E shtune, 27.04.2024, 10:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Peshkun e hëngri daja

E hene, 22.08.2016, 07:02 PM


KRISTAQ TURTULLI

PESHKUN E HËNGRI DAJA

Tregim

Pas një pune orar zgjatur dhe rrugëtimi të mërzitshëm me tranvaj e metro, Gallaktion Vasioni qe përgatitur shpirtërisht të hante drekë të shijshme, peshk në tavë të mbytur në verë. Fshiu djersën në gropëzën e gjoksit dhe lagu buzët me ujin e ndenjur të shishes plastike. Në stinën e verës pas shiut të vrullshëm bën zagushi e padurueshme.

Dje bleu salmon të freskët. I kushtoi pak shtrenjtë se ishte goxha peshk, por ia vlente. E marinoi me erëza, u  futi dy thelpinj hudhra, të  prera hollë, e paketoi dhe e vendosi në frigorifer. Elenës i pëlqen të mburret në gatimin dhe pjekjen e peshkut në tavë, pasi t’i heqësh havalenë; pastrimin e peshkut, heqjen e lluspave, të mbrënshmet dhe marinimin!

Gallaktioni u drejtua mollit të nëndheshëm të metrosë, të lehtësohej prej ajrit të kondisionuar. Makinën Hyndai për shkak të një zhurme në motor e çoi te dilleri.

Punën me orar të zgjatur e kërkoi vetë, i nevojiten disa dollarë më shumë të përballojë koston e lartë të jetesës: makinën, rritjen e çmimeve, shlyerjen e borxhit nga banka për blerjen e apartamentit. Flitet se dollari po bën pikiatë dhe vendi është në reçeshën.

Kompania e farmacisë ku punonte Elena u vuri drynin godinave të mëdha. Punëtorët i nxori në asistencë dhe lëvizi drejt lindjes së largët, në Kinë. Para një jave vajza e vogël Mirela mori fletë lavdërimi në garën parashkollore në patina, vërtitej si pulëbardhë e vogël në akull dhe atij i gufonte zemra nga gëzimi. Ai e do marrëzisht vajzën. E dërguan në kampin veror në një nga parqet provincialë.

Sidoqoftë, të hash peshk të freskët, të marinuar, të pjekur e mbytur në verë, ia vlen barra qiranë. Shishen tjetër me verë Bordo, të cilën e bleu kur qe në Francë e vuri të ftohej në frigorifer qysh në mëngjes.

Celulari vibroi dhe ai pa numrin e shtëpisë.

-Ku je?- dëgjoi zërin e paduruar të Elenës.

-Për pesë minuta më ke shtëpi,- u përgjigj. Elena, gruaja e tij, fytyrë gjerë, flokë të dendur, të zinj, të derdhura si ujëvarë mbi shpatullat e shëndosha. Ai shpesh i thotë me shaka: Flokët e tua Elenë janë Niagarë. Elena është grua e dhembshur e përkujdeseshme, por trishtohet shpejt, ngandonjëherë dhe nervozohet, ndoshta për shkak të daljes në asistencë, por është punë dreqi të kesh vetëm një të ardhur në familje...

Me Elenën u njoh te ‘Lëvizja Mjaft’ dhe krijoi miqësi. Ai kishte derte të vjetra të parealizuara, ajo e revoltuar nga padrejtësitë dhe përvetësimet e padrejta. Gallaktionin jo rrallë e argëtonte revolta dhe trishtimi i saj naiv. Ai u zhgënjye me kohë prej të mëparshmit por dhe me të sotmit.

Një pasdite Elena tmerrësisht e trishtuar dhe sy rrëmbushur, filloi të fliste për padrejtësinë që shëtisnin sheshit në ditë me diell. Ai e qetësoi e puthi disa herë në buzë dhe, të lodhur nga zhurma e zallahia, u ngushtuan në tendë, fjetën së bashku. Ajo e vështroi ngulët, syshqyer, palëvizur, priste që ai t’i thoshte, të dua dhe, marrëdhënia jonë seksuale nuk ishte rastësore. Por Gallaktioni u ngrit në mëngjes dhe iku. Kur u bë gati të kthehej, t’i thoshte, Elenë ishe e mrekullueshme dhe çuditërisht e virgjër, e rrëmbeu turma që shtyhej drejt qendrës së qytetit.

Elena mbeti prapa, në çadër, me çudinë e ronitur. Ajo ishte aktiviste e pasionuar për ndryshim. Ndërkohë një vit më parë aplikoi për emigracion në Kanada. I doli viza. Ajo i foli për ikjen e papritur, mijëra kilometra larg. Gallaktioni e vështroi i habitur dhe s’ foli. S’ vendoste të bënte ikje përfundimtare, pavënë disa gjëra në vend dhe aq më tepër përtej oqeanit. Ndaj i tha:

‘Ç’është kjo ikje, po unë, lëvizja Mjaft?’

‘ Është Mjaft,’ ia ktheu ajo.

Me thënë të drejtën Gallaktionin s’ e tërhiqte aq fort Elena fytyrëgjerë, me trupin e bëshëm, gjoksin e madh dhe përlotjen pa shkak për marrëzitë e politikës, paçka se doli e virgjër. Elena iku dhe ai vazhdoi t’i binte tamburasë pa bereqet në ‘Lëvizjen Mjaft’, të bënte në limonti aventura të mugëta në rrugët pa drita të kryeqytetit.

Pas një viti Elena i dërgoi letër, e ftonte pa shumë ceremoni, të vinte në Kanada dhe të jetonte me të. Ai u habit, kujtoi një hop se e pat harruar, kështu ndodh me të gjithë, kur ikin hedhin prapa tre gurë. Të gjitha lëvizjet, ëndrrat dhe joshjet në mëmëdhe ishin bërë për qepë me kripë. Elena e donte vërtet dhe ai e besonte. Ajo erdhi e takoi dhe ia bëri dokumentet. Ishte bërë më e bëshme se më parë, por qe sheqer dhe mjaltë. E tërhoqi prej Shqipërie. Ai la pas kujtimet e trishta, malin e madh të llafollogjisë dhe dhembjet e kokës...

Gallaktioni mori ashensorin që çonte në katin e pesëmbëdhjetë, në folenë e tij. Sa do trokiste, Elena ja hapi derën me vrull e mbushur me djersë. I gjithë ambienti mbante erë peshk të pjekur në tavë. Flegrat e hundës iu zgjeruan dhe nepsi i ngrënies iu shtua. Peshku pjekur, i mrekullueshëm do t’ia largonte lodhjen dhe vapën si me magji, por vetullat e gruas ishin shkerpërruar.

-Ore Gali, qenke sekret i madh,- iu shkreh ajo, pa i lënë kohë të mbushej me frymë dhe të çlodhej.

- Sekret i madh!- ia pat i habitur Gallaktioni dhe u ul në divan.

-Na paske një dajë të dashur dhe s’më ke treguar.

-Ah, daja- mërmëriti Gallaktioni dhe fërkoi ballin i menduar, pa e mbledhur akoma veten.

- Po daja,- u përgjigj Elena dhe fshiu duart pas përparëses.

- Daja yt, sigurisht...- foli ultas Gallaktioni.

-Ama ç’ja vesh kot,-ia bëri Elena e bezdisur:- Ti e di që unë s’kam dajë.

-Kur ti s’ke dajë, i kujt duhet të jetë ky dajë!- ia bëri Gallaktioni i nevrikosur dhe me vete shtoi: Nga u gjend daja mijëra kilometra larg Shqipërie.

Elena e vështroi e habitur, mblodhi flokët topuz prapa, përdrodhi buzët me nënvleftësim dhe tha:

-Daja yt qe xhanan burrë.

-E takove?!-klithi Gallaktioni.

-E takova posi, erdhi dhe u ul atje ku je ulur ti.

-Erdhi! U ul këtu!- gërhiti Gallaktioni dhe kërceu si me sutë prej vendit ku qe ulur.

-Pse habitesh, e mbajta për drekë. I gjori plak ishte gjithë mall e dashuri, sa herë fliste për ty s’i përmbante lotët. Të ka rritur si djalin e vet dhe ti s’e ke zënë kurrë në gojë të gjorin dajë.

Gallaktioni u kapërdi me vështirësi. Donte ta përzinte për momentin fantazmën dajë. S’kish përse t’i prishte kënaqësisë së afërt të peshkut të pjekur në tavë. Këmisha i ishte ngjitur pas kurrizit prej djersës.

-Sa të bëj një dush, më shtro të ha dhe mos harro të heqësh verën nga frigoriferi,- i tha. Hoqi këmishën, pandallonat dhe bëri të hynte në banjë.

-Të bëj sallatë se peshkun e hëngri daja,- dëgjoi Elenën.

-Peshkun ma hëngri daja?!

-Çfarë t’i nxirrja më të mirë se peshku. I gjori plak, i lodhur, i malluar, i ardhur nga larg, hante, më uronte, lëpinte gishtërinjtë dhe përlotej..,- dëgjoi të shoqen teksa shtynte derën e banjës.

-Edhe pa peshk më le o dajë, fantazmë,- ia bëri Gallaktioni dhe lëshoi ujin e vakët të dushit t’i binte në trup, por s’i bëhej të fërkonte trupin, i kishte krahët e prera. Dhe përsëriti me vete: ‘I  gjori plak, hëm!

Uji shushurinte dhe kërcente mbi trupin e zhveshur. Atij u kujtua ngjarja dhe daja, që i la vragë të pashlyeshme në jetën dhe shpirtin e tij...

‘Ai moj grua ka diçka që të tërbon dhe i ka ecur dhe i ecën vaj pa gjemb në këmbë...’

Për shkak të kalit të zevzek, rrotat e karrocës ia thyen të dyja këmbët të atit. Çuditërisht i ati s’fajësonte kalin për sakatllëkun, por hijet e zeza që vërtiteshin në haur, megjithëse disa muaj më parë kafsha e kafshoi në kokë, kur i hiqte gozhdën nga patkoi. Gallaktioni kur pa që babai sakat, nëna e sëmurë, diabetike dhe si djali i madh, la shkollën, pastroi haurin nga plehrat dhe bajgat, e lidhi kalin pas trungut që mbante shtëpinë, e ndëshkoi me thupër, derisa e bëri pestil. I ati lart rënkonte prej keqardhjes më shumë se kali, por  Gallaktioni vazhdonte të fshikullonte kalin, të mos trembej nga hijet, të mos kafshonte dhe të mos u thyente këmbët njerëzve. Filloi punën si karrocier në këmbë të atit, të shpërndante qumësht, shalqinj, fruta e perime në dyqanet e zarzavateve të qytetit.

Në fillim Gallaktioni hasi vështirësi, mosha e re, mosnjohja dhe nënvleftësimi. Magazinieri Syrja, surrat miu, i binte në qafë, ja hidhte në mallra, duke i dhënë gjysmë të kalbura, shoqëruar me të qeshurën hipokrite:

‘Hajde qumështor i xhaxhit,’ dhe i binte lehtë bythëve.

Gallaktioni ikte prej magazinës i rrëmbushur dhe fshikullonte i inatosur kalin e gjorë. Dyshimet, grindja, romuzet e shitësve dhe mbi të gjitha paga e ulët, i linin një shije të hidhët në gojë. Nuk përballonte kërkesat më elementare të familjes. Mbas dite me mjegull s’duroi më. Magazinieri Syrja i rrasi një thes me qepë që kundërmonin erë të kalbur, shoqëruar me të qeshurën hipokrite:

‘Hajde qumë... dhe, në momentin që do ta prekte për bythe, Gallaktioni iu kthye vringthi, u tendos, vetëtimthi sa hap e mbyll sytë e mbërtheu Syrjanë për koqe, ia shtrëngoi me gjithë fuqinë. I cili s’e priste dhe klithi prej dhembjes,

‘Dëgjo këtu ti Syrja,’ i tha Gallaktioni: ‘Po të dëgjova të më thuash qumështor, një, po më preke, dy dhe po nuk i mbajte vandakët drejt, tre. Do ti këput këto koqe të fishkura dhe do ti jap në dorë.’

Syrjaj i llahtarisur, rënkonte nga dhembjet:

‘Aman, më lësho ore, se më vdiqe.’

Gallaktioni e lëshoi dhe Syrjaj duke kërcyer si kangur iku me vrap drejt e në banjë. Bëri ujët e hollë dhe dihaste si kafshë, shkrofëtinte:

‘Spurdhjaku mi bëri koqet copë.’

Gallaktioni ia mori dorën punës. Magazinieri Syrja filloi ti sillej ndryshe, i afroi një marrëveshje por pa guxuar ta shohë në sy. Ndërsa shitëset e prisnin me buzëqeshje, ndonjëra prej tyre, si fjala vjen Serina e bëshme ngjiste buzët e plota pas buzëve të tij dhe një buzë mbrëmje nuk përtoi t’i zbathte brekët në sy të tij.  Ai njohu të fshehtat dhe hiletë e zanatit, huqet e shitësve. Puna i ecte mirë dhe familja e madhe e përballonte jetesën.

Një mbrëmje të ftohtë dimri me borë, kur dilte nga hauri, pasi lau kalin dhe i dha tagji. Dy duar të forta e mbërthyen nga shpatullat i hodhën hekurat dhe e flakën në një furgon të zi. Gallaktioni vërtiti sytë i nemitur, s’kuptonte ç’po ndodhte dhe mërmëriti zë holluar prej tmerrit:

‘Çfarë kam bërë që më arrestoni?!’

Policët s’i kthyen përgjigje. E hodhën e birucë. Pas disa orësh e thirri hetuesi, i tha:

‘Akuza jote është e rëndë; përvetësim të pronës socialiste.’

Gallaktioni e mohoi kategorikisht. Hetuesi e akuzonte por s’ kishte fakte. Ai s’pranoi gjë.

‘Jam i pafajshëm,- u tha:- Ku është vjedhja ime, shikoni faturat, kontrolloni hyrjet, daljet dhe shpërndarjet e mallrave.’

U kontrolluan faturat, të gjitha dilnin në rregull. Por hetuesi Laver kishte informacion të saktë dhe pëlciste nga marazi. Sa herë e thërriste në hetuesi, e vinte në mengene, të pranonte fajin se s’ kish rrugëzgjidhje tjetër, shtonte:

‘Që ke vjedhur, këtë e di dhe bufi. Na  trego marifetin djallëzor që përdorje kur përvetësoje pronën shenjtë të popullit. Informata është e sigurt. Që do dënohesh për vjedhje kjo s’ka diskutim. Por trego në ç’mënyrë i bëje allishverishet, vetëm për procedurë hetimore.’

Gallaktioni këmbëngulte në të tijën:

‘ Kur të gjitha faturat janë në rregull, çfarë kërkoni nga unë?! Më lini të shkoj në shtëpi.’

Hetues Laver skërmiste dhembët dhe fshikullonte kamxhikun. E ëma nga meraku i burgosjes së tij po sëmurej gjithnjë e më keq. Berber i të burgosurve ishte dajë Samiu, vëllai i nënës. Një ditë i hyn në qeli me shprehje të mërzitur në fytyrë, i foli për nënën, për varfërinë dhe pasojat e rënda që heq familja nga burgimi i tij.

‘Çfarë faji kam bërë që më mbajnë të burgosur?’ ia ktheu i lodhur Gallaktioni:’Ngarkoja, ç’ngarkoja, mbaja familjen me djersën e ballit.’

‘Me djersën e ballit, por me marifete ama,’ ia pat dajë Samiu.

‘O dajë mos fol kështu!’

‘ Pse s’e di unë?! Sy lesh më di mua?! Hë të keqen daja, tregoi dajës marifetet që bëje e tak fak e hodhe lumin, shpëtove.’

Gallaktioni e pa dajën me dyshim dhe ai ktheu:

‘Dajë, s’kam bërë marifete, kam punuar me ndershmëri.’

Daja luajti kryet, u përtyp dhe tha:

‘Shejtan i dajës,’ shejtan, e di unë e di..!

Gallaktioni si ktheu përgjigje, u tërhoq në cep të qelisë. Daja doli prej qelie. Ai mbeti vetëm. Ç’donte daja nga ai?! Ai qeth koka. Çfarë fitim ka që gërmon?! Ditën e nesërme erdhi e ëma në takim. Ajo ishte e zbehtë, e merakosur, i foli zë lodhur, të mekur, iu lut:

‘Biro pse ngulmon si mushka, tregoja dajës marifetin. Dajë si dajë të mirën ta do. Më dha fjalën të shpëtojë prej burgut.

‘Mos ka ndonjë hile këtu moj mama,’ i ankua Gallaktioni.

‘Korba unë ç’thotë djali! Daja yt, vëllai im të ketë hile me ty! Të gjithë hetuesit deri te kryetari e degës janë miqtë dhe shokët tij. Hë biro...’

Ditën tjetër erdhi polici dhe e nxori prej qelie. E shoqëroi në dhomën e qethjes, ku e priste daja me përparëse të bardhë dhe gërshërë në dorë.

‘Të qenkan rritur shpejt qimet,’ i tha daja dhe i kaloi makinën mbi çaçkë. I qethi kokën e bëri tullë. Pas pak e pyeti:’ Ti pres këto qime të buta të dala në faqe?’

‘Priji,’ i tha me përtesë  Gallaktioni.

Dajë Samiu mprehu briskun pa meshinit dhe ia kaloi briskun nipçes në faqet e trendalifta. Daja shtyu derën e dhomës së vogël të berberanës dhe nisi t’i pastronte qafën dhe fytyrën me peshqir të lagur. E disifektoi dhe me alkool. Ai dukej i paduruar, i nervozuar. Sytë e vegjël i ishin errësuar dhe hunda poçe i ishte skuqur.

‘Nipçe, shejtan i dajës, e shoh s’ke respekt për mua. Me këtë gërshërë mbaj shtëpinë...

‘Ore dajë ç’ lidhje ka burgimi im me ty?!

‘Po hë ç’ka! E gjora jot ëmë u bë gjysmë njeri, po tretet si qiri. Qan, s’të dhimbset more. S ’të vjen keq për një grusht njeri që jep shpirt nga meraku për ty. Trego ore marifetin dhe shpëto...

Gallaktioni i lëkund dhe vështroi ngulët fytyrën babaxhane të dajës.

‘Dajë, të besoj ty?!’

‘Ma the mua sikur ja the dheut.’

‘Po tregova të vërtetën do më lirojnë?’ e pyeti Gallaktioni me naivitet.

‘Ç’do të bëjnë, çilimi je,’ ia priti dajë Samiu. Uli sytë përtokë dhe futi duart në xhepat e përparëses së bardhë.

Galaktioni u mëdysh përsëri, por sytë e vegjël dhe zhbirues të dajës e yshtnin të fliste:

‘Fol të shkretën, tregoi dajës. Dreqi ta marrë mos i jep rëndësi vetes.’

‘Mos më merr në qafë o dajë,’ foli Gallaktioni me ankim dhe vështroi ngulët nga vëllai i nënës.

‘Të marrë në qafë daja ty?!’ U grind dajë Samiu dhe zgjati kryet si struc.

‘Mirë, po ta them. Po ta dish, e bëra nga nevoja të ndihmoja familjen me ndonjë lekë më tepër,’ u përgjigj shkurt Gallaktioni:’ Një pjesë të mallit e faturoja, një pjesë jo, për shembull shalqinjtë, karrocën e ndaja me dërrasë, shalqinjtë e pa faturuara i vija në një anë, të faturuarat në anën tjetër...Ja kështu...

‘Pastaj?! E pyeti si në ethe Dajë Samiu.

‘Kaq, pastaj hiç.’

Dajos i qeshi fytyra. I ra në faqe të nipit dhe i tha:

‘Qerrata i madh je, kaq ishte, ja shpëtove!’ i tha, thirri policin ta çonte të nipin në qeli.

Pas disa orësh e thirrën në dhomën e hetuesisë dhe e lidhën pas stolit të çimentë. Në mes të dhomës së hetuesitë, këmbë hapur, duar kryqëzuar në gjoks e priste i murrëtyer hetues Laveri. Gallaktioni e vështroi i trembur dhe u ndje bosh. Befas hetues Laveri u turr drejt tij, e mbërtheu për gryke dhe me ton të ashpër, i tha:

‘Dëgjo këtu i pandehur, ti spurdhjak ndyrë që na solle muaj të tërë vërdallë. Të urdhëroj të tregosh bashkëpunëtorët e marifeteve që bëje, të mos faturimit, të përvetësimit të pronës së shenjtë socialiste. Hape grykën...Dëgjon?!

‘Dëgjoj,’ mërmëriti Gallaktioni.

‘Kështu, hë! Ia the dajës ti shush e budalla. Po të më tregoje mua do kishe më shumë lehtësira. Trego, me cilët i bëje marifetet, mashtrimet, vjedhjet, poshtërsitë, ndryshe do ngordhësh në burg për gjithë jetën’

Galaktioni u drodh sikur të ishte në elektroshok. Daja i tij e shiti për xhaba te hetuesi dhe gërhiti:

‘Këtë mos ma kërko, sikur copa- copa të ma bësh mishin.’

‘Atëherë do ngordhësh në burg,’ hungëriri hetuesi i skuqur në fytyrë.

‘Le të ngordh, kur e kam prej dajos, vëllait të nënës.

‘Jo, e ke prej kokës,’ ia pat hetuesi Laver.

Inati i pabesisë së dajos ia shtoi akoma më shumë rezistencën ndaj torturave dhe se hapi gojën. Pas disa muaj torture në hetuesi, e nxorën në gjyq dhe e dënuan me pesë vjet burg. E ëma i vdiq shpirtplasur disa muaj më vonë. I ati u zvarrit i vetëm këmbadoras nëpër shtëpi dhe vdiq një vit të ikjes së nënës...

Dëgjoi të trokitura të shpeshta në derën e banjës dhe zërin e shqetësuar të Elenës.

-Gali dil, u bë trokë së ngrohuri dhe ai çikë peshk, se tjetrën ta hëngri daja.

-Phu, djalli e mori! U përpoqa t’i harroja zërin dhe figurën! Dreq, të dija të vdekur! - shfryu Gallaktioni me inat. T’i thoshte Elenës, prej dajës hëngri burg. Iu përgjigj të shoqes:- Ja dhe pak mbarova.

Si bëhej të ngrinte dorën, të shkumboste trupin. Rënkoi me dhembje dhe përsëriti ultas fjalët e gruas:

- Hëm, ma hëngri peshkun daja...

Gallaktioni doli i pavëmendshëm prej vaske. Trupi i dridhej prej nervozizmit, këmbët e lagura shkanë në pllakat e bardha e të lëmuara. E sikur të mos ish mbajtur pas banakut, rrezik të qe gremisur, thyer kërbishtet. I përhumbur la ujin të kullonte prej turpit përdhe. Rreth këmbëve të zbathura, u krijua një pellg i vogël me ujë, rënkoi:

- Më ndoqe si flamë e zezë o dajë! Po të kisha fuqi të urreja, por s’të urrej dot, se je shumë i urryer...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora