Kulturë
Qazim Shehu: Përjetim
E merkure, 24.08.2016, 06:09 PM
PËRJETIM
QAZIM D. SHEHU
Si një zjarr që bie nga mesi
I lartësive pa fuqi,
Sytë e tu lojën ndezën
Dhe ndritën për mua përsëri.
Dritën e tyre e afrova
Në vatër të zemrës së përpëlitur,
Dhe kur drejt teje dorën hodha
Sytë ishin mbyllur.
LOT I VOGËL
Nën peshën e një loti thërmohet
Pafuqi e botës.
Prej turbullisë së tij shkohet
Gjer në skaj të lodhjes.
Ç`të jetë kjo peshë që dridhet si uji,
Kur bie përherë të parë nga shkëmbi,
Pastaj në humnera i thyen gjunjët
Dhe nuk i dhembin?
Sa zjarre, dëshira ,dhimbje
Sa pamundësi ,dridhje ka?
Ky loti i vogël si një thinjë
Që kufiri i moshës nuk e pa?...
KRYQE
Kryqe pendese bëhen
Ca gishta
Që shkruan në tastjerë
Fjalëgërvishtëse.
Po gishtat mund të bëjnë shqiponjën
Mund të bëjnë forma të tjera,
Sidoqoftë e vijojnë lojën
Imagjinueshëm si përhera…
ARBËRISHTE
Ti në një anë tjetër të kuptimit
Në tjetrën unë,
Po ku është kuptimi?
Kuptimi i ngjet blerimit
Qe ditën vesh rreze
Natën zhgunë.
Ti në anë tjetër të deshifrimt
Të fjalës që lodhet pa dhunë
T`i ikë asgjësimit
Murgut Gjon Buzuk po i hapim punë
Në arbërishte të magjijimit…
BISHTI
Kur kujtoj gjyshërit me mjekër
Këta plistarë të fjalës,
Një bisht gjarpri me del tepër
Në zgollë të përrallës.
Dikush ia këputi bishtin,kokën
Nuk mundi t`ia shtypë,
Kur gjarpri të vijë,tokësi
Veç hijen e tij do lypë…
E bëmë lak të varim
Fjalën pa kripë…
VARJE
Nga gjithë varjet më pëlqen
Të varem në një rreze dielli,
Ta shoh lakun e saj si shkëlqen
Me smeralde qielli.
Kur fronin nga këmbët ta rrëzoja
Së pari do rrëzoja shkëmbinjtë,
Këta mëkatarë që iu tha goja
Duke pritur të puthin qiejt...
ERËRAT E DËSHTIMIT
Erërat e dështimit
Nga një horizont i panjohur,
Po fryjnë.
Duart e kërkimit me frymë besimi i kam ngrohur.
Kam rrëmihur me to mijëra kërkesa
Lutje, epifani e prapë lutje,
Në krifë horizontesh të lodhur
Horizontin e panjohur s`e shihja pak më tutje.
Erërave të dështimit
T`u çoja një fjalë për zbutje…
PUTRIM
Krahët e erës nuk janë krahë dashurishë
Krahët e dashurisë më të ajërt mbeten
Ndoshta prandaj era ulërin si bishë
Se këto krahë ende s`i ka gjetur…
FRYMOJ
Zhagitem,bërllokem
Në jetën e mrrolët,
Frymoj,
Molla e Evës
Në dy gjysma hapet,
Mjeroj…