Në përgjigje të pyetjes: Çfarë
përfaqson ky flamur amerikan?
Nga Albana Melyshi Lifschin, Nju Jork
Dje më
erdhi një letër në e-mail nga një mikeshë nga atdheu e cila më pyeste lidhur me
ngjarjet e fundit në Amerikë dhe një flamur “të ri” amerikan që është shfaqur
në ekranet televizive për të cilin diskutohej se do të hiqej. ”Unë kujtoja se
Amerika kishte vetëm një flamur, atë me 50 yje të bardhë…” shkruan ajo.Pyetja e
mikeshës sime është interesante e përgjigjen e saj e gjen në historinë e SHBA,
mbi 150 vjet më parë gjatë periudhës së luftës civile. Në mesin e shekullit 19,
në të gjithë Amerikën kishte filluar një debat i madh mbi skllavërinë. Në 1850,
Kongresi Amerikan aprovoi ligjin për skllavin që arratisej nga i zoti. Ky akt u
njihte të drejtën pronarëve të riposedonin skllevërit e tyre që guxonin të
arratiseshin. Madje edhe në Boston, vendin e lirisë amerikane, u
panë skllevër që tërhiqeshin zvarrë nëpër rrugë të lidhur me zinxhirë nga
policë që i kthenin ata tek ish pronarët e tyre. Biseda mbi skllavërinë në jug
të vendit, kishte hyrë në çdo vatër familjare. Shtypi i kohës paraqiste
pikëpamje të ndryshme rreth kësaj teme që ishte bërë e ditës dhe problem i
shtruar për zgjidhje. Njerëzit nga më të thjeshtët deri tek përfaqësuesit e
popullit amerikan dhe burrat e shtetit ishin përçarë në opinionet e tyre:
Kundër ose pro skllavërisë –sistem mbi të cilin mbështetej jeta dhe ekonomia e
shteteve të jugut të SHBA. Pikërisht në këtë kohë doli libri "Kasollja e
Xha Tomit" e Herriet Biçër Stoun. Eshtë e pamundur të flasësh për luftën
civile në Amerikë pa përmendur librin e saj që ndihmoi në ndërgjegjsimin e
njerëzve në veri të vendit për gjendjen reale të shteteve në jug. Qe libri me
impaktin më të madh atë kohë për çështjen që shtrohej. Ishte hera e parë që në
një libër amerikan heroi kryesor ishte një zezak. Libri qe mbushur me
përshkrime rrënqethëse të trajtimit çnjerëzor që u bëheshin skllevërve nga
pronarët e tyre. Shumë vdisnin nga rrahjet. Skenat ishin të përshkruara me
besnikëri, pikërisht siç i kishte parë ajo vetë. Libri u shpërnda në mënyrë të rrufeshme
brenda dhe jashtë Amerikës. “Xha Tomi” shtoi urrejtjen e popullsisë së shteteve
të Veriut të SHBA ndaj sistemit të skllavërisë në Jug. Pas botimit të librit u
bë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për pronarët e skllevërve të jugut
të kërkonin t'u ktheheshin skllevërit e tyre të arratisur në veri. Në adresë të
Herrietës filluan të vinin letra plot me kërcënime. Madje një ditë në postë
erdhi një pako ku qe mbështjellë një vesh i prerë skllavi. Kjo ishte një
shprehje e hapur e zemërimit të pronarëve të skllevërve ndaj veprës se saj.
Gjithësesi për të treguar se sa i ndarë ishte vendi atë kohë mjafton të
përmendim faktin që vetë zv.presidenti i SHBA Xhon Kallhun ishte pro shteteve
të Jugut, pra për përçarje e jo për ruajtjen e vendit të bashkuar. Amerika po
kalonte një periudhë delikate e të rrezikshme Vendimi final do të përcaktonte
fatin e vendit: Nëse do të ruhej shteti amerikan i bashkuar në një (si Union) apo do te ndahej në dysh,në
shtete te lira dhe shtete me sistem skllavërie. Ky vendim do të merrej nga
presidenti i ri i SHBA, Abraham Linkolni. Abraham Linkolni jo më kot është
konsideruar si një nga presidentët më të mëdhenj të Amerikës, krahas me Xhorxh
Uashingtonin. Kjo për arsye se ai ruajti unitetin e vendit në periudhën e tij
më kritike, gjatë luftës civile 1861-1865.Në fjalën e tij të inaugurimit, me
një ton të butë,presidenti i ri bëri të qartë se Unioni është i pandashëm.
Sipas Kushtetutës së SHBA-theksoi Abraham Linkolni, detyra e tij ishte të
siguronte zbatimin e ligjit në të gjithë vendin. "Burri dhe gruaja mund të
ndahen, por vendi jo!”, tha ai.Pas këtij mesazhi njerëzit e kuptuan që vendin
nga ndarja do ta shpëtonte vetëm lufta.Pas zgjedhjes së Linkolnit si president,
Karolina e Jugut votoi për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara, duke dalë si
shtet i pavarur.Brenda një muaji shembullin e saj e ndoqën Misisipi, Florida,
Alabama, Xhorxhia, Luiziana dhe Teksasi. Këto 7 shtete u quajtën “Shtete të
Konfederates” dhe ngritën flamurin e tyre,( per te cilin behet pyetja me lart)
që ndryshonte nga flamuri amerikan. Lufta civile midis veriut dhe jugut filloi
në 2 prill 1861 dhe zgjati 4 vjet.Ushtarët e shteteve të jugut luftonin nën
flamurin e konfederatës. Në 1 janar 1863, Abraham Linkolni lëshoi Proklamatën e
Emancipimit (çlirimit) të skllevërve në shtetet e jugut ku skllavëria ishte
ende në fuqi.Lufta civile i kushtoi vendit 600.000 viktima. Fitorja e luftës
nga shtetet e veriut konsolidoi idenë se SHBA-Unioni ishte i pandashëm.
Normalisht mendohet që flamuri i konfederatës 150 vjet pas luftës civile, duhej
të kishte hyrë në muze, si pjesë e asaj periudhe historike të SHBA, e
megjithatë për çudinë e shumëkujt ai ende valëvitej edhe deri para disa ditësh
në sheshet e bashkive të kryeqyteteve të shteteve të jugut. Ngjarjet e kohëve
të fundit, akti kriminal i një të riu të bardhë 21-vjeçar, supremacist, Dylann
Roof, që glorifikonte konfederatën, i cili hyri në një kishë historike të
popullsisë me ngjyrë në Çarlston, Karolina e Jugut, dhe kreu masakër duke vrarë
njëherësh 9 vetë përfshirë edhe priftin,shqetësuan kombin amerikan dhe qe
shtysë për një kthesë të shpejtë. Këto ditë politikanët e shteteve të jugut
vunë në pyetje simbolet e konfederatës, përfshirë këtu edhe flamurin, gjë që
para masakrës as që u shkonte ndër mendje.Për shumicën e amerikanëve flamuri i
konfederatës është simbol i skllavërisë, racizmit, konfliktit më të madh brenda
vendit që shkaktoi qindra mijëra viktima. Por për shumë të tjerë në shtetet e
jugut flamuri i konfederatës dhe simbolet e asaj kohe, janë ruajtur si memorial
respekti për ushtarët e jugut që ranë në atë luftë. Shtetet e jugut kanë qenë
të mbushura me simbole të konfederatës, që shiheshin në parqe, shkolla, emra
rrugësh, targa makinash, statuja të udhëheqësve të famshëm të konfederatës . Ky
flamur është valëvitur në sheshet e godinave qeveritare të shteteve të ish
konfederatëspër një kohë të gjatë.Masakra e fundit në Çarlston, Karolina e
Jugut,ndryshoi mendimin për flamurin dhe qëndrimin ndaj tij në kohën e sotme.
Guvernatorja e Karolinës se Jugut, Nikki Haley, republikane, të hënën e kaluar
iu referua flamurit dhe simboleve të së shkuarës së shtetit, si simbole
respekti e integriteti, duke arsyetuar heqjen e tyre nga godina qeveritare,
theksoi: “Ky flamur ndërkohë që është pjesë integrale e të kaluarës sonë, nuk përfaqëson
të ardhmen e shtetit tonë të madh”. Ajo deklaroi që flamuri i konfederatës do
të hiqej nga ambienti i godinës qeveritare të shtetit. Shembullin e saj po e
ndjekin edhe shtete te tjera të jugut, dikur shtete të Konfederatës, që ishin
për ndarjen e Amerikës. SHBA ka vetëm një flamur, atë me 50 yjet që
përfaqësojnë 50 shtetet e saj në një union të përbashkët. Vendi i flamurit të
konfederatës që lindi në një periudhë të caktuar historike është në muze.
Mbyllja e atij kapitulli u kurorëzua me fjalimin monumental të presidentit
Abraham Linkoln në Getisbërg 150 vjet më parë, kur tha se "gjaku i atyre
që u vranë në këtë luftë nuk u derdh kot; se ky vend, me hirin e Zotit do të
përjetojë një rilindje të lirisë, dhe se qeveria e popullit, e dalë nga populli
dhe që punon për popullin nuk do të zhduket nga faqja e dheut.