E hene, 07.10.2024, 06:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Gjeçbritaj: Ulqini në penën e Nexhat Halimit

E enjte, 29.12.2016, 01:28 PM


ULQINI NË PENËN E SHKRIMTARIT NEXHAT HALIMI

(Lidhur me librin “Kërcimi i drenushës”, botuar nga Diti&Oli  më 2016 në Ulqin)

Nga Ali Gjeçbritaj

Shkrimtari Nexhat Halimi për lexuesin shqiptar në Mal të Zi (dhe jo vetëm ai) nuk është i panjohur, përkundrazi veprat e tij i njohin jo vetëm brezi im, por edhe brezat më të rinj, të cilët kanë patur rasin që të njihen me shkrimet e tij falë edhe botuesve tanë, sidomos Asociacionit Ulqini, gjegjësisht librarisë “Art”. Kjo falë edhe veprimtarisë së tij krijuese në të gjitha zhanret e letrave shqipe. (poezi për fëmijë, 6 vëllime,  poezi për të rritur 20 vëllime kjo e sotmja është e njëzetë e njëta, tregime 3 vëllime, katër romane, katër drama për fëmijë, një dramë për të rritur etj.) “Kërcimi i drenushës” është përmbledhja e 21 me poezi ndërsa si vepër letrare e 39 – ta. Pra një thesar i artë krijimtarie letrare..

Përmbledhja “Kërcimi i drenushës”, i cili në vete përmban 41 poezi për fëmijë dhe të rinj dhe 67 poezi për të rritur (që gjithsej bëjnë 108 poezi botuar nga botuesi DITI-OLI në Ulqin me pronar Gazmend Çitakun ) në shumë rrjedha dallon nga librat paraprak me poezi të autorit. Ky dallim shihet nga se 41 poezitë për fëmijë janë përfshirë në kapitullin e parë: A KA DETI ZEMËR dhe 67 të tjerat në kapitullin e dytë: ZOGU SJELL LAJMIN NË LIMAN.

Nga ana tjetër dallim thelbësor se si në kapitullin e parë poashtu edhe në të dytin poezitë i kushtohen terësisht Ulqinit gjë që për një poet që rrenjët i ka nga Toplica, nga Molla e kuqe e që reflekton me vargjet e tij  përmes kërcimit të sorkadhës, shijën e mollës, vrapin e drenushës  në valët e detit, bedemet e Kalasë kernare mbi 25 shekuj të vjetër e shkon deri tek Mbretëresha Teutë, pra gjithandej kah frymojnë trojet iliro –arbënore.

Tematika është e lidhur me truallin e njeriut  të këtushëm, me traditën me ullirin, detin, lashtësinë, vaporin, me vyrtytet me njerzore të popullit të cilit i takon.

Mbase mund ta kem gabim por s’mund të lë pa thënë se me ikjen  nga mesi jonë i disa shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë si Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Agim Deva, Ymer Elshani , Gani Xhafolli letërsia për fëmijë sidomos në Mal të Zi për një kohë të gjatë mbeti e varfëruar me botime cilësore. Ky libër menoj unë me pjesën e parë të saj s’do mend se e pasuron lëtersinë për fëmijë dhe të rinjë në Mal të Zi.

Shkrimtari Nexhat Halimi është njëri ndër zërat më të fuqishëm të poezisë bashkëkohore, poezisë moderne në Kosovë dhe jo vetëm.

Krijimtaria poetike e Halimit ka ngacmuar vetëdijën kritike me veçantinë unike  të ligjërimit poetik e cila sipas Sabri Hamitit “është ligjërim i ashpër  dhe i dhëmbëshëm në të njëjtën kohë, i kapur për ashti të fjalës dhe ligjërimit, poezi që përmban në vete ethet e kohës”, ndërsa Mensur Raifi thekson se “poezitë e Nexhat Haimit janë margaritarë të vertetë poezie- kurorë e gërshetuar në formë funkcionale në shkallëzimin në gradacionin e një  dhëmbje intime”. Edhe poezitë e “KËRCIMIT TË DRENUSHES” s’kanë si të jenë ndryshe por xhevahirë që vijnë e derdhën në Ulqin. Kur e them këtë kam parasysh se vepra që po përurojmë sonte këtu është pa dyshim libri më i kompletuar me poezi që një autor i kushton qytetit tonë. Kjo përmbledhje – mozaik me harmoni ngjyrash me tone të gjalla, aktuale e historike poeti e ka realizaur me përkushtim me dashuri të madhe për këtë qytet, perlë e Adriatikut. Krijuesit ulqinakë duhet t’ia kenë zili, unë si një krijues modest e admiroj për këtë.

Se sa e do detin poeti dhe sa e admiron ate në një poezi poeti shprehet:

Për çdo vit nga deti një tufë lulesh deti

E marrin nga Ulqini ilaç me veti

E sjellin të gjelbër  në qytet në shtëpi

Në dritare të frymojë kaltërsi.

(poezia “Një algë deti”)

Ose

Befas në dritarën e kalasë me qemer

Dea heton Teutën, mbretëreshën mitike

Flet diçka me ngashërim nën ylber

Shiu tashmë është ndalë pikë pas pike.

Poezitë  në “Kërcimin e drenushës” i ngjasin qiellit me plot yje e flutura, me pulëbardhat në fluturim, qielli i kaltër me hënën në sfondin e pafund të imagjinatës por ndihën edhe ngjyrime të dhëmbjës.

Me një bri të thyer-hije një buallicë

Shkelë arat me grurë të ndezur në Toplicë

E – Korriku, me plagën time në gji

Digjet nga malli i gjakut për Çamëri

E pikë mollë e kuqe në gurë e pelcet

E pikë në gurë të vjetër fiku kaq vjet!

Lexuesi përveç kënaqësisë që do të përjetoj  duke e lexuar librin do të kapërcej dhe mbi copëzat e lumturisë së jetës dhe vështirësit e saj. Do të mësoj përmes vargjeve rrjedhën e moteve në këtë qytet, historinë e tij mbi 2500 vjeçare, të shkuarën, të sotmën, baticat dhe zbaticat, gëzimet dhe hidhërimet, dashurin për jetën, bukurinë që ofron ky qytet, detin , valët, pulëbardhat, vaporët, ullinjët etj, simbolika këto me tipare të veçanta .

Në poezinë: HIJA E FATIT poeti mes tjerash në strofen e dytë shprehet:

E unë kurrë t’a dalloj është kurmi a hija

Ec, udhës dy mijë vjet mes ullinjësh

Ik kopshtit të edenit me ty për dore

A po vjen prap i njëjt mjekerbardhë

Vëllimi poetik “Kërcimi i drenushës “  sot po i shtorhet në sofrën e dijës lexuesit, dashamirësëve të fjalës së shkruar për ta patur ushqim të shpirtit. Në këtë sofër të madhe që sot na e shtroi këtu në Ulqin shkrimatri Naxhat Halimi ka ushqim të bollshëm jo vetëm për ulqinakët por për të gjithë dashamirët e artit  të të gjitha moshave.

Këtë dhuratë sonte e tutje  s’do mend se lexuesi e ka dhuratë që buron nga mendja e ndritur dhe penda e artë e shkrimtarit Nexhat Halimi

Në fund më lejoni t’ua lexoj vargjet e poezisë “Kërcimi i drenushës” emrin të cilit e mban edhe përmbledhja:

KËRCIMI I DRENUSHËS

 

gjakshkrimi im është veç syri yt

kërcimi i drenushës mbi ylber

 

ja sesi gjeli i përgjakur ik nga hëna

e unë sodis i pushtuar nga liqeni

me guacë të zemrës së çelur në ty

 

veç fjalën e paThënë të ujit

e end vrimës së gjilpërës

 

unë dhe varka dhe lulja e bukur

e hëna në perin e gjakut të ëndrrës

në udhëtim rreth vetvetes

 

zot cili është bregu e cila zemra

 

ja pik veç tambël dhe pema digjet

pik veç gjak dhe çel agu yt i rrënjës

si  kërcim i drenushës mbi ujë

 

e unë digjem fjalës së paThënë



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora