Kulturë
Poezi nga Pal Ndrecaj
E marte, 28.11.2017, 12:17 PM
PAL NDRECAJ
U lind në vitin 1960 në Moglicë të Gjakovës. Ka studiuar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka botuar këto libra: “Lule mbi Plagë”, poezi, Rilindja, Prishtinë 1993; “Akti i krijimit”, poezi, Rilindja 1995; “Lista e zezë”, roman, “Gj. N. Kazazi”, Gjakovë 2010; “Gdhendja e përmasave”, poezi, Nju Jork, 2014. Ka punuar si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe si dhe gazetar në të përditshmet kosovare “Bota sot’, “Zeri” dhe “Koha ditore. Jeton dhe vepron në Nju Jork.
DEMANT MËKATIT TË RRJEDHSHËM
Nuk di edhe sa udhë duhet bërë që të lë mbretërinë tënde
kam provuar shtigjet që bien më trup
dhe ato që shpiejnë për së largu
në jetë kështu nuk udhëtohet
thonë ata që të gjitha caqet
i kanë gjetur të gatshme si mëkatin e rrjedhshëm
prej të cilit nuk u lirua njëherë njerëzimi
Nuk pendohem pse desha të gjithat t`i provoj vetë
Ai që mblatoi baltën për ne
rrugët nuk i bëri të rrafshta
kodrat kthesat presin syrin tënd
ato nuk lojtën vetë as dje as kurrë
Më beso më i mirë është një dyshim që tmerrësisht të trazon
se besimi i dhuruar që ta fal rahatinë
që nuk ia shplon rrënjët as një fije bari!
Shprish gjithçka qoftë vetëm për ta parë njëherë
edhe dheun me të cilin je mblatuar trup e shpirt
ty vetë të takon të njohësh atë përbërje
Dhe mos çaj kokën nëse ndonjëherë lodhesh në gjysmëudhë
a nëse ndonjë hap prapa të kthen
mjaft që shtigjet janë provuar nga hapat tu
e dheu ka gjurmën e shputës sate
ashtu që tjerët që mblatohen prej tij
të jenë poashtu të gatshëm për fillime
MARTINI MË SHKRUAN PASI MBËRRIN NË ATDHE
Demarkacioni nuk ishte punë e kontestueshme
veç në Çakorr, babi!
Mate kah ta masësh
atdheu im nuk ishte tamam
ai që ndante me majat
tash kishte zbritë në rrëzë
Në vargun e tij të vlerave
dikush i paska luajtur gurët e kufirit
i kanë zbritur ku s'ishin kurrë
dhe atdheu im ish' tkurrë
atdheu që i kishte kufijtë matanë
një gur në diell
një tjetër në hanë
I kanë luajtur gurët i kanë luajtur
gurët që i kishin rrënjët thellë në zemër
njërin që ishte farë
tjetrin që ishte emër
Gurët qe merren në qafë i kanë luajtur...!
TABLLO ME ATDHEUN NË JAVËN E MADHE
Të hënën atdheu i sapoformësuar
për herë të parë me sytë e saj buzëqeshi
atdheu fytyrë e saj e gatuar nga baltë e zgjedhur...
në përngjasim të Zotit
Te martën ajo krehu flokët
ia hodhi atdheut mbi supe
pastaj u lëshoi pakëz të kuq buzëve
e mërkura lindi e puthur në të dyja faqet
Dikurë vonë
shfaqen shenjat e ndërrimit të motit
te enjtën në Moglicë bie borë
duken në male ujqit
arave studiove bie natë e ndjekjeve
ajo nxjerr dashurinë e vet
ia hedh atdheut përmbi
ai merr frynmë i strukur nën të
Të premten atdheun tonë
e çojnë për ta vënë në kryq
prej Nishi deri në Janinë
bie muzgu i vdekjes
(këtu bihet në gjunj dhe mbahet një mot heshtje)
E shtuna e varrit
natë e gjatë sa shekujt
shpejt do të kalojë
sipas profecisë së shenjtë
dhe gdhihet agimi i bardhë i së Dielës
së Pashkëve
dhe atdheu ynë ngritet nga varri
lehtë si ngritesh ti nga shtrati
një mëngjes që ende nuk të kanë prekur
dhimbjet për mua
dhe me buzët e shkrumbura
na shpërndan puthje të gjithëve
Të dielën më shumë se kurrë
atdheu të përngjan Ty
Ai është trupi dhe shpirti Yt
që më mban në jetë
POEZI PËR NJË FLUTUR DHE PËR NJË IDE
QË DIGJEN NË FUND TË FLUTURIMIT TË TYRE
Një flutur sillet rreth dritës mbi tavolinën time...
ndoshta duke besuar
se është dritë e agimit
Aq moskokëçarëse
sa më bën të frikësohem
se do të digjet
Pas pak pikërisht kjo ndodh
Pastaj s'lëvrin gjë më
heshtje
gjithcka ndalon në çast
edhe mendimet që silleshin rreth një ideje
që mundohej të bëjë një poezi
të cilën pastaj e gëlltit terri i pasigurisë
e djeg
Mbyll kështu ditën time të sotme
me këto shkrumbe
dhe shkoj të flej
Nesër do të ngushëllohem
se ishin fluturime të rastësishme
që provokojnë para kohe
dhe se është e zakonshme dëshira me u sjellë
edhe nëse ke me u djegë në fund
TEK FUNDI KUR TË MBËRRISH
Kur të mbërrish tek fundi
duhet t'u kesh ardhur në fund synimeve...
jam kundër listave të gjata pa mbarim
Tek fundi kur të mbërrish
nuk është e dobishme të klikosh
kujtesën në fillim
është vonë
s`ka kohë të ndryshosh gjë
Tek fundi kur të mbërrish
mbërri qetë e pa brenga
çka ka mbetur në gjysmë
s'ka gjysmë tjetër që e bën tamam
As mos thuaj sa shpejt
gjërat që na tejkalojnë
nuk kthehen prapa të na presin
është defekt i pranuar ky
Pranë fundit mos mbërri papritur
shko shpesh e vizitoje atë
dhe kthehu ku ke mbetur
se do e gjesh masën e duhur
të saktësisë
nuk është e pamundur
bile është mirë te bëhet ritual
do ta shohësh se bën t'u ndërrohet
vendi i gabuar i gjërave
dhe nëse i vendos mirë
do ta shohësh se fundi
nuk është doemos fundi
TORTURË
Po! Kam me u varë për fjale
për secilën që ka ku me iu vu litari
S'ashtë në rregull me mendue
se e ke të drejtën e saj
se mundesh me i dhanë shpirt
po s'qe në gjendje me ia sjellë te fyti
në mënyrën ma mizore
n'torturat e gdhendjes!