Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Duke lexuar Giulian…
E hene, 25.09.2017, 08:33 PM
Duke lexuar Giulian…
Shënime mbi librin “Nga zemra në qiell” dhe autoren Giulia Poli Disanto
Nga Timo Mërkuri
Takimi me poezinë e Giulia Poli Disanto të meh frymën qysh në vargun e parë me fuqinë metaforike që mbart….
Më lë pa frymë poezia
porti i fundit
ku dhimbja të depërton ndër vena…
E lexova këtë varg dhe menjëherë mu kujtua Uitmani kur thotë…Poezia është fjala, fjala është dhimbja, dhimbja është njeriu. Nuk e di pse mendova se ky varg i Uitmanit ishte ose duhej të ishte vargu vijues në poezinë e mësipërme të Disantos, pavarësisht se dy poetët s’kanë asnjë lidhje kohore mes tyre.
I lexon vargjet e Disantos dhe të duket se poezia i rrjedh nëpër trup si gjaku ndër vena… Sikur ta dije
sa gjak derdh poeti
mbi fletët e bardha…
….Vetëm atëherë/…
fillon përsëri të jetojë…
Ajo, poezia i jep kuptim qënies së saj si njeri, ajo i jep frymë jetës së saj dhe ajo e flijon këtë jetë në shërbim të poezisë, duke na kujtuar në këtë çast thënien e Moikom Zeqos…Poezia i vret poetët….për ti bërë të pavdekshëm. Për ti bërë të pavdekshëm…
As mit, as Zot, por Hero
I ngjashëm me Poetin….
Heronjtë duhet tu ngjajnë poetëve
…unë do të kthehem
Do bëhem poezi
Do bëhem
varg i ngrohtë i shpirtit tend
për të larë plagët në heshtje
…thotë poetja, duke na shituar, duke na ngurtësuar në vend me këtë varg sa të bukur aq dhe domethënës. Dhe më tejë vargje që të shkaktojnë një drithërimë në shpirt tek thotë…
Dua të kthehem tek ty…
të shkrihem në vargje…
Këtu buron mendimi se…heronjve u numërohen plagët ndërsa poetëve u “matet” dhimbja.
Zefirit do ti besoj dhimbjen…shkruan poetja te “Vetmi” ndërsa mbrujt një ëndër dhe dëshirë njerëzore plot durim e shpresë duke na dhënë vargje me bukuri diamanti…
Veçse koha nuk ka ndalur për mua
që në heshtje tashmë
shikoj drejt së ardhmes.
Poeti krijon diamante të një lloji të veçantë, diamantëve poetikë që për nga bukuria dhe fortësia janë më vitalë se diamantët natyrorë.
Natyra krijon diamantet në gjirin e saj nga trysnia mbi elementin e karbonit, poetja Disanto, nën trysninë e dhimbjes shpirtërore krijon vargun, që është po aqë i bukur dhe i fortë sa diamanti. Procesi duket i njëtë, por ka një ndryshim, natyra e krijon diamantine duke vepruar si unitet elementësh dhe fenomenesh, poetja krijon diamantine poetik në vetmi, nën trysninë e dhimbjes së tij. Është një dhimbje e përbotëshme jo thjeshtë një dhimbje koke e dikujt, është një dhimbje gjithënjerëzore që mbartet te lexuesi me çdo varg të lexuar, është një dhimbje poetike që e ka emrin Giulia. Një dhimbje që çuditërisht kërkon ta përjetosh të tërën e jo ti shmangesh a ta mjekosh me ilaçe. Sepse është një dhimbje e bukur.
Duke lexuar librin”Nga zemra në qiell” të Disantos më lindi mendimi se “Poezi është dhimbja, jo plaga”.
Dhe duke folur për autoren Giulia Poli Disanto unë mund tju them se Giulia nuk është poete, poete në kuptimin rrëndomtë të krijueses së vargjeve. Ajo është vetë poezia e mishëruar në një trup, që ka një shpirt të mbushur plot me dhimbje.
Duke lexuar librin “Nga zemra në qiell” nuk lexuam poezitë, krijime të Giulias por u njohëm me Giulian, nëpërmjet poezive. Dhe tani që e njohëm duam ta kemi gjithmon pranë . Të dëgjojmë melodinë e shpirtit dhe vargjeve të saj, të ndjejmë aromën e fjalëve dhe nëpër to, të dëgjojmë ulërimën prej luaneshe të plagosur tek mbledh forcat e fundit, për një rendje të fundit, rendje që nuk ka mbarim.
Mirëseardhe Giulia!