E enjte, 10.10.2024, 08:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Rexhepi: Veprime tonesh të forta poetike

E diele, 10.09.2017, 08:43 AM


Veprime tonesh të forta poetike

Nexhat Halimi:”Kotelja e artë”, botoi “FAD”, Prishtinë

Nga Shefqet REXHEPI

Shkrimtari i mirënjohur, Nexhat Halimi, para lexuesve doli edhe me një përmbledhje pjesësh dramatike, me titull “Kotelja e artë”, e cila u botua pikërisht në vigjilje të vitit që sapo e lamë pas, në përbërje të së cilës janë pjesët:”Shilarthi nën hënë”, “Dea e Lea” dhe “Plaku me gjelin”. Para kësaj, nga i njëjti autor u botua “Fyelli i gjallë”,përmbledhje prej pesë pjesësh dramatike. Kjo është edhe një dëshmi se penda e mprehtë e këtij poeti gjakon të sprovohet edhe më tutje me botën fëmijërore, mbi të cilën pos këtyre pjesëve dramatike, më parë ka botuar edhe dy përmbledhje poetike dhe tri përmbledhje tregimesh. Temat e dy pjesëve të para të këtij libri më të ri kanë të bëjnë me dramën familjare, në të cilën protagonistë kryesorë janë fëmijët, por derisa në të parën fëmijëve desh iu mpihen dhëmbët nga raporti i çakorduar ndërmjet dy bashkëshortëve të rinj dhe prindërve të tyre, në të dytën, gjithçka nis nga çapkënllëqet e loja fëmijërore, që ndonjëherë shoqërohen edhe me ndonjë grindje, por që gjithnjë kanë në sfond dashurinë e miqësinë e çiltër. Gjithë kjo, me ndjeshmëri e takt orientohet në favor të vënies së bazave të mirëfillta shoqërore ndërmjet fëmijëve, duke i larguar ata nga veset, siç është xhelozia. Ndërkaq, në pjesën e tretë shkrimtari trajton temën e luftës së fundit serbo-shqiptare, përkatësisht veprimet gjenocidale të ushtrisë serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, kundruall heroizmit të pashoq të shqiptarëve , të cilët u detyruan që edhe me duar e me thonj të mbrohen nga gllabërimi i egër serb.

Ndërtim koherent i veprimeve

Pjesa :”Shilarthi nën hënë”, nis me një skenë të zymtë që kishte pllakosur një familje, si pasojë e konfliktit në mes resë dhe vjehrrës, i cili kishte shkuar deri aty sa në dejtë e tyre dukej se rridhte vetëm ” natë, mllef, urrejtje”. Shkrimtari nis ta zbërthejë këtë ndeshje brezash pas konfliktit, pra ai merret

me pasojat e tij, të cilat ndihen rëndë e dhembshëm, jo vetëm ndërmjet bashkëshortëve të rinj , por edhe mbi shpirtrat, që sapo formoheshin të fëmijëve. Në këtë kontekst ballafaqimi, autori thur një intrigë në kuadër të së cilës pikërisht nipërit bëhen heronj të vërtetë, për të mos lejuar që gota që ishte në rënie e sipër të thyhet. Optimizmi i fëmijëve shprehet bukur brenda fjalëve:”Ç’ kënaqësi të luhatesh këtu lehtë dhe të meditosh...për zogjtë, për miqtë, për poezinë”, sepse pikërisht fëmijët “krijojnë shpejt kullën e botës së vet, brenda së cilës udhëtojnë ëndrrës”. Pranimi i fajit nga ana e vjehrrës çel udhën për zgjidhjen e problemeve, ndërsa në tërë këtë kontribuon edhe mësuesja e fëmijëve, e cila kishte vërejtur se në hartimet e tyre kishte “gulçimë të thellë,një rënkim, një ndrydhje”. Sheshazi del kontributi i institucionit të shkollës, si simbol i ndërtimit të së resë, që i mëshon fuqishëm shkelm atavizmës, për ta kthyer gjendjen normale në jetën e kësaj familjeje, si parakusht esencial të ndërtimit të së ardhmes së lumtur, posaçërisht të fëmijëve.

Krejt i kundërt me këtë rrjedhë ballafaqimi e veprimi është toni dhe mesazhi i pjesës “Dea e Lea”, në të cilën ndërmjet dy vajzave lind konflikti mbi bazën e xhelozisë, sepse Lea, e cila kishte një kotele, nuk lejon që me atë të luajë edhe shoqja e deridjeshme, Dea. Në këtë rrjedhë ballafaqimi e grindjeje ndërhyjnë mësuesja dhe sidomos gjyshi i Deas, i cili me një figuracion të rrallë, kështu e portretizon mbesën e tij:”Kaq e vogël dhe kaq e urtë kroi magjik i gjyshit, mbi të cilën ndrit amshueshëm ylli i agut”. Kullën e afërsisë e të dashurisë shkrimtari pra e ndërton nëpërmjet episodit të sigurimit të maces për Dean, nga ana e gjyshit të saj, dhe kur të dy vajzat tashmë kanë nga një mace, i kthehen njëra shoqes me tërë dashurinë që kishin pasur gjithmonë, madje këtë e tregojnë edhe me faktin se macet i kishin pagëzuar përkatësisht me emrin e shoqes. Vjen kështu pajtimi i shoqeve në mënyrë shumë të motivuar, madje duke u ndërtuar edhe artistikisht me gjeturi, nëpërmjet ndërtimit të një veprimi gradual , gjithnjë koherent, duke zgjuar kërshërinë e lexuesit, e meqë pjesa shkruhet për teatër, realisht mund të pritet që të zgjojë emocione edhe te shikuesit.

Të dy këto pjesë kanë një intonim të fortë poetik, përshkohen me plot figura, të cilat karakterizojnë mirë e mirë portretet e personazheve, që do të kenë reflektim mbresëlënës te lexuesit e shikuesit. Autori shihet lehtë se ka qenë mjaft i frymëzuar gjatë shtjellimit të veprimeve të këtyre dy pjesëve, duke synuar me këmbëngulje që ballafaqimet t’ i përçojë brenda vrushkujve poetik. Mirë që kjo rrjedhë e të folurit, ky gërshetim poetik, nuk e ka dëmtuar veprimin, sepse në mungesë të kreacionit do të mund të reflektohej negativisht në gradacionin e ballafaqimeve.

Ngjallje e motivuar e emocioneve dhe ankthit

“Plaku me gjelin” sjell një temë krejtësisht tjetër nga dy të parat. Që nga fillimi i kësaj pjese vërehet ajo urrejtja patologjike e aparatit shtetëror serb ndaj popullsisë shqiptare, e cila ishte e shtresuar edhe te qytetarët serbë, që deri dje ishin fqinj me shqiptarët. Shih nga kjo, një plak, ashtu si edhe mijëra e mijëra të tjerë , detyrohet të marrë malin, do të thotë të ikën nga vrasja ashtu si mundet e gjendet. Për fat të keq, në këtë ikje të llahtarshme përfshihen edhe fëmijët: ”Ja se si gjuhë të egra flakësh duan të djegin qiellin”.Shiko nënë”, është një klithmë tragjike e një fëmije. Një episod nga më tronditësit gjithsesi është ai i një nëne , e cila derisa ishte në ikje me tre fëmijë, për një moment sa nuk bie pre e dhunimit nga një ushtar serb, dhe vetëm përmbajtja, gjakftohtësia e trimëria mbinjerëzore atë e shpëtojnë nga kthetrat e tij. Kjo grua të kujton Plakën Nicë. Edhe kjo me shkathtësi të pashoqe e mbyt ushtarin serb, megjithëse ai ishte i armatosur gjer në dhëmbë.

Ndërkohë , kolona shqiptare që kishte braktisur shtëpitë nga terrori serb takohet me ushtarët e UÇK-së, por këta nuk veprojnë si të verbër, dinë të dallojnë edhe ata serbë që nuk iu kishin bashkuar hordhive të egra, ose edhe kishin kontribuar për shpëtimin e shqiptarëve. Nga rrjedha e veprimeve shkrimtari sinjalizon se liria është në prag, megjithatë, ajo po vinte me pasoja të rënda. Gjithë kjo jepet me një përshkrim ngjethës, që del nga goja e një fëmije:”Agu... ja shih gjysh , krejt gjak përvidhet mes degësh e lulëzon në flakë”. Edhe në këtë pjesë gjuha poetike e Halimit vërshon lehtë, me invencion, ajo buron nga ndeshjet e personazheve, nga ndeshja e mendimeve, dëshirave e veprimeve të tyre, ndaj figura poetike nuk e ngadalëson, nuk e bën në asnjë moment heterogjen veprimin, përkundrazi ajo ngërthehet natyrshëm në kohezionin e veprimit, shoqëruar me një gradacion e intensitet që ngjallin meditime, emocione e ankth, duke e bërë ecurinë e pjesëve të afërt me psikologjinë e fëmijëve. Gjithsesi, me pjesën “Plaku dhe Gjeli”, Nexhat Halimi jep provimin si një skalitës i mirë i njëmendësisë ngjethëse të një kohe. Ai me mjeshtri mban prore gjallë intensitetin e veprimit, duke ndërlidhur e mishëruar me masë e homogjenitet situatat, të cilat me zhdërvjelltësi shkrihen në vorbullën e ngjarjes kryesore, e si rrjedhim, në mënyrë autentike përcjellin mesazhet te lexuesit.

Të tri pjesët për nga ana e mbarështimit janë krijime të arrira, ndaj regjisorëve u japin lëndë të bollshme dhe joshëse për t’ i vënë në skenë, ku këto pjesë do të bënin jetën e vërtetë të tyre, apo thënë me fjalët e Gogolit, do të jehonin më zërin e plotë të tyre. Pse të mos shpresojmë se Halimi, si njohës shumë i mirë i botës fëmijërore, do të vazhdojë këtë rrugë të rrahur mirë e

mirë, për ta pasuruar në vijim edhe më opusin e vet dramaturgjik. Shtresa e fëmijëve të moshës 7 deri 15 vjeçare vërtet kanë nevojë për këso vepra, jo vetëm për t’ i lexuar, por edhe për t’ i vënë në skenat e shkollave, apo të teatrove të qyteteve tona. Kush e di, mund të ndodh që ky krijues, që për nga vokacioni është poet i shtresave të thella poetike, i lirikave aq të nuancuara tingëllore e refleksive, dëshiron që edhe nëpërmjet këtyre pjesëve dramatike, t’ ua ofrojë e zbulojë shtresave të lexuesve të rinj, edhe çelësin e alkimisë së figuracionit të tij të pasur poetik. Pse mos ta trimërojmë edhe në këtë shteg krijuesin aq energjik në letrat tona?



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora