Speciale
Bahtijar Kryeziu: Ndihmesa e profesor Eqrem Cabejt për pastërtinë e gjuhës
E enjte, 31.07.2008, 07:23 PM
NDIHMESA E PROFESOR EQREM ÇABEJT PËR PASTËRTINË E GJUHËS
Eqrem Çabej
Nga Bahtijar Kryeziu
Pasurimi i gjuhës shqipe me fjalë e shprehje të reja, në njërën anë, dhe herrja e saj nga fjalët e konstruktet e huaja, në anën tjetër, ka qenë dhe mbetet synim e detyrë parësore për shqipdashësit tanë, që para Rilindjes e deri më sot. Andaj edhe i madhi profesor Eqrem Çabej, përveç studimeve të tij në fushë të letërsisë, të folklorit, të etnografisë, të leksikografisë e leksikologjisë, të dialektologjisë, të historisë së gjuhës e sidomos në fushën e studimeve etimologjike, ka shprehur interesimin e vet edhe për pasurimin dhe për pastërtinë e gjuhës sonë*.
Profesor Çabej duke parë rrezikun nga vërshimi i vazhdueshëm i fjalëve e i shprehjeve të huaja, në radhë të parë, dhe lënien në harresë të atyre vendëse, thekson se me rëndësi të veçantë është puna që duhet bërë në pasurimin dhe pastrimin e gjuhës sonë. Pasurimi do të bëhej me leksema të gjuhës popullore, thotë Çabej, të farkuara prej brumit të saj, kurse pastrimi - duke zëvendësuar, bie fjala, fjalët e huaja me ato shqipe. Sepse "zëvendësimi i fjalëve dhe i shprehjeve të huaja me fjalë e shprehje të gjuhës sonë ka rëndësi të madhe, jo vetëm pse shqipja ruan kështu karakterin kombëtar, por edhe pse ajo bëhet më e qartë dhe më e kuptueshme për të gjithë shqipfolësit"1.
Profesor E. Çabej pati për zemër gjithnjë pastërtinë e gjuhës, ruajtjen e frymës popullore të saj nga ndikimet e dëmshme të gjuhëve të huaja. Prandaj, ai sikur vazhdimisht mbante parasysh fjalët e Xhuvanit, pasardhësit të denjë të Kristoforidhit, të thëna që më 1921, se: "Me e përmbajtun gjuhën të thjeshtë e të dlirtë nuk asht nji rregull arti për njerinë e diçëm e të qytetnuem, por asht nji nevojë e nji detyrë që rrjedh nga ndjenja e naltë e fisnike e kombsis"2. E për këtë qëllim profesor Çabej këshillonte dy rrugë kryesore:
-E para është shfrytëzimi sa më i madh i visarit leksikor të gjuhës së popullit, ku gjenden shumë fjalë të panjohura e të pambledhura, duke i ngritur ato shpeshherë "me më lartë në punë të nivelit kuptimor, si p.sh.: lëndë, landë, që ka kuptimin konkret "dru, dru si material ndërtimi" por që me kohë ka marrë edhe kuptimin abstrakt për "materje, subjekt", "temë", ose fjala rrymë që ka kuptimin e "rrjedhës së vrullshme të ujit", të "lëvizjes së ajrit", "rremë e mullirit" (rrymë e ujit, rrymë ajri, rrymë mulliri), që ka zgjeruar fushën e përdorimit me rrymë elektrike, rrymat letrare, rrymat politike etj., duke përfshirë kështu edhe fushat abstrakte të leksikut3.
-Rruga e dytë është formimi i neologjizmave, "ku neologjizmat e formuar gjatë historisë së gjuhës me anë përkthimi prej gjuhëve të tjera, si populloret e diel, e hënë, peshkaqen, vajgur-i, ose përndjek "persekutoj" te Pjetër Budi; hapësirë, vetëdije, ndërgjegje e të tjera në shekullin e kaluar; botoj e shkrimtar pak më vonë; botëkuptim, hekurudhë, largpamës, mbinjerëzor, ndërlidhje, pararojë, përballoj, përvetësoj, i pranishëm, prapavijë, rilindje e të tjera të ditëve tona, përbëjnë një pasurim pozitiv të gjuhës; aty gjedhja e formimit është e huaj, por lënda është e vendit. Në këtë ravë mund të vazhdohet e të shkohet përpara, duke pastruar e duke pasuruar…"4 gjuhën - thotë Çabej.
Profesor Eqrem Çabej, pasurimin e gjuhës, e sidomos pastrimin e saj nga fjalë e shprehje të huaja e sheh, duke futur në përdorim një numër fjalësh që i gjen edhe në veprat e shkrimtarëve të vjetër, "duke u nisur nga Gjon Buzuku dhe autorët e tjerë pas tij, në veprat e të cilëve gjejmë të përdorura fjalët, si: derëtar, dëftues, grykësi, gjetës, gjuhëtar, këngëtar, këshilltar, kopështar, krye (kapitull), lutës, madhështi, mbarim, mjeshtri, ndjekës, (ithtar, imitues), i përbrendshëm, përndjek (persekutoj), vetmi,vjershëtar etj., ose një sërë fjalësh të krijuara nga disa autorë arbëreshë të Italisë (Nikollë Keta, Engjëll Moshi e sidomos Jeronim de Rada); të Greqisë (Panajot Kupitari e Anastas Kullorioti) dhe autorë të tjerë të shekullit XVIII dhe të fundshekullit XIX e të fillimit të atij XX, duke përfshirë ndër këta të fundit edhe Kristoforidhin, vëllazërit Frashëri, Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Mati Logorecin e ndonjë tjetër5.
Ndër të parët, Çabej përmend mjeshtrin e dorëmbarin e gjuhës sonë Naum Veqilharxhin, i cili u përpoq, aq sa mundi e diti, ta pasuronte gjuhën e shkrimit e ta spastronte nga fjalët e huaja, me fjalët: fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e ndonjë tjetër, për ta zënë ngojë menjëherë babain e gjuhës shqipe, Konstadin Kristoforidhin me fjalët: fushatë, hierore, për "tempull", jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks, zanore; Naim Frashërin me fjalët: dëgjim, gjithësi, hapësirë, papunësi, i përjetshëm, vetëdije, vjershëtor etj.; Samiun me caqet (termat) gjeografikë e administrativë: lindje, perëndim, jugperëndim, veriperëndim, mesditës për "meridian", pastaj fjalët: kryeministër, qeveritar; termat gjuhësorë: abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar etj.; e para tij edhe Jani Vreton me termat gjuhësorë: rrënjë, emër, përemër, folje ndihmëse6 etj.
Profesor Çabej spikat sidomos detyrën që për këtë qëllim Luigj Gurakuqi u vë lëvruesve të gjuhës, të cilët duhet ta kenë për obligim që "skajet (termat) e përgjithshme t'gjith degëve t'dijes, qi janë pothuaj gjithnjë ndër t'tana gjuët…kena për t'i marrë edhe na…fjalët e skajet e tjera kena për t'i trajtue vetë tuej i ba me rrjedhë prej rraje shqype"7, duke mos harruar për asnjë çast as prof. Aleksandër Xhuvanin, i cili "i kushtoi gjithë jetën e tij detyrës së madhe të pastrimit të gjuhës prej fjalëve të huaja e të pasurimit të saj me fjalë vendi"8, mund ky i kurorëzuar më vonë me botimin e vëllimeve "Studime gjuhësore" (1956) dhe "Për pastërtinë e gjuhës shqipe" (1960).
Apostulli i gjuhës shqipe, prof. Eqrem Çabej, me një sy të mprehtë e kritik, dallon një sërë fjalësh e caqe (terma) vendi, siç thotë ai, të cilat mund të zëvendësojnë fjalët e huaja, të formuara edhe nga njerëz të thjeshtë: nëpunës, arsimtarë, ushtarakë, specialistë të degëve të ndryshme etj., si p.sh.: anëshkrim, arritje, automjet, bajraktarizëm, bashkautor, bërthamor, bishtajore, bletari, bujkrob, dukuri, ecuri, furrënaltë, gjetje, (arkeologji), halorë, hedhurina, huazim, kanal, kullues, leshpunues, mbingarkesë, mbishtresë, mbivlerë, pyetësor, reshje, shpërpjestim, shpim, tokëzim, vendburim, bashkekzistencë (në vend të bashkëjetesë) e të tjera9.
Duke hulumtuar e njohur të folmet popullore të viseve të ndryshme shqiptare dhe duke mos e konsideruar gjuhën si proces të kryer, të përfunduar, si ergon, por si energeia, si strukturë të hapur në kuptimin modern të konceptit të Humboldit, Çabej sjellë një numër relativisht të madh fjalësh thjesht shqipe, të cilat nuk kanë nevojë për përgjegjëse të tjera të huaja, ngase ato mbulojnë mirë e drejt semantikën e fjalëve të caktuara me të cilat është synuar të thuhet diçka si p.sh.: zbutoj për "zbutjen e një peme", likurishtë për "polipin e detit" (Çamëri); afëri për "parente", kërthizë për "rosetë të tavanit", rrodhje, nga rrjedhja e qelbit, për "tuberkuloz të eshtrave" (Gjirokastër); përzitës për "atë që përzien bagëtinë me të tjerët", mjelm për "sisën e gjirit të bagëtisë" (Labëri); rrënjëzohet për "zë rrënjë bima" (Bregu i Detit); hiesira për "drurët e shkurrat e ulëta që rriten keq në pyll e në hijen e drurëve të mëdhenj" (Lunxhëri); lashtërisht për "që moti" (Zagori); rishmë për "tashti vonë, rishtas" (në anën e Kelcyrës); zgjërbonjë për "zgavrën e një druri të madh" (që ndeshet në anët e Beratit e të Frashërit e që e zë ngojë edhe Kristoforidhi); mizon për "kur bie borë e imtë" (Lubovë e Rrëzë e Tepelenës); gojkë për "grykën e lumit që derdhet në det" (Myzeqe); gjedhe për "mostër, model" dhe anesë për "anë, anësi" (në anën e Shpatit); kryemot për "natën e vitit të ri", hulli për "brazdë", pamenia për "panoramë, pamje" (në të folmen e Tiranës me rrethinë); ansujë për (ishull" (në anën e Krujës); ngulim për "koloni" (Mirditë); veglore për "tekstile" (Shkodër) e vegjët në Korçë etj.
Në anët e veriut, thotë Çabej, dëgjohen fjalët: bram për "fundërrinë", lugajë për "luginë", vuth për një "fushë voglake", zgafellë për "galeri tuneli", kodërvarre për "tumat e lashta", vastak për "karies" të dhëmbëve e kështu me radhë.
Edhe në viset e Kosovës përdoren fjalë, të cilat janë të barasvlerëshme dhe për asgjë nuk u mbeten mangut fjalëve të huaja, të cilat shumë më lehtë kuptohen e mbahen në mend kur thuhen shqip. Të tilla janë fjalët: emnak për "dy njerëz me emra të njëjtë", tjerrtore për "filaturë" e ngrohtore për "kaldajë" etj. Çabej në fund tregon edhe për disa fjalë e caqe (terma) që gjëllinin deri vonë edhe në Arbëresh të Dalmacisë (përmidora për "shpinda e dorës", e lentoj për "krijoj"; thurinë për "gardh" që përdoret te shqiptarët e Greqisë e shënim për "ofiq, nofkë" që dëgjohet te arbëreshët e Kalabrisë etj.10
Profesor Eqrem Çabej, apo Kurora e gjuhësisë shqiptare, siç e ka quajtur me të drejtë dr. Rexhep Ismajli, i bindur se "gjuha jonë mund të punohet paprerë" (Naimi), të pasurohet e të herret nga elementet e huaja, merr e përdor një dyzinë termash e fjalësh shqipe të cilat mund të jenë përgjegjëse të denja ndaj fjalëve e shprehjeve të huaja. Kështu, bie fjala, ai pëlqen fjalët dyjare për "dublet", njëfjalëzim për "univerbim", gjedhe për "model", fushë për "sferë", theks për "apostrof", dykuptimësi për "ambiguitet", e ngurtë për "rigide", shekulli i dritës për "iluminizëm", i përhershëm për "permanent", ndjekje për "imitime" etj.
Shi për këtë dhe nga frika se syri e veshi ynë pak nga pak po na mësohen me fjalë të huaja e të panevojshme, tashti prej gjuhësh perëndimore, Çabej propozon që fjalët e tilla, që nuk janë të mishit e të gjakut të shqipes, duhet të flaken, si p.sh.: abuzim, acid, adaptim, agresion, aktivitet, ambient, ambiguitet, amorf, anketë, apikulturë, aproksimativ, aprovim, atribuoj, celular, deduktim, dekompozim, depistim, derivat, destinoj, dezekuilibër, dimension, efekt, eksperiencë, eksploroj, ekuilibër, erupsion, evoluim, favorizim, fenomen, filaturë, firmos, fortifikim, frutikulturë, germë, grataçel, hezitim, imediat, imperativ, influencë, inkuadrim, inkurajim, inovacion, insistim, insufiencë, intoksikacion, investim, justifikim, kaldajë, karbon, konditë, kondicionoj, konfirmim, kontribut, kooperim, koordinim, korrent, korrespondencë, kulminant, landshaft, laring, leguminoze, legjislativ, manual, militoj, monument, operativ, origjinë, palafit, penelatë, perfeksionim, polen, preokupim, presion, presupozim, reciprok, refuzim, renal, rendiment, represiv, revokim, sekret, servil, sinjifikativ, skulptor, spektator, spostim, stimul, supozim, tentativë, toksik, total, transformim, transmetim, unifikim, validitet, vegjetacion, vigjilencë, volum, xhirim11 etj., numri i të cilave, me rrjedhojat (derivatet) e tyre, do të ishte edhe 4-5 herë më i madh në gjuhë.
Me rastin e zëvendësimit të fjalëve të huaja, Çabej këshillon maturinë si një ndër parimet kryesore. Ai është kundër zëvendësimit të çdo fjale të huaj me fjalë vendi. Nuk është i skajshëm e purist i tepruar. Sidomos respekton ndërkombëtarizmat, pasi të dihen se cilët janë ata. Kështu, për termat shkencorë: kimi, fizikë, insekt, botanikë, zoologji etj., thotë se duhet të përdoren edhe më, por jo edhe levë, presion, insektocid, leguminoze, labiate e reprilë, që s'janë ndërkombëtarizma e që mund të zëvendësohen lehtë me fjalë vendi12. Ndërkaq, për hir (ndoshta) të një mosteprie të zëvendësimit të fjalëve të huaja apo për efekte stilistikore, Çabej në shkrimet e tij përdor shpeshherë edhe fjalët: aksiomë, divergjencë, konvergjencë, integrim, konservativ, ortografi, rekomandim, sufiks, tendencë, total, vokal, nacionale, margjinale etj., ose edhe shprehjet e ngurtësuara latine: pars pro toto, argumentum ex silentio, quandoque bonus dormitat, plurale tantum, patris potestas, genius patris familias etj., "të cilat i shërbejnë si mbështetje të forta arsyetimi"13.
Edhe ndërtimet sintaksore, sado që më vështirë se leksemat e ndryshme, Çabej i sheh si të zëvendësueshme me ndërtime të gjuhës shqipe. Përse ndërtimet e italishtes: gjuha greke dhe ajo latine; kategoritë emërore dhe ato foljore; hyrja në fuqi e kësaj ligje; hyrja në veprim e makinerive etj., sikur pyet profesor Çabej. Në vend të këtyre sintagmave mund të shkruhet e të thuhet shqip: gjuha greke dhe gjuha latine; kategoritë emërore dhe kategoritë foljore; hyrja e kësaj ligje në fuqi; hyrja e makinave në veprim14 etj.
Pasi tërheq vëmendjen për mënjanimin e ndikimeve të huaja edhe në fushën e fjalëve të urta, Çabej propozon që, për t'ia arritur sa më mirë qëllimit për pastrimin dhe pasurimin e shqipes me fjalë vendi, duhet të formohet një komision specialistësh dhe të botohet një organ i posaçëm me titull "Gjuha jonë" ose "Gjuha shqipe".
Amaneti i tij sikur u përmbush me ngritjen e një komisioni të tillë në Kryeministri (më pas në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë) për spastrimin e gjuhës e më pas fillojnë të dalin edhe revistat "Gjuha jonë" në Tiranë, që nga viti 1981 dhe "Gjuha shqipe" në Prishtinë, prej vitit 1982, ama vështirë se do të plotësohet edhe dëshira e tij e flaktë, me kaq punë sa jemi duke bërë, që këtë gjuhë, pra gjuhën shqipe, si "një nga elementet kryesore të kombësisë sonë, ta pasurojmë me fjalë tona dhe ta spastrojmë nga masa e lëndës së huaj"15. Sikur edhe kjo të arrihet edhe Profesor Çabej do të pushonte më rehatshëm aty ku është e ne si komb do të mburremi më krenarisht para kombeve të tjera, sepse këtë edhe e meritojnë shqiptarët dhe gjuha shqipe.
Përfundim
Profesor Eqrem Çabej është njëri nga dijetarët më të shquar shqiptar që dha ndihmesë të pazëvendësueshme në shumë fusha të kulturës sonë. Ai përveç studimeve në fushë të letërsisë, të folklorit, të etnografisë, të leksikografisë e leksikologjisë, të dialektologjisë, të historisë së gjuhës e sidomos në fushën e studimeve etimologjike, ka shprehur interesimin e vet edhe për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës sonë.
Pasurimin dhe pastrimin e gjuhës Çabej e sheh përmes mënyrave e rrugëve të ndryshme, si për shembull, përmes shfrytëzimit të visarit leksikor të gjuhës së popullit, duke i ngritur ato leksema "më lartë në punë të nivelit kuptimor", si: lëndë në kuptimin e drurit, por edhe të materjes; rrymë që ka kuptimin e rrjedhës së vrullshme të ujit, por edhe kuptimin e rrymës elektrike, të rrymave letrare e të rrymave politike; përmes formimit të neologjizmave: e diel, e hënë, pararojë, prapavijë etj., ku gjedhja e formimit është e huaj, por lënda është e vendit; duke përdorur një numër sa më të madh fjalësh nga veprat e shkrimtarëve tanë të vjetër, duke u nisur nga Gjon Buzuku dhe autorët e tjerë pas tij, si fjalët: dëftues, grykësi, këshilltar, i përbrendshëm…, ose një sërë fjalësh të krijuara nga disa autorë arbëresh të Italisë (N. Keta, E. Moshi, J.de Rada); të Greqisë (P. Kupitari e A. Kullurioti) dhe autorë të tjerë të shekullit XVIII dhe të fundshekullit XIX e fillimit të atij XX, duke përfshirë ndër këta të fundit edhe Kristoforidhin, Veqilhar-xhin, vëllazërit Frashëri, L. Gurakuqin, A. Xhuvanin, M. Llogarecin etj., me fjalët: kamës, hierore për "tempull", gjithësi, mesditës për "meridian" etj. Çabej dallon edhe një sërë fjalësh, të cilat mund të zëvendësojnë fjalët e huaja, të formuara nga nëpunës, arsimtarë, ushtarakë ose edhe krahinarizmat, si: zbutoj për "zbutjen e një peme me anë shartimi", afëri për "parente", rrënjëzohet për "zë rrënjë bima", gjedhe për "mostër, model", hulli për "brazdë", tjerrtore për "filaturë", ose edhe një dyzinë fjalësh që ai i përdorë në vend të fjalëve të huaja: dyjare për "dublet", theks për "apostrof", e ngurtë për "rigide", pastaj duke kshilluar që të flaken disa fjalë të futura në shqipet tashti vonë, si: abuzim, aprovim, hezitim, presion etj., si dhe disa ndërtime italishte: gjuha greke dhe ajo latine; kategoritë emërore dhe ato foljore, në vend të atyre shqipe: gjuha greke dhe gjuha latine; kategoritë emërore dhe kategoritë foljore etj.
Prandaj, marrë në tërësi, profesor Eqrem Çabej ishte luftëtar e ithtar i paepur për një gjuhë të pasur dhe të pastërt, por edhe pa teprime në këtë aspekt, që është e kuptueshme dhe e afërt për të gjithë shqipfolësit.
* Interesimin e tij për këtë çështje e ndeshim së pari te pak rreshta në një kumtesë të paraqitur në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe të vitit 1972 ("Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes", Kongresi i drejtshkrimit të shqipes, Tiranë, 1972, fq.119) e pastaj në "Studime filologjike" nr.1 të vitit 1973, për ta plotësuar më vonë në një artikull shkrimi më të gjatë, të botuar te gazeta "Mësuesi", më 28 mars e 4 prill 1979 e të ribotuar edhe te "Rilindja", më 12,13 e 14 maj 1979 dhe së fundi në revistën "Gjuha jonë" nr.1, 1981. Këto shkrime e studime, zatën edhe janë bërë objekt shqyrtimi në trajtesën tonë.
3 Prof. Eqrem Çabej, Për pastërtinë e gjuhës shqipe, "Rilindja", 12.V.1979, fq.14.
5 Shaban Demiraj, Eqrem Çabej, Tiranë, 1990, fq. 135.
6 Prof. Eqrem Çabej, Për pastërtinë e gjuhës shqipe, "Rilindja", 12.V.1979, fq.14.
7 Prof. Eqrem Çabej,