E marte, 12.11.2024, 02:43 AM (GMT)

Kulturë

Meri Lalaj: Rrëfim për Halit Muratin

E hene, 11.12.2017, 09:01 PM


Rrëfim për Halit Muratin

Nga Meri Lalaj

Ne ndodheshim në sallën e madhe të leksioneve Fakulteti i Filologjisë në katin e dytë, ne studentë të letërsisë, gjuhës angleze, gjuhës ruse. Ishte leksioni i fundit i asaj dite. Ishte fillim pranvere mars, por dritaret e mëdha të larta të sallës po laheshin nën shiun e stërzgjatur litar-litar. Salla qe në heshtje të plotë, ndoshta leksioni nuk ishte aq i mërzitshëm. Më erdhi një pusullë ku shkruhej: “Fjalë, fjalë dashurie / ta gënjeva shpirtin tënd / rashë dhe vetë nër ato fije / del shakaja me gjithë mend.” Ma dërgonte Minush Jero që shkruante drama, ai ishte më se dhjetë vjet më i madh se sa ne studentët që vinim drejt e nga shkolla e mesme. Ai kishte qenë oficer, kishte punuar disa vite, qe përjashtuar nga Partia dhe u bë bashkëstudent me ne. Në heshtjen që zotëronte në sallë u hap dera dhe kërkuan Minush Jeron. Ai doli nga salla.

Kur ra zilja e mbarimit të leksionit, ne dolëm me ngut nga salla dhe morëm vesh se Minushin e patën thirrur në dekanat pasi shoku i tij nga Durrësi, Halit Murati kishte bërë aksident. Aty për aty u pëshpërit se Haliti pati ndërruar jetë. Në fillim e morëm si shaka, vdekja qe diçka aq e largët për moshën tone, nuk mund ta besonim pasi ai kishte qenë në leksion dy orët e para, pastaj në orët e gjuhës ruse ishte larguar, pasi Haliti ishte nga ata studentët e kthyer nga Bashkimi Sovjetik që po prisheshin marrëdhëniet. Mbaj mend se atë dimër Haliti e kaloi me një kapotë ushtarake sepse rrobat i kishin mbetur në Moskë dhe ne talleshim me kapotën e tij se na dukej si i çmobilizuar nga fronti. Haliti atje pati studiuar për gjuhë frënge dhe në kursin e tij Helena Gushi (Kadare) i dërgonte pusulla me fjali në frëngjisht (Helena i kopjonte fjalitë nga libri “Lufta dhe Paqja” e Tolstojt), ndërsa Haliti i thoshte: “Ti di frëngjisht.” Helena ma tregonte këtë dhe qeshte.

Mbaj mend se në një nga ato ditët me dimër isha nisur për në Pogradec, kur arrita në shtëpi ishte natë dhe shumë errësirë asnjë dritë e ndezur ndërkohë dikush u afrua, unë isha me valixhen në dorë, ishte postieri dhe më dha një telegram, ma dërgonte Helena, ajo shkruante: “Përshëndes mbërritjen në qytetin e kaltërsive. Puthje ajrore, reaktive, supersonike.” Atë çast doja të isha në konvikt, siç më rrëfeu Helena më vonë, telegramin ia pati dhënë Halitit për ta postuar dhe fjalën “supersonike” e pati shtuar ai. (Juri Gagarin kishte fluturuar në hapësirë dhe po pasuronim fjalorin me kësi fjalësh të reja).

Lajmi i keq dhe i hidhur u bë i vërtetë. Haliti kishte qenë duke ngarë biçikletën, një fëmijë i pati dalë përpara dhe ai për ta shpëtuar rrezikoi veten, u rrëzua, doreza e biçikletës e goditi keqas në kokë. Ditën tjetër ne, nja gjashtëdhjetë studentë u nisëm me tren për në Durrës. Mbaj mend se për disa minuta unë dhe Helena u ndodhëm në dhomën ku ishte i ndjeri, erdhi një shoku i tij i ngushtë që donte patjetër ta shihte dhe e hapën kapakun e arkëmortit. Ne të dyja e pamë ishte hera e parë që përballeshim me vdekjen. Mbaj mend motrat e tij të lebetitura shkulnin flokët. Kur vajtëm në varrezat shiu pati pushuar dhe dielli shkëlqente përmbi gropat plot me ujë.

Atë natë u shtriva herët për të fjetur. Nuk e di përse isha vetëm në dhomën e konviktit dhe sapo më kaplonte gjumi më dilte para syve fytyra e Halitit ashtu siç e pashë për herë të fundit. Nuk më hiqej nga mendja se patëm bërë një mbrëmje vallëzimi, më duket ishte ditë e martë (ne bënim shumë mbrëmje). Po kërceja me Halitin kur orkestra njoftoi: “Mbrëmja mbyllet!” Haliti më tha: “S’ka gjë Meri se të shtunën do jem unë në komisionin e mbrëmjes dhe do rrimë sa të duam”. Ishte vallëzimi i fundit për të.

Më vonë u pëshpërit se Haliti pati qenë i dashuruar dhe atë javë do fejohej. Nuk e di në se kjo ishte e vërtetë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora