E marte, 08.10.2024, 02:01 PM (GMT+1)

Speciale

Zymer Neziri: Tri fazat e mendimit të E. Çabejt për etimologjinë e emrit kreshnik

E marte, 12.08.2008, 06:47 PM


Eqrem Çabej
Tri fazat e mendimit të E. Çabejt për etimologjinë e emrit kreshnik

 

Nga Zymer Neziri

 

Çabej, duke shkruar për isoglosën «këngë trimash», «pjesme ju­­naçke», lidhur me emrat popullore të këngëve epike të Ga­di­shu­llit Ballkanik te shqiptarët, te serbët e te kroatët, ndalet te eti­mo­lo­gjia e emrit kreshnik[1]. Është ky mendim i tij i viteve '30, i shfa­qur për herë të parë në studimin monografik «Për gjenezën e li­te­ra­­turës shqipe»[2], në kapitullin IX «Poezia popullore», që e hap fa­­zën e parë të pikëpamjeve të tij për etimologjinë e emrit kre­sh­nik, i ndërtuar nga burimi i shqipes, për të emëruar trimin në poe­zi­në popullore shqiptare këngë kreshnikësh[3].

Mendimi i Ernest Koliqit, autor i parë shqiptar i një mo­no­g­ra­­­fie për epikën popullore shqiptare,[4] për etimologjinë e emrit kre­­shnik, i nxjerrë nga sllavishtja krst+sufiksi sllav nik,[5] është pi­­ka nisëse e Çabejt për të kundërshtuar këtë mendim dhe për të shfa­­qur pikëpamjen për prejardhjen shqipe të kreshnikut nga rrë­nja kreshtë.[6]

Fillimisht, Çabej te mendimi i Koliqit e sheh të sllavishtes ve­­tëm prapashtesën nik, kurse pas rrënjës kreshtë, toskërisht kre­shë, përmend nga gjermanishtja Maehne, Borste - Buerste.[7] Në vi­­jim përmend edhe albanologun Nobert Jokl, si dhe jep kuptimin the­­melor të fjalës kreshnik «me flokë të gjata, me jelë, me perçë», pa­s­taj «fisnik, trim, bujar, kreshnik», që ka të bëjë me një zakon të la­­shtë indoevropian për të simbolizuar burrin e lirë, bujarin, që mban flokë të gjata ose perçë. Për flokët e gjata jep të dhëna edhe për Shqipërinë, për komitët me flokë të gjata në Shqipërinë e Ju­gut. Në vijim ai ndalet edhe te fjala çupë, që po ashtu hyn në këtë grup dhe ka të bëjë me flokë të gjata. Duke cituar Franc Nopçën, për­fundon mendimin se «flokët e gjata ishin shënja e burrave të li­rë edhe nër Gjermanët e moçëm».[8]

Siç u pa, mendimi i Çabejt për etimologjinë e fjalës kreshnik nga rrënja kreshtë është mbështetur në Joklin. Çabej në këtë fazë e ku­­ndërshton vetëm Koliqin. Nuk e dimë pse nuk e përmend edhe me­­ndimin e Alojz Shmausit, po ashtu të viteve ‘30, për eti­mo­lo­gji­në e emrit kreshnik, që është në kundërshtim me pikëpamjen e Jok­­lit, sepse emrin kreshnik e nxjerr nga sllavishtja.[9] Mirëpo, siç dihet, Çabej ishte në dijeni me rezultatet e shkollës sllave dhe me të rënat që pësonte nga ajo sidomos dija shqiptare për ciklin e kë­n­gëve të kreshnikëve. Ai i njihte mirë rezultatet e M. Murkos «La poésie populaire en Jugoslavie au début du XX e siècle».[10]

Sidoqoftë, Çabej, mbështetur në Joklin, e rrumbullakëson me­n­­dimin shqiptar për prejardhjen shqipe të emrit kreshnik në vi­tet '30, kur shkolla shqipe sapo kishte filluar për të lëshuar shtat në fu­­shë të epikologjisë për eposin e lashtë heroik dhe sapo kishte fi­lluar për ta marrë vehten pas asaj rënies së fortë e të papritur të Vi­n­­çenc Prenushit në fillim të viteve '10 të këtij shekulli mbi cik­lin e kë­ngëve kreshnike të Mujit e të Halilit dhe, sipas tij, për pre­jar­dh­jen joshqiptare të tyre.[11]

Faza e dytë e pikëpamjeve të Çabejt për etimologjinë e fjalës kre­­­shnik fillon në vitet '60. Pikërisht, më 1954-1955, kur al­ba­no­lo­gu gjerman Maksimilian Lamberc botoi studimin për epikën po­pu­llo­­re të shqiptarëve «Die Volksefipk der Albaner»,[12] të ci­lin Ça­bej e konsideroi kulm të veprës së tij shkencore,[13] më 1960 shkroi recension për këtë studim të rëndësishëm për al­ba­no­lo­gjinë, e sidomos për epikologjinë. Çabej, pas analizave pë­ri­m­të­sue­se të për­mbajtjes dhe pas fjalëve miradie për autorin e saj, të ci­lat janë të pakontestueshme, ndalet edhe tek etimologjia e fjalës kre­shnik. Di­het se Lamberci e nxori këtë emër nga serbishtja krajišnik, ku­fi­tar dhe krajina, krahinë kufitare.[14] Ndërkaq, kur le­xuesi bëhet ga­ti të dëgjojë mendimin kundërvënës të Çabejt, du­ke pasur pa­ra­sysh mendimin e tij më 1939, ky studiues yni kalon pra­në këtij fak­ti. Nuk mban qëndrim kritik. Nuk e komenton Lam­ber­cin, po as nuk e mbron mendimin e vet të viteve '30 për rrënjën kre­shtë nga shqipja.

Tashmë shihej se dijetari gjerman dhe albanologu Lamberc ki­­shte rënë nën ndikimin e shkollës sllave, të cilës i kishte dhënë krah të fortë një studiues tjetër gjerman, Alojz Shmaus.[15] Mak­si­mi­­lian Lamberc këso kohe kishte bërë emër dhe shquhej albanolog i njohur, kurse në fushë të epikologjisë kishte dhënë kontribut të çmuar edhe më 1917[16] dhe më 1922,[17] lidhur me këngët tona të kreshnikëve të ciklit të Mujit e të Halilit,[18] pra, në dy veprat e tij të mëparshme, njërën për poezinë popullore të shqiptarëve dhe tjetrën për përrallën shqiptare.

Faza e tretë e pikëpamjeve të Çabejt për etimologjinë e fja­lës kreshnik është e viteve '70, që karakterizohet me mohimin e me­­n­dimit të shfaqur në vitet '30 për prejardhjen shqipe të kre­sh­ni­kut. Pra, nga heshtja në fazën e dytë, Çabej kalon haptas kundër te­­zës së vet të parë dhe pranon tezën sllave të Shmausit për eti­mo­lo­­gjinë sllave të fjalës kreshnik.[19] Tashmë Çabej në «Studimet eti­­mologjike në fushë të shqipes» kështu e shpjegon fjalën kre­sh­nik: «Trim i rapsodive të ciklit rreth Mujit e Halilit», që quhen kë­n­­gë kreshnikësh. Sot përgjithësisht «trim, hero».[20] Në vijim, Ça­bej këtë e quan «spiegim i drejtë»: nga serbokroatishtja kraešnik «trim», prej krajina «krahinë kufitare». Tash Çabej përmend Shmau­­sin drejpërdrejt,[21] emrin e të cilit e kaloi në heshtje në fa­zën e dytë, si dhe në të parën, kur mbronte pikëpamjen e pre­jar­dh­jes shqipe të fjalës kreshnik. Pra, Çabej pohon prerazi: «Bie spje­gi­­mi nga kresh(t)nik prej kreshtë te Jokli».[22] Në vijim përmend se bie edhe shpjegimi «nga sllavishtja krst «kryq», duke e lidhur em­­rin me kryqëzatat». Siç shihet, fjala është për Koliqin, të cilin nuk e përmend tash, ashtu si më 1939, kurse mendimin e mbyll me Lam­bercin, të cilin e rendit krahas Shmausit e Joklit[23] për eti­mo­lo­­gjinë sllave të fjalës kreshnik.



[1] Eqrem Çabej, Për gjenezën e literaturës shqipe, themelet kulturore hi­s­torike: Populli dhe poezia e tij, kaptina IX Poezia popullore, në: Studime gju­hësore, V, Gjuhë-folklor-letërsi-diskutime, «Rilindja», Redaksia e bo­ti­me­ve, Prishtinë 1975, f.125,126, fusnota 105.

 [2] Eqrem Çabej, Për gjenezën e literaturës shqipe, Hylli i Dritës, Shko­dër, XV, 1939, f. 163,164, fusnota 2.

[3] E. Çabej, Studime gjuhësore, V, vep. e cit., f. 125. Çabej pranon men­di­min e studiuesit slloven Matija Murko se në këto këngë këndohen trimat ose personalitetet me «karakter shum' a pak historik». Ky mendim nuk kun­dër­shtohet as sot, mirëpo, pasi që në vijim Çabej përmend togfjalëshin shqip «ka­n­gë kreshnikësh», mendimi i Murkos këtu përfundon dhe nuk bën të shtri­het më tutje, sepse cikli ynë i Mujit e i Halilit nuk ka të bëjë më «trima ose me personalitete me karakter shum' a pak historik». Këngët tona të kre­sh­ni­kë­ve janë cikël i veçantë i epikës sonë legjendare, e jo këngë epike historike, ose shumë a pak historike, siç janë ato për Betejën e Kosovës (1389), për Skë­nderbeun dhe kohanikët e tij etj. Dihet se shkolla sllave sot e kësaj dite për­piqet që mendimi i Murkos të shtrihet edhe mbi ciklin tonë të kreshnikëve, me qëllim që këto këngë të dalin sa më të reja historikisht. Duke ua mohuar la­shtësinë këtyre këngëve, ata përpiqen për ta mohuar lashtësinë e kulturës shpir­tërore të shqiptarëve, si dhe lashtësinë e tyre në Evropën Juglindore.

[4] Ernesto Koliqi, Epika populare albanese, Universita di Padova, Fakolta di Letere e Filosofia, Gruppo Universitario Fascista, Padova 1937, f. 49 dhe f. 58, fusnota 22.

[5] Po aty.

[6] Interesimi për mbledhjen dhe për botimin e këngëve tona të kreshnikëve në vitet '30 shënon shkallë të lartë, pas vitit 1897, kur G. Majeri botoi për he­rë të parë fragmentin e një kënge të ciklit të Mujit e të Halilit. Pikëpamjet e Ça­bejt për këngët e këtij cikli sollën freski dhe siguri në fushën e studimeve të epikës shqiptare në ato vite.

[7] E. Çabej, Studime gjuhësore, V, vep. e cit., f. 125.

[8] E. Çabej, Studime gjuhësore, V, vep. e cit., f. 126.

[9] Alois Schmauss (1901-1970), sllavist, filolog, historian i letërsisë, pro­fesor universitar, redaktor i rev.Die Welt der Slaven, bashkëthemelues dhe re­daktor i Prilog prou?avanju narodne poezije, Beograd 1934-1939. Ishte edhe profesor i gjermanishtes në Universitetin e Beogradit. U shqua në fushë të studimit të letërsisë popullore, sidomos të epikës serbe. Studimi «Epika po­pu­llore e shqiptarëve» (1963) është përpjekje për të kontribuar për epi­ko­lo­gji­në shqiptare, por edhe kontestohet, sidomos për origjinalitetin e eposit tonë të la­shtë.

[10] Matija Murko (1861-1951), historian i letërsisë, folklorist, etnograf dhe profesor i sllavistikës në Pragë. Është nismëtar i hulumtimit të tekstit të poe­zisë popullore dhe i shënimit të saj me mjete teknike (fotografia dhe plla­kat e gramafonit). Filloi më 1912 e vazhdoi me ndërprerje deri më 1936. Hu­lu­mtoi në Dalmaci, Hercegovinë, Mal të Zi, Bokë e Sanxhak. Rezultatet i pu­b­likoi në Zagreb, më 1951, në «Tragom srpsko-hrvatske narodne epike», I, II. Hu­lumtime kreu edhe në Plavë e Guci, në Rrafsh të Dukagjinit e në Rrafsh të Ko­sovës. Është mbledhës dhe botues i folklorit tonë. Është i papranueshëm men­dimi i tij për mohimin e origjinalitetit të këngës sonë kreshnike.

[11] Vinçenc Prenushi, Kangë popullore gegnishte, Sarajevo 1911, f.11.

[12] Maximilian Lambertz, Die Volksepik der Albaner. Der Zyklus von Mujo und Halil, I, II, Wissenschaftliche Zeitschrift der Karl Marx Uni­versitat Leipzig.4. Jahrgang 1954-55. Gesellschafts-und Sprach­wi­ssens­chaft­liche Reine. Heft 3/4,5.

[13] Eqrem Çabej, Maximilian Lambertz, në: Studime gjuhësore, V, f. 186, vep. e cit., f.179.

[14] E. Çabej, Maximilian Labertz: Epika popullore e shqiptarëve, në: Studime gjuhësore, V, vep. e cit., f. 186.

[15] Alois Schmauss, Nekoliko podataka o epskom pevanju i pesmama kod Arbanasa (Arnauta) u Staroj Srbiji, në: Prilozi prou?avanju narodne poezije, I, Beograd 1934, f. 274-280; Po aty, Beleške iz Sandaka, I, V, 1938, f. 274-280; Po aty, Beleške iz Sandžaka, II, VI, 1939, f. 117-125; Po aty, Iz muslimanske tradicije u Sandžaku, V, 1938, f. 137-145 etj.

[16] Maximilian Lambertz, Die Volkspoesie der Albaner, Eine eiführende Studie, Im Kommissionsverlag von J. Studnicka & Co., Sarajevo 1917. Ky studim i gjatë, me titull «Poezia popullore shqiptare», më parë u bo­tua shqip në revistën e Shkodrës «Posta e Shqypniës», viti 1917, kallnuer-mars, nr. 16, 17, 18, 19, 20, 21, 22, 23, 25.

[17] Maximilian Lambertz, Albanische Marchen und andere Texte zur Al­banischen Volkskunde. Schriften der Balkan Komission der Akademie der Wissenschaften, Wien 1922.

[18] E. Çabej, Maximilian Lambertz: Epika popullore e shqiptarëve, në: Stu­dime gjuhësore, V, vep. e cit., f. 186. Çabej thotë se Lamberci ka ushqyer një dashuri të veçantë gjatë gjithë jetës së tij për këngët e kreshnikëve, për rap­soditë e Veriut, si më 1917, ashtu edhe më 1922, kurse më 1954-55 shkruan një studim të gjerë për kreshnikët, që i kalon edhe caqet e botës shqi­p­tare. Shih edhe: E. Çabej, Maximilian Lambertz (1892-1963), në: Studime gju­hësore, V, vep. e cit., f. 184.

[19]Alois Schmauss, Nekoliko podataka o epskom pevanju..., pun. i cit., f. 109. Dr. Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, I, Studime eti­mo­lo­gji­ke në fushë të shqipes A-O, «Rilindja», Redaksia e botimeve, Prishtinë 1976, f. 291.

[20] Po aty. Shih edhe: Dr. Eqrem Çabej, L’état actuel et les tashes futures des études étymologique de l’Albanais (Résume), në: Studime gjuhësore, II, «Rilindja», Redaksia e botimeve, Prishtinë 1976, f. 408.

[21] Alois Schmauss, Nekoliko podataka o epskom pevanju... pun. i cit., f.107.

[22] E. Çabej, Studime gjuhësore, I, vep. e cit., f. 291.

[23] Po aty. Në këtë botim të Prishtinës, mendimi i Çabejt shtrohet në 12 rreshta për të shpjeguar etimologjinë e fjalës kreshnik, po edhe dy fjalë dalin në rreshtin vijues, të 13-tin. Se ç’mu kujtua se ky është ai 13-shi konvencional, është 13-shi i famshëm sllav, i ngritur në shkallë të mitit, 13-shi i fitores së tyre. Është numër fatlum për ta. Ani, le të jetë ashtu. Ndonëse ky numër është konvencional edhe për të tjerë popuj, ata nuk e dinë për numër fatlum. Madje, e konsiderojnë numër që sjellë fatkeqësi. Ka hotele që nuk kanë fare numër 13 të dhomave. Ka familje që nuk e pranojnë numrin 13 të tabelës së shtëpisë nga organet e pushtetit lokal. Refuzohen edhe tabelat e veturave me numrin 13. Pra, Çabej kështu e mbyll etimologjinë e kreshnikut me tekstin me 13 rreshta, duke e mohuar etimiologjinë e tij shqipe, të cilën e kishte mbrojtur më 1939.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora