E premte, 04.10.2024, 10:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Shoqata e re

E premte, 08.09.2017, 08:31 PM


SHOQATA E RE

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia

Rina ishte dobësuar shumë muajt e fundit. Në fytyrën e saj dalloje qartë dhimbjen dhe trishtimin.

Dyshonte shumë në tradhëtinë e të shoqit, ndaj dhe po e vuante shumë shpirtërisht dhe psikologjikisht atë ndjenjë që po ia gërryente shpirtin çdo ditë e më shumë. Pothuajse, çdo natë bënte një gjumë të trazuar.

- Jemi kolegë të shoqatës, grua! Nuk ka asgjë për t'u mërzitur, nuk ke arësye pse të xhelozohesh! - i thoshte i shoqi kur ajo ia kishte shprehur hapur mendim dyshimin e saj për atë femër, që, as emrin nuk donte t'ia përmendte dhe jo më pastaj ta shihte të hynte në një nga dhomat e lokalit të tyre privatë të bisedonin për çështjet e shoqatës, sipas tyre.

"Jemi kolegë të shoqatës"  - Më është bërë kaq shumë e neveritshme kjo shprehje refren e tim shoqi, sa as asaj dreq shoqate që kanë krijuar nuk dua t'ia dëgjoj emrin.

"Shoqatomania! Shoqata që po mbijnë si kërpudha! Kemi dy fëmijë si dy yje; vajza me rezultate të mira në mësime, jali, zgjodhi profesionin që dëshironte. Ja edhe me biznesim që kemi hapur jemi mirë. Lavdi Zotit! Përse o burrë i hyn këtyre punëve pa bereqet!"

Këtë pyetje e përsëriste shpesh me veten e saj.

* * *

Rina me bashkëshortin ishte njohur në një dasëm që bëhej në fshatin e saj malor, një fshat i bukur nga natyra.

Ai ishte banor i një fshati tjetër. Fshatrat nuk ishin larg nga njëri tjetri.

E quanin Zarif, por, miqtë dhe e shokë e thërrisnin, Zare.

Në një stol të gjatë druri, pranë murit të gurrtë në anën e majtë të oborit të shtëpisë ku po organizohej edhe ceremonia e dasmës rinin ulur tetë vajza banore të atij fshati, pothuajse moshatare me njëra tjetrën. Vajzat duhet të ishin të moshës 22 vjeçe.

Të tetë vajzat e kishin mbështjellë kokën me shami të lidhur poshtë gushës.

Si për koincidencë, shamitë ishin pothuajse të ngjashme nga lloji dhe ngjyra. Vetëm njërës prej tyre i shndriste pak më tepër ngjyra e trëndafiltë e shamisë në kokë. Ajo ishte vajza me emrin e bukur, Rina

Faqet e mbushura që i shkëlqenin si kokrrat e kuqe të mollës, tërhiqnin çdo djalë të ri të asaj moshe për të mos ua ndarë shikimin.

I ardhur mik nga një fshat tjetër, Zarifi, sapo kishte hyrë në oborin e shtëpisë, vështrimin e kishte hedhur nga vajzat; po i dukeshin të bukura, të shëndetshme, si tetë motra binjake të ngjashme me njëra tjetrën.

Edhe vajzat me delikatesë e kishin parë kur djali i panjohur hyri mes miqve të tjerë në derën e oborit të shtëpisë të thurrur me thupra.

Ato, si të telekomanduara, sapo shikimi i tyre u kryqëzua me shikimin e Zarifit, menjëherë i ulën sytë përdhe.

Njëra nga vajzat seç foli me zë të ulët dhe ato menjëherë buzëqeshën, madje njëra nga ato edhe pse u mundua, nuk mundi dot ta mbante të qeshurën. Kjo bëri që edhe tri vajza të tjera të nxirrnin zë hundor duke u munduar ta mbanin të qeshurën.

E qeshura e vajzave tërhoqi vëmendjen e disa dasmorëve. Një nga ata ishte edhe Zarifi që ktheu kokën andej nga erdhi zëri vajzëror.

Njëra nga të tetë vajzat iu duk se nuk po qeshte; e fiksoi në mendjen e tij. Ishte pikërisht vajza që dallohej nga të tjerat nga ngjyra e trëndafiltë e shamisë së kokës.

E bisedoi me mikun e tij, u interesua për atë vajzë dhe miku, pa mëdyshjen më të vogël ia rekomandoi si vajzën e përshtatshme për të kaluar jetën. Ajo vajzë ishte Rina.

Nuk kaloi shumë kohë dhe, dy familjet e të rinjve shpallën fejesën, që më vonë do kurorëzoheshin edhe me martesë.

Nga ajo martesë e tyre e lumtur, Zarifi dhe Rina u gëzuan me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

- Lavdi Zotit! Kemi marrë nuse të mirë për shtëpi, ashtu siç e donim ne -  flisnin shpesh prindërit e Zarifit si të shprehnin kënaqësinë që ndjenin me nusen e djalit të tyre.

Jeta e vështirë në fshat ishte e papërballueshme për të jetuar, të paktën, për t'u plotësuar fëmijëve kërkesat minimale të jetesës.

Pas njëfarë kohe, u mësua që Zarifi dhe familja e tij, emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Askush nuk e mësoi rrugën dhe mënyrën se si ajo familje emigroi në Amerikë.

Në bisedat dhe pëshpërimat e banorëve të fshatit kuptoje qartë cmirën e madhe që ata kishin për familjen e Zarifit, tashmë, amerikanë, siç i quanin ata.

* * *

Pas vështirësive të fillimit të një jete të re e të panjohur në Amerikën e largët, Zarifi kishte mundur të hapte biznesin e tij privat, një piceri. Fitimi si fillim ishte i kënaqshëm.

Biznesi i tij i kishte dhënë mundësinë të njihej me shumë bashkatdhetarë.

Për të afruar sa më shumë klientë shqiptarë, Zarifi shërbente në fshehtësi edhe raki rrushi, që nuk lejohet të përdoret në lokale të tilla.

Në një periudhë kohe disa mujore ai kishte krijuar miqësi dhe shoqëri të re, madje të zgjeruar.

Nga ajo miqësi, përfitonin edhe ata bashkatdhetarë, që jo pak herë e vizitonin Zarifin në biznesin e tij duke i bërë lëvdata për zgjuarësinë, shkathtësinë, madje parashikonin edhe një të ardhme më të ndritur të tij. Dhe, gjithë ato lëvdata, sigurisht, shpërbleheshin nga Zarifi me qerasje, ngrënie dreka apo darka.

Po i dukej vetja se kishte fituar emër të nderuar në komunitet, madje, nisur nga lëvdatat dhe ajo shoqëri e zgjeruar, atij i lindi një ide'. Të krijojë një shoqatë të re në komunitet me emër të mirë. Ai, sigurisht, do vetzgjidhej kryetar i asaj shoqate.

Falë gjendjes së mirë ekonomike që i sillte biznesi, falë miqve dhe shokëve të tij të shumtë, Zarifi nuk do ta kishte të vështirë të mblidhte rreth vetes, rreth shoqatës, shokë dhe miq.

Pa humbur kohë, mendimin e tij ua shprehu shokëve, miqve, madje edhe klientëve të ndryshëm që i shkonin në piceri.

Një shok i tij, i habitur nga ai propozim i Zarifit, me një mosbesim të dukshëm, duke i mbështetur dorën mbi sup, i kishte thënë: - Më pëlqen mendimi yt, është për t'u vlerësuar, por, si shumë është shtuar numri i shoqatave, madje edhe emri shoqatë, më duket disi i rëndomtë....

Zarifi nuk e kishte lënë të vazhdonte, i kishte ndërhyrë menjëherë:

- Miku im - filloi Zarifi të flasë dhe syt i ndrinë plot vendosmëri. - Nuk ka rëndësi, as emri, as numri që do anëtarësohen në shoqatën tonë të famshme dhe me emër të mirë. E ç'rëndësi ka, nëse e emërtojmë shoqatë, lidhje, grup, organizatë, fondacion e ku di unë se sa shumë emra të tjerë ka dhe që janë krijuar! Nuk ke lexuar ti se sa shumë shoqata, organizata të ndryshme janë krijuar dhe po vazhdojnë të krijohen jo vetëm këtu tek ne, por edhe në Shqipëri, gjithandej, anembanë ku ka shqiptarë?

- Pikërisht - ndërhyri shoku që po e vështronte ngultas, por që Zarifi menjëherë i ndërhyri pa e lënë të vazhdojë.

- Të lutem, mos më ndërprit, më lërë të mbaroj. Nuk e lexove ti para disa ditësh në gazetë, në rrjetet e ndryshme sociale, madje edhe të shoqëruara me fotografi të ndryshme, se si ajo, organizata, apo, ku ta di unë, shoqata e "famshme" çfarë i thonë, që ka mbledhur rreth saj disa gra të moshuara pensioniste, po i bëjnë jehonë dhe nuk po lënë qytet pa shkuar në emër të aktiviteteve të shoqatës? Ke parë, ke lexuar ti ndonjë rezultat të saj? Asgjë! Vetëm fotografi të ndryshme grash dhe vajzash anëtare të asaj shoqate të dala krah për krah me njëra tjetrën si të kenë shkuar në ndonjë piknik, të ulura në tavolina me asortimente të ndryshme gjellërash dhe mezesh, të qeshura, ku fytyra u shkëlqen nga kremi i rëndomtë që përdorin për të mbuluar rrudhat e fytyrës dhe që ua zbukuron shkëlqimi i dhëmbëve si rruaza të bardha. (Zarifi për një çast e ndërpreu bisedën; e qeshura e menjëhershme nuk po e linte të vazhdonte të fliste)  - Më fal miku im, - vazhdoi përsëri të flasë dhe fjalët po i shqiptonte të ndara nga e qeshura - Po qesh, sepse, disa nga ato gra të moshuara të shoqatës për të cilën po të flas, kanë edhe mungesë të theksuar dhëmbësh në gojë që, kur i shikon, s'të vete mendja kurrë për femër. Ndërsa unë po të flas për shkëlqimin e dhëmbëve të atyre grave, si rruaza. Fol, miku im. Si po të duken këto që po të them? A nuk janë të vërteta?

Shoku i tij kishte mbetur i hutuar nga ato ç'kishte dëgjuar nga goja e Zarifit.

E kishte dëgjuar me shumë vëmendje duke e parë në sy, ndërsa Zarifi i spjegonte mendimin e tij, krijimin e shoqatës së re.

- Për Zotin, Zarif, ti je shumë i shkathët. - foli pas një heshtje të shkurtër shoku. - Ti nga goja je, filozof. Ku të ka shkuar mendja!

- Nuk ka për filozofi këtu, miku im - vazhdoi Zarifi të fliste me seriozitet i përkëdhelur nga fjalët e sapodëgjuara nga miku i tij. - Janë fakte. Unë nuk po shpif asgjë nga mendja ime. Pse, e harrove ti ç'na tha vitin e kaluar, Vasili, muratori që i hanë duart vetëm për mure, tulla dhe llaç? E kishte takuar rastësisht në rrugë, kryetari i shoqatës së mjekëve specialistë që është krijuar para një viti këtu në komunitet.

- Pse nuk anëtarësohesh edhe ti në shoqatën tonë, Vasil? - i kishte thënë kryetari i shoqatës së mjekëve specialistë .

- Zotëri - i ishte përgjigjur Vasili; - Ju jeni intelektualë, jeni me diploma që keni përfunduar studimet e larta. Ju dini të flisni mirë, jeni me kulturë. Mos më ngatëroni mua të gjorin me ato punët tuaja. Unë jam një murator i thjeshtë me tetë klasë shkollë. Hë, nëse keni nevojë për mure, suvatime, që tani jam gati t'ju ndihmoj...

- Nuk ka të bëjë fare inteligjienca, diploma e shkollës, siç po më thua ti i nderuar Vasil. Shoqata jonë është shoqatë me emër, e nderuar, shoqatë e hapur për të gjithë. Ne kemi nderin dhe kënaqësinë të shtojmë numrin e anëtarëve...

Shoku i Zarifit  që po e dëgjonte me vëmendje dhe pa ia ndarë sytë, duke i hedhur një shikim hetues, donte të largohej. Zgjati dorën për ta takuar. - Të vaftë mbarë miku im, Zarif. Je shumë i shkathët dhe i zgjuar!

- Dëgjo, - i tha Zarifi kur ata po ndaheshin. - Ty po të anëtarësoj që tani dhe, ja ku po ta them; ti do kesh vendin e nderit në shoqatën tonë, jo vetëm si anëtar, por, të premtoj, që tani, je i zgjedhur në kryesinë e shoqatës.

Nuk vonoi shumë dhe Zarja e realizoi ëndërr dëshirën e tij. U krijua shoqata e re dhe nëpërmjet rrjeteve të ndryshme sociale lajmi u hap me shpejtësi.

Shoqata e re e sapokrijuar u emrërua me një emër kuptimplotë:

"SHOQATA E MJEKËVE DHE E BAMIRËSISË"

Kryetar i shoqatës u zgjodh Prof. Dr. Zarif  E.

Shoqata e re e Mjekëve dhe Bamirësisë e sapokrijuar nuk kishte më shumë se dhjetë anëtarë. Nga ata dhjetë anëtarë, gjashtë anëtarët e saj u zgjodhën në kryesinë e shoqatës.

Si zyrë pune, një tavolinë dhe disa karrige, Zarifi sajoi një dhomë të vogël në lokalin e tij në piceri. Në mur rrinte e varur një diplomë universiteti e vendosur brenda një kornize.

Sipër tavolinës, Zarifi vendosi dy flamuj të vegjël: Flamurin Amerikan dhe Flamurin Shqiptar. Një dosje në ngjyrë të zezë sipër tavolinës rrinte përpara një gote të bukur qelqi e mbushur e gjitha me stilolapsa të ngjyrave të ndryshme.

Ajo diplomë që qendronte e varur në murr ishte lëshuar nga një universitet i një shteti të Amerikës, e cila vërtetonte me firmë dhe me vulë që, studenti Zarif  E. kishte përfunduar studimet online në atë universitet me gradën shkencore Prof. Dr.

Zarifi, para se të shkonte në Amerikë, në fshatin e tij kishte përfunduar vetëm 12 klasë shkollë. Por, biznesi i tij dhe ambicia që kishte për të fituar emër të respektuar, ishte regjistruar online në atë universitet dhe, duke paguar një shumë ta majme dollarësh, ishte diplomuar me atë gradë shkencore, pa i parë ndonjëherë dyert e klasave të universitetit.

* * *

Menjëherë filluan përgatitje për ta bërë shoqatën e sapokrijuar sa më të njohur. Lajmi për krijimin e Shoqatës së Mjekëve dhe Bamirësve të shoqëruara edhe me fotografi të anëtarëve të kryesisë, u shpërnda gjithandej në rrjetet e ndryshme sociale. Njoftimi u dha gjithashtu edhe në gazetën e komunitetit.

Sipas njoftimeve, si fillim njerëzit ishin të interesuar të dinin më shumë rreth asaj shoqate. Askush nuk e mësoi numrin e anëtarëve të shoqatës, vetëm emri i kryetarit dhe i anëtarëve të kryesisë së saj u bënë publikë.

Për ta bërë sa më serioze shoqatën e sapokrijuar, Zarifi kishte anëtarësuar edhe mjekun e nderuar në komunitet, i cili u tregua i gatshëm të bashkëpunojë dhe të jetë pjesë e shoqatës së mjekëve bamirës.

Një pjesë e mirë e njerëzve, veçanërisht ata që e njihnin mirë nga afër, kur lexuan titullin Prof. Dr. përpara emrit të Zarifit, nuk nguruan të shprehnin habinë: Si ka mundësi!

Një personalitet i njohur në komunitet, një ditë e takon Zarifin në rrugë. Pasi i hodhi një vështrim pyetës, e uron për krijimin e shoqatës së re dhe zgjedhjen e tij si kryetar të shoqatës. Veçse, dy vërejte nuk nguroi t'i bënte: - E paskeni "mbytyr" kryesinë e shoqatës vetëm me burra. Nuk kishit mundësi të zgjidhnit edhe një femër?

Zarifi u mat të fliste, por personi me të cilin po bisedonte i bëri shenjë me dorë si për t'i thënë, nuk kam mbaruar akoma: - Titujt Prof. Dr. përpara emrit tënd si kryetar i shoqatës, më duken shumë të tepruara, Zarif. Më bukur do shkojë të shkruhet vetëm emri yt.

- Nuk kam pse ta fsheh dhe pse ta mohoj - iu përgjigj Zarifi menjëherë duke u munduar të tregojë një mirësjellje të stërholluar, ndërsa personaliteti i njohur e vështronte qetësisht. -  Përderisa jam diplomuar këtu në Amerikë dhe i mbaj me krenari gradat shkencore, nuk po i shpif nga mendja ime unë, por, janë fakte; këtë e vërteton diploma ime universitare dhe, mundësisht, duku njëherë andej nga lokali im se atje kam edhe zyrën time të punës.

Personaliteti i njohur që e njihte mirë Zarifin, pas atyre që dëgjoi nga goja e tij, mblodhi buzët si shenjë mosbesimi, pastaj me një buzëqeshje të stërholluar, e uroi për krijimin e shoqatës.

Kur u ndanë, Zarifi e mirëpriti mendimin e mënçur, siç e quajti ai, të intelektualit të njohur.

Nuk vonoi shumë dhe, një emër gruaje e padëgjuar, u mësua se, jo vetëm ishte anëtarësuar në atë shoqatë bashkë me bashkëshortin e saj, por edhe i ishte besuar posti i zëvendëses së kryetarit.

Kjo ndikoi që për hir të shoqatës, miqësia e tyre të bëhej më e afrueshme, madje, nënkryetarja me bashkëshortin e saj i shkoi edhe për vizitë në shtëpi Zarifit ku nuk mungoi mikpritje e sinqertë e Rinës.

Brenda një kohe të shkurtër, falë njoftimeve në rrjetet e ndryshme sociale, shoqata u bë e njohur; interesimi dhe numri i të anëtarësuarve në shoqatë po vinte duke u shtuar.

Zarifi ndjehej i gëzuar. Më në fund, ishte bërë dikushi dhe, nuk i thonë shaka, gëzonte një emër të nderuar. Tani njihej si kryetari i një shoqate të rëndësishme, siç i pëlqente atij shpesh ta përdorte këtë shprehje në takimet me miq, shokë.

Anëtarët, veçanërisht ata të sapoanëtarësuar, në fillim ndjenë ngrohtësi në shoqatë.

Kushdo që shkonte për të blerë pica, ai e njihte edhe me programin dhe qellimin e shoqatës, madje i ftonte në zyrë, i qeraste me ndonjë picë, raki rrushi apo pije freskuese dhe, sigurisht, nuk mungonin fotot e ndryshme që bënin dhe për ti shpërndarë pastaj vetë ai në rrjetet e ndryshme sociale në emër të shoqatës.

Nënkryetarja e interesuar për çështjet e ndryshme të shoqatës pati një afrimitet me Zarifin, gjë e cila ngjalli shumë xhelozi tek gruaja e tij. Ai afrimitet i tepruar, ishte edhe shkaku i grindjeve të njëpasnjëshme që bënin ata të dy burrë e grua.

- Nuk e duroj dot atë femër kur e shoh të hyjë në derën e picerisë, tek ecën serbez si të jetë në shtëpinë e saj! Nuk e duroj dot tim shoq kur hyn edhe ai pas saj në zyrën e tyre të punës të bisedojnë, siç më thot im shoq, për çështjet dhe problemet e ndryshme të shoqatës. Nuk mundem të hap gojën ta pyes. Ai sillet në mënyrën më harbutshme me mua nëse unë i "ndërhyj" në punët e shoqatës, që për atë është e rëndësishme dhe shumë e suksesshme. Unë edhe pse jetojmë prej shumë vitesh në Amerikë, për të kam mbetur një femër injorante, pavarësisht se vetë ai ma ka ndaluar të përdor kremërat dhe të kuqin e buzëve si gjithë gratë e tjera. Madje, është vetë ai, im shoq, që vendos se çfarë duhet të blejmë ne për veshjen time, ato që i pëlqejnë atij dhe që i duken të përshtatshme për mua.

Në javën e dytë të tetorit, Zarifi shpërndau në rrjetet e ndryshme sociale, aktivitetin e ditëve të fundit të shoqatës që, sipas tij, ishte një aktivitet i rëndësishëm; ndihmë dhe përkrahje e madhe  për disa familje të varfëra të komunitetit në nevojë.

Shkrimi ishte shoqëruar edhe me foto, ku dalloheshin Kryetari i Shoqatës, Prof. Dr. Zarif  E. nënkryetarja e shoqatës dhe dy anëtarë të tjerë të kryesisë shokë të Zarifit. Dy prej tyre mbanin katër kuti picash në duar pranë shtratit të një gruaje të moshuar. Njëri nga ata të katër ishte nipi i Zarifit, djali i të moshuarës.

Pas asaj ndihme të madhe humanitare të shoqatës që u shpërnda me zhurmë të madhe në rrjetet e ndryshme sociale, lexues të ndryshëm mësuan se; pjesëmarrësit në atë aktivitet ndihmë ishin vlerësuar në emër të shoqatës me certifikatë mirënjohje dhe certifikatë falenderimi për punën e tyre të shkëlqyer dhe ndihmën e madhe që po jepnin në shërbim të komunitetit të njerëzve në nevojë ekonomike.

Gruaja e moshuar e sëmurë pranë shtratit tek e cila kishin shkuar për vizitë, ishte kunata e Rinës, motra e Zarifit, e cila prej disa muajsh vuante nga një sëmundje.

Rina kur e mësoi lajmin, pa edhe fotot, e përjetoi shumë keq. Po ndjente përçmim të madh nga bashkëshorti i saj: - Oh! - Rrënkoi me vete! - Mortja që s'i ha! Turp! Turp! - foli me zemërim të papërmbajtur, e dëshpëruar dhe, vetvetiu syt iu mbushën me lot.

- Ku shkuan ata, ç'farë ndihmash shpërndanë? - vazhdoi ajo të flasë me vete; zëri i dilte i përvajshëm. - Morën tre katër pica këtu dhe shkuan në shtëpinë e motrës së Zarifit! Kjo është ndihma e shoqatës? Përse o burrë po ma bën këtë rrëng? Përse! Nderin e kemi të dy bashkë të shkojmë tek jot motër e sëmurë dhe jo të shkosh me të flamosurën shoqatë, që ku u bë sebep ajo dreq shoqatë - vazhdoi ajo të flasë me vete me ton të hidhur.

Ndjeu një drithërimë trupi. Po qante mbyturazi. Atë çast iu duk se do kalonte krizë nervore. Po dëneste hidhur!

* * *

Zarifi pati një qejfmbetje me kryeredaktorin e gazetës së komunitetit.

Për të disatën herë shkrimet që ai ia dërgonte gazetës të shoqëruara edhe me foto, nuk po botoheshin në gazetë.

- Nuk më intereson, nëse ju i botoni apo jo në gazetën tuaj aktivitetet e ndryshme të shoqatës sonë - i kishte thënë ai i rrevoltuar herën e fundit kryeredaktorit të gazetës dhe mundohej të fliste me zë autoritar. - Gazeta nuk është pronë private e juaja, është gazetë në shërbim të mbarë komunitetit. Megjithatë, nuk të fajësoj ty. Për shoqatën tonë dhe për mua personalisht, pak rëndësi ka nëse ju i botoni apo jo aktivitetet tona. Unë kam ku i shpërndaj shkrimet e mija me aktivitetet e shoqatës. Nëse gazeta juaj lexohet nga një pjesë e komunitetit këtu, në rrjetet e ndryshme sociale lexuesi është shumë shumë herë më i madh se i një gazete, madje, nëpërmjet rrjeteve sociale lexohen në mbarë botën ku ka bashkëkombas. - E mbylli telefonin i zemëruar; nuk priti që kryeredaktori i gazetës së komunitetit t'i përgjigjej për ta sqaruar.

* * *

Kishte kaluar pothuajse gati një vit që nga krijimi i shoqatës dhe interesimi i njerëzve pothuajse kishte rënë.

Shumë nga ata që u anëtarësuan në fillim me krijimin e saj, ishin larguar.

I pari që u largua pas disa muajve që nga krijimi i shoqatës, ishte doktori i njohur në komunitet dhe që prej disa muajve nuk ishte parë në picerinë e Zarifit.

Herën e fundit kur kishte shkuar për një mbledhje të shoqatës, sipas njoftimit të kryetarit, por që, në vend të mbledhjes, njerëzit e ardhur të ashtuquajturit anëtarë të shoqatës kishin zënë vend në zyrën e tij dhe bisedonin siç bisedohet në kafene të ndryshme me filxhanët e kafesë dhe gotën e rakisë përpara, doktori ishte çuar nga vendi ku rrinte ulur për t'u larguar.

Kur u nda me Zarifin, ia shprehu hapur pakënaqësinë e tij:

- Zarif! Ty të vaftë mbarë nisma që ke nisur, por, për mua është diçka e pa vlerë. Unë nuk e gjej vendin tim këtu, madje, të lutem shumë, kudo ku shkon dhe kudo ku flet në emër të shoqatës, mos e përmend më emrin tim. Nuk jam më anëtar i shoqatës.

Zarifi u mat të thoshte diçka për ta sqaruar, por, doktori ktheu trupin dhe u larguar.

* * *

Shoqata pothuajse ishte shpërbërë e tëra. Madje edhe nënkryetarja ishte larguar dhe kishte kohë që nuk ishte dukur në zyrën piceri të Zarifit për shkak të mosmarrëveshjeve të lindura kohët e fundit me të shoqin.

Tashmë, shoqatës vetëm emri i kishte mbetur.

Në rrjetet e ndryshme sociale që Zarifi i përdorte me kënaqësi, ndonjë shkrim të hamendësuar apo edhe ndonjë foto të tij personale, ai e shoqëronte  me nënshkrimin: Prof. Dr. Zarif  E. Kryetar i Shoqatës së Mjekëve dhe Bamirësisë.

Njerëz të ndryshëm shkonin si klientë të zakonshëm në piceri pa treguar interes për shoqatën.

Zarifi, si gjithmonë shkrepte aparatin e tij fotografik me ata klientë për t'i shpërndarë pastaj në rrjetet sociale në emër të shoqatës.

Edhe pse shoqata e shpërbërë totalisht pa asnjë anëtar dhe pa asnjë funksion, Zarifi gjithmonë prezantohej si kryetar i saj, madje edhe në ndonjë aktivitet të komunitetit kur shkonte, fliste në emër të shoqatës si kryetar i saj.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora