Kulturë
Bejtush Isufi: Requiem i kohërave metalike
E diele, 03.12.2017, 09:02 AM
Requiem i kohërave metalike
Nga Bejtush Isufi
A ecim ne kohëve apo kohët ecin mbi ne ?
E kisha dëgjuar për herë të parë në bankat e shkollës kur flitej për kohën gurit, kohën e hekurit, dhe kohën e bronzit dhe atë botë më kishin habitur këto emërtime..dhe kisha vazhduar të ngjitem e zbres pllajave të vendlindjes.
Një ditë duke ecur një shtegu me borë e qershi kisha harruar kohët e metalta dhe mësimet nga historia. Ecja këtij shtegu të blert kur më rrëmbeu një fluturë dhe me fali pak qiell të kaltër alpesh që të shuaj etjen e shekujve të ngrirë akullnajave...
...Dhe ende pa u shkrirë bora e qershorit nga rrezet e diellit, veriu ishte sulur kreshtave dhe lugjeve të atdheut. Ujqit dhe barinjtë vraponin pas fatit të tyre, e veriu ngrinte çdo pëllëmbë toke, ndërsa fqinjët tanë poetë mprehnin me thika penat e tyre të përgjakshme…
Që nga kjo ditë kishim shkelur në kohën e thikave dhe secila natë ishte natë e Bartolomeut…
Të gjallët u dërgonin të vdekurve të gjitha lajmet dhe u përbetoheshin në jetët e tyre se do të vdisnin edhe njëqind herë të tjera dhe do të verbonin bebëzat e tyre te syrit për një rreze drite…
Secili agim i zbardhur ishte ngrysur e secila verë ishte vyshkur duke pritur rrezet e para të diellit…
Duke pritur pranverat e vonuara për afër njëqind vjet, një tjetër kohë e keqe i zuri vendin të parës, koha e lakmisë, pangopsisë…
Këtu prej malit të shenjët vështroj bjeshkët dhe detin dhe u lutem atyre të ma thonë se ku janë ato yje që nuk flenë e na mbrojnë nga mallkimet e vjetra...
…A do të mbyllen një ditë të gjitha plagët, e ne pastaj ti raujmë vrragët e tyre si një trofe lufte…