| E hene, 22.08.2016, 07:02 PM |
KRISTAQ TURTULLI
PESHKUN E HËNGRI DAJA
Tregim
Pas një pune orar zgjatur dhe rrugëtimi të mërzitshëm me tranvaj e metro, Gallaktion Vasioni qe përgatitur shpirtërisht të hante drekë të shijshme, peshk në tavë të mbytur në verë. Fshiu djersën në gropëzën e gjoksit dhe lagu buzët me ujin e ndenjur të shishes plastike. Në stinën e verës pas shiut të vrullshëm bën zagushi e padurueshme.
Dje bleu salmon të freskët. I kushtoi pak shtrenjtë se ishte goxha peshk, por ia vlente. E marinoi me erëza, u futi dy thelpinj hudhra, të prera hollë, e paketoi dhe e vendosi në frigorifer. Elenës i pëlqen të mburret në gatimin dhe pjekjen e peshkut në tavë, pasi t’i heqësh havalenë; pastrimin e peshkut, heqjen e lluspave, të mbrënshmet dhe marinimin!
Gallaktioni u drejtua mollit të nëndheshëm të metrosë, të lehtësohej prej ajrit të kondisionuar. Makinën Hyndai për shkak të një zhurme në motor e çoi te dilleri.
Punën me orar të zgjatur e kërkoi vetë, i nevojiten disa dollarë më shumë të përballojë koston e lartë të jetesës: makinën, rritjen e çmimeve, shlyerjen e borxhit nga banka për blerjen e apartamentit. Flitet se dollari po bën pikiatë dhe vendi është në reçeshën.
Kompania e farmacisë ku punonte Elena u vuri drynin godinave të mëdha. Punëtorët i nxori në asistencë dhe lëvizi drejt lindjes së largët, në Kinë. Para një jave vajza e vogël Mirela mori fletë lavdërimi në garën parashkollore në patina, vërtitej si pulëbardhë e vogël në akull dhe atij i gufonte zemra nga gëzimi. Ai e do marrëzisht vajzën. E dërguan në kampin veror në një nga parqet provincialë.
Sidoqoftë, të hash peshk të freskët, të marinuar, të pjekur e mbytur në verë, ia vlen barra qiranë. Shishen tjetër me verë Bordo, të cilën e bleu kur qe në Francë e vuri të ftohej në frigorifer qysh në mëngjes.
Celulari vibroi dhe ai pa numrin e shtëpisë.
-Ku je?- dëgjoi zërin e paduruar të Elenës.
-Për pesë minuta më ke shtëpi,- u përgjigj. Elena, gruaja e tij, fytyrë gjerë, flokë të dendur, të zinj, të derdhura si ujëvarë mbi shpatullat e shëndosha. Ai shpesh i thotë me shaka: Flokët e tua Elenë janë Niagarë. Elena është grua e dhembshur e përkujdeseshme, por trishtohet shpejt, ngandonjëherë dhe nervozohet, ndoshta për shkak të daljes në asistencë, por është punë dreqi të kesh vetëm një të ardhur në familje...
Me Elenën u njoh te ‘Lëvizja Mjaft’ dhe krijoi miqësi. Ai kishte derte të vjetra të parealizuara, ajo e revoltuar nga padrejtësitë dhe përvetësimet e padrejta. Gallaktionin jo rrallë e argëtonte revolta dhe trishtimi i saj naiv. Ai u zhgënjye me kohë prej të mëparshmit por dhe me të sotmit.
Një pasdite Elena tmerrësisht e trishtuar dhe sy rrëmbushur, filloi të fliste për padrejtësinë që shëtisnin sheshit në ditë me diell. Ai e qetësoi e puthi disa herë në buzë dhe, të lodhur nga zhurma e zallahia, u ngushtuan në tendë, fjetën së bashku. Ajo e vështroi ngulët, syshqyer, palëvizur, priste që ai t’i thoshte, të dua dhe, marrëdhënia jonë seksuale nuk ishte rastësore. Por Gallaktioni u ngrit në mëngjes dhe iku. Kur u bë gati të kthehej, t’i thoshte, Elenë ishe e mrekullueshme dhe çuditërisht e virgjër, e rrëmbeu turma që shtyhej drejt qendrës së qytetit.
Elena mbeti prapa, në çadër, me çudinë e ronitur. Ajo ishte aktiviste e pasionuar për ndryshim. Ndërkohë një vit më parë aplikoi për emigracion në Kanada. I doli viza. Ajo i foli për ikjen e papritur, mijëra kilometra larg. Gallaktioni e vështroi i habitur dhe s’ foli. S’ vendoste të bënte ikje përfundimtare, pavënë disa gjëra në vend dhe aq më tepër përtej oqeanit. Ndaj i tha:
‘Ç’është kjo ikje, po unë, lëvizja Mjaft?’
‘ Është Mjaft,’ ia ktheu ajo.
Me thënë të drejtën Gallaktionin s’ e tërhiqte aq fort Elena fytyrëgjerë, me trupin e bëshëm, gjoksin e madh dhe përlotjen pa shkak për marrëzitë e politikës, paçka se doli e virgjër. Elena iku dhe ai vazhdoi t’i binte tamburasë pa bereqet në ‘Lëvizjen Mjaft’, të bënte në limonti aventura të mugëta në rrugët pa drita të kryeqytetit.
Pas një viti Elena i dërgoi letër, e ftonte pa shumë ceremoni, të vinte në Kanada dhe të jetonte me të. Ai u habit, kujtoi një hop se e pat harruar, kështu ndodh me të gjithë, kur ikin hedhin prapa tre gurë. Të gjitha lëvizjet, ëndrrat dhe joshjet në mëmëdhe ishin bërë për qepë me kripë. Elena e donte vërtet dhe ai e besonte. Ajo erdhi e takoi dhe ia bëri dokumentet. Ishte bërë më e bëshme se më parë, por qe sheqer dhe mjaltë. E tërhoqi prej Shqipërie. Ai la pas kujtimet e trishta, malin e madh të llafollogjisë dhe dhembjet e kokës...
Gallaktioni mori ashensorin që çonte në katin e pesëmbëdhjetë, në folenë e tij. Sa do trokiste, Elena ja hapi derën me vrull e mbushur me djersë. I gjithë ambienti mbante erë peshk të pjekur në tavë. Flegrat e hundës iu zgjeruan dhe nepsi i ngrënies iu shtua. Peshku pjekur, i mrekullueshëm do t’ia largonte lodhjen dhe vapën si me magji, por vetullat e gruas ishin shkerpërruar.
-Ore Gali, qenke sekret i madh,- iu shkreh ajo, pa i lënë kohë të mbushej me frymë dhe të çlodhej.
- Sekret i madh!- ia pat i habitur Gallaktioni dhe u ul në divan.
-Na paske një dajë të dashur dhe s’më ke treguar.
-Ah, daja- mërmëriti Gallaktioni dhe fërkoi ballin i menduar, pa e mbledhur akoma veten.
- Po daja,- u përgjigj Elena dhe fshiu duart pas përparëses.
- Daja yt, sigurisht...- foli ultas Gallaktioni.
-Ama ç’ja vesh kot,-ia bëri Elena e bezdisur:- Ti e di që unë s’kam dajë.
-Kur ti s’ke dajë, i kujt duhet të jetë ky dajë!- ia bëri Gallaktioni i nevrikosur dhe me vete shtoi: Nga u gjend daja mijëra kilometra larg Shqipërie.
Elena e vështroi e habitur, mblodhi flokët topuz prapa, përdrodhi buzët me nënvleftësim dhe tha:
-Daja yt qe xhanan burrë.
-E takove?!-klithi Gallaktioni.
-E takova posi, erdhi dhe u ul atje ku je ulur ti.
-Erdhi! U ul këtu!- gërhiti Gallaktioni dhe kërceu si me sutë prej vendit ku qe ulur.
-Pse habitesh, e mbajta për drekë. I gjori plak ishte gjithë mall e dashuri, sa herë fliste për ty s’i përmbante lotët. Të ka rritur si djalin e vet dhe ti s’e ke zënë kurrë në gojë të gjorin dajë.
Gallaktioni u kapërdi me vështirësi. Donte ta përzinte për momentin fantazmën dajë. S’kish përse t’i prishte kënaqësisë së afërt të peshkut të pjekur në tavë. Këmisha i ishte ngjitur pas kurrizit prej djersës.
-Sa të bëj një dush, më shtro të ha dhe mos harro të heqësh verën nga frigoriferi,- i tha. Hoqi këmishën, pandallonat dhe bëri të hynte në banjë.
-Të bëj sallatë se peshkun e hëngri daja,- dëgjoi Elenën.
-Peshkun ma hëngri daja?!
-Çfarë t’i nxirrja më të mirë se peshku. I gjori plak, i lodhur, i malluar, i ardhur nga larg, hante, më uronte, lëpinte gishtërinjtë dhe përlotej..,- dëgjoi të shoqen teksa shtynte derën e banjës.
-Edhe pa peshk më le o dajë, fantazmë,- ia bëri Gallaktioni dhe lëshoi ujin e vakët të dushit t’i binte në trup, por s’i bëhej të fërkonte trupin, i kishte krahët e prera. Dhe përsëriti me vete: ‘I gjori plak, hëm!
Uji shushurinte dhe kërcente mbi trupin e zhveshur. Atij u kujtua ngjarja dhe daja, që i la vragë të pashlyeshme në jetën dhe shpirtin e tij...
‘Ai moj grua ka diçka që të tërbon dhe i ka ecur dhe i ecën vaj pa gjemb në këmbë...’
Për shkak të kalit të zevzek, rrotat e karrocës ia thyen të dyja këmbët të atit. Çuditërisht i ati s’fajësonte kalin për sakatllëkun, por hijet e zeza që vërtiteshin në haur, megjithëse disa muaj më parë kafsha e kafshoi në kokë, kur i hiqte gozhdën nga patkoi. Gallaktioni kur pa që babai sakat, nëna e sëmurë, diabetike dhe si djali i madh, la shkollën, pastroi haurin nga plehrat dhe bajgat, e lidhi kalin pas trungut që mbante shtëpinë, e ndëshkoi me thupër, derisa e bëri pestil. I ati lart rënkonte prej keqardhjes më shumë se kali, por Gallaktioni vazhdonte të fshikullonte kalin, të mos trembej nga hijet, të mos kafshonte dhe të mos u thyente këmbët njerëzve. Filloi punën si karrocier në këmbë të atit, të shpërndante qumësht, shalqinj, fruta e perime në dyqanet e zarzavateve të qytetit.
Në fillim Gallaktioni hasi vështirësi, mosha e re, mosnjohja dhe nënvleftësimi. Magazinieri Syrja, surrat miu, i binte në qafë, ja hidhte në mallra, duke i dhënë gjysmë të kalbura, shoqëruar me të qeshurën hipokrite:
‘Hajde qumështor i xhaxhit,’ dhe i binte lehtë bythëve.
Gallaktioni ikte prej magazinës i rrëmbushur dhe fshikullonte i inatosur kalin e gjorë. Dyshimet, grindja, romuzet e shitësve dhe mbi të gjitha paga e ulët, i linin një shije të hidhët në gojë. Nuk përballonte kërkesat më elementare të familjes. Mbas dite me mjegull s’duroi më. Magazinieri Syrja i rrasi një thes me qepë që kundërmonin erë të kalbur, shoqëruar me të qeshurën hipokrite:
‘Hajde qumë... dhe, në momentin që do ta prekte për bythe, Gallaktioni iu kthye vringthi, u tendos, vetëtimthi sa hap e mbyll sytë e mbërtheu Syrjanë për koqe, ia shtrëngoi me gjithë fuqinë. I cili s’e priste dhe klithi prej dhembjes,
‘Dëgjo këtu ti Syrja,’ i tha Gallaktioni: ‘Po të dëgjova të më thuash qumështor, një, po më preke, dy dhe po nuk i mbajte vandakët drejt, tre. Do ti këput këto koqe të fishkura dhe do ti jap në dorë.’
Syrjaj i llahtarisur, rënkonte nga dhembjet:
‘Aman, më lësho ore, se më vdiqe.’
Gallaktioni e lëshoi dhe Syrjaj duke kërcyer si kangur iku me vrap drejt e në banjë. Bëri ujët e hollë dhe dihaste si kafshë, shkrofëtinte:
‘Spurdhjaku mi bëri koqet copë.’
Gallaktioni ia mori dorën punës. Magazinieri Syrja filloi ti sillej ndryshe, i afroi një marrëveshje por pa guxuar ta shohë në sy. Ndërsa shitëset e prisnin me buzëqeshje, ndonjëra prej tyre, si fjala vjen Serina e bëshme ngjiste buzët e plota pas buzëve të tij dhe një buzë mbrëmje nuk përtoi t’i zbathte brekët në sy të tij. Ai njohu të fshehtat dhe hiletë e zanatit, huqet e shitësve. Puna i ecte mirë dhe familja e madhe e përballonte jetesën.
Një mbrëmje të ftohtë dimri me borë, kur dilte nga hauri, pasi lau kalin dhe i dha tagji. Dy duar të forta e mbërthyen nga shpatullat i hodhën hekurat dhe e flakën në një furgon të zi. Gallaktioni vërtiti sytë i nemitur, s’kuptonte ç’po ndodhte dhe mërmëriti zë holluar prej tmerrit:
‘Çfarë kam bërë që më arrestoni?!’
Policët s’i kthyen përgjigje. E hodhën e birucë. Pas disa orësh e thirri hetuesi, i tha:
‘Akuza jote është e rëndë; përvetësim të pronës socialiste.’
Gallaktioni e mohoi kategorikisht. Hetuesi e akuzonte por s’ kishte fakte. Ai s’pranoi gjë.
‘Jam i pafajshëm,- u tha:- Ku është vjedhja ime, shikoni faturat, kontrolloni hyrjet, daljet dhe shpërndarjet e mallrave.’
U kontrolluan faturat, të gjitha dilnin në rregull. Por hetuesi Laver kishte informacion të saktë dhe pëlciste nga marazi. Sa herë e thërriste në hetuesi, e vinte në mengene, të pranonte fajin se s’ kish rrugëzgjidhje tjetër, shtonte:
‘Që ke vjedhur, këtë e di dhe bufi. Na trego marifetin djallëzor që përdorje kur përvetësoje pronën shenjtë të popullit. Informata është e sigurt. Që do dënohesh për vjedhje kjo s’ka diskutim. Por trego në ç’mënyrë i bëje allishverishet, vetëm për procedurë hetimore.’
Gallaktioni këmbëngulte në të tijën:
‘ Kur të gjitha faturat janë në rregull, çfarë kërkoni nga unë?! Më lini të shkoj në shtëpi.’
Hetues Laver skërmiste dhembët dhe fshikullonte kamxhikun. E ëma nga meraku i burgosjes së tij po sëmurej gjithnjë e më keq. Berber i të burgosurve ishte dajë Samiu, vëllai i nënës. Një ditë i hyn në qeli me shprehje të mërzitur në fytyrë, i foli për nënën, për varfërinë dhe pasojat e rënda që heq familja nga burgimi i tij.
‘Çfarë faji kam bërë që më mbajnë të burgosur?’ ia ktheu i lodhur Gallaktioni:’Ngarkoja, ç’ngarkoja, mbaja familjen me djersën e ballit.’
‘Me djersën e ballit, por me marifete ama,’ ia pat dajë Samiu.
‘O dajë mos fol kështu!’
‘ Pse s’e di unë?! Sy lesh më di mua?! Hë të keqen daja, tregoi dajës marifetet që bëje e tak fak e hodhe lumin, shpëtove.’
Gallaktioni e pa dajën me dyshim dhe ai ktheu:
‘Dajë, s’kam bërë marifete, kam punuar me ndershmëri.’
Daja luajti kryet, u përtyp dhe tha:
‘Shejtan i dajës,’ shejtan, e di unë e di..!
Gallaktioni si ktheu përgjigje, u tërhoq në cep të qelisë. Daja doli prej qelie. Ai mbeti vetëm. Ç’donte daja nga ai?! Ai qeth koka. Çfarë fitim ka që gërmon?! Ditën e nesërme erdhi e ëma në takim. Ajo ishte e zbehtë, e merakosur, i foli zë lodhur, të mekur, iu lut:
‘Biro pse ngulmon si mushka, tregoja dajës marifetin. Dajë si dajë të mirën ta do. Më dha fjalën të shpëtojë prej burgut.
‘Mos ka ndonjë hile këtu moj mama,’ i ankua Gallaktioni.
‘Korba unë ç’thotë djali! Daja yt, vëllai im të ketë hile me ty! Të gjithë hetuesit deri te kryetari e degës janë miqtë dhe shokët tij. Hë biro...’
Ditën tjetër erdhi polici dhe e nxori prej qelie. E shoqëroi në dhomën e qethjes, ku e priste daja me përparëse të bardhë dhe gërshërë në dorë.
‘Të qenkan rritur shpejt qimet,’ i tha daja dhe i kaloi makinën mbi çaçkë. I qethi kokën e bëri tullë. Pas pak e pyeti:’ Ti pres këto qime të buta të dala në faqe?’
‘Priji,’ i tha me përtesë Gallaktioni.
Dajë Samiu mprehu briskun pa meshinit dhe ia kaloi briskun nipçes në faqet e trendalifta. Daja shtyu derën e dhomës së vogël të berberanës dhe nisi t’i pastronte qafën dhe fytyrën me peshqir të lagur. E disifektoi dhe me alkool. Ai dukej i paduruar, i nervozuar. Sytë e vegjël i ishin errësuar dhe hunda poçe i ishte skuqur.
‘Nipçe, shejtan i dajës, e shoh s’ke respekt për mua. Me këtë gërshërë mbaj shtëpinë...
‘Ore dajë ç’ lidhje ka burgimi im me ty?!
‘Po hë ç’ka! E gjora jot ëmë u bë gjysmë njeri, po tretet si qiri. Qan, s’të dhimbset more. S ’të vjen keq për një grusht njeri që jep shpirt nga meraku për ty. Trego ore marifetin dhe shpëto...
Gallaktioni i lëkund dhe vështroi ngulët fytyrën babaxhane të dajës.
‘Dajë, të besoj ty?!’
‘Ma the mua sikur ja the dheut.’
‘Po tregova të vërtetën do më lirojnë?’ e pyeti Gallaktioni me naivitet.
‘Ç’do të bëjnë, çilimi je,’ ia priti dajë Samiu. Uli sytë përtokë dhe futi duart në xhepat e përparëses së bardhë.
Galaktioni u mëdysh përsëri, por sytë e vegjël dhe zhbirues të dajës e yshtnin të fliste:
‘Fol të shkretën, tregoi dajës. Dreqi ta marrë mos i jep rëndësi vetes.’
‘Mos më merr në qafë o dajë,’ foli Gallaktioni me ankim dhe vështroi ngulët nga vëllai i nënës.
‘Të marrë në qafë daja ty?!’ U grind dajë Samiu dhe zgjati kryet si struc.
‘Mirë, po ta them. Po ta dish, e bëra nga nevoja të ndihmoja familjen me ndonjë lekë më tepër,’ u përgjigj shkurt Gallaktioni:’ Një pjesë të mallit e faturoja, një pjesë jo, për shembull shalqinjtë, karrocën e ndaja me dërrasë, shalqinjtë e pa faturuara i vija në një anë, të faturuarat në anën tjetër...Ja kështu...
‘Pastaj?! E pyeti si në ethe Dajë Samiu.
‘Kaq, pastaj hiç.’
Dajos i qeshi fytyra. I ra në faqe të nipit dhe i tha:
‘Qerrata i madh je, kaq ishte, ja shpëtove!’ i tha, thirri policin ta çonte të nipin në qeli.
Pas disa orësh e thirrën në dhomën e hetuesisë dhe e lidhën pas stolit të çimentë. Në mes të dhomës së hetuesitë, këmbë hapur, duar kryqëzuar në gjoks e priste i murrëtyer hetues Laveri. Gallaktioni e vështroi i trembur dhe u ndje bosh. Befas hetues Laveri u turr drejt tij, e mbërtheu për gryke dhe me ton të ashpër, i tha:
‘Dëgjo këtu i pandehur, ti spurdhjak ndyrë që na solle muaj të tërë vërdallë. Të urdhëroj të tregosh bashkëpunëtorët e marifeteve që bëje, të mos faturimit, të përvetësimit të pronës së shenjtë socialiste. Hape grykën...Dëgjon?!
‘Dëgjoj,’ mërmëriti Gallaktioni.
‘Kështu, hë! Ia the dajës ti shush e budalla. Po të më tregoje mua do kishe më shumë lehtësira. Trego, me cilët i bëje marifetet, mashtrimet, vjedhjet, poshtërsitë, ndryshe do ngordhësh në burg për gjithë jetën’
Galaktioni u drodh sikur të ishte në elektroshok. Daja i tij e shiti për xhaba te hetuesi dhe gërhiti:
‘Këtë mos ma kërko, sikur copa- copa të ma bësh mishin.’
‘Atëherë do ngordhësh në burg,’ hungëriri hetuesi i skuqur në fytyrë.
‘Le të ngordh, kur e kam prej dajos, vëllait të nënës.
‘Jo, e ke prej kokës,’ ia pat hetuesi Laver.
Inati i pabesisë së dajos ia shtoi akoma më shumë rezistencën ndaj torturave dhe se hapi gojën. Pas disa muaj torture në hetuesi, e nxorën në gjyq dhe e dënuan me pesë vjet burg. E ëma i vdiq shpirtplasur disa muaj më vonë. I ati u zvarrit i vetëm këmbadoras nëpër shtëpi dhe vdiq një vit të ikjes së nënës...
Dëgjoi të trokitura të shpeshta në derën e banjës dhe zërin e shqetësuar të Elenës.
-Gali dil, u bë trokë së ngrohuri dhe ai çikë peshk, se tjetrën ta hëngri daja.
-Phu, djalli e mori! U përpoqa t’i harroja zërin dhe figurën! Dreq, të dija të vdekur! - shfryu Gallaktioni me inat. T’i thoshte Elenës, prej dajës hëngri burg. Iu përgjigj të shoqes:- Ja dhe pak mbarova.
Si bëhej të ngrinte dorën, të shkumboste trupin. Rënkoi me dhembje dhe përsëriti ultas fjalët e gruas:
- Hëm, ma hëngri peshkun daja...
Gallaktioni doli i pavëmendshëm prej vaske. Trupi i dridhej prej nervozizmit, këmbët e lagura shkanë në pllakat e bardha e të lëmuara. E sikur të mos ish mbajtur pas banakut, rrezik të qe gremisur, thyer kërbishtet. I përhumbur la ujin të kullonte prej turpit përdhe. Rreth këmbëve të zbathura, u krijua një pellg i vogël me ujë, rënkoi:
- Më ndoqe si flamë e zezë o dajë! Po të kisha fuqi të urreja, por s’të urrej dot, se je shumë i urryer...