Kulturë
Viron Kona: E ëmbla fëmijëri
E diele, 22.11.2015, 01:39 PM
 Cikël me poezi nga Viron Kona
Cikël me poezi nga Viron Kona
E ëmbla fëmijëri
Kushtuar shokut tim të fëmijërisë Lulëzim Yzeiri (Xhimes)
Shoku im i fëmijërisë,
ishte dje, është edhe sot.
Fëmijëria tema e parë,
nga moti në mot.
U rritëm si të gjithë fëmijët në botë,
me zënka, lojëra, bredharakë,
ngaqë donim të dukeshim ndryshe,
bëheshim edhe nga pak arrakatë.
Loja me top lecke ishte e zakonshmja atëherë,
top më të mirë, s`kishim ku të gjenim,
ai që kishte topin, bëhej trajner,
na fuste, na nxirrte në lojë sipas qejfit.
Në rrugicat e ngushta të lagjes bridhnim,
me “parzmore”, “mburoja”, “shpata” dhe “shtiza”,
valëvitnim flamujt, si kalorës vraponim,
thërrisnim në dyluftim goxilla dhe përbindësha.
Karrove me kuaj këmbëzbathur u qepeshim,
në ecje e sipër donim t`u hipnim,
pa frena dhe pa duar biçikletave u jepnim,
nga drunjtë e molit të vjetër si peshq hidheshim.
Ai që më thellë në ujin e detit kridhej,
dhe me një grusht rërë në sipërfaqe dilte,
kapiteni ynë nga të gjithë pranohej,
me fishkëllima, brohoritje dhe duartrokitje.
Te manat e lagjes si ketra ngjiteshim,
hanim me grushte, përlyheshim në fytyra,
indianëve të Amerikës donim t`u ngjanim
në fushën e betejës sokëllinim me ulërima.
Kur vinte koha që manat rralloheshin,
goditnim me gurë kokrrat e mbetura në maja,
ndodhte që gurë mbi kokat tona binin,
zemëroheshim, shanim, klithnim nga dhimbja.
Kur qethëm flokët për të shkuar ushtarë,
shenjat e gurëve në kokat tona dalluam,
ia numëruam njëri-tjetrit, dolëm barazim,
si dikur fëmijë qeshëm me lot e gëzuam.
Ushqim hanim ku të na zinte vakti,
herë unë te Xhimja, herë Xhimja tek unë,
mes varfërisë gjithnjë diçka gjenim,
nënat gatuanin përherë nga një pjatë më shumë.
Zonja Vëri, -i thërrisnin gjyshes së shokut tim,
zonja Ana, -i thërrisnin gjyshes sime,
dikur zonja të rënda kalash,
njëra e Kaninës, tjetra e Beratit ishte.
Të dyja gjyshet qenë shekullore nga mosha,
histori për trima dhe kohë të vjetra tregonin,
kur ne u afroheshim t`u rrëmbenim ndonjë sekret,
na jepnin lekë për akullore, me lezet na zbonin.
Me qejf e pa naze u bindeshim
këshillat e tyre nuk i harronim,
tek ato “dy kala” me mure të forta,
ne mbrojtje gjenim, sa herë gabonim.
Miqësinë mes nesh në vite e kemi forcuar,
ndonëse me kohë rrugët tona u ndanë,
si dy degët që dalin nga një trung,
kemi ditur t`i gjendemi njëri-tjetrit pranë.
Rrugëtojmë me kurajë në rrugët e jetës,
jemi bërë burra me familje e fëmijë,
ata që ishim atëherë, jemi edhe sot,
rrënjët na i ushqen e ëmbla fëmijëri.
Lisi 1.
Në trupin e tij gjigant e kurorë gjerë,
gjethet e blerta fëshfërinin,
në fllade dhe në herë,
tinguj pylli binin.
Zogjtë të të gjithë llojeve,
nëpër degë kërcenin e cicëronin,
shkrimtarë, muzikantë e piktorë,
nën hijen kurorë gjerë, kafe pinin.
Vajzat gjimnaziste i mblidheshin pranë,
Çapkëne, të hareshme e plot gaz,
kukurisnin, hidhnin flokët mënjanë,
djemve u hidhnin shikime shkarazi nga larg.
Ishte seç ishte, kur suleshin çamarrokët gazmorë,
ia merrnin valles së pinguinëve e roza-rozina,
bashkonin cicërimat me zogjtë këngëtarë,
lisi i përkëdhelte me fllade e fëshfërima.
Zyrtarët çliroheshin aty nga kollaret,
afroheshin militantë nga çdo parti,
lisi fëshfërinte dhe s`mbante anë,
zakonin e mikpritësit bënte, falte freski.
Nuk ra nga mosha dhe plakja,
as nga shtrëngatat dhe erërat,
as nga vetëtimat e zjarrta.
as nga topat dhe predhat.
Atë bukuri të rrallë të natyrës,
që gjallëroi dhe mbretëroi 300 vjet,
e rrëzoi “gijotina” barbare,
me tehun e saj të mprehtë.
PS
Pas reagimeve qytetare,
mbërriti shkresa zyrtare:
“Me vendim nr. prot. dat.
Lisi u pre për shkaqe informale”.
1). Lisi është një simbol i përbashkët i fuqisë (forcës), rezistencës dhe durimit. Ai është 600 llojesh mbi tokë, me gjelbërim të përjetshëm. Goditet shpesh herë nga rrufetë. Është zgjedhur si pemë kombëtare në shumë vende.

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










