Kulturë
Kadri Tarelli: Dëgjoje bilbilin
E hene, 11.12.2017, 07:35 PM
Dëgjoje bilbilin
Dëgjoje bilbilin,
Po ta bën me sy.
E la trëndafilin,
Po këndon për ty
Hidhu moj, mos prit,
Mos e merr më nge.
Zogu po u rrit,
Ze kërkon fole.
Moj llërë përveshur,
Malli e ka marrë,
Se brumi do ngjeshur,
Ugari do çarë.
Gështenj’ e paprerë,
Mos ki frik nga zjarri.
Lulen në pranverë,
e këput beqari.
Lëndin’ e pashkelur,
do kositur bari.
Shegët duhen vjelur,
i poqi behari.
Mjaltë i patretur,
Nga nektari mbledhur.
Seç më le pa fjetur,
Nëpër ëndrra hedhur.
Faqe kuqe mollë,
Me gjoksin shtrënguar,
Hidhu moj belhollë,
Se të pres në duar
Selvi, bel këputur,
Me pulpën e bardhë,
Dil moj ku je futur,
Hidhu, kapto gardhë!
Verë e pashuar,
Pse s’më le të dehem?
Mbi buzë përvluar
Tw ngulem, të prehem.
Gonxhe trëndafili,
Hiqi ato gjemba!
Unë jam bandilli,
Hapu, të hyj brenda.
-Dale djalë aman,
Mos e merr nxituar!
-Ti më bën derman,
Mëze, pa shaluar.
-Ç’do të bësh? -Më pyete,
Ç’ke që zgjon dynjanë?
-Do të marr me vete
Të shuajmë sevdanë.
Do qetuar xhani
Do t’i hedhim verë.
Verë nga zamzani,
Në qelqe përzierë.
Kadri Tarelli
Durrës më 20. Vjeshta e tretë, 2017
Shënim: Katër vargjet e para, janë marrë nga poeti beratas, Vexhi Buharaja.