Kulturë
Murat Gecaj: Nderim për Thanas Dhespon
E merkure, 24.08.2016, 06:58 PM
Nga e djathta: K.Kapetani, M.Gecaj, V.Dhespo, V.Kapetani e N.Ligori (Tiranë,19.08.2016)
NDERIM PËR THANAS DHESPON, “ZHEJOTI FISNIK, QË SFIDOI KALVARIN”…
Nga Prof. Murat Gecaj
“Thanas Dhespo e ka hak pozicionimin në elitën e intelektualëve të shquar të vendit të vet…”(Fransua Miteran, ish-Presidenti i Francës)
Koha ikën, si pa u ndjerë…Por ajo lë gjurmë të pashlyera në jetën e secilit. Afër katër vjet më parë, pata kënaqësinë që të merrja pjesë në përurimin e librit kushtuar birit të njohur të Zhejës së Zagorisë, në Gjirokastër, Thanas Dhespo. Me atë rat, publikova një shkrim modest. Nuk e kisha “harruar” takimin me atë dhe as ceromoninë e bukur, që u organuizua në Muzeun Historik Kombëtar. Por, megjithatë, nuk më ishte dhënë rasti të mësoja më tej për gjendjen e tij, ta takoja atë prapë ose bashkëshorten, Virgjilicën (Nicën). Por ja që, përsëri, pikërisht kjo u bë nismëtare për t’u takuar e për të biseduar, si për të nderuarin Thanas Dhespo, por dhe për tema të tjera të jetës. Kështu, sot paradite ajo na ftoi të pinim kafe së bashku, në afërsi të shkollës 9-vjeçare të kryeqytetit, “Vasil Shanto”. Aty ndodheshim: unë, Nica, Kiço Kapetani me bashkëshorte Violetën dhe Niko Ligori. Ishin ftuar edhe disa veta të tjerë, por nuk patën mundësi që të vinin, për arsye të ndryshme. Ndër të tjera, aty mësuam se familja e Th.Dhespos, nga dëmshpërblimi i përfituar, një sasi të konsiderueshme parashë do ta dhurojë për fëmijët e sëmurë talasemikë.
Me këtë rast, në këtë takim të ngrohtë, bashkëshortja e tij na dhuroi disa fotografi etj., por dhe një kasetë, nga ceremonia e zhvilluar në Presidencë, më 24 tetor 2013, për nder të Thanas Dhespos, me rastin e dorëzimit të “Medaljes së Artë të Shqiponjës”, nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Në motivacion shkruhet: “Si një ndër intelektualët, i cili me thjeshtësinë, zgjuarësinë, botëkuptimin e thellë kulturor,linguistik e filozofik, u kthye në simbol të qendresës dhe tolerancës njerëzore”.
Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve, më poshtë po ribotojmë shkrimin tim, nga koha e përurimit të librit kushtuar birit të Zhejës së Zagorisë, Thanas Dhespo. Me këtë rast, përsëri i urojmë nga zemra: Shëndet të plotë e jetëgjatësi, bashkë me Nicën dhe njerëz të tjerë të dashur të
tyre!
x x x
“1.Vitet e fundit, më ka rënë rasti të marr pjesë në mjaft përurime librash, letrarë e publicistikë etj., shkruar nga autorë të ndryshëm. Ndërmjet tyre, kanë qenë dhe libra jetëshkrimorë, nga vetë përsonat e interesuar ose shkruar nga të tjerët për ta. Një formë e veçantë, që pëlqehet tani, është edhe ajo, kur mblidhen kujtime e dëshmi, dokumente e fotografi për ta njohur lexuesin me jetën dhe veprimtarinë e një njeriu të caktuar. I kësaj natyre ishte edhe libri, për të cilin më foli miku e kolegu im, prof.Hulusi Hako, që u përurua në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet. Por ai ka të veçantën e tij, se flet për jetën e trazuar dhe plot vuajtje të një të përndjekuri nga sitemi monist i kaluar, pikërisht për birin e Zhejës së Gjirokstrës, Thanas Dhespon.
Kishin ardhur familjarë, shumë miq e dashamirë të tij, bashkënxënës, bashkëkrahinas e bashkëvuajtës. Ndër ta, kishte dhe persona që, për Thanasin, i kanë shkruar me dashuri e të sakta kujtimet e mbresat e tyre, nisur nga vitet e rinisë dhe më pas të vuajtjes nëpër burgje dhe që janë publikuar në këtë libër të ri. Përurimi tërhoqi edhe vëmendjen e medias së shkruar e asaj elektronike.
Po t’i hedhësh një vështrim ballinës së fundit të librit në fjalë, menjeherë bien në sy fjalët e mendimet, që kanë shprehur për Thanas Dhespon personalitete të njohura ndërkombëtare. Të tillë janë: Fransua Miteran (ish-President i Francës), Toni Bler (ish-kryeministër i Britanisë së Madhe), Franc Gensher (ish-ministër i Jashtëm i RF Gjermane), Dora Bakojanis (ish-ministre e Jashtme e Greqisë) e tjerë. Po rishkruaj vetëm fjalët e F.Miteran: “Thanas Dhespo e ka hak pozicionimin në elitën e intelektualëve të shquar të vendit të vet”. Pra, besoj, çdo koment këtu është i tepërt.
Ballinat e librit, kushtuar Thanas Dhespos…
2.Po, natyrshëm, lexuesi është kureshtar të mësojë më shumë për këtë njeri të thjeshtë, por të rrallë, për të cilin kanë shprehur mendimet e tyre, në këtë libër, edhe mbi 40 të afërm, kolegë, miq e të njohur të tij.Po kështu, janë ripublikuar shkrime nga shtypi për të. Është gjë e mire, që këto matariale shoqërohen edhe më mjaft fotografi shprehëse.
Thanas Dhespo lindi në Zhejë të Zagorisë, më 5 shtator 1928. Aty e mbaroi shkollën fillore.Ndërsa pas çlirimit e ndoqi shkollën 7-vjeçare në Gjirokastër. Po aty e vijoi edhe Gjimnazin “Asim Zeneli”, ku meritoi nota shumë të mira. Po, pesë muaj para provimeve të maturës, pra më 18 janar 1952, ndodhi një e papritur, e cila e ndryshoi krejtësish rrjedhën e jetës së tij. Atë e prangosën, bashkë me dy konviktorë të tjerë, me akuzat se “donin të kryenin sabotim ekonomik në bujqësi” dhe “donin të arratiseshin”!?Gjykata e dënoi Thanasin 20 vjet burg dhe, nga këto, i vuajti 15 vjet e tre mmuaj, në burgun e Kalasë së Gjirokastrës dhe në kampet e punës së detyruar, në Tiranë, Elbasan e Myzeqe. Janë kaq prekës vargjet, që ai shkroi në qeli, në shkurt 1952, në poezinë “Më iku pranvera e rinisë”: “Të tharë lotët, në sy më qendrojnë/ dhe në buzë qeshjen e kam të ngrirë,/ pranverën e bukur më nuk e shoh!...” Dhe nga fundi: “Pasuri nuk dua, më duhet vetëm liria,/ i varfër le të jem, sa vetë varfëria…”
Pas lirimit nga burgu, Thanasi jetoi afër 25 vjet në fshat dhe punoi në bujqësi, duke përjetuar përbuzjet e përndjekjet etj. As kur i vdiqën të dy prindërit, nuk i shkoi njeri në shtëpi, që ta ngushëllonte, pasi partiakët e kohës dhe njerëzit e tyre e quanin: “armik i klasës dhe i pushtetit popullor”!
Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, ai emigroi në Greqi. Më tej, Th.Dhespo shkoi për ca kohë në Francë, ku pati rastin të njihte dhe të takohej me personalitete të shquara europiane e botërore. Në vitin 1992, megjithëse ca i moshuar, u martua me Virgjinica (Nica) Bërxullën, me të cilën e lidhi jetën përgjithmonë.
Atë e dallojnë cilësi ta larta morale dhe parimi kryesor i jetës së tij ka qenë dhe është thjeshtësia e ndershmëria, kujdesi dhe dëshira për të patur bashkëpunim e mirëkuptim të plotë, që në familje dhe në mbarë shoqërinë shqiptare. Kështu, Atdheu ynë mund të zhvillohet e të përparojë, në rrjedhat evropiane e më gjerë. Festa mbarëkombtare e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e gjen atë në 85-vjetorin e jetës. Thansi, natyrshëm, tani ndjen gëzim dhe kënaqësi shpirtërore ndërmjet familjarëve, miqëve e kolegëve të shumtë, që e rrethojnë vazhdimisht.
3.Tubimin përurues, të librit kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Thanas Dhespos, e hapiKiço Kapetani, i cili e ka bërë edhe përgatitjen e tij për botim. Pastaj folën me radhë, duke sjellë kujtimet e tyre, disa ish-bashkënxënës, bashkëkrahinas e tjerë. Ndër ta, foli dejtori I Institutit të Integrimit të të Përndjekurve politikë, Simon Miraka. Ai i vlerësoi lart jetën dhe përballjen me burgun dhe vuajtjet, në vitet e rregjimit monist, nga ky bir i denjë i Zhejës së Zagorisë. Gjithashtu, nënvizoi se institucioni, që ai drejton, e ka për detyrim që të propozojë për një vlerësim të lartë të jetës dhe sakrificave të tij, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Me vëmendje u ndoqën edhe fjalët e të pranishmëve të tjerë në këtë veprimtari përuruese, si: vëllai i tij, Jorgo; prof.Hulusi Hako, Gaqo Veshi, M.Gecajt,Pirro Loli, Spiro Dede e të tjerë. Ata evidentuan vlerat morale e shpirtërore, si dhe cilësitë e çmuara shpirtërore të Thanasit, si: dashuria e optimizmi për jetën, mirësia e zemërgjereësia e tjerë. Në fjalën e saj, bashkëshortja Nica,theksoi se kjo ditë dhe ky përurim, ndërmjet familjarëve, kolegëve, miqëve e bashkëkrahinasve të tij, është si një rilindje dhe vlerësim i madh e i merituar për Thanasin. Prandaj ajo i falënderoi përzemërsisht të gjithë të pranishmit dhe folësit, në këtë veprimtari të paharruar.
Emocionuese ishin edhe leximi i përshëndetjeve, që kishin ardhur nga jashtë Atdheut, gjithashtu, dhurimi i luleve të freskëta e librava nga disa autorë, për Thanas Dhespon. Pastaj, të gjithë së bashku, morën pjesë në koktejin e shtruar me këtë rast, ku i uruan personazhit kryesor të këtij libri: Jetëgjatësi e shëndet të mirë, begati dhe lumturi në familjen e tij. Tiranë, 20 tetor 2012”.