E shtune, 27.04.2024, 04:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Hasan Selimi: Porositë e Tahir Bezhanit

E diele, 16.10.2016, 09:51 AM


P O R O S I T Ë e Tahir Bezhanit

Nga Hasan SELIMI

Krejt rastësisht sot në rrjetin social facebook lexova poezinë e poetit gjakovar Tahir Bezhani,  me titull “ POROSIA”. Po lexoja këtë poezi, po e rilexoja dhe mendjen e pata çue aq larg sa m’u duk, se nuk jam në realitetin objektiv. Fluturoi mendja atje e këtu, sa ndonjëherë nuk e dija, se ku jam. Ndodh, kur je në vende që nuk i ke parë ndonjëherë duhet të pyesish, se ku je, apo ku jam. Por unë nuk pata, se cilin të pyes, pasi mendja ishte aq iluzioniste, sa nuk më la kohë as të fotografojë ndonjë nga ato vende, as të orientohem që të di të tregoj për ngjyrën e atyre vendeve, me bukurinë e pa kursyer, që krijuesi iu kishte dhënë, apo për emrin e tyre, që mund t’i quash si të duash. Ti quash si të duash, pasi kishte mjaft emra të bukur, që iu shkonte. Diçka fitova nga ky rrugëtim imagjinar, pasi mendja më dha një panoramë të krejt idesë filozofike të mendsisë së poetit.

Më kaloj mendja në kulla e kullë pas kulle qysh, se është ndërtuar kulla e parë në vendin tim e sot. Më kaloj mendja në kufijtë e Europës, të Amerikës, të Azisë, Afrikës dhe imagjinova kufoma emigrantësh, bile edhe migrantësh. Kufoma fatkeqësh, kufoma hjekakeqësh, kufoma që mua më dukeshin se i njoh të gjithë.  Më dukeshin  se i kam vëllezër, kushërinj, dajë, apo miq të njohur të jetës sime, me shumë pak ngjasim me këtë të kohës, që po kalojmë. Mendja udhëtoi në qytete me drita shumë dhe më dukej një lpe e hollë, sa mezi dalloja njerëz rrugës. Ata njerëz, që mezi përcillnin hapat nga ngarkesa e kohës. Me ngarkesë që mbartte edhe atë që nuk e thua dot. Mendja rrugëtoi në kancelaritë e shteteve dhe dalloi njerëz fallco, që takoheshin dhe bisedonin prapa krahëve e me zë të vogël, sa nuk dëgjonin as veten. Mendja kulloti rudinave të bjeshkëve Shqiptare dhe gjeti oksigjenin e nevojshëm për t’i dhanë poetit një përqafim.

Kur e lexon poezinë e Tahirit “Porosia” të vijnë në mendje porositë, që iu jepen në fund të jetës njerëzve të afërt. Por jo. Kur e rilexon të vjen në mendje një filozofi krejt aktuale. Kur gjithçka e bukur ka ardhur si në venitje. Gjithçka e bukur ka ardhur si në harrim. Kur gjithçka traditore ka ardhur në një shndërrim, që nuk iu pëlqen as atyre që e predikojnë. Kur tash gjëja e jote më duket ma e mirë se e imja e më duhet ta marr, ose ta zhvlerësoj tënden. Kur tash sa vjen edhe suksesi yt më zë frymën. E ku deliret zëvendësojnë njëra-tjetrën si rekrutët ushtrinë, ose si gjethi sythin, ose si gotat e rakisë, pijaneci i kjoskës së ndryshkur.

E poeti po jep një porosi për të gjithë. Një porosi si me vllanë, si me mikun e krejt shqiptarëve e kush di të lexoj shqip. Bile shkon aq larg, sa kalon kufijtë e shqipes dhe porositë mbarë shoqërinë njerëzore të ruaj vlerat e veta, dhe të shkoj për kah e mira, për kah ardhmëria e njomëzimi i mallit me kulturën e vet e njerëzit e vet.

Poeti Tahir Bezhani flet me një filozofi të rrallë e të parrahume prej kohësh. Ai flet e nënflet si Rilindasit. Ai po ngre një ngrehinë që askujt nuk po i shkon në mendje. Ai po thërret me piskamë, se duhet të jemi në një strehëz. Ai po thotë që bjeshkët, lumenjtë, pyjet, arat e bashtinat i kemi bashkë. Ai sa nuk po thotë, se kemi derdh gjak për këtë të përbashkët. Ai me nënmendimin e tij e rrok mjaft bukur diplomatikën e çështjes së Atdheut, copëtimin e Tij të kahershëm dhe rrezikimin e Tij tani.

Jam lodhur rrugëve të botës, thotë Tahir Bezhani i Gjakovës. Don të ngushëllohet me dikënd. Ka mendue se mund të ngushëllohet me lexuesin. E ka nxjerrë si shpërthim vullkani të voktë inatin me vetveten e tij. Ai ka bá boll debat e muhabet burri me miqtë e vet, që tash po i thonë mik, gati gjithkujt. E kaq shumë është përzierë fjala mik, sa është përlloç e nuk po dimë, se kush është miku, kumara, kojshia, shoqi, katundari, kushërini a vllau, pa lere ma armiku, që shumë raste po i thërrasim mik.Të gjithë i kanë futur në një thes, si për gati marre me thanë. E tash i gjeti do fjalë që i ka të bollshme, atje nga fundi i shpirtit dhe vendosi t’i dërgoi për treg të ri. Edhe në Treg të Ri, atje që tash sa vjet e quajnë Novi Pazar. Këtu është fjala për treg të ri, siç po i themi sot kohës së sodit. Siç po i thonë rrjetet sociale, sot po i thonë si të duash, por komunikimi është i vlefshëm, jo vetëm me ngushëllue veten, por edhe për të shoshitë diçka që nuk është situr mirë. E konsumi mediatik i mendimit është shoshitje, është mendësi që duhet situr si mendim progresist e jo mëri e mendimit ndryshe.

Në harkun kohor të jetës së egër, siç i kemi thanë e mësuar nga historia një POROSI ka ardhë trashëgim, që dera e shtëpisë të mos mbyllet e dritaret të nxjerrin dritë nga fitili i llomes, i fenerit, apo i bishtukut. Kjo të vazhdoi deri vonë pas territ të mbrëmjes. Bile dikur ka qënë një kandil i ndezun tek dera e avllisë, që të shndritin deri në mëngjes.

Porositë janë bá si zakon kaherë të jepen nga njerëz të mëdhenj, që bajnë kthesa historike. Ata që në një kohë e vendin e duhur i nxori fati, apo nevoja koshiente e kombit. Ata, që ne sot iu themi Rilindasit e para njëmijë e nëntëqindës. Ata që banë epokë me porositë e tyre. Por â është poeti ynë në  rresht me këta, që ne i quajmë Korifejtë e Kombit?  Njeriu në veçanti dhe njerëzit në përgjithësi kanë hapin e vet, kanë peshën e vet dhe maten me to. Ata nuk maten me hapin dhe peshën e dikujt, që nuk i përket peshës dhe hapit të tij. Njëherë, në një mot të largët, një burrë i mençur i Malësisë tha: “Burrë i mençur është ai, që e njeh kohën dhe ecën bashkë me të”. Ja çfarë filozofie ka dhënë malësori ynë, në atë kohë i pa shkolluar si gjithë ballkanasit. Poeti ynë nga Gjakova e njeh veten dhe don ta nxjerrin kohën nga hendeku i baltuem. Në rrugtimin poetik të filozofisë së tij ai gdhend veten, kohën, intelegjiencën dhe gjeniun popull, pa harruar gjenialitetin e vehtes. Flas krejt kollaj për të, se ka një numër që shkon në shtatëmbëdhjetë botime krijimtaria e tij. E pse mos ta quajmë korifej? E pse mos ta quajmë gjeni? E pse çka jemi ne para Din Mehmetit, që e ka vlerësue e pranuar në rradhën e krijuesve gjakovarë?

E ja, çka iu thotë poeti miqve dhe vllezërve të vet, të gjakut Shqiptar: “Sado vonë do të shkoj do të vini në strehëzen time”/“Mund të ketë erëra, vetëtim, bubullim”, por mos harroni derën dhe porosinë time. Porosinë time, jo si profet, edhe pse jam i tillë, por si vëlla, si derëçelun qysh se ka lé i pari im. Sepse ne jemi këtu qyshse ka bi lisi e sot. Të ndamë e të coptuem, por shpirti im herë tek ti, e i yti herë tek unë, e i yti e i imi bashkë. Kështu i stërvitun dhe rrugëtar, por me koshiencën e përbashkësisë.

Poeti krejt në mënyrë brilante i thërret Shqiptarizmës që të mos e lënë derën e kullës të mbyllur. Të lanë pakëz dritaren të hapur, se mos ktheheni vet vonë. Se mos jeni të lodhun rrugëve të Europës. Se mos keni ngarkuar mbi shpatullat e juaja urrejtje. Se mos keni mbartur me vete vese të përçudëta, që ne nuk i kemi pasur kurrë. E nga këto, se mos nuk e njihni derën tuaj, kur të afroheni. E kjo, se mos jeni çoroditur atyre rrugëve. Se mos jua ka marrë sytë llampa e neonit të qytet-shteteve të mëdha të Europë-Amerikës. E tash dera e Kullës tënde të duket si derë shpelle e po banë ndonjë të pabame. E kjo e pa bamja në shtëpinë tënde e ka zanin e madh.

Nuk pushon poeti në porosi, apo ngushllim si të doni merreni. Ai porositë, ai ngushëllon edhe veten, se është lodhur aty, në Gjakovë, duke e kthyer kryet mbrapa, a mos po i thërret dikush, që i ngjan. E ngujoren mbrapa mos e zgidhni të fortë, se sa do të ketë erë nuk ju shplon, nëse nuk doni ju. Eh, kjo ngujorja e derës. Më jep ndjesi të vjetër e të re. Ai bahet me dru edhe me hekur. Por ngujorja e mbas vetes është halli i kohës dhe shndërrimeve nga një formacion ekonomik e shoqëror në tjetrin. E, ne e kemi zakon t’i shkelim dhe t’i kalojmë etapat. E harroj ngujoren e pikun për mbrapa derës e ku të duash e si të duash merre.

Nga largësia në kohë ky poet kujton, se si në terr’ edhe në dritë buka edhe uji hahen edhe pihen si në verë edhe në dimër. E ngjarjet e varfërisë nuk vijnë nga mospasja, por vijnë nga boshllëku shpirtëror. Kur ngutesh të tregosh se je pa bukë, ke me thirrë, se vjen dikush prej kojshisë me një tepsi miell. E kjo tepsi me miell ka me të nxjerrë tri bukë, njëren për shtëpi, njëren për mysafirin dhe njëren me ia falë rrugëtarit pa emër.

Sidoqë të jetë, o Tahir, tek ti do të vijmë të gjithë. E nga ngushllimi i madh e nga urimi presim, që ne të jemi në moshën tënde, të jemi nën krijimtarinë tënde, të jemi nën dashurinë tënde, të jemi nën oreksinë e fjalës së ëmbël, që ti e nxjerrë. Shpesh edhe gabojmë, edhe ngutemi, edhe gëzojmë e mërzitemi pa vend e me vend, por nuk kemi qëllim që të mërzitim ty. Ne e dijmë, që Ti ke deshirë të rrish çdo ditë nga dy, apo katër orë me miqtë e vllaznit e tu, por ja, që jeta ka edhe rruga. Këta rrugaçët e sotit i kanë quajt’ shumë kohë përpara ”të shkujdesunit’.  E shkujdesja të mos na merret, që s`kemi deshirë, po me këso vargjesh krejt filozofi na godit nganjëherë, se na ban mirë.

Terr e dritë një kuptim kanë, bukëngrënë. Po, po një kuptim kanë, por jo si bagëtia. Dikur thoshin në një sllagon “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Po kjo është e drejta e çdo shqiptari. Është e drejtë, sepse Shqipëria ka qënë dhe ka dhënë kontributin e saj në të gjitha shkallët e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të Europës. Ka dhënë këtë kontribut edhe në perandoritë e tjera botërore. Kemi fakte, që i kemi parë dhe lexuar në proces dhe po dalin ditë për ditë. Po kush është dritë e terr’. Kush është bukë ngrëni i Tahirit, jo vetëm plak nga mendja, por edhe plak si patriot i djegun për ç’ka na takon. Ai po flet për ata që kanë mend në krye dhe sy me pa, se bota po rrotullohet kah njëqindvjeçari i ardhshëm e nuk po dijmë, se ku po na nxjerrë anija e këtij njëqindvjeçari. Se për bacen Tahir ikën gati dy dekada e ne në finish akoma.

Në tërë proçesionin tonë si komb dhe si komb i ndarë kemi qënë në terr’ për njani- tjetrin. Pra, njëra pjesë e trupit ka qënë në errësinë nga mungesa e pjesës tjetër. E tash jemi në terr, se po ikin tërë djelmnia dhe rinia në përgjithësi. Vijnë sa për martesë në verë, bile krejt në gusht. Marrin nuse vajzat shqiptare e kjo është shumë e mirë, ikin si mos me pasë qënë kurrë. E Shqipëria në terr e në terr’.

Për çka ngelet tash poeti! Bukë ngrënë? Duhet ushqimi për njeriun, pasi rrënjtë nuk i ka në tokë. Kjo lloj qënie, siç është njeriu, ushqehet nga goja. E kjo njëherë në vit nga gurbeti i largët. Krejt këto vende botërore, po i furnizojmë me gjak të ri, e veten tonë e vendin tonë po e lëmë me ara e bashtina djerrë e pa zot. E fundi i gjithçkaje në këtë poezi e në përgjithësi e në këtë varg në veçanti konkludon, se për një copë bukë po tretem.

Shpirtin zbrazët e kam. Fitili i llomës time ndrit më shumë, se dritat e neonit në Amerikë. Si mos me qënë i zbrazët shpirti i një krijuesi, shpirti i një poeti e aq më shumë i një patrioti, si Tahir Bezhani. Ky njeri nga Smolica e Gjakovës ka një shpirt që rrallë bie në pesimiziëm. Por, kur pesimizmi e pushton ai shpërthen, sikur lumenjtë në vjeshtën e vonë në Malësi. Shpërthen lumi nga shinat e vjeshtës dhe tërbohen. Mbajnë lisa, coftina të egra e të buta, deri edhe njerëz hjekakeq e të vobektë që për një dhi jep jetën. E këtë e banë për një vakt bukë me kos. E ky malësor ka bâ luftë me natyrën e egër deri në vetmohim, e derën e kullës nuk e ka mbyll për pak salltanet, për pak aheng, për pak furrnizim me mendje të mëdhe, që rruga i nxjerr edhe për deshirë të vet, edhe për nevojën tënde. Ky, Shqiptar i kulluem e ka mbajtë vendin, kullën, bagtinë e teprume, fëmijët e shpëtuem nga katastrofa natyrore dhe kullën e ka patur me dritë në derën e madhe.

U çmend poeti, thërret: Shpirtin e kam bosh. Pesimizëm i pa shoq. Ky pesimizëm kalon krejt Gjakovën e bahet hije e zezë në mendjen e tërë gjenisë shqiptare, pra të tërë krijimtarisë kombëtare. Ja pra, për çka moralizohet poeti ynë Gjakovar. Fitili i llomës time banë dritë më shumë se neonet në Amerikë. A thue është optimizëm i pa qënë. Jo. Eshtë plotësisht e saktë, që fitili i llomës së poetit, ai fitili i zhuritun nga vajguri e zjarri bashkë, ka dritë më shumë se çdo llambadar në botë. Unë dhe poeti flasim për fitilin e kullës tonë derë çelur e dritare pakëz hapur. Poeti flet për krijimtarinë, llomendritur, me fitil flakë të paraardhësve të vet si: Ali Podrimja, Din Mehmeti, Dritëro Agolli, Frederik Reshpja, Ali Asllani, Bilal Xhaferi, Ndoc Gjetja e të tjerë.

Drita e shpirtit të poetit lidhet aty ku ka edhe besim, dhe koshienca e tij lidhet me rikthimin ose ringjalljen. Jeta qënka e ngatrrueme. Djalëria po të lenka shumë pengje, që nuk mund t’i tregosh. Edhe po ti tregosh nuk të ka hije. Bahesh i pabesueshëm dhe gati-gati qesharak. Por diçka është gjithmonë e kohës, siç po i thonë sot, aktuale. Poeti don të rrijnë dera pakëz çelë, bile edhe dritarja se, nëse nuk vjen fizikisht me koshiencën e super mendimit detyronjës do të kthehet poeti si Konstandini, Omeri, si Eposi. Po, po, do t’i vijë shpirti deri aty si në epos, si në legjenda, pa harruar mishërimin e vërtetë si element i rikthimit në një formë tjetër, por i mbështjellun në jetën pa formë.

Në kullën e çdo Shqiptari të tretun në udhët e botës do të ketë dritë, bile edhe derë e dritare pakëz hapur. Po, do të rrijnë hapur se mos kthehet njëri nga ata, që janë dhe duhet të jenë pronarë. Do të kthehet shpirti i cilitdo, që është pronar i përhershëm. Do të vijë aty, do të çmallet dhe do të ngushllohet me reliket e odës së vet. Do të bashkëbisedoi me to, si me lahutën, çiftelin, sharkin, armët e vjetra e të reja, tespihet e gjyshit e të babës, fotografinë e nanës dhe të gjithë njerëzve të tjerë. Në odën e gjumit të dhëndrrisë do të fërkojnë çarçafët dhe do të fshijnë avullin e xhamit të dritares, lënë nga afshi i të bukurës jetë. Ja, kjo është, se duhet të rrinë derë edhe dritare të kullës pakëz hapur. E. kjo të paktën për pak respekt të shpirtit, si partner i barabartë i formës tënde.

Sado vonë të jetë, do të vini në strehëzen time. Gjithkund ku kemi shkuar si në migracion, si në emigracion. Ne kemi dhe do të kemi mendjen tek ferra e oborr-shtëpisë sonë. Poetin e ngacmon dhe i ngacmon të gjithë me sedrën e vet. Edhe ngushllimi këtu vjen e thahet, edhe pesimizmi, këtu vjen e digjet, optimizmi realizohet deri sa thërret: Sado vonë të jetë prapë në lug do të vini. Pra, fjala lug do të thotë: “Këtu do të kërkoni ushqimin e jetës”. Këtu është ushqimi ma i mirë dhe këtu është jeta ma e dlirë. E traditën e të parëve mos e harroni, porosit poeti. E më e bukura e gjithë kësaj është gjetja, që ban poeti ynë, ndjesinë që na jep me këtë gjetje dhe ndikimi i tij ndaj nesh, deri në përlotje.

________________

 

Poezia e Tahir Bezhanit

 

PO R O S I

Mos e mbyllni derën e kullës

As dritaret,leni pakës të hapura.

Mos u veni ngujore të forta prapa

Ani se,

Mund të ketë erëra,vetëtimë,bubullimë

Sado vonë

Do vij nën strehën time

Jam lodhë rrugëve të botës

Terr e dritë një kuptim e kanë

Bukë ngrëna

Shpirtin zbraztë e kam

Fitili i llambës ime ndritë

Më shumë se dritat neonit në Amerikë

Mos mbyllni dritare as derë,

Në mos unë,

Shpirti në kullën time vjen...

Z. Lushaj, poeti gjakovar Tahir Bezhani e R. Lushaj. (Bajram Curr, 2016)

-Per ZemraShqiptare, nga Shqiperia Bregdetare, 16 Tetor 2016-



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora