuk është historia e një jete njeriu. Nuk matet as me vite,as me shekuj. Ajo matet me mijëvjeçare, sepse mijëvjeçarë ka kaluar shoqëria njerëzore deri në ditët e sotme. Dhe po të bëjmë një bilanc të jetës njerëzore në këto troje ballkanike, që nga stërgjyshërit tanë pellazg dhe deri më sot, mund të themi se në trojet tona, ka patur më shumë mijëvjeçarë drite se sa mijëvjeçarë të zakonshëm.
Po cilat janë disa prej provave që vërtetojnë prejardhjen tonë pellazgjike?
Ato janë disa dhe vlera e tyre është e pakundërshtueshme.
Duke parë vjetërsinë e gjuhëve indoeuropiane që gjuhëtarët më në zë e kanë ndërtuar atë në formën e një peme del se shqipja është gjuha më e vjetër indoeuropine.
Ç`do të thotë të jetë më e vjetër? Do të thotë që nga bashkësia e popujve indoeuropian të parët tanë të jenë grupi i parë që është shkëputur dhe u vendos në këtë gadishull ku ne jetojmë sot. Asnjë gjuhëtarë apo grup gjuhëtarësh nuk e kundërshtojnë tezën e gjuhës shqipe si gjuha më e vjetër indoeuropiane. Po nga ky trung indoeuropian, gjithmonë sipas studjuesve, janë formuar gjuhët e tjera sipas renditjes: armene,gjermane dhe helene. Ajo që na intereson është se në gadishullin ballkanik dy janë popujt më të hershëm: populli shqiptar dhe ai helen. Lashtësia e këtyre dy popujve në këtë gadishull përcaktohet sipas vjetërsisë së gjuhës.Populli i parë në këtë gadishull janë shqiptarët të dytët janë helenët. Le të dëgjojmë të dytët se ç`na kanë thënë për popullin që gjetën kur erdhën në këto troje. Duke u nisur nga dëshmia e parë që është ajo e Homerit dhe një sërë autorësh të mëvonshëm si Herodoti, Tukididi, Straboni etj.
e thonë qartë se popullsia që ata gjetën ishin pellazgët.
Lind pyetja: Sa larg në kohë erdhën këta dy popuj njëri mbas tjerit? Po t`i referohemi skemës së ndërtuar del se helenët kanë ardhur mbas armenëve dhe gjermanëve. Pra fiset helene janë të katërt që janë shkëputur nga trungu indoeuropian. Janë shumë të mëvonshëm në raport me pellazgët. Helenët na thone se gjuha që flisnin pellazgët ishte e pakuptueshme për ata. Sipas përllogaritjeve del që pellazget të kenë ardhur në këto troje të paktën dy mijë vjet para helenëve. Pra del që shqipja të jetë gjuha e pellazgëve dhe pellazgët janë gjyshërit tanë të hershëm. Nëse do t`i bëjmë një analizë të përgjithme arrijmë në konkluzionin: Pellazgët më të vjetër se helenët, shqipja më e vjetër se gjuha helene. Si konluzion: shqipja është gjuha e pellazgëve
Për të provuar edhe një herë ato që kemi thënë më lart hamendësojmë të kundërtën: Mendojmë një çast se pellazgët kanë qenë një popull që fliste një gjuhë të ndryshëm nga ajo e shqipes.
Ajo që ne nuk mund të mohojmë është se shqipja është gjuha e parë indoeuropiane, ose popullsia e parë indoeuropiane që u shkëput nga trungu indoeuropian, mbasi njohja e kësaj të vërtete shkencore nga të gjithë gjuhëtarët më në zë, merr vlerën e një të vërtete absolute. Atëhere lind pyetja? Ku u vendosën këto fise shqipfolëse para se të vinin në gadishullin ballkanik? Hamendësojme një moment se janë vendosur diku dhe erdhën më vonë në trojet ku janë sot shqiptarët. Helenët thonë se ne gjetëm vetëm popullsinë pellazge. Kështu mbetet që të gjykohet se kanë ardhur mbas fiseve helene dhe, meqë helenët kanë ardhur në mijëvjeçarin e dytë para Lindjes së Krishtit, mbetet që këto fise shqipfolëse të kenë ardhur më vonë. Këto fise janë ilirët, pranuar gjerësisht si paraardhësit tanë. Po a janë realisht ilirët paraardhësit ë?Po të kishte ndodhur kjo atëhere ardhja e shqiptarëve në këto troje ku jemi sot do të ishte përshkruat nga helenët. Një gjë e tillë nuk thuhet asgjëkundi tek autorët e vjeter helen. Këmbëngulim përsëri duke pretenduar se shqiptarët erdhën mbas helenëve në trojet ku banojmë ne sot. Lindin persëri një sërë pyetjesh që nuk marrin një përgjigje pozitive.Ku u vendosën fiset shqipfolëse të cilat u shkëputën nga trungu indoeuropian të paktën 2000 vjet para helenëve? Cila ishte kjo hapesirë europiane apo dhe më tej që i mbajti të paktën për 3000 vjet stërgjyshërit tanë para se të vinin në këto troje? Po dimë gjithashtu që gjatë emigrimeve popullsia që shkëputet nuk është kurrë më e madhe se popullsia që mbetet. Në këtë gjykim, po të shohim hapësirën që kanë populluar të parët tanë në trojet ku jemi ne sot ajo ndodhet në 5 shtete ballkanike, në minimum po kaq duhet të ketë qenë dhe territori prej nga kanë lëvizur gjyshërit tanë. Po ky territor nuk dokumentohet, gjithashtu dhe lëvizja e të parëve tanë. Si rrjedhim supozimi i ngritur rrëzohet dhe arrijmë në konkluzionin bindës që të parët tanë ishin pellazgët dhe ardhjen e tyre në këto troje nuk kishte se kush ta dokumentonte, se ata janë populli i parë që populloi hapësirën ballkanike, dhe shqipja, një gjuhë të paktën 2000 vjeçare më e vjetër se ajo helene, i përket asaj popullsie që është 2000 vjet më e vjetër në këto troje se popullsia helene.