E diele, 28.04.2024, 09:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Trimëritë e Bubulinos

E premte, 16.10.2015, 11:33 AM


Trimëritë e Bubulinos

-tregim-

Nga Viron Kona

Gjatë ditës, Bubulinoja tregohej shumë trim. Rrëmbente shpatën prej druri, shtizat e gjata, përdorte si mburojë ombrellën e babit ose të mamit dhe, duke nxjerrë gjoksin përpara, vërtitej nëpër dhoma duke thërritur:

- Jam Hektori, jam Aleksandri, jam Skënderbeu! Dil or Akil të ndeshesh me mua në fushën e betejës! – dhe, duke vringëllirë  shpatën si Don Kishoti, sytë i shkreptinin nga trimëria dhe heroizmi. Mjerë macet e shtëpisë Baronesha dhe Pisika se ç’hiqnin nga shpata dhe shtizat e tij. Por armët e Bubulinos nuk kursenin as karriget, jastëkët, kukullat, gërvishtnin muret...

Veç në mbrëmje:

- Bubulino, shko e më merr pakëz pantoflat në dhomën e gjumit, - i thotë babi dhe shton: - Kujdes, mos rrëzohesh se llamba është e djegur.

Bubulinoja i afrohet dhomës së gjumit dhe befas ndal këmbët. Pastaj hedh një hap dhe ndalon. Në dhomë është errësirë e madhe dhe diçka po lëviz atje poshtë dollapit të rrobave. Ai ka frikë të futet në dhomë. Qëndron një copë herë të gjatë, pa mundur të bëj dot një hap përpara.

- Bubulino, i gjete pantoflat? - vjen zëri i babit nga kuzhina.

Vogëlushi s’përgjigjet.

Ndjen që pranë i afrohet si me magji gjyshja. Zhurma poshtë dollapit të rrobave vazhdon. Gjyshja mban vesh një copë herë dhe buzëqesh.

- Janë ato shejtankat, Pisika jonë dhe Bianka e komshiut, ato bukuroshet që s’lënë zogj pa ngrënë. Ato luajnë me pantoflat se u duken si bishta miu.

Gjyshja i merr pantoflat dhe ia jep vogëlushit:

- Shpjerja babit, - i thotë ajo.

Bubulinoja ia shpie pantoflat babit, por sepse i mban sytë përdhe. I vjen turp që u tregua frikacak dhe pyet veten se ku i shkuan gjithë ato trimëri, ato beteja të rrepta me kundërshtarë imagjinarë, ato dyluftime të fituara me lavdi! Jo, ai s’duhet të ketë më frikë!

Dhe, Bubulinoja pret me padurim mbrëmjen e ditës tjetër, që të shkojë vetëm në dhomën e errët të gjumit dhe t’i sjellë mamit apo babit diçka që ata do t’ia kërkojnë.

Por, ditën tjetër, llamba elektrike u rregullua.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora