E marte, 25.03.2025, 05:31 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Në shkollën e Kurjanit

E hene, 04.12.2017, 01:20 PM


Një "orëleximi" në shkollën e Kurjanit *

(Reportazh)

Nga Përparim Hysi

Nëse vini re  me kujdes,"orëleximi" e kam futur në thonjëza se ç'është e vërteta nuk qe një orë,por gati tri orë. Miku im, shkrimtari MYSTEHAK  XHEMALI,sapo ka nxjerrë romanin e tij të katërt "Dy ELSAT", dhe ndodh risia e bukur: mbrriti sihariqi në fshatin e tij të lindjes,në KURJAN, fshat që është në varësi të Bashkisë Roskovec në rrethin e Fierit dhe, sakaq, mbrriti dhe ftesa nominale për të, që në kuadër të muajit të letërsisë, të vinte e të bënte një takim me nxënësit e shkollës ku ai ka marrë mësimet e para dhe, mandej, për të ardhur si mësues e drejtues në këtë shkollë. Mystehak Xhemali nga Kurjani ka gati 50-vjet larguar  se ka qenë emëruar si kryeinspektor i Kulturës për Rrethin e Fierit dhe nga viti 2000 është vendosur këtu, në Tiranë. Këtu, në Tiranë, me familje,por ndodh ajo çudia tjetër: me trup këtu e me shpirt drejt e  në Kurjan. Unë kam 50-vjet që njihem me të dhe këto 12-vjet që dhe unë kam ardhur në Tiranë, jemi lidhur edhe ca  më tepër. Sa herë që Mystehaku niset për Roskovec apo Kurjan, unë prapa tij. Ca shpotitëse paksa, por ke  parë ai sikur ka vendosur që të më bëjë banor të atyre anëve, por dhe mua sikur më ka pëlqyer kjo "marrëveshje e heshtur" mes nesh. Kur nisemi nga Tirana për në Roskovec, e shoh mikun tim që merr një pamje tjetër:çelet si  ata trëndafilat që kanë pritur qoftë dhe një vesë apo ca pikëla shi, që të bëhen të plotë. Kur e shoh kështu (që mend ia  merr një kënge tërë qejf), mua që nuk më rrihet pa bërë një analogji, më shkon mendja tek këngëtarja dhe aktorja e madhe gjermano- amerikane, MARLENE  DITRICH, ajo femra"fatale" që turbulloi gjakun e sa e sa burrave të dëgjuar që në  një nga ato 300 letrat që shkëmbente  me REMARKUN, shkruante:- Një valixhe e kam lënë me kapak hapur, gati për t'u nisur për në Berlin...". Kurjani për Mystehak Xhemalin është Berlini i DITRICH.

*     *      *

Qemë pak si një ekip që u nisëm nga Tirana për në Kurjan. Si gjithmonë, me ne erdhi shkrimtari dhe poeti Faslli Canaj dhe një çupë e re, EGLA  XHEMALI, mbesa e Mystehakut që bën Masterin për letërsi këtu, në Tiranë. Sa mbrritëm në qytetin e rinuar të Roskovecit ku si dëshmi e bukur na uron mirëseardhjen ajo "Bukuroshja e Strumit",vendosëm të pimë një kafeçlodhëse.  Kafen "ekipit" tonë ( ka hak  Profesor MURAT GECAJ, që një ekip të tillë e quan "makina lëvizëse".Të më fali që po ia "vjedh" atë metaforë aq të goditur)) apo"makinës tonë lëvizëse" na i jep poeti roskovecar FLAMUR ÇEPELE. Është banori më i çuditshëm i Roskovecit: nuk lë të metë pa goditur me vargje apo  me shkrime dhe, po kështu, nuk lë përparim apo ndryshim për mirë. E  njoha Flamur Çepelen përmjet një libri që më dhuroi dhe, prej asaj kohe, ngaqë është"luvgat" si puna ime dhe ngrihet heret, e ndjek në çdo shkrim të përditshëm përmjet fcb.

Ky, Flamur Çepele,  me ndershmërinë e tij proverbiale, nuk di pse më kujton një personazh të poetit e shkrimtarit të madh francez, Lui ARAGON. Aragoni tregon se aty nga viti 1922 në një provincë të Spanjës punonte një mësues aq i ndershëm, sa kish fituar dashurinë dhe admirimin e gjithë provincës. Dhe aq e  madhe ishte kjo simpati,sa,edhe nëse vinte ai mësuesi vonë, ta zëmë pas orës tetë, fshatarët thoshin:- Jo. Nuk ka ardhur vonë mësuesi, po nuk janë në rregull orët tona!!! As mos më thoni se analogjia ime është e çalë.  Flamur POETI,sado që është i ri në moshë, nuk është i punësuar kund në shtet apo ca më afër  në bashki. Ai ka një dyqan të tijin ku shet rroba. Është biznesmeni më i çuditshëm: aty tek dyqani ka një kthinë të mbushur me libra. Këtë "kthinë" e ka kthyer në një bibliotekë ku "anëtarëson" nxënës shkollash" që nga cikli i ulët dhe më tej. Ua jep librat dhe kërkon që, në kufijtë  e moshës, të vijnë e të demonstrojnë ato që kanë lexuar. Ka krijuar një"teatër amatorësh të vegjël" vetëm e vetëm për t'i bërë ata miq të librit. "Makinës sonë lëvizëse" për në Kurjan, iu shtua dhe poeti FLAMUR  ÇEPELE.

*     *     *

Lamë qytetin e Roskovecit dhe u nisëm për në Kurjan. Rrugën ke qejf që ta shohësh: jo vetëm e asfaltuar, por edhe me gjithë "aksesorët" e tjerë që kërkon një rrugë e kohës. Pa dyshim,  që merita i takon Kryebashkiakes së Roskovecit, Zonjës Majlinda Bufi, që  i ka dhënë njlë fytyrë të re krejt zonës që ka nën administrim. Dhe nuk janë pak, por gati 14-fshatra dhe asnjëri prej tyre nuk është parë me syrin e njerkës, Kur them kështu nuk flas me apriori, por shkruaj dhe them një të vërtetë. Mua më ka çuar puna që bëja, si inspektor i arsimit për rrethin e Fierit (mbuloja gjuhën e letërsinë), që në të gjitha këto fshatra t'i shkelja me këmbë. Do të isha fare i padrejtë dhe krejt nihilist, nëse do shihja me lente të zeza punën shumë të mirë të kryebashkiakes dhe ekipit mikst të saj, vetëm e vetëm pse unë jam i djathtë dhe kjo është e majtë. E kam parim: e dua të vërtetën dhe kurrë nuk e lë të përbaltet.

Tek ndiqja nga makina gjithë ato rrugë që gjarpëronin nga një lagje  tek tjetra në atë terrren aq të thyer malor, s'kisha si mos qeshja. "Makinës sonë lëvizëse" nuk i tregova ,se tërhiqja vëmendjen e "shoferit tonë" Mystehakut, por, tek shihja gjithë ato gjarpërime dhe të gjitha të asfaltuara, ja dhe arsyeja e qeshjes sime.

Unë në këtë zonë kam qenë nga viti 1996 e deri në vitin 2000. Tani vij atje pas 17-vjetësh, por ja tek po ju them një"sekret" që tani nuk e mbaj dot përbrenda. Në një nga ato vite, në fshatin Luar të Roskovecit, "kam takuar" MAO CE DUNIN! Dhe, kur them  kështu, mos kujtoni se ndonjë banor i Luarit quhej Mao Ce Dun  si ai "babai i Kinës socialiste". Por MAO CE DUNI i Kinës,sado që kish vdekur, kish bërë këmbë dhe ish ulur këmbëkryq mu në fshatin Luar që, historikisht, nga diktatura është parë si një"fshat larush" se nga Luari ka qenë ISA TOSKA që,me bëmat e tij të zeza, i ka dhënë namin e keq fshatit.

*      *    *

E di që kush e lexon, do të thotë:- Shkoi e vajti ky: e ka lënë mendja, të shkretin! Ç'janë këto"kcime Pindarike" të tij?

Jo, të dashur lexues, jam shumë i kthjellët dhe ç'shkruaj, jo vetëm e kam parë me sy, por e kam shkelur dhe me këmbë. Komisari im qe me delgacion ushtarak në Kinë. Kur erdhi prej andej, tregonte se Mao Ce DUNI kish urdhëruar që pas, ta zëmë 100km rrugë asfalt, të lihej tri-katër km rrugë me gropa dhe, mandej, prapë asflat e prapë  me gropa. Ideja e tij ishte: populli mos harroi të kaluarën.

Tani më ndiqni: ne me makinën e seksionit të arsimit po i ngjiteshim malores së Luarit që ishte e asfaltuar. Mbasi bëmë ca copë rrugë, tak dhe ramë në në një lagje ku rruga qe copë-copë; kaluam atë dhe prapë fillonte asfalti dhe pas asflatit,përsëri  rrug copë-copë. Unë u revoltova dhe, kur pyeta, ma shpejguan:- Pushtetin në komunën tonë,- tha një vendas,- e ka e djathta. Asfalti është për ato lagje që kanë votuar djathtas; ata që pe me gropa, janë të majtë dhe kryetari tha:- Këtyre,"komunistëve", t'ua shtroj kur të vij partia e tyre. Është pak "Maoce dunshe" apo jo? Epo analogjitë janë pak të gjashme, domosdo.

*     *   *

Dhe, më së fundi, arritëm tek shkolla e Kurjanit. Kishin dalë tërë personeli me në krye drejtoreshën e shkollës,Zonjën Ermira Buzi. Hymë brenda  në mjediset e shkollës dhe dukej që ishe një mjedis që binte era shkollë. Dhe ja tek u rrëfye "Babai i arsimit" të Kurjanit, 82-vjeçari,Xhemal Xhemali, që asnjëherë nuk është shkëputur nga këto veprimtari që zhvillohen në Kurjan dhe gjithandej bashkisë. Kemi qenë kolegë prej kohësh dhe, kur u përmbys diktatura, që të dy si unë dhe Xhemali aderuam në PD dhe në pushtetin e parë pluralist:unë kryetar për qendrën në Fier dhe ai kryetar komune për Kurjanin. Në këtë "valle" të re,ai  u tregua i zoti dhe unë si "disfatist" pas katër muajësh dhashë dorëheqjen e parevokueshme. Më vjen mirë kur e shoh kaq vital dhe dinamik. Si i djathtë, është si pushkë që hap zjarr për njëherë.Çuditem me Majlinda Bufin se si ia ka gjetur telat këtij  Xhemalit.Gjithmonë e vë ballas dhe dëgjon me prudencë opozicionin e tij. Tek i shoh ashtu  ballas,i them në konfidencë Xhemalit:- Të ka vënë poshtë?! Më duket se  do t'i them asaj zonjës që të thotë:- Të munda, o Solomon!  Aha,- ma kthen shpotinë me shpoti,- nuk dorëzohem unë. Jam këtu,si i djathtë dhe i tillë do vdes. Po dhe unë,ndaj e dua Xhemalin: se nuk është i njëqind flamurëve.

*     *     *

Salla ku do bëhej" ora e leximit", qe mbushur plot. Ekipi ynë që u plotësua dhe me përgjegjësin e Pallatit të Kulturës së Bashkisë,shkrimtarin Thoma Goga, zuri vend ballas dhe, pasi bëri drejtoresha njohjen, e mori fjalën moderatorja e takimit,mësuesja e letërsisë, zonja Valbona  Kamberaj. Foli autori,Mystehak Xhemali; redaktori i librit,Faslli Canaj dhe mandej edhe dy shkrimtarët e tjerë: Thoma Goga dhe Falmur Çepele. Pak më gjatë se këta, fola unë  që kam bërë dhe një ese të gjatë për "Dy Elsat" dhe jo vetëm për ato. Tek ndiqja me syrin e profesionistit këtë "orëleximi" m'u bë shpirti behar se më emcionoi jo vetëm leximi nga nxënës të ndryshëm, por mund të them,se mes tyre, kishte aktorë të ardhshëm dhe u kamë vënë  notën shumë mirë mësuesëve të letërsisë së kësaj shkollle. Nëse dy të tjerat,veç Valbonës, nuk po i lakoj me me emër, besoj se duuhet ta falin një "harraq" si unë dhe kjo ndodh vetëm për shkak të moshës. Kish qytetari ky takim me nxënësit.Kishe qejf tek ngriheshin, tek  bënin njohjen dhe, mandej, të kënaqnin me atë lexim aq shprehës dhe të dukej,se mësueset e letërsisë e duan lëndën dhe këtë dashuri e kanë ngullur tek nxënësit. Si mund të mos emocionoheshe nga ato pyetjet aq të qëlluara për autorin e këtij libri dhe  të ndonjë romani të mëparshëm. Nga përvoja ime dyzet vjeçare, pashë se me të vërtetë në Kurjan e duan librin dhe, nëse i referohemi një thënieje të Maksim Gorkit që thotë:- Sa libra lexon aq dritare hap në pallatin e mendjes. Mund të them shkrutimisht vetëm kaq:- Nxënësit e Kurjanit e kanë me shumë"dritare pallatin e mendjes",se këto "dritare" ua kanë ndërtuar "ustallarë të zotë" siç janë ato mësueset e letërsisë. Duket këtë e paskam thënë  dhe me gojë dhe një mësuese e ciklit të ulët, me të drejtë, më tha:-Edhe ne kemi kontributin tonë. Dhe kishte të drejtë.

Para se ta mbyll këtë orë leximi,për pak harrova "masterentonë",Eglën.  Me poezinë elegjiake,tëshkruar nga vet ajo, na përloti. Edhe ajo ka dalë nga kjo shkollë.Stafetë e bukur brezash. Ekipi ynë  u largua nga "kjo orëleximi" me mbresa që mua si i profesionit (natyrisht dhe ekipit) na emocionuan.

Urime personelit pedagogjik të shkollës që,si një trup i vetëm, punojnë me temp e displinë.

 

*     *    *

Gjithë trupa pedagogjike shtroi një drekë për ne si miq.  Kam qenë në shumë të tilla, por këtë që pashë në Kurjan, nuk e kam parë kund: në drekë kishte dhe nxënës. A nuk është kjo një risi e bukur që flet po për një punë të bukur e të gjithanshme?

Na përcollën me shumë kortezi dhe siç dinë të presin në Kurjan, morëm rrugën për të ikur. Tek  do dilnim nga fshati, një djalë i ri, na preu rrugën.

-Do zbrisni nga makina, se do pimë ndonjë kafe.

-Të lutem,- i fola me politesë,- por nuk na pret koha.

-Ore,- ma preu me sëpatë dardhari,- ke pyetur për Kurjanin. Kemi "adetet" tona dhe na mori zvarrë. Atje, duke rrufitur nga një kafe, na shpejgoj:- Jam  nënshetas anglez familjarisht,por unë nuk jetoj dot pa Kurjanin dhe ja kam nvestuar këtu me këtë fabrikë që përpunoj ullirin. Na erdhi mirë për këtë"anglezin" ISMET HOXHA që investon në vendin e vet,por kjo histori nuk mbaron me kaq. Sado që unë e Faslliu e kishim blerë  pjesën tonë  të vajit, ai hapi depon dhe si bujar që  është, na dhuroi secilit nga një bidon 5 litërsh.Protestuan si Flamuri dhe Thomai, se jemi vendas, por"anglezi nga Kurjani" i preu drurët shkurt:- Në Kurjan miqtë i kemi njësoj dhe nuk bëjmë dallime.

S'kisha si mos e falnderoja këtë "anglezin" ISMET HOXHA dhe i them:- Të të vejë mbarë biznesi dhe"xhepi i bujarit dhe koburja e trimit nuk turpërohen kurrë."

E mbyll këtë reportazh nga Kurjani me atë thënien me vlerë të shkrimtarit amerikan WLIAM ARTTUR WARD (1921-1994) që thotë:-Të ndiesh mirënjohje dhe të mos e shprehësh atë, është njëlloj si ta paketosh një dhuratë dhe të mos e japësh atë."

Trianë, 25 nëntor 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx