Kulturë
Mercedes Gega: Diejt e dashurisë nuk njohin perëndime
E diele, 10.12.2017, 10:11 AM
Mercedes Gega
Diejt e dashurisë nuk njohin perëndime!!!
Sa bukur ta bën lidhjen stili yt
Me ato që ti zgjedh e thua!
Siç pa fjalë, por më përshkruan
Dhe imi stil, po mua!
Ajo që s'kam mjaftueshëm
Por që në fakt më shumë dua
Është koha dhe jeta ime
Por të të dhuroj,një çast, sot dua!
Nga ana tjetër ta kam borxh, e di?
Ty që përherë nga e jotja kohë veçon
Dhe që zvarritshëm, kujdesesh, mes përpjekjesh
të gjesh se cili është shtegu, i cili,
Në malin e vizionit tim të çon.
Të doje thjesht rrugën
E cila, më priu të ngjitem,
Pa merak!
Por ti nuk po kërkoje të vërtetën
Ti thjesht s'po gjeje dot një mënyrë
Se si të më zbukuroje sa më hijshëm...
Me Baltë!
Ndaj, i dashuri im, sot po ta them
pasi nuk është as sekret
Shtegu për tek vizioni im është:
"Punë... durim dhe talent!"
Ndaj të lutem mos u rropat me shira vjeshtuk fjalësh
Të vyshkësh buzëqeshjen time
Se diejt që lindin nga dashuria
I dashur,
Nuk mund të njohin perëndime!!!
Serenatë hëne
Ti nuk harrove, si dhe çdo natë
Të vije në dritaren time
Të më këndoje serenatën
Që di veç ti, unë edhe yjet!
Vërtet s'e di se si ia bën
Si ia arrin, jo nuk e di
Aty ku dhe vetes i fshihem,
Aty aq bukur vjen futesh ti!
Dhe ndez ti drita e ndez hare
E hapëlehtë nis e vallëzon
Më sheh në sy tek më afrohesh
Ahhh... atë vështrim veç unë njoh!
Dhe në një çast unë kam gjithçka
Besomëni ç'ka ju rrëfej
Kush njohu dritën e këtij gëzimi
E di shumë mirë se nuk gënjej!
Emri im është: "Femër"!
Unë jam një femër
Po, po unë jam
Kam ndjenja, zemër,
Si ty dhe unë jam.
Po pra, unë jam femër
Dhe gëzoj një emër
Ndaj as mos provo
Të më quash "ajo"!!!
Sepse ish' një "ajo"
Që ti e quan sot,
E cila mund pas mundi
Të solli në këtë botë!
E pra, unë jam si ty
Padyshim që po
Njëlloj po aq e vlefshme
Në çdo vend e çdo kohë!
Unë jam një femër
një motër, një bijë
Një shoqe, një nënë
Por mbi të gjitha Njeri!
Po, po Njeri
Njeri si ti
Me ëndrra, dëshira
Dhe shumë aftësi...
Si ti që mendon
Se kjo botë të takon
Por që, në fakt, i vetëm
As vdes...as jeton.
Ne jemi njëlloj
Në të ndryshmen tonën
Nevojë për ty kam
Siç ke dhe s'e pranon!
Ndaj tënden mos quaj
Gjithçka në këtë botë
Ne erdhëm sa të ndryshëm
Po aq dhe të njëllojtë!
Mjafton...
Vetëm një e jotja kërcitje hapash
Nga e jotja frymëmarrje, një psherëtimë
Që dhe në më të thellin qiell monotonie
Të shpërthejnë ylbere mijëra ndjesish!!!