Kulturë
Sotir Athanasi: Stadi 'Xha Gorjo'
E diele, 10.12.2017, 09:42 AM
SOTIR ATHANASI
STADI "XHA GORJO",
ose:
"PRELUD I BRAKTISJES"
Gruaja e moshuar, sapo mbërrijti
në spital nga azili e shpunë menjëherë në Reanimacion. Në çastin e
fundit, erdhi edhe djali i saj funksionar në pushtet. Ajo i bëri shenjë
infermjerjes e cila shtypi butonin e celularit dhe në atë qetësi-reanimative, u
përhapën tingujt e një kënge PËR NËNËN. Shumë e bukur.
Tejet e dhimbshme dhe po aq rrëqethëse edhe pse në frëngjisht. Në mbarim të saj
nëna, me vështirësi mundi t’i thotë:
- Kjo këngë më zgjuan çdo
mëngjes dhe më kujton që të kam ty, bir. Unë po e lë këtë botë. Por ti
interesou që azilet të kenë ngrohje në dimër, freskim në behar dhe ushqim
të mirë për të moshuarit. Se. . . Kur të të sjellin ty këtu, do të vuash.
Pas kësaj,
ajo mbylli sytë.
( Marrë nga një gojore në Reanimation ).
Makina na la
në autostradë.
Ne morëm
poshtë monopatin. Këtej zbrisnim përherë. Njëqind metra më tutje ishte shtëpia e
tezes sime: një dykatësh i bollshëm, me oborr të shtruar dhe pemë frutore rreth
e qark. Për ngritjen e saj një ndihmesë të madhe monetare kishin dhënë djemtë
që punonin e jetonin në Itali. Dhe kjo qe derdhur pa kursim, që në themel, siç
thuhet. Veçse, do të ishte më e saktë të nënkuptohej që në projekt. Atë e
kishte siguruar Gentiani, i cili prej motesh jetonte dhe studionte në
Padova. Aty kishte përfunduar vitin e fundit të maturës, arsimin e lartë
universitar për inxhinieri elektrike dhe qe emëruar, diku me këtë specialitet.
Për vajtjen
në Itali të Genit (kështu e thërrisnim të gjithë) unë do të shkruaja edhe një
tregim interesant nën titullin kurdisës:
Sfida e një përkthyesi
adoleshent.
Doemos, isha
tre vjet më i madh se ai. Me maturë të mbaruar dhe një kurs për shofer, ku
kisha shumë dhunti. Por ajo që spikaste më tepër që në gjimnaz tek unë, ishte
letërsia dhe hartimet. Nuk është se i qaja, siç edhe m’i cilësonin, por unë
shkruaja për shokët e mi dhe kapja thelbësoren e dukurisë, duke u ngritur nga e
veçanta për ta përgjithësuar atë. Dhe kjo qe e mirëpritur jo vetëm nga shoqëria
por edhe nga redaksitë, ku i shpija shkrimet për botim. Edhe ky triptik, mbase
flet për një gjë të tillë. Ju, miqt e mi, do të jeni ata që do të pajtoheni me
këtë përfundim, apo jo. Pra, provën e kam me Ju.
Gjithsesi,
papunësia dhe mungesa e perspektivës më shkurajonte vijushmërisht. Për më tepër
se kisha kryer dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe ankthi ia kishte lënë
vendin plogështisë.
1.
Atëhere, le
të nisim tregimin tonë:
Ishte fundi
i viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar. Vendi ynë, në një farë mënyre, po
bënte kinse hapjen ndaj botës. Në qytezën ku banonte tezja ime kishte ardhur
një grup turistik italian. Ata, thjeshtë kishin lënë gjumin e pasdites në
hotelin Adriatik në plazh dhe me një autobus urban kërshëria i kishte sjellë në
qytezë.
Atë behar,
thuajse çdo javë, grupet turistike pasonin njëri-tjetrin. Dëshira për të shkuar
në Itali, si mua edhe Genit, na digjte gjoksin. Jo si turistë. Aq më pak,
emigrantë. Kurrsesi të paligjshëm. Por me vizë të rregullt për të ndjekur
studimet. Unë të lartat, kurse Geni të përfundonte maturën në Itali, e cila do
t’u favorizonte pastaj për në universitet. Sepse ky e zotëronte italishten
shkëlqyeshëm. Atë e kishte mësuar thjeshtë duke ndjekur kanalet italiane në TV.
frekuencat e të cilëve nuk mund të pengoheshin nga zhurmuesit për arsye
strategjike.
Për rastësi ( dhe fatmirësisht ), atë behar u ndodha dhe unë në qytezën e vogël
dhe së bashku me Genin, kishim thurur plane.
Kinse hapja
për ne nuk qe frëngji në "në kullën tonë të lartë e të
pamposhtur". Ajo do të bënte që shikimi ynë të rrokte një pamje
të paktën sa një baxhë a mazgallë, se që të komunikoje me turistët, kur dije
gjuhën, mjaftonte që ata të kishin ardhur të paorganizuar a, si për kënaqësinë
e tyre. Dhe këtë e kuptonin të gjithë po t’i shikoje se ata vinin me
autobusin urban e jo me Alb-turistin, luksoz të hotelit Adriatik.
Shkurt,
njohja me një të huaj mund të bëhej çengel për t’u ngjitur në anijen e tyre të
kthimit matanë detit. Por për këtë, veç gjuhës duhej pak guxim. Ky nuk i
mungonte Genit. Rasti qe i përkryer. Me turistët nuk kishte as përkthyes dhe as
ndonjë kalec a sigurims. Lipsej shfrytëzuar kjo mundësi.
Të huajt u
futën në Pallatin e Kulturës së qytezës dhe kur vunë re se përveç kafes në
sallën kryesore, që tymoste nga duhani me të dredhme dhe fytyrave të trembura,
kur panë bufenë që përveç ingranazheve s’kishte asgjë tjetër, domethënë as
koka-kola, as raft frigoriferik, dolën menjëherë përjashta si t'I kishin
përzënë me forcë të zotët e lokalit.
U drejtuan
sheshit përpara kinemasë së vjetër, së cilës nuk i qe bërë asnjë makijazh për
të fshehur, në një farë mënyre, origjinën e saj prej kapanoni të ushtrisë
pushtuese të fashizmit.
Ata iu afruan asaj dhe shpërthyen në një gaz kolektiv, kur panë nga larg
afishen e filmit që do të shfaqej atë mbrëmje dhe që titullohej:
NUK KA PAQE NËN ULLINJ dhe
përbri filmi për javën e aedhëshme: "FAN FAN TULIPAN.
Vizitorët e përtejdetit këmbenin
shpenguar me njëri-tjetrin dhe gajaseshin. Geni më përkthente zëulur dhe ne, që
atë rast prisnim t'u zbrazeshim për shpërfilljen e tyre karshi vendit tonë në
dekada, menduam se: mbi këtë sfond duhet t’i thumbonim, ashtu me naivitetin e
adoleshencës së Genit.
Së-pari t’i
përgjigjej ironisë për distancën e prodhimit të filmit dhe shfaqjes së tij pas
katër dekadash. Këtë Geni duhet ta bënte dhe të tregonte se ne, megjithatë,
dinim më shumë për ta se sa ata për ne. Dhe duhej të nënvizohej, me takt edhe
fakti që ata mund të mos kishin dëgjuar as për historinë e Skënderbeut.
Për të
gjitha këto ne kishim folur gjatë me njëri-tjetrin dhe djali i tezes sime, të
cilin e kisha edhe shok, ishte thuajse i mbushur.
Kur më në
fund të qeshurat e tyre u platitën dhe ra një heshtje nga që ata ishin zhytur
në mallin që të grishnin pamjet e filmit e fotot pas qelqeve të kornizës, Geni
ndërhyri:
- Më falni
zotërinj!
Ata kthyen
kryet të befasuar dhe nuk u besohej se zëri kishte dalë nga goja e atij djali
truppakët, por tejet tërheqës, me ata flokë rënë mbi ballin e tij, pranë
vetullave që u krijonin strehë syve të tij të qeshur.
- Më
falni!-përsëriti ai:
- dëgjova të flisni për këtë film tuajin prodhuar katër dekada më parë.
- Po, pikërisht.
- Lejomëni
zotërinj të nderuar, T'u shpjegoj diçka, se siç po shoh, nuk e keni marrë me
vete as përkthyesin.
Ata tundën kryet dhe panë me dashamirësi. Dikush nxori nga çanta, ku mbante
aparatin fotografik, një stilolaps për t’ia dhuruar, por Geni i hodhi një
vështrim kuptimplotë që mbase, donte të thoshte: Zotni, mbaje dorën. Nuk
kam nevojë për. . . , lëmoshë. Por ai thjesht mbajti gojën dhe me një
buzëqeshje të lehtë, nuk e pranoi. Kjo e rriti interesin për të dëgjuar
sfidën. Se për të tillë e morën ndërhyrjen. Dhe, duhet ta pranojmë se e asisoi
ajo qe, megjithatë.
- Edhe
dritës së yjeve, zotërinj, i duhet dekada, të bjerë mbi planetin tonë. Por ajo
vjen. Dhe ne këtë e dimë nga Galileu juaj, zotërinj
vizitorë. Kurse filmat tuaj të rinj dashkan dyzetë vjet të mbërrijnë tek ne
edhe pse s’jemi më shumë se dyzetë kilometra ujë, larg jush. Dhe kjo s’do ta
bënte aspak për të qeshur shkencëtarit, zotërinj të nderuar.
Mbase do të ulërinte si përpara turrës së druve, ku e kishte vënë inkiizicioni.
E papritura
qe e plotë dhe e menjëhershme. Dikush i befasuar, tha
- E dini se
ç'po thoni, djalosh?
Shikimi i
tij fliste më shumë se fjala. Atë e bafasonte gjithçka dëgjoi, por më tepër e
çudiste formimi i tij. Geni do të vazhdonte duke kapur anën më të pa imagjinuar
nga askush për këtë tekst:
- E di,
zotrinj. E di që, po të dëgjonte këto fjalë ambasadori juaj supershpërfillës,
do të shkonte në Ministrinë tonë të Jashtme të dërgonte një notë proteste, dhe
mua do të më fusnin në burg, ku do të më nxihej jeta si e shumë e shumë të
rinjve pak më të rritur se unë.
U dëgjuan
shumë zëra njëherësh, në mbështetje të Genit, por edhe kësaj sjellje sa të
thjeshtë, po aq edhe diplomatike.
Unë
fërgëllonte si Odiseja, që më në fund, po shihte se po zbatohej një
plan lufte përpiluar nga mëndja e tij.
Dikush nga
turistët, që më vonë do të mësohej se quhej Adriano dhe se veç të tjerash,
ishte edhe gazetar, pyeti:
- Përse
duhej t'iu kushtonim vëmendje juve, djalosh?
- Për shumë gjëra,
zotëri. Mbase edhe vetëm për atë se PAPA juaj në VATIKAN, heroin
tonë kombëtar Skënderbeun, e ka quajtur "Kalorës tË
Krishtërimit". Dhe se në Apolloninë tonë ka rrugëtuar Shën
PJETRI përpara se të shkonte në Romë ku dhe e kishin thirrur. Apo
edhe për atë që në vëndin tonë, zotërinj të nderuar studioi dikur OKTAVIAN
AUGUST.
- Shkuat
shumë larg, vogëlush.
- Mbase,
zotërinj. Por kur heroi ynë mori një emblemë të tillë, do të duheshin edhe
njëqind vjet, që të lindte i madhi i qiejve Galileo Galilei. Kurse
Koperniku falë këtij Kalorësi të Krishtërimit do të
studionte i qetë një dekadë a dy më pas në Bolonjë e Padova... Përsëri doni të
afrohem edhe ca zotërinj? Besoj se ju kujtohet që VIVALDI ka bërë një
oper për heroin tonë:SKËNDERBEU. Doni sërish?
- Prego.
- A e keni
pyetur veten, zotërinj, përse Bareci e ndihmoi XHUZEPE
VERDIN?
Pas kësaj shprehjeje, që ne e kishim rrahur me njëri-tjetrin, ata shpërthyen
duartrokitjet dhe nisën ta përqafojnë Genin, por filluan edhe nga pyetjet se ku
e kishte mësuar kaq mirë italishten. apo edhe në se dëshironte të vazhdonte
studimet në Itali. Si dhe ç’thoshin prindrit për këtë?
Atëherë
akoma s’kishin filluar largimet biblike me anije.
Këto kujtoja
atë ditë, tek zbrisnim monopatin për te shtëpia e tezes. Gazetari Adriano do
t’i dërgonte një garanci dhe Geni në shtator do të shkonte në Padova.
Rinisi për
të një jetë e re. Të gjitha këto i përkisnin tashmë të shkuarës.
2.
Qe muaji
prill. Pemët kishin çelur dhe bari ishte rritur goxha. Një grua plakë kulloste
lopën këtyre djerrave. Ajo na pa nga larg tek po vareshin tatëpjetë atij shtegu
dhe i tërhoqi litarin kafshës që të shkonte në anën tjetër të kësaj njomishteje
joshëse.
Livadhi i
djerrë qe tokë mbujake. Lopa parapëlqente ajkësinë dhe s’fryhej së ngrëni deri
në harbim. Prandaj me vrik, lëvizi kokën rrëmbimthi dhe e moshuara sakaq ra në
ledh. Shtizat me gjithë thurjen e çorapeve, gati e shpuan dhe si dy shigjeta iu
kryqëzuan në gjoks për të formuar një kryq. Plaka tha diçka të pakuptueshme që
përfundonte me fjalët, o Zot. Mbase mund të ketë parë kryqin dhe ka kërkuar
ndihmën e Zotit, për ta marrë në krahët e tij, se lutej për 'të.
Lëmshi prej
leshi, që i ra nga xhepi i përparëses, u rrokullis një a dy metra dhe u gjend
përpara gojës së kafshës, e cila në çast e ndali kullotjen. Ktheu kryet nga e
zonja dhe, si të ishte qen, e mbërtheu lëmshin me dhëmbë dhe e bindur erdhi te
njeriu i saj si fajtore. Dhe nisi ta lëpijë me gjuhë. Se lopa s’kishte viç.
Edhe plaka s’kishte djalë.
Kafsha
zgjati qafën mbi trupin e të moshuarës dhe kjo, si luftëtar i plagosur, vuri
duart mbi atë zverk dhe u ngrit në këmbë.
Qe një
mënyrë e përsëritur se si lopa dhe e zonja i kryenin këto veprime në mënyrë të
tillë, që tregonin se nuk bëhej për herë të parë ky zakon e ky ndërveprim.
Plaka
rregulloi shtizat në gjoks dhe si tërhoqi litarin, u nis përpara.
Barëngrënësia, si ndonjë shqerkë manare, i vajti pas e bindur. Midis tyre qe
vendosur harmonia.
Ne
ngadalësuam hapat dhe i lamë kohë që ajo të kalonte në anën tjetër të
kullotës.Babai ndezi një cigare. Mamaja u kujtua të heqë këpucët me taka dhe
veshi një palë të sheshta. Se e dinim: plaka nuk dëshironte të takonte njeri.
Nuk i pëlqente të bisedonte me kërkënd. Gjithë ditën merrej me lopën, të cilën
e milte çdo mëngjes. Qumështin ua shpërndante me shishet e tyre komshinjve. Në
gardhin e çdo komshije ajo bënte nga një shenjë me bixhak, duke hequr pak
lëvozhgë nga druri, që në fund të javës të numëronte shenjat e ato t’i kthente
në të holla. Kjo ndodhte të dielave dhe të nesërmen shkonte te dyqani i
ushqimeve të paguante veresiet. Qe shumë e rregullt. Ashtu, kryeulur, çapitej e
fliste me vete. Ndodhte rrallë, shumë rrallë, të këmbente me dikë refrenin e
saj të zakonshëm si përgjigje e pyetjes:
- Ç’bën mëmë
Marie?
- Ç’të bëj,
ja s’po mbaroj dot këto çorape, - thoshte, - vjen dimri e nipat s’kanë çfarë të
veshin.
Kurrkush nuk
dinte se për ç’nipa bënte fjalë. Se asnjë nuk mund të thoshte se ia njihte ata.
Për të dihej se dhjetë vjet më parë e kishin sjellë këtu në një kasolle të
braktisur, e cila, dikur, kishte shërbyer për të shitur zarzavate. Dhe se të
shoqin e të dy djemtë ia kishin burgosur për politikë. Thuhej se mirë burri që
i vdiq në burg, por djemtë ç’iu bënë?! E zonja nuk fliste. Ajo kishte kaluar me
muaj të tërë në spitalin psikiatrik dhe shtrohej shpesh pesë vitet e para. Më
pas, iu bë kronike dhe nisi të gjejë karar me lopën. E kishte marrë mëshqerrë
nga tufa në kohën kur po i shpinin në thertore për plan mishi. Dikush kishte
thënë se është më mirë " për shoqërinë t’i japim një kafshë të merret me
të sesa ta ushqejë kolektivi duke i paguar raportet ". Atëherë sapo kishte
filluar të flitej për tufëzat dhe arëzat këtë perestrojkë alla shqiptare. Vonë
u dëgjua të thuhej se dy djemtë e plakës kishin ikur në Greqi sapo qenë liruar
nga burgu me ardhjen e demokracisë. Por për mëmë Marinë, ata ishin martuar bile
ishin bërë edhe me fëmijë. Prandaj ajo përgjigjej:
- Ç’të bëj,
s’po mbaroj dot këto çarape se vjen dimri dhe niprit s’kanë çfarë të veshin...
Dhe po t’i
thoshe se presim beharin nënë Mari, ajo do të përgjigjej:
- E, për
ç’behar e ke fjalën moj nuse, mua më therin kockat e pritet shi. Ja
shikoje, është nxirë tutje. Dimri i sivjetëm e hëngri beharin. Ai më parë ikën
se vjen. Po mall që u rrit bari dhe lopa më jep qumësht.
Dhe po të
hidhje shikimin tutje e të vëreje lart kaltërsinë, atëherë do të bindeshe se qe
nxirë shpirti i kësaj fatkeqeje, jo qielli.
Thoshin edhe
se gjatë natës e shthurte atë që plekste ditën. Nuk flitej gjë për shkakun. Por
nuk qe e vështirë të merrej vesh arsyeja. Qe një Penelopë e kohës sonë. Ajo e
grekëve priste me durim Odisenë, i cili më në fund do të kthehej. Kjo e jona
nuk besoj të kishte lidhje me Godonë. Thjeshtë, mëmë Marinë, e gënjente mendja
në atë pritje. E, kështu shtynte tutje ata vite-vetmie e në shoqëri me lopën,
me të cilën ushqenin njëra-tjetrën, në një bashkëtingë-llim të përsosur zoonoz.
3.
Qëndronim të
heshtur përpara portës metalike të oborrit. Nga krahu i kundërt i shtëpisë
dëgjohej një magnetofon, melodia e të cilit shkëputej që të luhej nga dikush me
klarinë. Siç duket muzikanti kërkonte ta mësonte këngën nga kaseta e
regjistruar. Melodia qe shumë e bukur dhe në atë vegël ajo merrte një ngjyrim
tejet rrëqethës. Se dhe teksti i këngës ishte i goditur dhe jetësor:
Kur në gji
na mbante nëna
dhe në djepe
duke tundur,
gjumin e
bënte me ëndrra,
mos qante
ndonjë nga çunat.
Dhe refreni vetëm me klarinë, pastaj teksti si ndriçues:
O vëllazëri
e ke kuptuar vonë,
paske lindur
për kusure,
si një qyqe
mbeti nëna jonë,
pranë
oxhakut si kërcure...
Mamasë sime i mbeti dora pezull, te butoni i ziles në portë, si
një copë akulli e ngrirë, a si një stalagtite. Ajo ktheu kryet nga im atë
dhe vështrimet e tyre thanë shumë. Se për një shkak të ngjashëm i kishte
thirrur tezja por, edhe fillikat ky refren i dhimbshëm mjaftonte të të
trondiste për atë çfarë do të bisedohej aty. O Zot, ç’kohë po përjetonim! Porta
u hap dhe ndërsa motra e vëllezër u takuan e u përshëndetën si në mort, me
njëri-tjetrin, unë u ndala te vajza e dajës. Ajo ishte tetë vjeç dhe m’u hodh
në qafë me një libër të ilustruar në dorë.
- Liza në
botën e çudirave,-më tha-është i bukur, xhaxhi Shpëtim?
Kështu më
thërriste ajo megjithëse unë për të isha djali i hallës. Për shkak të moshës
ajo më fliste në emër dhe kishte kujdes të shtonte përpara edhe fjalën jo
kalimtare " xha ".
- Pse s’e ke
lexuar ende?-e pyeta.
-Jo, sapo e
bleva, sot.
- Shumë i
bukur,-i thashë vogëlushes.
Porta e
madhe qe ende e hapur e ndonëse klarina stononte këtu e atje, teksti i këngës
vinte pastër e dhimbshëm në veshët e mi, në shpirtin tim. Dhe si të mos
mjaftonin gjithë këto uvertura, ja tani na shfaqet dhe Liza...Kuturisa të
merrem me diçka edhe për të mos zhgënjyer njomëzaken, por edhe për ta mposhtur
atë dhimbje e pështjellim që po më zinte fytin, shkul e nga një shkul, si ai i
të moshuarës, mëmës Mari. Prandaj e pyeta pa qenë shumë i përqendruar:
-Ti e di si
e quajnë autorin?
- Po, xhaxhi
Shpëtimi, Levis Karol. Ja ku është shkruar-dhe ajo tregoi librin.
- Bukur, -
thashë unë fjalën më parazitare që e përdorja sa herë zihesha gafil, deri sa të
përqendrohesha te thelbi i bisedës. - Atëherë mua s’më mbetet veçse të të
shpjegoj se ku e ka marrë autori frymëzimin për të shkruar këtë libër kaq të
veçantë.
Ajo e kuptoi
se kjo nuk mund të thuhej ashtu, shpejt e shpejt e në këmbë dhe më tërhoqi me
nxitim në cepin e një stoli të madh në oborr. Sytë i ndrisnin nga gëzimi. Dhe
kishte të drejtë: do tumirej me diçka që nuk ishte shkruar në libër. Dhe një
gjë e tillë do ta lumturonte këdo në moshën e saj. Se do të mësonte një gjë, që
s’e dinte askush nga shoqet e shokët e shkollës. Mbase edhe mësuesja mund të
mos e dinte. Pse çudi iu duket? Se, xhaxhi Shpëtimi qe vetëm i saj. Se ajo e
kishte atë djalë-halle dhe se kur të shkonte në shkollë do të thoshte: djali i
hallës, që edhe shkruan tregime, më ka thënë se...
- Mirë,
pra-fillova unë: .
Në Afrikë
është një ishull që e quajnë Mauricius. Tre shekuj më parë, aty ka jetuar një
zog që quhej Dronti. Anglisht: Dodo. Ky zog ishte si mjellmat. Fluturonte si
ato, por me kalimin e kohës, për arsye ende të panjohura, krahët e tij nisën të
zvogëlohen dhe..., kjo racë zogjsh e humbi aftësinë për të fluturuar. Prandaj
detarët që zbrisnin në ishullin Mauricius, të parin gjuajtje që bënin për
ushqim të freskët, pasi ata në det hanin vetëm konserva, ishte zogu i bukur
Dronti. Dhe filluan t’i vrasin lehtësisht. Pa mëshirë. Një sot e një nesër. Një
tani, një pastaj. Kështu, për ditë e javë të tëra. Se, të shkretët zogj nuk
mund të fluturonin e t’i shpëtonin masakrës. Kjo bëri që raca e fluturakut të bukur
Dronti, më në fund, të zhduket fare.
- Dhe?
- Dhe
shkencëtarët mezi kanë mundur të gjejnë e të ndërtojnë skeletin e tij. Një i
tillë është në Oksford. Muzeu i këtij universiteti me famë ndodhet në Londër.
Shkrimtari Levis Karol, që i donte kaq shumë zogjtë dhe pëllumbat, i prekur nga
fati i tyre tragjik, shkroi librin: “Liza në botën e çudirave”.
Ledi kishte
mbetur si e nemitur dhe sytë i mbushi me lot. Unë e lashë në ngashërimin e saj,
por nuk më shkonte mendja që ajo do të shpërthente me një pyetje asgjësuese:
- Pse janë
kaq të këqij të rriturit, xhaxhi Shpëtimi? Pse janë kaq pa turp?
Unë u
befasova. Nuk e di si do të reagonit ju përballë këtij sinqeriteti fëmijëror.
Ajo akuzonte. Dhe e bënte këtë me pafajësinë e moshës. Se kjo vogëlushe,
padashur, kishte bërë prokuroren. Mua më duhej që me vetëdije të bëja avokatin
e djallit për të mbrojtur kategorinë e vërsës që përfaqësoja. Dhe s’e kisha të
lehtë. Aspak.
- Dëgjo
këtu, moj xhane: Ca detarë të egër e të vrazhdë, nuk mund të themi se
përfaqësojnë të rriturit. Ata, shumë-shumë, me veprimet e tyre tregojnë
vetveten. Asgjë më tepër. Të ashpër si dallgët e egërsuara të detit dhe kaq. Ne
s’kemi pse kërkojmë më shumë prej tyre.
- Pse? Nuk e
di unë, xhaxhi Shpëtim? -tha ajo përmes lotësh.- Nuk e di?
- Çfarë?
- Atë, pse
janë grumbulluar sa nga Italia e sa nga Greqia, hallat e xhajat e mia?
- Pse na
qenkan grumbulluar sipas teje, përveç se të çmallen me njëri-tjetrin nga kjo
ndarje emigruese?
- Për
gjyshen.
- Pse?
Ajo ngriti
kryet. Më pa në sy me një vështrim sikur donte të thoshte: vërtet nuk e kupton
arsyen? - dhe si një prokurore e njëmendtë lexoi me vendosmëri
akt-akuzën:
- Se asnjë
nuk do ta mbajë, ja sepse.
Dhe vajza
shpërtheu në të qara. Ajo nuk mund të ndalte dot lotët që i rridhnin faqeve
çurg.
- Gjyshja
është më keq se Dronti. Pa krahë, pa fuqi. Edhe kur ecën, i ikën trupi sa në
një qoshe në një tjetër. Kurse ka nga ata (dhe vajza ktheu kryet andej nga
vinin zërat, lart në verandë) që e tallnin paturpësisht gjyshen: bën vetë,
thonë. Ç’mjerim për ta!
Unë
instinktivisht ngrita kokën dhe pashë se mamaja ime kishte dalë në ballkon
bashkë me tim atë dhe në mos për t’iu shmangur acarimeve pa bereqet, që kishin
shpërthyer mes vëllezërve dhe motrave, ku kryefjala qe nëna e tyre, për të
dëgjuar, ashtu si tinës, se ç’mendim kishte Ledina, ata qenë shkëputur. Se kjo
ishte personazhi më i vogël që u ndodh në oborrin e asaj vile të bukur, ku
s’kishte munguar, qoftë edhe modest, kontributi i kësaj gjysheje për të cilën
luhej ping-pong.
Qe çasti më
tronditës për këdo, kur Ledina nuk mund ta mbante dot brengën e ndryrë brenda
atij gjoksi të vogël që si një duf shpërtheu në lot. Kaq mjaftoi që prindërit e
mi të futeshin sërish brenda asaj sherrnaje. Im atë dëgjohej më shumë se ishte
dhe më i papërmbajtur, në raste të tilla. Ndjenja kryqëzohej me dhembshurinë dhe
triumfonte mbi arsyen. Atëhere, çdo gjë merr drejtimin jashtë kontrollit. Nga
ana tjetër: domethënë këtu poshtë, Ledi më thoshte se kot e kanë. Gjyshja do të
rrijë me mua. Ja këtu, në këtë cep të verandës. Dhe shkoi pranë saj.
Vetëm
atëherë unë pashë se në një minder, pështjellur me shall dhe pallton e saj,
fërgëllonte gjyshja, e cila ishte edhe imja. Dhe për të duhet të turpërohesha
edhe unë, se hyja në kategorinë e të rriturve dhe sepse, Ledina me siguri që në
këtë thes do të më fuste. Prandaj i vajta pranë. I putha duart me respekt dhe i
thashë:
- Mos u mërzit, gjyshe! Ti gëzon
dashurinë e gjithë fëmijëve të tu. Edhe dashurinë time, që të dua pamasë.
Kaq. Asnjë
fjalë më tepër. Dhe mbeta si i shushatur. Mbas pak u shkëputa, sepse
dëgjova që babai zbriti me vrull nga shkallët dhe erdhi pranë saj.
Ishte e para herë që e shihja tim at të përlotej. Ai kishte
zbrazur, atje në sherrnajë, kumtin e Ledinës. Kishte humbur drejtshimin dhe në
fytyrë ishte bërë flakë i kuq. Puthi ato duar të rreshkura të gjyshes si
të ishin të nënë së tij dhe u hodh në oborr.
Porta metalike e avllisë ishte gjysmë e hapur dhe dikush e shtyu. E para hyri
tezja ime. Pas saj-i shoqi. Babai s’pati kohë ta takonte tezen se iu drejtua
burrit të saj, që për tim at ishte baxhanak, por ky i fundit foli përpara tij:
- Ç’keni
kështu, deri në autostradë ta dëgjova zërin sapo zbrita.
Im at mbase
donte t’i thoshte: vërtet kaq fort paskam sokëllirë? Por ai e dinte se tjetri
nuk e kishte zakon t’i zmadhonte gjërat, prandaj me një ton mallëngjyes, ku
brenda tij dridhej jo vetëm nota e maturisë që sillte pendimi e mos-zotërimi i
vetvetes, por edhe ikja idhnake prej saj dhe tha:
- Pesë
minuta më parë të kishe ardhur, or baxhanak! Pesë minuta!
Dhe pas pak:
- Se dhe
sherri, që e marrtë djalli, e marrtë, seç ka diçka të ngjashme me këngën labe.
Njëri e hedh dhe tjetri e pret. Jo që të duket i bukur, por që të ketë, mbase,
më tepër kuptim. E, ti o mallakastrioti im, ndofta mund të vije mbi shina
lokomotivën e kësaj mbrapshtie të futur si përçarës midis motrave e vëllezërve.
Pas këtyre
fjalëve, im at', ishte në një zonë gri, të themi, se përsëriti shprehjen:
- Pesë
minuta më parë të kishe ardhur, o baxhanak!
- Epo ti nuk
e di se nga vij unë! - tha tjetri, më në fund.
- Nga, për
të mirë, o miku im?
- Nga një
shi me bubullima, por këtu paska rënë breshër... Shko lahu një herë se je akoma
i skuqur, pa flasim!
Për mua, ajo
shprehje, linte të kuptohej se edhe ai, zbriste nga rrethana të
ngjajshme. Por, im atë, vajti në çezmën e oborrit, te pragu i avllisë dhe
nga hutimi, mbase s'I vuri veshin fjalëve të tij. Porta, gjysmë e hapur,
lejonte të dukej lopa, që sikur e tërhiqte plakën, e cila plekste me shtiza,
kokulur dhe shkonte pas saj si një somnambul, ndërsa dielli qe në të perënduar.
Nga ana tjetër dëgjohej klarina e cila, tanimë, pa stonaturë, drithëronte
melodinë tronditëse dhe refreni i këngës:
Si një qyqe mbeti nëna jonë,
pranë
oxhakut si kërcure...
Nuk dallohej në qante klarina apo
klarinetisti. Se dëgjoheshin edhe rënkime përveç veglës.
Më pas do të
merrja vesh se komshiu kishte qenë një beqar i stazhonuar, por edhe një
orkestrant me emër, që parapëlqehej në dasma. Ai i binte kryq e tërthor vendit,
me klarinën e tij, që ndezte zjarr në zemrat e njerëzve... Por e ëma e moshuar,
ndonëse me mirëqenie, s’kishte me kë të këmbente dy fjalë, pranë vatrës së saj
të vetmuar... deri sa u shua...
Atë natë kishte ardhur shoqëria e orkestrantit me veglat e tyre. Luanin për të
parën herë, melodi aspak të gëzuara. Madje, tejet trishtuese:
Nëna e kapos
së klarinës kishte të dyzetat.
Tek
bisedohej për të, dëgjova tim at të thoshte:
- Qenka një
epidemi që ka përfshirë mbarë vendin.
4.
Gjithë
ç’lexuat e shkrova, pas një jave si tregim dhe ia dërgova revistës së
kohëpaskohë-shme, ku unë kisha botuar disa herë. Qe prag-pashke dhe redaktori
më propozoi ta botonte në numrin e prillit, ku do të vihej dhe një kronikë
rutinë pranë, mbi përcjelljen e kremtimeve të Ringjalljes së Krishtit.
-Zbusim
kështu dhe shpirtin e vranët e trishtues që shoqërojnë tregimin tënd, - do të
më bindte ai.
Dy ditë pas
Ringjalljes, redaktori do të më telefononte dhe do të më thoshte:
- Të vish
urgjent për tregimin! Me diçka zhuritëse do të përballesh.
Zëri i tij
s’tregonte aspak shqetësim. Përkundrazi. Kishte një ton ngazëllimi për të mos
thënë, dalldi. Pra, si mund të qe i ngutshëm? Aq më tepër përvëlues thirrja e
tij?
Gjithsesi
shkova. Edhe sepse më udhëheq gjithmonë bindja se redaktorët kanë një shqisë të
gjashtë. Diçka duhet të ketë pikasur-mendova.
- Numri i
pashkës po del shumë tërheqës, falë edhe tregimit tënd, -më deklamoi ai sapo
hyra në zyrë si në skenën e ndonjë teatri.
"SFIDA E NJË PËRKTHYESI
ADOLESHENT dhe . . . ., PRELUDI I BRAKTISJES"." - do
të...
Por unë s’e
lashë të përfundonte fjalinë:
- Po këtë...
prelud i braktisjes ç'e ke që ia paske shtuar si bisht tregimit tim?
- Mund të
jesh regjisor edhe pa pasur nevojë të kesh talentin e aktorit. Kështu është
edhe me ne redaktorët, miku im. Jo detyrimisht ai ka prirjen për të shkruar.
Por ai duhet të ketë domosdoshmërisht atë shqisën e gjashtë.
-Të nuhatjes
atje ku s’ekziston fare atmosferë? - ndërhyra unë.
- E, jo në
oqeanin ajror,-plotësoi ai. Pikërisht këtë dua të them.
- Dhe?
- Dhe...,
tema juaj, miku im, vjen në një kohë kur në botën e civilizuar, ku kërkojmë të
futemi, ndodhin drama si rezultat i braktisjes së prindërve nga fëmijët. Me
tregimin tuaj ne jo vetëm që paralajmërojmë, por edhe i paradalim rrezikut se
..., Dhe ai më dha një fletushkë nga ato, që dikur quheshin AXHANSE .
Atë çast unë u ula dhe nisa ta lexoj:
Bëhej fjalë
për një çift të moshuarish europianë, që jetonin vetminë ndonëse në mirëqenie.
Djali i tyre i vetëm, por i martuar e me dy fëmijë, djalë e vajzë; tre dhe
shtatë vjeç, u kishte telefonuar se do të vinte bashkë me vogëlushët, të
kalonin familjarisht Ringjalljen e KRISHTIT në kishë
dhe familje. Pleqtë qenë gëzuar se, më në fund, djalin i tyre me emër të mirë
në avokati, do ta kishin përkrah me nuse, me qirinj në duar e me
përkujdes ndaj tyre.Por,...
Ai nuk erdhi në kishë dhe zemra e të moshuarve pësoi një plasaritje,
ngaqë iu hoq mundësia e krenarisë përpara komshinjve, teksa do të mbanin,
herë njëri e herë tjetri, nipat, aty në krah të tyre. Gjithsesi menduan se
lëvizjet e shumta, me trafik të rënduar, i kanë këto. Dhe, të gjorët prindër, u
kthyen pak më shpejt në shtëpinë e tyre për t’i hedhur edhe një sy trapezës së
shtruar.
Ora ecte dhe
ata s’guxonin t’i preknin ushqimet dhe ëmbëlsirat e vendosura me gusto enkas
për djalin e tyre. Për nusen e bukur të tyre. Për ata nipër që s’erdhën e
s’erdhën atë natë edhe pse u gdhinë pleqtë duke i pritur të veshur mirë e bukur
si për ditën e Ringjallnes së KRISHTIT. Gjithmonë bëhej fjelë për
vitin e shkuar. Dhe ishte e disajta herë që zhgënjeheshin pas një telefonate.
Pleqtë nuk
kishin më kurajë që të përballonin një tjetër shpresëkoti se: zemra i la dhe u
thërrmua.
Prandaj
vendosën t’i japin fund jetës së tyre. Nuk kishte më kuptim asgjë.
ÇËSHTJEN: TË RROSH A TË MOS RROSH, E ZGJIDHI ÇIFTJA E PLAKUT.
Fleta e AXHANSI më
ra nga dora mbi tryezën e redaktorit:
- Dhe ti
kërkon që këtë lajm tronditës t'ia vësh si medaljon në gjoksin e tregimit tim?
- i thashë me zë të ulur si të shqiptoja diçka të ngjashme me dinamitin a
nitroglicerinën.
Ai tundi
kryet se e kuptoi që mbase ky veprim kishte, si të thuash, veti shpërthyese.
- Nuhatjen e
redaktorëve me atë shqisën e gjashtë, unë do ta rendisja në aftësinë e
...djallit, -përfundova mendimin kësaj here me zë të lartë.
Ai qeshi. Jo
sepse qe i ftohtë e i pandjenjë. Por sepse efektin e këtij informacioni, ai e
kishte përjetuar duke e lexuar disa herë përpara se të vija unë: - Shoqëria
jonë, vuri në dukje ai, - nuk ka mbërritur ende në këtë stad.
- Po,
-thashë unë-se jemi... të paktën njëqind e gjashtëdhjetë vjet më pas në
krahasim me francezët.
- Pse
njëqind e gjashtëdhjetë e jo dyqind vjet, të themi?
- Se po
flisnim për dukurinë e kësaj etape civilizimi.
Sepse, më
njëmijë e tetëqind e tridhjetë e pesën, Balzaku, shkroi romanin XHA
GORJO", në korpusin e romaneve të titulluar KOMEDIA
NJERËZORE. Tani jemi më njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesën.
Bëje vetë llogarinë. Kemi mbërritur pra: STADI "XHA
GORJO".
Redaktori i
së përjavshmes më tha, qetë - qetë:
- Edhe po,
edhe jo.
- Si ta kuptoj
këtë pohim e mohim në të njëjtën kohë?
- Sepse ...
lajmi që lexove s'ishte aspak i vërtetë.
Unë shqeva
xytë.
- Fundi i
tij ishte imagjinar, - plotësoi ai.
- Më
konkretisht - thashë unë.
Të dy
prindërit i kishte zënë gjumi nga pritja e gjatë. Dhe plaku kishte përfytyruar
fundin me çiften e tij, ndërkohë që zgjohet nga një zile e fortë. Ishte djali
që telefononte se: fluturimi ishte anuluar për shkak të një defekti të rëndë.
Plaku i shqetësuar kishte ngritur plakën, që gjithashtu flinte. Ajo u
shqetësua:
- S'prish
punë bir, edhe sikur të mos vish. Shihemi në skype, në internet.
Por jo. Të
nesërmen, një taksi e solli djalin me gruan e bukur dhe dy fëmijët si yje...
3.
Në shtator,
im at, mori vizat për të gjithë pjesëtarët e familjes.
Kësisoj,
filluam përgatitjet e lënies së Atdheut. Në një farë mënyre do të shkëputeshim,
me gjasë pa kthim edhe nga gjyshja e cila gjithashtu, diç na kishte ormisur e
mbështjellë me kujdes: qebapin, mullirin e kafesë dhe një qese të veçantë
me një grusht DHE nga KOPSHTI I saj. S'qe
vetëm nanuritës ky ças ndarës. Por edhe më prekëse ajo që do të na ribefasonte
më pas. Çfarë? Nga nënkreja ku mbështetej, nxori një FLAMURIN që
kishte moshën e viteve të saj.
- E kam
sjellë në pajë kur u martova, tha kështu dhe na e dha të palosur me
kujdes. - Dhe isha vetëm katërmbëdhjetë vjeç. Mund të ketë qenë viti i
pestë a i gjashtë, që ishim bërë shtet. Ne krenoheshim që dasma të niste me
bajrakun dhe kjo të mbetej në prikën e nuses...
Tha kështu dhe u përlot.
Na përcolli
deri te porta e jashtme.
Ne morëm
monopatin.
Përpara se
të mbërrinim në xhade, ktheva edhe një herë kryet.
Qe momenti
kur ajo tundi përfundimisht shaminë e bardhë të kokës dhe u fut brenda.
Vetëm atë
çast vura re se porta e madhe metalike ishte lyer me të zezë. Ajo u mbyll dhe
unë ndjeva se nuk do ta shihja më këtë 'mamanë time të madhe'.
Pastaj, ajo,
si të kujtohej se që kur isha i vogël më kishte kujdes mos mbetesha jashtë, e
rihapi pakëz portën. Për të më dhënë mua të drejtën të lozja edhe ca. E si për
të më thënë " Ça-maroku i nënës! Ngopu tani me lodra. Se kur të rritesh,
të presin të tjera andralla ".
O Zot!
Hapsira e çelur e portës lejonte të dukej stoli bosh në thellësi ku vajti
gjyshja I cili sa vinte e shndërrohej në përmasat e një varri mes lulesh!
Hodha sytë tek të dy prindërit. Mamaja fshihte lotët tinëzisht. Kurse pamja e
tim eti tregonte haptas hutimin e njeriut që shkon drejt një bote plotësisht të
panjohur.
Epidemia e braktisjes, na
kishte përfshirë edhe ne si gjithë kombin. Unë tanimë uroja që të mos kishim
fatin e. . . DRONTIT.
SOTIR ATHANASI,
Athinë,
Dhjetor, 2015!
Rired.:Dhjetor, 2017!