| E diele, 24.09.2017, 11:22 AM |
IDETË JANË INSTRUMENTE QË E DREJTOJNË BOTËN
(Zekerija Idrizi, Në botën e artit, Amanda Edit Verlag, Bukuresht 2017)
Nga Baki Ymeri
Të rrallë janë teologët shqiptarë që posedojnë fuqinë e mendimit pozitiv, që shkruajnë pa dorëza dhe me një sinqeritet që u ka hije. Zekerija Idrizi josh publikun shqiptar përmes sinqeritetit, përmes komunikimit me lexuesit, përmes shpirtit të hapur dhe një biografie të begatshme. Këtë e dëshmon edhe libri i tij më i ri me titull “Në botën e artit”. Në libër shpërthen respekti i teologut krijues ndaj botës magjike të artit, ndaj poetëve, ndaj romansierëve, ndaj krijuesve në përgjithësi, ndaj teatrit dhe aktorëve, ndaj manifestimeve kulturore të diasporës sonë në Gjermani e gjetiu.
Përmes
veprave të botuara, autori krijon miqësi, komunikon dhe vepron për fisnikërimin
e shpirtit dhe shndërrimin e shqiptarit në një lumturi të prekur nga flatrat e
engjëllit. Ajo që impresionon te ky krijues i ri, është njohja e përsosur e
gjuhës amtare, sidomos të asaj letrare/drejtshkrimore, shkencore e fetare.
Historia për të është libri i shenjtë i popujve, libri më i rëndësishëm dhe më
i nevojshëm, pasqyra e jetës dhe testamenti i stërgjyshërve për pasardhësit e
tyre, një monument që e shndrit aktualitetin dhe përbën një shembull për
ardhmëri.
Autorin e gjejmë si në kopertinë para
rafteve me libra ashtu edhe në çdo faqe të librit të tij. Bota e librit përbën
një mrekulli të veçantë për ta kuptuar shpirtin e njeriut dhe botën e artit.
Libri është një mjet i fuqishëm i komunikimit, instrument i punës dhe luftës
për jetë. Leximi e bën mendimin më të thellë, impulsionon hulumtimin dhe
analizën e fenomeneve. Autori komunikon në mënyrë direkte me disa nga
personazhet e kësaj vepre të rrallë, ndërsa sinqeriteti është gjëja e parë për
një korrespondencë të pasur. Në shumë raste autori edhe zhvillon një monolog të
fuqishëm imagjinativ, me shumë ndjenja dhe me sens të një krijuesi brilant. Në
këtë kontekst, vlen të themi se misioni elementar i kësaj vepre është afirmimi
i disa emrave të njohur në botën e artit dhe zgjerimi i miqësisë letrare.
Idetë janë “instrumente” që e drejtojnë botën. Zekerija Idrizit nuk i mungojnë idetë, frymëzimet, meditimet. Mendimet e mira janë fryt i një meditimi të bekuar nga dhuntia e Zotit, duke ushtruar ndjesinë dhe vullnetin, që do të konkretizohen në vepra pozitive dhe konstruktive. Po i rikthehemi përsëri librit dhe rëndësisë së tij! Libri i z. Idrizi transformon botën pozitivisht me botëshikimet e tij mbi artin dhe letërsinë, duke i dhuruar asaj sharmin më magjik. Në të fshihet historia e kombit, e njerëzimit dhe memorja/kujtesa e mendimit njerëzor për artin, kulturën dhe letërsinë. Çka bën ky autor i shumë librave në botën magjike të artit?
Duke
lexuar, Zekirja Idrizi din të nxjerrë nga germat e vdekura një mendim të
gjallë, forcën e gjallë të mendimit pozitiv. Prezenca e tij, më saktë e
botëshikimeve të tij, jo vetëm në faqet e këtij libri por edhe në faqet e
rrjetit internetik rrezaton edukatë, dinjitet dhe karakter, madje, mbi të
gjitha, dhe inteligjencë të rrallë. Karakteri perfeksionon shijen, zgjeron
shpirtin, lartëson mendimin, fisnikëron ndjeshmërinë dhe lartëson sentimentin e
dinjitetit.
Autori i kësaj vepre përparon me entuziazmin dhe dëshirën për të na dhuruar
vlera të reja letrare, mendimtare dhe teologjike. Origjinaliteti i kësaj vepre
qëndron në seleksionimin e shembujve pozitivë, të fakteve dhe personazheve që
na i prezanton (Sami Sherifi, Lumturi Plaku, Bilall Maliqi etj.).
Përfundimisht, libri "Në botën e artit" flet më së miri për personalitetin
shumëdimensional, respektivisht, për figurën poliedrike të teologut dhe
shkrimtarit Zekerija Idrizi.