E shtune, 27.07.2024, 03:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Vullkani u zgjua

E hene, 18.09.2017, 07:22 PM


VULLKANI U ZGJUA!

Esse librit, “Vullkan i fjetur”. Autor Bajram Muharremi-Bistrica

Nga Kadri Tarelli

Në ditët e mesgushtit 2017, së bashku me miqtë e mi, unë nga Durrësi dhe tre të tjerët nga Tirana, të njohur në fushën e letrave, Viron Kona, Nuri Dragoi dhe Zydi Dervishi, u ndodhëm në Prishtinë, në shoqërinë e dy krijuesve të njohur nga bota e studimeve dhe botimeve shqipe në Suedi, z. Hysen Ibarhimi, kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi dhe z. Bajram Muharremi-Bistrica, nënkryetar. E vërteta është se, me dy nikoqirët ishim takuar rreth tri javë më parë në Tropojë, në kuvendin mbi përurimin e librit “Thesar Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, volumi 7-8, botim i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi. Takim të cilit i kushtova një shkrim me titull, ““Thesari kombëtar” vjen në Tropojë”. Po siç ndodh në të tilla kuvende, mbetet pak vend e pak kohë, për biseda të qeta e të shtruara, me pak pjestarë, që ta dëgjojnë njëri-tjetrin e të këmbejnë mendime. Në takimet zyrtare, vendin kryesor e zenë fjalimet dhe veprimet e caktuara e të ujdisura në program.

Si fillim një kafe në hotel “Grand”, ku sapo mbaruam, na e grabitën qëndrimin në Prishtinë, sepse dy nikoqirët na ftuan të shkojmë në Mitrovicë. Asnjëri nga ne, nuk e priste një ftesë të tillë, megjithatë, habitjes së çastit ia zuri vendin kënaqësia, pasi do të shkonim në këtë qytet shqiptar me histori të madhe, por edhe me probleme të mëdha. Për mua, vizita në atë qytet ishte një ëndërr e kaherëshme, që rasti e solli ta ralizoj, ndaj disa herë i falënderova me zemër Hysenin dhe Bajramin.

Dy volumet 7-8, të “Thesar Kombëtar” dhe “Vepra 2. Arsimi shqip në Suedi”, i pata marrë që në tubimin, që u organizua në Tropojë, ndaj Bajrami më dhuroi librin e tij të fundit me poezi “Vullkani i fjetur”. Diku kam shkruar, se “Punëtorët e letrave” nuk kanë pasuri, ndaj shkëmbejnë libra, duke i dhënë krahë një fjale të mençur: “Molla kur ndahet përgjysmohet, dija kur shkëmbehet dyfishohet”. Kështu ndodhi me mua, madje kështu u ndodh edhe të tjerëve, kur marrin dhe japin libra.

Libri i poetit Bajram Muharremi-Bistrica, me titull të gjetur letrarisht bukur, “Vullkan i fjetur”, më ngacmon të hedh në letër këto pak fjalë, për t’i thënë lexuesit, se “vullkani u zgjua” dhe llava e zjarrtë e ndrydhur brenda shpirtit të mësuesit, luftëtarrit dhe poetit atdhetar, shpërtheu. Mosha dhe leximet, më kanë regjur durimin, ndaj nuk çuditem me shpërthimet hyjnore të poetëve, por më vjen mirë, se ky prush i madh, më shumë se një shekull i kyçur në krahëror, ka brenda shumë atdhedashuri dhe shqiptari me tepri. Nuk besoj, se ka kush guxim të pyesë, pse? Kur secili e ka përgjigjen në buzë e në sy, në shpirt e në trup, në dyfek e çifteli, në lahutë e trimëri, në kang e sharki. Është kosova mbi një shekull rrobëri, katër breza qëndresë e luftë për liri, mijëra jetë falur për atdhe e flamur, me gjak u vadit çdo plis, ugar e gur. Përfundimi, Kosova fitoi liri e mëvetësi.

Vjershëtor Bajrami është mërgimtar dhe malli për vendlindjen, i cfilit shprt e trup, por njëkohësisht ndjehet krenar e mëmdhetar për rrenjët e tij e të fisit. Unë i bëj pyetje vetës, ashtu siç mund t’i bëni edhe ju: A do të shkruante kështu, po të ishte në Kosovë? Jam i bindur, se do të shkruante ca më shumë e do të thërriste ca më fort, duke qënë në një mendje me John Koffi (avokat, Leone-Togo), që thotë: S’ka e s’do të ketë përmbi dhe, popuj e kombe pa atdhe! Kështu që, krenarinë, plagët, dhimbjen, njerëzoren, heroizmin dhe fitoren e kupton shpejt çdo lexues, madje që në fletën e parë, ku shkruhet: “Kosova ime”. Është një vikamë, që buron sëbrendëshmi, që ushton në mal e luginë, në kodër e në fushë, për t’u dëgjuar larg e nga të gjithë ne, në  trojet tona arbnore dhe te shqiptarët e mërguar në të katër anët e botës.

Libri është i ndarë në pesë kapituj, “Kosova ime”, “Reflektoj”, “Vargje dhembsurie”, “Nostalgji e dashuri”, “Frymëzime nga folklori”. Çdo pjesë në vetvete është një kumt, frymëzim e tupan qëndrese, lufte, bashkimi, durimi, fitore e ngadhnjimi mbi pushtuesin shekullor. Ende pa e pirë të gjithë kupën e verës, për të shijuar ç’ cilësi ka, pa u futur në brendësi të çdo poezie, ku flakërojnë vargje dhimbje e shprese, vetë titujt flasin pa shumë fjalë. Kapitujt, të gjithë i bashkon një dëshirë e një mendim: Të shprehë dashurinë dhe mallin, brengën dhe hallin, pritjen dhe zhgënjimin, duke bashkuar të djeshmen heroike e tragjike me të sotmen e vështirë, të cilën e kërkojmë më të mirë e më të begatë, për të gjithë shqiptarët kudo që janë, veçanërisht në Kosovë.

Autori ka një meritë të veçantë në vjershërimin e tij, se është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë me veten dhe lexuesin. Ja gjykoni vetëm këto pak vargje, që janë hymn për Kosovën e bukur dhe trime: Kosova ime/ me shekuj të robëruan/ me shekuj të sunduan/ me shekuj të sakatuan/ me shekuj të coptuan/ megjithatë ti mbijetove/ nuk u gjunjëzove!

Në këtë frymë qëndrese dhe shprese, janë edhe plot poezi të tjera: “Kosova kreshnike”, “Urime Kosova ime”, “Urime pavarësia”, “Gjaku im lule e lirisë”, ku veçoj dy vargje brilante, që ngarkojnë kujtesën, si porosi e një luftëtari të lirisë: Ku derdhet gjaku lulëzon liria/ ku derdhet loti sundon robnia”. Nuk e di ç’mendim ka lexuesi, pasi mua më pëlqen shumë poezia “Aromë zemre”, e thurrur me art fjale e nektar shpirti: … “tani erdhi drita e pjekurisë/ të përqasohemi në aromën e shqiptarisë”.

Një veçori dalluese, gati në të gjitha poezitë, gjallon tradita popullore, të cilën autori me qëllim nuk e shmang, por mundohet t’i japë jetë dhe vlera artistike. Ja gjykoni këto vargje te poezia “Toka ime”: Pasha besën e shqiptarit/ pasha flamurin dykrenar të të parit/ pasha kombin more djalë/nuk i lëshojmë trojet të gjallë!

Në kët libër të vogël, ka edhe përpjekje serioze për të thënë diçka ndryshe. E kam fjalën për copëza poezie, që kanë vlera urtësie. Dotë më besoni, kur të hasni “Fjalë e thënie që pëshojnë”, apo pjesa “Pyetje e përgjigje të mençura”. Nuk po i përmend të gjitha, duke veçuar dy-tri prej tyre: “Ç’gjë është më e madhja? – Libri i botës. Po më e rënda? – fjala. Çfarë ju duket më e vështirë? – Të jesh njeri. Cili është ngushëllim për të pasurit? – Pesha e qeses (kuletës).

Kapitulli “Frymëzim nga folklori”, po më duket sa intersant aq edhe i bukur, pasi autri shëtit lirshëm në bjeshkët e krijimtarisë popullore, pikërisht aty ku edhe gjen, ajrin, diellin, ujin, lulet dhe barin, aty ku shtron shtratin e tij të ngroht e të rehatshëm. Të gjitha poezitë kanë frymë e stil të këngëve popullore, madje na e thotë edhe vetë: “tekst për këngë popullore/folklorike”. Këshu që, të rinjtë, të dashuruar me këngën, tupanin, çiftelinë dhe sharkinë, gjejnë brumë me bollëk, për të gatuar bukën e shpirtit atdhetar.

Duke shfletuar librin, do të gjeni disa poezi, që janë vlerësuar në konkurse e sofra poetike. Është një nderim i drejtë, i mirëpritur, nxitës dhe i pëlqyeshëm për autorin, madje, më së shumti edhe për lexuesin, pasi aty gjen e ndjen kënaqësi letrare, artistike, njerëzore e atdhetarie.

Urime, poetit Bajram Muharremi, për libra të tjerë edhe më të bukur!

Durrës më: 13, të vjeshtës së parë, 2017.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora