E hene, 09.12.2024, 01:36 PM (GMT)

Kulturë

Viron Kona: Gjashtë profesorë

E diele, 24.09.2017, 10:43 AM


Viron Kona, një fotografi me aktoren që luan

rolin e Pipi Çorapegjatës, Vimmerby, Suedi,

Maj 2011

 

Gjashtë profesorë

 

Një tufë me epigrame nga Viron Kona

 

Mirënjohje

Farat e lulediellit ndodh që i merr era,

në fusha, në brigje, në lëndina i çon,

pavarësisht si rriten dhe si zhvillohen,

ato diellin nderojnë sa lind e perëndon...

 

Për të dalë i pari

Nuk është gjë e keq se do që të dalë i pari

njeriu që meriton dhe shoqërinë ndihmon.

Keq është kur, për të dalë doemos i pari,

i shtyp të tjerët, i godet dhe i shkatërron!

 

Gjashtë profesorë

Gjashtë profesorë, të gjashtë të nderuar,

kryetar duhej njëri, doemos  duhej votuar,

shpejt hodhën votat, vetëm nga një fituan,

të gjashtë profesorët, vetveten votuan.

 

U përsërit votimi, prapë morën nga një,

demokratë të thekur me figurë e me zë,

sa herë provonin, sa herë numëronin,

të gjashtë profesorët, vetveten votonin.

 

Egërsia e luftërave

Njeriu zbuti kafshët dhe shpendët me radhë,

zbuti bimët e, deri te peshqit e bletët1)shkoi,

ngaqë iu përkushtua shumë zbutjes së tyre,

pa zbutur veten e vetë harroi...

 

Ata që s`po durojnë dot të më kundërshtojnë,

egërsinë e luftërave mes njerëzve të kujtojnë!

 

1). Bleta është i vetmi insekt i zbutur nga njeriu

 

 

Gjuetari mburravec

 

Mburrjet më s`ti dëgjuam,

kur në shteg u shfaq ariu,

s`u bëre dot as lepur,

çiftja në dorë të ngriu.

 

Ariu t`kaloi pranë,

të pa me qesëndi,

siç ishe katandisur,

s`trembje as një mi.

 

Nga “trimëria” të mbeti,

një e vërtetë e madhe:

ariu prej teje ia mbathi,

por nga era që mbaje...

 

Miu i gjirizeve

(Kushtuar atyre që fyejnë e shajnë pa të drejtë, duke u fshehur prapa emrave anonim)

Mbete i  fshehur gjirizeve dhe ferrave,

herë-herë del dhe si nepërka kafshon,

i ngjason dhe qenit që pas gardhit leh,

kur kalimtari në hallin e tij shkon...

 

Nëse ke pakëz ndershmëri e kurajë,

hiqe maskën të të njohim se cili je,

por, po s`guxove të dalësh në dritë,

meriton t`thërresim:“miu i gjirizeve”.

 

Peshku pilot1)

Shkon pas peshkaqenit,

e ka bërë zakon,

po qe se largohet,

mbetet pa racion.

 

Për fat, peshkaqeni,

e do dhe  e mbron,

se  “argati” i vogël,

trupin i pastron...

 

1).Peshku pilot, është një  peshk i vogël që noton gjithnjë pranë peshkaqenit. Ai ushqehet nga mbeturinat që lë peshkaqeni, por dhe i pastron trupin nga parazitët që peshkaqeni vetë nuk mund t`i largojë. Quhet “peshk pilot”, por në të vërtetë ai shkon pas peshkaqenit dhe jo peshkaqeni pas tij.

 

Njeri, je, apo s`je?

Hiqesh filozof,

hiqesh shkencëtar,

hiqesh udhëheqës,

hiqesh dijetar...!

 

Këto vlera të mëdha,

ta zëmë se i ke,

një gjë s`po na thua:

njeri, je, apo s`je?

 

--------------

Diploma e kryetarit

 

Cikël me epigrame nga Viron Kona

 

Trim

Trim je kur bën atë që duhet,

më trim, kur s`bën atë që s`duhet!

 

E sigurt do presësh gjatë....

Mos prit më, por nise punën,

shtëpinë tënde bëje vetë,

gurë mbi gurë e tullë mbi tullë,

mund të bësh pallat për mbret.

 

Po prite ta bëjnë të tjerët,

të flesh gjumë ditë e natë,

e sigurt që keq do mbetesh,

për shtëpi do presësh gjatë....

 

Fjala dhe vepra

Thesi është fjala,

brenda është vepra...!

 

Delikate

 

Miqësia është si zjarri,

hidhi dru, mbaje ndezur,

një çast po e le pas dore,

hi në vatër ka për të mbetur!

 

Një kovë

Deti s`mbushet dot me kovë,

këtë e di çdo njeri,

por me kovë ujiten lulet,

këtë mund ta bësh dhe ti.

 

Nuk e gjen në çdo udhëkryq

Shokun mbaje mos e lësho,

për një fjalë mos e largo,

se një shokë apo një mik,

nuk e gjen në çdo udhëkryq.

 

Zagar

Dje t`përdorën si zagar,

që t`u sillje gjahun në shteg.

Mos “padashur” atë zakon,

e vazhdon dhe sot në jetë!?

 

Më shumë te vetja ta kërkosh!

Miqtë druajnë të ta thonë të vërtetën,

armiqve s`u beson,

e vërteta është këtu, atje,

mes nesh, tek ai, tek ajo...

 

Kujdes, s`duhet të  harrosh,

më shumë te vetja ta kërkosh!

 

Servilët

Si qen të uritur që i zë vapa,

bredhin gjuhë jashtë e s`gjejnë vend,

nëpër sokakë apo rrugica t`shtrembra,

gjejnë e lëpijnë ndonjë kockë me lëng.

 

Dobësitë

-Pse më godite ?

Ti ndonëse  s`meritoje,

unë të ndihmova, të ngjiteshe lart...!

 

-E po,

meqenëse m`i njohe dobësitë,

thashë  të bëja ty të parin kurban...!

 

Kur nisi beteja

Kur nisi beteja,

nga shkove, ku u fute?

Kurse në festën e fitores,

erdhe plot e përplot i ngarkuar,

me tituj nderi dhe dekorata lufte!

 

Diploma  e kryetarit

Një lyps i mjerë në një kazan mbeturinash gjeti,

një karton të lerosur nga shirat dhe baltërat,

ishte diploma e humbur e kryetarit të qytetit,

dhjetave u kishte dalë boja, kishin mbetur katrat.

 

E shihte diplomën me habi lypsari,

dhe vështrimi i tretej diku larg,

eh, sikur katra edhe ai t`kishte marrë!

Do t`i ndryshonte, do t`i falsifikonte,

dhe, tani, mund të ishte ai kryetar!

 

Pendimi i vonë

Sa do të doja që dy prindërve,

t`mos ua thyeja zemrën kurrë,

por ç`e do se koha s`kthehet,

pendimi s`më bënë më punë!

 

Për një fjalë e për një thumb

Një fjalë unë e një fjalë ti,

gërvishtemi nga pak të dy,

Një thumb unë e një thumb ti,

e tronditim këtë miqësi!

 

Më tej vijnë fyerjet lumë,

ulërima, grindje, sharje,

kush je ti e kush jam unë,

ngrihen “armët” për hakmarrje!

 

Kjo miqësia  mori fund,

për një fjalë e për një thumb!

--------------

Tri vjersha nga Viron Kona

Në respekt dhe nderim të prindërve

 

Rrobaqepësi

(Kushtuar babait tim rrobaqepës Toli Kona, të njohur në Vlorë me emrin “Usta Toli”(1898-1977)

 

Të përqendruar familjarisht te Sanremo,1)

që ishte  i ndaluar, s`lejohej ta shikonim,

babai shihte me vëmendje dhe me ngulm,

spikerët italianë që festivalin prezantonin.

 

Shihte Pippo Baudon dhe s`ia ndante sytë2),

kostumin dopjopetë që pas trupit i shkonte,

pastaj vështrimi i tim ati rrëshqiti tek unë,

për kostumin shik diçka nisi t`më thoshte:

 

“Ç`kostum i shkëlqyer, ç`prerje, ç`qepje!

me jakë të hapur, i ri i derdhur në trup,

i lumshin duart rrobaqepësit italian,

zanatçi  i mbaruar për t`u pirë në kupë!

 

Bukur dhe mëngët e kthyera me butona,

kravata flakëruese dhe jeleku ngjyrë gri,

xhaketa me klasë dhe me dopjo kopsa,

shamia, në xhepin e zemrës, i jep hijeshi. 3)

 

E shikon, or bir, veshja e njeriut është art,

rrobaqepësi i vërtetë nuk qep por pikturon,

nuk besoj se po bëj ndonjë gabim apo faj,

kur  lëvdoj zanatçiun që e kemi gjitonë!?

 

 

 

 

1)Sanremo, bëhet fjalë për Festivalin e Sanremos. Në vitet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk lejohej të shihej TV Italian, ashtu si dhe televizione të tjera perëndimore. Megjithatë, në Shqipëri dhe, veçanërisht në Vlorë, festivali ndiqej nga populli në forma dhe mënyra të ndryshme klandestine. Improvizoheshin sidomos antena të tipit “kanoçe”...

Sanremo,(San Remo) është qytet në Italinë  Veriore, i famshëm për lulet, por edhe port peshkimi...Në Sanremo zhvillohet festivali i njohur i këngës italiane“Festivali i Sanremos” ku konkurrojnë këngëtarë nga  më të njohurit e Italisë..

2).Pippo Baudo, moderator historik, ikonë e TV Italian (lindi 1936).Që nga viti 1968 prezantues i famshëm i Festivalit të Sanremos, por ai ka drejtuar edhe një numër të madh spektaklesh të suksesshme mes të cilave edhe “Domenica In”. Ka ardhur dy herë në Shqipëri i ftuar në koncerte nga këngëtari, kantautori, producenti dhe prezantuesi i suksesshëm Ardit Gjebrea. Pippo Baudo u befasua kur pa se sa shumë i njohur ishte  në Shqipëri...

3). Shamia e xhepit është një copë pluhur, e cila futet në xhepin e zemrës së xhaketës dhe i jep pamjes së mashkullit më shumë klasë dhe elegancë,ajo nuk del kurrë nga moda.

 

 

 

 

 

Kostumi i bariut

 

 

Disa ditë babai punoi me kostumin e bariut,

kishte merak që puna t`i dilte pa të metë,

prerja, qepja, jaka, beli, pullat dhe penjtë,

s`e prishte kurrë dorën, donte t`flinte i qetë.

 

“Aman, usta Toli! - i tha një mik i shtëpisë,

po ia qep sikur Llazi do t`punoj në qeveri`,

ai gjithmonë me dhenë e me dhi do të jetë,

sido që t`ia presësh e qepësh kostumin ti!”

 

Babai shkëputi vështrimin nga kostumi,

dhe iu kthye mikut me qortim në sy:

“Po të flet gjuha para mendjes, o Miti,

te puna e çdo ustai është dhe emri i tij.

 

Për mua çdo klient është i nderuar,

nuk bëj dallim në është bari a zotëri.

Bariu përgjigjet për dhenë e për dhi,

për kostumin unë, rrobaqepësi i tij!”

 

 

 

 

Everesti dhe ti

 

Kur e shikon Everestin nga larg,

madhështor që lartësohet te retë,

thua se lehtë  mund t`i ngjitesh,

mjafton pak dëshirë dhe vullnet.

 

Mendon kështu se nga largësia,

s`ia ndjen stuhitë dhe erërat,

syri t`i rrafshon shkëmbinjtë,

t`i zhdukë rrëpirat, humnerat.

 

Mendon se s`do t`ndjesh lodhje,

se i ftohti s`do t`jetë aq i madh,

lartësive do t`u ngjitesh me qejf,

si një marshim argëtues në mal.

 

Mendon se edhe kur të lodhesh,

do pushosh  dhe do freskohesh,

po të vijë ndonjë stuhi dëbore,

brenda çadrës do të mbrohesh.

 

Mendon se kur ajri t`rrallohet,

maskë oksigjeni do përdorësh,

por dhe pak fërkim e aspirinë,

kur të kapin dhembjet e kokës...

 

Ca si lehtë po e merr këtë punë,

të nevojitet informacion shtesë,

se si mund të ngjitesh në Everest,

Edmund Hillarin dhe Norgein pyet. 1).

 

 

1).Edmund Hillary(neozelandez) dhe Tenzing Norgay (nepalez), dy njerëzit e parë që më 29 maj të vitit 1953 iu ngjitën majës Everest (Xhomolungma) e cila shënon majën më të lartë të tokës, mbi nivelin e detit 8.848 metra

---------------

Shkruan Viron Kona

 

Poezia ime për Sadulla Zendeli-Dajën

 

 

Dajë Gostivari, po vjen! 1)

 

  njohim Dajë për veprat e çmuara,

për hapjen e t`parës shkollë shqipe n`Suedi,2)

për fjalët e mençura e të frymëzuara,

për zemrën e bardhë, për qenien NJERI.

 

Me emrin “Dajë” të thërret Skandinavia,

“Dajë”, të thërret Shqipëria dhe Kosova,

të thërret “Dajë”, Kukësi, 3) Gostivari,

Nybroja, Kalmari, Ëlandi, Emmaboda...4)

 

  njohim, Dajë si luftëtar të lirisë,

të njohim si prozatorë dhe poet të rrallë,

të njohim n`krye t`shoqatave shqipe t`Suedisë,

të njohim nga “SHQIPONJA” në ujdhesën Ëland. 5)

 

Ke shpirt e zemër  të pastër e qiellore,

je det i kulluar që thellësitë i tregon,

pasuron pareshtur veprën madhore,

si pylli që në heshtje rritet e bleron.

 

Çiltërsi, sinqeritet na ke dhuruar përherë,

si një letër pa zarf shpirtin na e ke falur,

mikpritjes arbërore i ke dhënë më shumë  vlerë,

derën e  zemrës  tënde e gjejmë gjithnjë hapur.

 

Jeta jote  Dajë është një muze` në natyrë,

i vizituar nga kushdo, brenda s`ka sekrete,

je kapiten që shpalos velat për lundrim,

sapo nisin erërat dhe stuhitë në dete.

 

Një nga një i mbledhë fjalët si mjeshtri gurët,

kuptimet dhe prejardhjen bukur i  shpjegon,

fjalorët shumëgjuhësh me durim i përgatit,

ashtu si ndërtuesi radhë pallatesh lartëson.

 

Vjen në Shqipëri - bir i djegur nga malli,

folenë si dallëndyshja kurrë s`e ndërrove,

një herë që s`na erdhe në panairin e librit,6)

ta dish miku ynë, shumë na mungove.

 

Padrejtësia nuk ka vend tek ty, o Dajë,

e ke zbuar siç dielli zbon natën e zezë,

veç dritë përhap dhe për drejtësi punon,

n`rrugën e miqësisë shëmti` të mos ketë.

 

Je emër i nderuar në trojet shqiptare,

në mërgatë, n`Suedi, n`Shqipëri e Kosovë,

Gostivari të shpalli, “Qytetar Nderi”,7)

krenohet me ty vendlindja Sërmnovë.

 

Krenohemi me ty, Daja ynë dijetar,

krenohen shqiptarë-suedezë e të tjerë,

ndjejmë gëzim sa marrim vesh lajmin:

Po vjen Daja! Dajë Gostivari, po vjen!

 

*****

1).Daja:Sadulla Zendeli-Daja, ka lindur më 3 qershor 1935 në Sërmnovë, Gostivar. Për shkak të represionit serb, në vitin 1966 mërgoi në Suedi ku banon familjarisht. Është leksikograf i njohur. Ka botuar disa fjalorë shqip-suedisht, suedisht-shqip, fjalor katër gjuhësh(me bashkautor), ka përgatitur tekste të gramatikës shqipe, është përkthyes, por ka shkruar edhe shumë vëllime  me poezi dhe prozë. Ai është veprimtar i shquar atdhetar, si dhe kryetar i unionit të shoqatave shqiptare në Suedi.

2).Sadulla Zendeli-Daja është shqiptari që ka hapur shkollën e parë shqipe në qytetin Nybro të Suedisë, në 5 mars të vitit 1975.

3).Radio “Kukësi” është ngritur më 16 tetor të vitit 1959 me qëllim informimin e zonës, por edhe që të dëgjohej nga shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Atëherë në Maqedoni ndalohej të dëgjohej radioja shqiptare. Shumë shqiptarë mes tyre edhe Sadulla Zendeli, e dëgjonin radion fshehurazi. Në biseda me njëri-tjetrin, që të mos kuptohej që flisnin për radio “Kukësin”, ata e thërrisnin atë mes tyre me emrin “Dajë”. Që atëherë Sadulla Zendelit, i mbeti emri Dajë (Sadulla Zendeli-Daja).Dajë i thërresin edhe në Suedi.

4).Nybro, Kalmar, Emmaboda, janë qytete suedeze ku Sadulla Zendeli-Daja hapi shkollat shqipe dhe ku punoi mësues i gjuhës shqipe për 27 vjet me radhë.

5).Ujdhesa Oland (Ëland), është ujdhesa ku Sadulla Zendeli-Daja banon familjarisht. Ai, që kur shkoi atje, hapi një restorant dhe në ballë të tij vuri flamurin e Shqipërisë. Restorantit i vuri emrin “Shqiponja”. Kur Kosova fitoi pavarësinë, në anën tjetër të hyrjes së restorantit u shtua edhe flamuri i Kosovës.

6). Nga 18 panaire libri që janë zhvilluar në Tiranë, Sadulla Zendeli-Daja, ka ardhur posaçërisht nga Suedia për të marrë pjesë në 17 prej tyre. Ai ka munguar vetëm një herë, kur ka kryer një operacion të zemrës në Suedi, ku ai  banon familjarisht prej 52 vjetësh.

7).Në vitin 2015, komuna e Gostivarit e shpalli Sadulla Zendeli-Dajën “Qytetar Nderi” dhe i dorëzoi simbolikisht çelësat e qytetit. S. Z. Daja ka edhe shumë dekorata, mirënjohje dhe vlerësime të tjera.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora