E shtune, 27.04.2024, 02:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Thanas Gjika: Shqiptarët 1 atdhe, jo disa

E diele, 16.10.2016, 09:01 AM


SHQIPTARËT DUHET TË KENË NJË ATDHE, JO DISA ATDHE

(Vlerësime për librin “Në strofullën e djallit” të Shpëtim Pollozhanit)

Nga Thanas L. GJIKA

Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë të Maqedonisë me qendër në Shkup, botoi në vitin 2015 librin “Në strofullën e djallit” të ish të burgosurit politik Shpëtim Pollozhani. Ai ka vite që është kryetar i Shoqatës së ish të përndjekurve të Maqedonisë (The association of former political prisoners).

Ishte një fat për mua dhe bashkëshorten time Julia, që në gusht të këtij viti gjatë udhëtimit për të shpërndarë në Kosovë e Maqedoni, librin tim “Mosdënimi i krimit është krim i ri” (OMSCA-1 Tiranë 2016), u ndalëm dhe në Strugë, ku miqtë tanë Agim Vinca dhe Ferid Abdullahu na njohën me z. Pollozhani, një nga veprimtarët më të shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare të Maqedonisë. Pasi u njohëm me të në lokalet e bukura të shqiptarëve anës lumit Drin, ai na dhuroi këtë libër dhe na vuri në dijeni se së shpejti do të botojë dhe dy vëllime të tjera si vijim, ku do të trajtojë lëvizjen kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë pas shkërmoqjes së Jugosllavisë së Titosin, pra veprimtarinë e tij e të bashkëpunëtorëve të tij të pas vitit 1991.

Në strofullën e djallit” autori ka përmbledhur në 380 faqe të formatit të madh, ngjarje, kujtime, mbresa nga vitet 1980-1989 kur ai vuajti dënimet në burgjet e RSF të Maqedonisë, në burgjet e Strugës, Manastirit, Ohrit, Idrizovës dhe së fundi në burgun e Kotorit të Malit të Zi.

Ngjarjet dhe personat historikë që përshkruhen aty janë autentikë, pa zbukurime letrareske. Tipar kryesor i këtij libri është besnikëria në riprodhimin e ngjarjeve dhe në përshkrimin e jetës në ato burgje ku nëpunësit, policët, rojet dhe shërbëtorët e tyre, këto qenie çnjerëzore, ua bënin jetën të burgosurve shqiptarë shumë shumë të rëndë derisa disa binin në depresion e vrisnin veten.

Që në faqet e para ndjehet se autori është një penë e talentuar dhe me kulturë (ka mbaruar shkollën e lartë dhe ka marrë formim të mëtejshëm përmes leximit të shumë veprave në disa gjuhë të huaja). Ai ia ka arritur që përmes përshkrimit me stil letrar, mbushur shpesh me sentenca popullore e me thënie nga shkrimtarë e filozofë të njohur, të bëjë tërheqës përshkrimin e jetës në atë ferr, gjë që e tërheq lexuesin derisa e mbaron veprën. Ai nuk mjaftohet vetëm me rrëfimin e jetës së rëndë plot mungesa e vuajtje dhe të torurave që i bëheshin atij dhe të burgosurve të tjerë, por e mbush veprën me gjithçka nga jeta brenda burgjeve, jetë e cila nuk ishte thjesht një nënshtrim a vegjetim, por e mbushur me aktivitete të ndryshme të fshehta nën hundën e policëve, rojeve dhe spiunëve. Të paharrueshëm janë dhe shokët e tij me të cilët ai bashkëvuante e bashkëpunonte në ato kushte aq të vështira. Midis tyre përmenden Zaim Beqiri, Esat Abduramani, Destan Aliu, Bashkim Mashkulli, Kastriot Haxhirexha, Muadin Bajrami, Halit Naxhaku, Bejtulla Ademi, Fadil Bajrami, imam Kadri Pollozhani, etj, etj, të cilët ai i përmend me mirënjohje për veprimtarinë e përbashkët. Veprimtari që shpuri në ndërgjegjësimin e shumë të burgosurve, në kthimin e tyre nga katundarë indiferentë në të përvuajtur që e kuptonin se kush ishin fajtorët e vëtetë të vuajteve të tyre dhe të dinin si të silleshin me ta me dinjitet. Përmes kësaj pune të kujdesshme, vitet e burgimit për shumë fshatarë me origjinë nga zona të thella rurale ktheheshin në një shkollë të vërtetë...

Për të ndihmuar të dënuarit, autori tregon se si arriti të krijonte brenda burgut një bibliotekë të fshehtë me libra, një farmaci me disa barna të urgjencës, thika e çelsa për nevoja të të burgosurve. E gjithë kjo prapavijë e fshehtë, por shumë e dobishme për jetën e të dënuarve u krijua prej Shpëtimit përmes familjarëve të tij, të cilët me sakrifica arrinin të siguronin e të sillnin gjatë takimeve sendet që ai ua porosiste. Përshkrimet e takimeve shpalosin jetën familjare të autorit, ndjenjat fisnike dhe karakterin burrnor të tij dhe të familjarëve si bashkëshortja Xhevahire, nëna Ikbale, vëllai farmacist Bashkimi, vajzat Vjosa, Leza dhe Luleza, rritjen e të cilave babai i burgosur e vërente gjatë takimeve, kur ato i recitonin vargje të shkruara për të.

Marrëdhëniet e popullit shqiptar me qeveritarët maqedonë autori i ka përshkruar përmes skenave ku ai tregon momente nga gjyqet e tij, nga kontaktet me nëpunësit e burgut. Në të tilla marrëdhënie jepet mendësia atavike antishqiptare e të tillëve njerëz, të cilët përfaqësonin pushtetin e kohës. Pushtet hipokrit, i cili në botë e propagandonte Jugosllavinë si etalon të “bashkim-vllazërimit” të popujve, por që në praktikë vlonte antishqiptarizmi i shfrenuar.

Ky antishqiptarizëm, thotë autori në bisedat gojore me ne, u ka hyrë kaqe shumë në gjak maqedonëve, sa edhe sot ata na shikojnë dhe na trajtojnë ne shqiptarëve si popull të dorës së dytë. Nuk mund ta pranojnë popullin shqiptar si popull i barabartë edhe pse sot është krijuar një brez i ri i shkolluar në universitetet e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe kjo urrejtje do ta shpjerë Maqedoninë drejt shkatërimit si shtet, sepse krahas ne shqiptarëve të pakënaqur janë edhe shumë banorë të viseve lindore të Maqedonisë të cilët janë shpallur si bullgarë dhe kërkojnë të njihen si minoritet kombëtar bullgar. Kështu kombi maqedon sot përben një pakicë në shtetin e shpallur si Maqedoni. Pra si mund të ekzistojë ky shtet ku të quajturat pakica kombëtare shqiptare dhe ajo bullgare, të cilat përbëjnë shumicën, nuk kanë të drejta të barabarta me maqedonët, që përbëjnë pakicën. Ky shtet me këtë politikë nuk mund të shkojë përpara dhe nuk ka si të hyjë në Bashkimin Europian.

Ne shqiptarëve nuk na janë dashur dhe nuk na duhen disa atdhe, na është dashur dhe na duhet vetëm një atdhe dhe atë e kemi, Shqipërinë. Këtë e kam thënë dhe në vepër. Pra vetë sjellja antishqiptare e maqedonëve dhe e sërbëve, na ka ndihmuar dhe na ndihmon të kuptojmë se e ardhmja jonë më e mirë është bashkimi në një shtet shqiptar...” Të tilla vlerësime të veprimtarit dhe politikanit Pollozhani nuk mund t'i kundërshtojë asnjë politikan shqiptar.

Vepra shquhet dhe për aspektin e saj letrar, të cilin e pasurojnë mjaft përshkrime plot lirizëm për disa qenie të gjalla sado të vogla, si merimanga, milingona ose një çift trumcakësh, që i bëhen pjesëtarë të jetës autorit në kohën e izoluar të burgut. Në po këtë funksion janë dhe përshkrimet me dramacitet të disa ngjarjeve njerëzore. Të tillë pasazhe janë përshkrimet e kontrolleve të befasishme, puna e fshehtë për krijimin e mjeteve të ndryshme për të ndihmuar bashkëvuajtësit, riprodhimi i takimeve të shumëpritura me familjarët, sidomos ai në burgun e Kotorit. Ky takim, ndryshe nga takimet në burgun e Idrizovës, kërkonte që familjarët të kryenin qindra kilometra rrugë, dy netë fjetje nëpër hotele dhe plus këtyre një herë ndodhi dhe një aksident automobilistik gjatë të cilit u plagosën nëna e bashkëshortja, etj.

Jo rallë autori riprodhon vargje të disa poetëve tanë të shquar si At Gjergj Fishta, Faik Konica, etj, ose vargje nga krijimtaria popullore, etj. Pollozhani e pëlqen shumë frymën kritike të Faik Konicës ndaj shqptarëve, prandaj ai për të kritikuar politikanët shqiptarë të RFJ të Maqedonisë citon vargjet:

“Sot kanë dalë ca zuazarë.

Që u lintnë shqipëtarë

E punojnë natë e ditë

Që të mbetemi pa dritë.

Eshtë turp prej kësi krimbash

Të mundohet një komb trimash.” (f.329)

 

Për pasurinë e madhe jetësore të përfshirë në këtë vepër, z. Remzi Zeqja, hartuesi i parathënies së kësaj vepre, me të drejtë, thekson se ky libër mund të cilësohet si “një enciklopedi e vuajtjes gjer në mbijetesë.” (f. 5).

Besnikëria e rrefimit të ngjarjeve përmes një stili të këndshëm letrar na shtyjnë që këtë vepër ta fusim në radhën e veprave më të mira të letërsisë dokumentare shqipe me tematikë nga burgologjia shqiptare.

Propaganda zyrtare e Jugosllavisë së Titos e të Milosheviçit, si thamë e më lart, e paraqiste jetën e atij shteti si një parajsë të bashkim-vllazërimit të popujve. Mirëpo shqiptarët e Kosovës, ata të Maqedonisë, të Malit të Zi e të Sërbisë jugore, vuanin një shtypje të pabesueshme, sepse antishqiptarizmi dhe urrejtja ndaj shqiptarëve ushqehej si virtut tek sërbët, maqedonët e malazestë prej atij regjimi që shitej si regjim liberal komunist. E pikërisht këtë atmosferë poshtëruese e torturuese të shqiptarëve kanë në qendër disa vepra të Adem Demaçit për shqiptarët e Kosovës dhe kjo vepër e Shpëtim Pollozhanit për shqiptarët e Maqedonisë.

Veprimtaria atdhetare dhe vuajtjet e autorit të këtij libri nëpër burgjet e ish Jugosllavisë, na kujtojnë vuajtjet e shumë atdhetarëve të tjerë të përmendur në librin e z. Myrteza Bajraktari “Një vështrim tjetër i historisë” (WESTPRINT, Tiranë, 2011, 276 f.).

Mbas leximit të vëmendshëm të këtij libri, bindesh se populli shqiptar i Maqedonisë, që në kohën e Jugosllavisë së Titos e të Miloshevicit, ka ecur drejt forcimit të ndërgjegjes së tij kombëtare. Ai e meriton atë vlerësimin që i pati bërë njëzet e ca vjet më parë, studiuesi, poeti, kritiku, analisti, profesori Agim Vinca, i cili e quajti “Popull i pandalur”, në përmbledhjen e tij me analiza e polemika me këtë titull.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora