Mohimi i të kaluarës është
zhvlerësim i të sotmes dhe të ardhmes
Nga Shefik Shkodra
Pa të
kaluarën s’do të ishte e sotmja! Këtë e di edhe një nxënës i klasave të
fillores. Nuk nevojitet shumë dije edhe kur njeriu publik gabon. Gjithsesi duhet të kërkoj falje, jo të krekosur, duke
menduar veten të paprekshëm. Madje edhe
të veprojë me syçelëti. Ju që jeni në
poste përgjegjëse të kësaj shoqërie, duhet të jeni më serioz për paraqitjen
publike. Në çdo kënd fjala e juaj ka jehonë e pritet me së paku me një koment e
vlerësime te qytetarëve. Zyrtari duhet
të jetë kredibil e me autoritet.
Përgjegjës për vendin e vet udhëheqës. Nuk mund të flas sot kështu,
nesër ndryshe. Askush nuk ia fut thonjtë në fyt që të thotë atë që nuk është
për t’u thënë. Me një fjalë, nuk do të duhej të paraqiteni aq naivë para
opinionit publik. Ndonëse, për disa raste s’ka të bëjë fare me naivitetin. Më
shumë me mendjemadhësinë.
Përditshmëria jonë me plot
anakronizma
Edhe në
ditët e kësaj kohe, prej këtyre zyrtarëve të këtij shteti, plot anakronizma po
shfaqen. Madje, edhe nga ata që njeriu i mendon për seriozitetin në punën e
tyre. “Ju keni kontribuar për një kohë tjetër, e një shtet tjetër, ndërsa tash
është kohë e re dhe shteti i ri”!!! (Adil Fetahu, Zotëri ministër Abrashi,
kërkoju falje pensionistëve!), ishte ky njëri prej artikujve të botuar për këtë
farë ministri. Ne nuk duhet ta nënçmojmë njeriun që është zgjedhur dhe është
vendosur të kryej punët shoqërore, qoftë në Qeveri, Kuvend , apo institucione
të tjera. Por, këta zyrtarë, veç nëse nuk është ndonjë me mend mirë, nuk
duhet të sillen si burokrat të
feudalizmit...Më parë duhet t’i ngjaj me diçka si njeri më i ngritur e më me
elegant. Mirëpo, të themi drejt, tash nuk po dihet, a është i sëmurë apo mendje
bosh ndonjëri prej këtyre...?! A kanë dëshirë t’i thërrasim ministër, apo
bandit rruge, si sherif. Edhe në qoftë se vërtet kemi punuar për Serbi dhe për
dikë tjetër, nuk ka nevojë të flasë e të shpjegoj në atë mënyrë një, të themi
nëpunës edhe rangut komunal, e në disa sportele, kur i ngrehin “llafet” me
palët e padisiplinuara.
Loja e tallja me pensionistët
Me ketë
rast do të më lejohet t’ua rrëfej një anekdotë nga populli që edhe ju me siguri
e keni dëgjuar. Një kohë Zoti ua kishte
caktuar të gjithëve, kafshëve dhe njerëzve nga njëzet vjet jetë. Mirëpo disa
kafshë ishin ankuar, si Gomari që kishte thënë se, nuk mund të qëndronte njëzet
vjet të plota me barrë pa ndërprerë. Njeriu këtij ia merr atë pjesë të moshës
prej 40 – 60 vjet. Që do të thotë,
njeriu në këtë pjesë të jetës duket si një gomar që nuk ndalet kurrë, duke
punuar për fëmijë, për familje e shoqëri. Ankesa tjetër vjen nga qeni: “Unë nuk
mund të qëndroj gjithnjë duke lehë për kaq vite...” Nga solidariteti i madh,
njeriu ia mori edhe këtij barrën, në moshën e tij prej 60 – 80, vendosi të
flasë pa ndërprerë, po si qeni që leh e nuk e dëgjon askush. Gjithashtu, u
ankua edhe majmuni , “edhe unë, tha ai, nuk mund të qëndroj për njëzet vjet
duke kërcyer prej një druri në tjetrin me këtë pamje që kam”, njeriu edhe
këtij, pa dëshirë u detyrua t’i bënte shoqëri në një pjesë të jetës. Pra, me
plakjen njeriut , pamja e tij ndryshon, duke filluar të shëmtohet me rënien
dhëmbëve, rënien e flokëve, rrudhjen e gojës e zgjatjen hundës, lotimin e
syve...kërrusje e i shtrembërim të gjymtyrëve. Humbjen e bukurisë. Asgjë s’ka
prej tij më. Veç barrë e ngarkesë...
Kujtohuni
mirë ju ministra, kryeministra, deputetë e zyrtarë të tjerë. Mendohuni edhe për
fundin e kësaj bote individuale. Atë fund askush nuk mund ta ndryshojë, as me
letra e as me gojë. Çasti i fundit është shumë kritik, jo pse e kam provuar,
por i kemi pa dhe i keni pa edhe ju me siguri, se si e kanë lëshuar grahmën e
fundit. E kanë pa edhe familjet e tyre dhe të afërmit. Ata që ishin të lidhur
si kulpnaja, të mbështjellë pas interesit personal të përkohshëm. Shikoni mirë
çka po flisni e çka po pështjelloni para këtij populli. Dikush jep premtime se,
në të gjitha shkollat në Kosovë do të bëj digjitalizimin, por ajo veç fjalë
mbetet. Po, ato shkolla që janë ndërtuar, sa
është vërejtur, në pamje duken shumë të bukura me fasadën e tyre, po edhe me
lokalet. Veç ato që i kam pa, asnjëra nuk e ka një sallë të fizkulturës! Tjetri
paraqet reformë në arsim. A për çdo katër pesë vjet mund të bëhet reformë në
arsim? Një tjetër ministër del e thotë publikisht “të gjitha i
di, por nuk mund t’i them këto publikisht” për këtë ngjarje. Herën tjetër,
deklarohet, “asgjë lidhur me këtë rast nuk di”.
Tjetër kush i di ato. Një tjetër thotë,
të mos shumohen shqiptarët, sigurisht duke menduar për zorin e tyre se
si nuk po munden t’i mbajnë ata fëmijë. Se për ta nuk ka as që do të ketë punë
pas rritës së tyre në këtë vend. Ata edhe po na sjellkan problemet në këtë
shoqëri...dhe do të kenë dëm prej tyre edhe evropianët, etj. Një tjetër e
dëgjon duke e alarmuar gjendjen e përgjithshme të keqe në këto terrene, etj. pa
ndërprerë të tilla “xhevahire”. Sikur nuk kanë planifikim në punën e tyre.
Sikur nuk e kanë të qartë se, të gjitha kategoritë sociale e përbëjnë këtë
shoqëri. Dhe gjithë bota kështu vijon, e edhe me pensionistë, madje me shumë
respekt, për dallim prej këtyre njerëzve përgjegjës të këtij vendi, tek sa kemi
filluar jetë të pavarur, nëse mund të themi, jetë të pavarur (!)
Një pyetje për këta “eprorët” e
pazakonshëm për të moshuarit
Ata nuk
dëshirojnë të dëgjojnë për të kaluarën. Mbetja humane është një pengesë
politike, ekonomike, shoqërore. Pra një mbeturinë kohe, sipas këtyre zyrtarëve.
Kur e bën mend njeriu, ky mendim po del nga ata fëmijët tanë që po e
qeverisin këtë vend, më mirë thuaj, po e çervishin. Këta “manekinët” e qytetërimit tonë të sotëm,
donzhuanët e “epokës së lavdisë”, nevrikosën kur i përmend dikush pensionistët.
Këta të fundit duhet të fshihen nga sytë e tyre. “Le të mbyten në det!” Po e prishin pamjen e djemve “funksionarë”
demek, këta donkishotët komikë të kohës.
Është folur e është shkruar disa herë për ata më të vjetrit. Për ata që
lanë pjesën më të mirë të jetës në ndërtimin e vendit. Herë-herë është dëgjuar
fjalë prej zyrtarëve shqiptarë shumë përbuzëse për këtë moshë. Madje, shumë
ofenduese nga njerëz përgjegjës në vend. Një djalë i ri, ministër i këtyre
ditëve, u thotë pensionistëve (s’mund ta besoj), “ju (që) keni punuar për
Serbi-Jugosllavi” në vendin e tyre, do të thotë, s’keni çka kërkoni nga
qeveritë e sotme shqiptare(!) “Ju kërkoni pensionet e juaja te Serbia! Ju
vdisni sa më parë! ” kjo kështu i bie të thuhet fjali e plotë. E mirë, ti ministri i ri sot, shqiptar i Kosovës, po të kisha pranë do
të bëja ndonjë pyetje edhe kur ti nuk
dëshiron të dëgjosh: kush të lindi ty, me kënd u rrite ti ministër, kah erdhe
në këtë tokë? për kë ka punuar gjyshi dhe yt at? Ku e more atë shkollë? Për
kënd punon ti sot dhe çka i ofron këtij mileti? Nëse kështu vërtet jeni duke
bërë lojëra me popullin, me prindërit e juaj e gjithë kombin, për ngjarjet më
me rëndësi dhe personalitetet, më duket se trutë më janë bërë hallvë. Po
mendoj, mos ndoshta nuk janë këta njerëz nga toka e jonë. Munden edhe nga
kozmosi, çdo gjë është relative sot. Veç me këto sjellje nuk jeni ndoshta të
tokës, të kësaj toke që aq shumë ka vuajtur ky popull. Po vuajtja po vijon, veç tash nga
papërgjegjësia në punën e juaj, duke u mbështetur herë pas here në atë kur ju
nuk u konvenon, se, fajet i ka huaji. Kjo mund t’u kushtojë shtrenjtë në fundin
e fundit...krejt të mirat e të këqijat sot vijnë nga fëmijët tanë, që janë
shndërruar të gjithë në manekinë, në donzhuanë, në kapitalistë me prona të
gjera, me kadillëqe e kadilerë dhe me kanune për vete si në feudalizmin e
hershëm...ende pa i marrë këmbët ky vend!