Kulturë
Kristaq Turtulli: Apologjia e një pensionisti
E marte, 05.12.2017, 08:13 PM
KRISTAQ TURTULLI
ZHGËNJIMI
Apologjia e vërtetë e një pensionisti
(fragment i shkëputur nga novela me të njëjtin titull)
Përse më dole përsëri përpara o Reshat Meçka. Shko ore tutje, qyteti ka boll trotuare ku mund të ndalosh makinën. Më vështrove me indiferentizëm nga lart poshtë, ngrite krahun, shtrove me madhështi ato pesë qime të lyera me bojë, në gisht të shkëlqen unaza e artë me gurin e çmuar vezullues të viktimave.
Nuk të hyri asgjë gjemb në këmbë o Reshat Meçka. Kërceve si karkalec nga një magazinë në tjetrën, nga një shef kuadri në anëtar byroje. Në gërmadhën e vjetër të Naumit, tregtarit të pushkatuar ndërtove shtëpi elbasanase, me oborr të madh përpara dhe prapa. Me ndryshimin e sistemeve e ndërtove shtëpinë trekatëshe, i nxore takëmet e vjedhura të borgjezëve të dikurshëm, unazat dhe xhevahiret e fshehura dhe hape dyqanin e bizhuterive në qendër të qytetit...
Unë mbeta gdhë, ai që isha, djalosh idealist plot ëndrra dhe dëshira të pambukta, që hëngra ciflën e granatës në pritën e parë. Përballova dhimbjet e tmerrshme kur mu pre këmba me sharrë druri pa narkozë.
O Reshat Meçka, o qen i biri i qenit e kupton çfarë po ndodh me mua! Në çfarë luftë rraskapitëse jam me veten. Në ketë botë të flamosur nuk e di a ec apo zvarritem, por kaq di, që jam kokulur si dikur, kam qenë dhe mbetem i ndershëm, me merakun e përhershëm të rrëzimit të papritur, duke hequr këmbën e drunjtë zvarrë. E di ti o pusht, nuk mu ndanë asnjëherë radhët e gjata dhe, kur më mbaron pensioni marr bukë me listë, zvarritem si një breshkë e vjetër, tërheq pas vetes protezën e plasaritur dhe të drunjtë.
Ndërsa ti o Reshat Meçka nuk je njeri, por je lubi, oktapod, përbindësh, dreqi me brirë. Nuk e di, në jam naiv, i trashë nga mendja, i luajtur nga fiqiri, apo pleqëria dhe rrëgjimi i halleve më ka katandisur për ibret të zotit, në një thes të vjetër me byk e kashtë. Por përsëri ta them me bindje o Reshat Meçka që jam njeri. Ndoshta e mira e shumëvuajtura ime Anjeze e djali im Xhuvi kanë të drejtë dhe kjo kaploqja ime e shkretë nuk do të bindet, kam mbetur qytyk, me mendime të prapambetura si më parë për: liri e demokraci të vërtetë.
O Reshat Meçka me shokë që qysh në fillim tradhtuat idealin, gjakun e të rënëve, vodhët, u pasuruat brenda një nate, jeni më të keq se të këqijtë. Cilët kanë qenë dhe janë katilë dhe rezilë, ata që u munduat ti shfarosnit me zjarr e me hekur, apo jeni ju Reshat Meçka me shokë...?