E diele, 28.04.2024, 08:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Instrumente që drejtojnë botën

E diele, 24.09.2017, 11:22 AM


IDETË JANË INSTRUMENTE QË E DREJTOJNË BOTËN

(Zekerija Idrizi, Në botën e artit, Amanda Edit Verlag, Bukuresht 2017)

Nga Baki Ymeri

Të rrallë janë teologët shqiptarë që posedojnë fuqinë e mendimit pozitiv, që shkruajnë pa dorëza dhe me një sinqeritet që u ka hije. Zekerija Idrizi josh publikun shqiptar përmes sinqeritetit, përmes komunikimit me lexuesit, përmes shpirtit të hapur dhe një biografie të begatshme. Këtë e dëshmon edhe libri i tij më i ri me titull “Në botën e artit”. Në libër shpërthen respekti i teologut krijues ndaj botës magjike të artit, ndaj poetëve, ndaj romansierëve, ndaj krijuesve në përgjithësi, ndaj teatrit dhe aktorëve, ndaj manifestimeve kulturore të diasporës sonë në Gjermani e gjetiu.

Përmes veprave të botuara, autori krijon miqësi, komunikon dhe vepron për fisnikërimin e shpirtit dhe shndërrimin e shqiptarit në një lumturi të prekur nga flatrat e engjëllit. Ajo që impresionon te ky krijues i ri, është njohja e përsosur e gjuhës amtare, sidomos të asaj letrare/drejtshkrimore, shkencore e fetare. Historia për të është libri i shenjtë i popujve, libri më i rëndësishëm dhe më i nevojshëm, pasqyra e jetës dhe testamenti i stërgjyshërve për pasardhësit e tyre, një monument që e shndrit aktualitetin dhe përbën një shembull për ardhmëri.
            Autorin e gjejmë si në kopertinë para rafteve me libra ashtu edhe në çdo faqe të librit të tij. Bota e librit përbën një mrekulli të veçantë për ta kuptuar shpirtin e njeriut dhe botën e artit. Libri është një mjet i fuqishëm i komunikimit, instrument i punës dhe luftës për jetë. Leximi e bën mendimin më të thellë, impulsionon hulumtimin dhe analizën e fenomeneve. Autori komunikon në mënyrë direkte me disa nga personazhet e kësaj vepre të rrallë, ndërsa sinqeriteti është gjëja e parë për një korrespondencë të pasur. Në shumë raste autori edhe zhvillon një monolog të fuqishëm imagjinativ, me shumë ndjenja dhe me sens të një krijuesi brilant. Në këtë kontekst, vlen të themi se misioni elementar i kësaj vepre është afirmimi i disa emrave të njohur në botën e artit dhe zgjerimi i miqësisë letrare.

Idetë janë “instrumente” që e drejtojnë botën. Zekerija Idrizit nuk i mungojnë idetë, frymëzimet, meditimet. Mendimet e mira janë fryt i një meditimi të bekuar nga dhuntia e Zotit, duke ushtruar ndjesinë dhe vullnetin, që do të konkretizohen në vepra pozitive dhe konstruktive. Po i rikthehemi përsëri librit dhe rëndësisë së tij! Libri i z. Idrizi transformon botën pozitivisht me botëshikimet e tij mbi artin dhe letërsinë, duke i dhuruar asaj sharmin më magjik. Në të fshihet historia e kombit, e njerëzimit dhe memorja/kujtesa e mendimit njerëzor për artin, kulturën dhe letërsinë. Çka bën ky autor i shumë librave në botën magjike të artit?

Duke lexuar, Zekirja Idrizi din të nxjerrë nga germat e vdekura një mendim të gjallë, forcën e gjallë të mendimit pozitiv. Prezenca e tij, më saktë e botëshikimeve të tij, jo vetëm në faqet e këtij libri por edhe në faqet e rrjetit internetik rrezaton edukatë, dinjitet dhe karakter, madje, mbi të gjitha, dhe inteligjencë të rrallë. Karakteri perfeksionon shijen, zgjeron shpirtin, lartëson mendimin, fisnikëron ndjeshmërinë dhe lartëson sentimentin e dinjitetit.
Autori i kësaj vepre përparon me entuziazmin dhe dëshirën për të na dhuruar vlera të reja letrare, mendimtare dhe teologjike. Origjinaliteti i kësaj vepre qëndron në seleksionimin e shembujve pozitivë, të fakteve dhe personazheve që na i prezanton (Sami Sherifi, Lumturi Plaku, Bilall Maliqi etj.). Përfundimisht, libri "Në botën e artit" flet më së miri për personalitetin shumëdimensional, respektivisht, për figurën poliedrike të teologut dhe shkrimtarit Zekerija Idrizi.




(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora