E merkure, 19.03.2025, 01:17 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Jeta e dyzuar e një prozatori

E enjte, 28.09.2017, 07:25 PM


JETA E DYZUAR E NJË PROZATORI

Rreth dy vëllimeve me tregime të shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia "BRENGA PËR SHTËPINË TIME" dhe "OH, SA SHUMË PO VUAJ!

Ese nga Përparim Hysi

Duke e filluar këtë "ese" me një parabolë të largët, them që kam qëlluar në shenjë.

GAVRIL DARA i Ri në një nga këngët tek "Kënga e Sprasme e Balës", kur përshkruan Pal Golemin, këndon kështu:

"As nga pendët e zhgabonjës,

As nga kumbur' e argjendë,

Por nga vetullat e trasha

Dhe nga sytë e zgurdulluar

Pal Golemin u e njoha..."

Dhe unë po e shkruaj këtë "ese",për shkrimtarin PIERRE- PANDELI SIMSIA, jo se është nga qyteti i një mbi një dritareve (Berati) dhe as pse ky autor di përmendësh mbi njëmijë tekste këngësh, por do shkruaj për tregimet e tij që, nën vlerësimin tim, disa syresh janë për t'u vendosur dhe në antologji.

Pra, uralidhëse e njohjes sime me të, është pikërisht krijimtaria e tij letrare ku, veçanërisht, në prozë ai jo vetëm ka zërin e vet, por dhe vlerën e vetë.

* * *

Duke e nominuar esenë me një titull të tillë, pak simbolik, dua që t' u them të gjithë atyre që nuk e njohin, se ky autor, sado me origjinë është nga Berati, ka njëzet vjet që jeton familjarisht në SHBA ku, prej kohësh, është bërë qytetar amerikan dhe, siç kam vënë re, dhe siç lexoj tregimet e tij, bën një jetë të dyzuar.

Aq e vërtetë është kjo që shkruaj, sa më duket, pa ndonjë mistifikim, ndodh ai fenomeni i çuditshëm: shkrimtari Simsia është me trup në NEW JORK dhe me shpirt në Shqipëri.

Nuk është se ka bërë ndonjë shkollë për shkrimtar, por pasionant për letërsinë, kulturën dhe artin, siç duket, i hanë duart dhe, pse ndodh kështu, ai zë e tregon.

Pierre-Pandeli Simsia është prozator i mirë dhe çdo lexues as që ka vështirësi për ta lexuar.

Përkundrazi: lexuesi, tek lexon, jo vetëm ndihet mirë, por i duket, se për ato çaste që është mbi shkrimet e këtij autori, duket se është si në shtëpinë e vetë dhe pa dyshim që mallngjehet. Se proza e Pierre Simsisë është jo vetëm tërheqëse, por gati bëhet si një "send" që e kap me dorë.

* * *

Me shkrimtarin Simsia dhe zonjën e tij u takuam këto ditët e fundit tek Bar "Migena", përbri 15-katshit në Tiranë dhe, veç kafesë, shkëmbyem dhe librat me të.

Më dhuroi dy librat e tij botime të kohëve të fundit dhe që të dy këto libra me tregime.

Sa vura re, pasi i lexova, autori lëvron prozën e shkurtër dhe, sa e njoh unë, Simsia lëvron edhe prozën e gjatë: romanin.

Tek këto dy vëllime me tregime:" Brenga në shtëpinë time" dhe "Oh,sa shumë po vuaj!", të duket se autori në dy të tretat e tregimeve jeton dhe përjeton me ngjarje nga Shqipëria.

20-vjet larg Shqipërisë nuk janë pak, po, kur shfleton tregimet njëri pas tjetrit, të duket se ai për çdo çast është në Shqipëri dhe njeh në"imtësi" problemet sociale.

Parë me këtë sy, më vjen ndërmend shkrimtari i madh francez (i vetmi në botë që i nxori gjuhën çmimit Nobel), ZHAN POL SARTËR që thotë: "Shkrimtarët me veprat e tyre shpirtëzojnë botën".

Dhe vërtet kështu ka ndodhur me shkrimtarin PIERRE SIMSIA: i ka sjell hallet e Shqipërisë si në pëllëmbë të dorës. Të duket që është aty, pas derës, dhe jo vetëm vrojton, por shkon dhe më tej: jep mesazhe të badha.

* * *

Lexon tregimin: "Oh, sa shumë po vuaj" dhe çuditesh që autori është aq afër asaj "plage që dhëmb" siç është problemi i drogës, sa të duket që klithma të bie mu mbi veshë e të sëmbon. Ose sa prekës është tregimi"Kafeja për babain".

Autori duke e trajtuar"kafenë" si "Mollën e ndaluar" të Migjenit, tregon se i zbrazët qe tregu shqiptar në kohën kur, sapo u hapën kufijtë.

Kur i shoh tregimet me një sykritik, bindem se për ç'shkruan, sikur u takon të gjithëve.

Lexon tregimin "Brenga për shtëpinë time" dhe më duket sikur jam për një çast në një nga senkuencat e TV-Klanit dhe pikërisht në emisionin "Shihem në gjyq".

Ndodh që bëhesh i huaj në shtëpinë tënde për shkaqe nga më të ndryshme.

Sa qytetarë shqiptarë i kanë humbur me plangë e shtëpi dhe, sa pikë fiton tregimi, duke hequr korën e një plage që jo vetëm dhemb, por rri e hapur në dhjetra e dhjetra familje shqiptare,

Nuk kam si mos veçoj dhe pretendoj, në kufijtë e vlerësimit tim, natyrisht, që tregimi"Vëllezërit" është më antologjiku.

Kur them kështu, jam krejt afër realitetit.

Nuk janë të paktë rastet e vrasjeve brenda familjes për pronën. Vrasje deri biblike: kur Kajni vrau Abelin. Kurse autori vjen dhe na bie një model të papërsësritshëm, të bukur dhe me efekte shumë domethënëse.

Nëse kritika letrare në Shqipëri nuk do kishte vdekur, por do ishte gjallë, tregimin "Vëllezërit" të PIERRE-PANDELI SIMSISË do ta kthenin në leksion për gjithë studentët e psikologjisë, por dhe të juridikut. "Çelësat" që vëllai i madh u jep vëllezërve dhe motrës, janë simbole të një trashëgimie të vjetër brezash, simbole që, bashkë me polarizimin e shoqërisë, po vdesin.

Duke shkruar një tregim të tillë, autori Simsia, -them unë, - ka arritur atë që thotë DENIS DIDERO: "Nuk mjafton që të bësh diçka të mirë, por duhet ta bësh mirë".

Mendoj se duke lexuar tregimet e Shkrimtarit SIMSIA ndodh ajo që thonë për letërsinë (të mirën, domosdo dhe këtu fut dhe shkrimet e tij), që"stimulon trurin dhe ndryshon sjelljen."

Duke iu referuar kësaj thënies së fundit, jam i bindur se cilido lexues që ka fatin të lexojë tregimet e SIMSISË, ka për të përftuar shumë.

Të lexoj "tregimin "Vëllezërit" dhe nuk do ngrejë dorën të vrasë për pronën, po do bëhet krejt njeri tjetër.

* * *

Kur i shoh që dy të tretat e tregimeve të Simsisë janë me ngjarje nga Shqipëria, shtroj pyetjen: - Përse ndodh kështu me të, kur vetëm pak tregime flasin për jetën në Amerikë? Menjëherë më vjen ndërmend ilimunisti i madh francez Volteri që thotë: "Vendlindja është vendi ku robtohet shpirti".

Tek i mbyll këto përshtypje të mia për tregimet e shkrimtarit PIERRE- PANDELI SIMSIA, s'kam si mos vë re diçka që me kohë e ka thënë komopzitori i madh rus: Çajkovski. "Keqardhje për të kaluarën, shpresa e bardhë për të ardhmen dhe asnjëherë i kënaqur me të tashmen".

I takon kjo mbyllje këtij shkrimtari që gjysmën e shpirtit e ka tek muzika dhe kënga.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx